VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PILATI BERISHA DHE LIGJI 7501
Nga ALFRED ÇAKO

E Premte, 02.14.2014, 10:50am (GMT1)



Këto ditë, në emisionin "Studio e Hapur" të Eni Vasilit në TV "News 24", z.Berisha, si rrallëherë në jetën e tij politike kur ka diskutuar për probleme madhore, në një përpjekje të sforcuar prej kokorroçi për ta paraqitur si një "˜feedback' personal modern, theksoi gabimin 22-vjeçar të votimit prej tij të Ligjit 7501, ligjit të shpërndarjes së tokës bujqësore. Arsyeja se përse e bën me kaq vonesë këtë reagim, duket se është fund e kreje e dyfishtë dhe pragmatiste. Kjo "˜mea culpa' vjen pasi z.Berisha, si një delfin i Ramiz Alisë dhe regjimit komunist, realizoi një nga pjesët më të rëndësishme të projektit të tij dhe të "˜Katovicës', për të mos lejuar kthimin dhe zotërimin e bazës ekonomike në favor të asaj klase ekonomike që e kishte të trashëguar apo blerë ndër shekuj tokën bujqësore, deri në epokën e komunizmit. Dihet se kjo klasë, pikërisht ngaqë e njihte programin ekonomik të shtetëzimeve të komunizmit, nuk e kishte mbështetur ardhjen e tyre në pushtet. Pikërisht për këtë arsye të dyfishtë, pas vitit 1948 u godit struktura e pronësisë private të tokës me disa faza, me synim final shtetëzimin dhe zhdukjen e pronës private. Arsyeja e dytë pragmatiste e kësaj "˜mea culpa' të z.Berisha në lidhje me kalimin prej tij dhe zbatimin e Ligjit famëkeq komunist 7501, mendoj se është taktikë për ta shkarkuar këtë "˜mëkat' të rëndë nga supet e suksesorit të tij të ri, Basha, të cilin e komandon sikur ta kishte shpirtin e vet binjak. Por, në fakt, pastrimi i z.Basha, do të thotë përfitim për mentorin e tij, që është vetë zoti Berisha, i cili mendon të grabitë me mashtrim, përsëri, votat e një shumice ish-pronarësh, të cilët e kanë të vështirë të votojnë majtas. Z.Berisha, qysh 1 vit para zgjedhjeve lokale planifikon që, me këtë "˜pranim gabimi', këto vota të mos shkojnë te parti të tjera opozitare, sidomos te Fryma e Re Demokratike dhe partitë tradicionaliste e historike, por t'i atashohen partisë së tij, e cila është duke përjetuar një krizë të thellë identiteti dhe po vuan pasojat e kostos së një pushteti të gjatë e me shumë probleme në amvisimin e tij.

1 - "Mos e vrit ti, mos u përzje në punët e këtyre", i pati pëshpëritur gruaja e vet Pilatit, "se këtyre punëve të rëndësishme nuk dihet se si iu shkon filli", thotë në Ungjillin e tij Mateu, kur para tij i sollën për të ekzekutuar Joshuanë. Por Pilati mendoi se kishte një rrugëzgjidhje tjetër të dyfishtë: Po iu bënte qejfin Sanhedrinit të filistinëve të Jerusalemit, të cilët ishin shprehur për ta vrarë Jezusin-Zot dhe, për t'u pastruar, do bënte një akt simbolik publik shfajësimi të traditës çifute, duke larë duart. Ose siç i themi ne shqiptarët, Pilati veproi sipas parimit që, "Mishi të piqej e helli të mos digjej".
Këtë parim zbatoi me kokëfortësi pas viteve '90, e deri më sot, me Ligjin 7501, edhe ish-komunisti Sali Berisha, i cili, i zbritur si student në Tiranë në kulmin e luftës dhe terrorit komunist të elitës së kuqe sunduese të metropolit ndaj kulakëve, fesë dhe gjithë armiqve të jashtëm kapitalistë, ishte indoktrinuar me një urrejtje të brendshme e shumë të natyrshme për sistemin e pronës private, të cilën ai ishte i bindur se e kishte vendosur përfundimisht "˜në shtyllën e turpit' Enver Hoxha dhe më pas Ramiz Alia. I edukuar me librat për kufitarët e dashurinë për qenin e kufirit dhe urrejtjen për diversantët që hynin e dilnin nga bjeshkët, apogjeu i urrejtjes së tij - pasi ai erdhi student në Tiranë apo kur filloi punën si mjek - ishte urrejtja e tij ndaj "˜kulakëve' dhe "˜armiqve të klasës'. Ai i dinte thuajse përmendësh gjithë veprat e diktatorit dhe vigjilenca ndaj armiqve të socializmit ishte "˜virtuti' i tij më i çmuar, sipas shprehjes së komunistëve se, "˜Uji fle, ndërsa armiku nuk fle'. Dihet tashmë se z.Berisha është protagonist i paepshmërisë së luftës ndaj "˜armiqve' të tillë, sidomos në Spitalin e Tiranës ku ai ishte sekretar i organizatave të bashkuara të partisë së këtij institucioni. Ekziston një shprehje e vjetër aksiomatike, sipas së cilës, "˜Askush nuk është aq i pasur sa të blerë të kaluarën e vet'.

2 - Dihet se ka pasur një plan të Internacionales Komuniste të quajtur "Programi i Katovicës", ku Gorbaçovi, i cili e pa se sistemi socialist lindor nuk mund të ishte konkurrues me atë perëndimor, hartoi një stratagjemë për gjithë klasat e përmbysura, të cilat kishin luftuar me gjak për përmbysjen e regjimit komunist në të gjitha vendet e Lindjes. Dihet se në planifikimin ushtarak, stratagjemë quhet një strategji e gënjeshtërt luftarake e cila i jepet armikut për ta mashtruar dhe strategjia e vërtetë ruhet në konspiracion nga një grup i vogël që synon ta mbajë ose ta marrë pushtetin. Në këtë kuptim, z.Berisha ngjan si te përralla e ujkut me kecat. Stratagjema ishte që "˜ujku' Berisha do të lyente këmbën me miell dhe do të shkonte duke blegërirë te "˜kecat' e trembur e të uritur, duke u paraqitur si "˜mama dhia' dhe, kur ata t'ia hapnin derën, e dinte ai se ç'do t'u bënte. Pra mos dyshoni se ka ndodhur një metamorfozë dhe një brerje ndërgjegjeje tek doktori. Konstrukti i tij është sipas parimit, "çfarë ka dalë nga macja, gjuan gjithmonë për minj".
Dikush që nuk e sheh me kaq seriozitet punën e tokës, mund të arsyetojë se këtu s'ka pasur ndonjë konspiracion nga ish-komunistët dhe unë e ekzagjeroj. Jo, dihet se një shoqëri funksionon mbi dy shtylla: baza dhe superstruktura, ose thënë ndryshe, nga forma e marrëdhënieve ekonomike dhe e pronësisë dhe nga institucionet e sistemit politik. Gjithashtu, çdo e mirë materiale apo shërbim me përfitim ekonomik realizohet mbi tre faktorë: toka, puna dhe kapitali. Të parën e zotërojmë ne shqiptarët, të dytën e kemi disi (klasën "˜know how', ose thënë ndryshe, shkencëtarët dhe profesionistët e fushave të ndryshme), ndërsa të tretën e kemi pasur me pakicë, por që z.Berisha dhe të tijtë, të kuqtë e vjetër, të shpërndarë në shumicën e lidershipit të partive politike, dhe servilët e tij të rinj, mendonin ta krijonin nëpërmjet korrupsionit dhe duke rrjepur sektorin e sipërmarrjes private apo duke grabitur burimet ekonomike natyrore nëpërmjet tenderave dhe ankandeve të qeverisë me fondet publike. Është ky korrupsion dhe futja në jastëkë e rreth 20% të fondit të investimeve publike në këta tetë vjet, që ka tharë burimet financiare të investimit dhe ka tërhequr në një masë të konsiderueshme paranë e zezë të korrupsionit nga tregu dhe ekonomia, për shkak se administrata tatimore kërkon të kontrollojë çdo transaksion mbi 150 mijë lekë që kryhet jashtë kanaleve bankare.

3- Goditja vdekjeprurëse e ish-pronarëve me Ligjin 7501 nuk i lejoi "˜klasat e përmbysura' të rigjallëroheshin dhe, ashtu siç ëndërronte R.Alia, duke mbajtur në këmbë pushtetin e tretë, gjyqësorin, ish-pronarët kanë 23 vjet që sorollaten nëpër gjykata me ca tapi të pavlera në dorë. E.Hoxha ua konservoi tokën për 35 vjet. S.Berisha dhe F.Nano ua tjetërsoi. Sigurisht që çdo shtet bën reforma të nevojshme agrare mbi tokën për një rend shoqëror human dhe për të rritur produktet bujqësore nga ana cilësore dhe sasiore. Por, në fakt, ish-pronarët kishin zotëruar deri më 1944-ën një fond toke prej afro 300 mijë hektarësh. Këtë fond e zotëronin rreth 87% e banorëve të fshatit. Në vitin 1990, pas tharjes së kënetave, plus tokën e vjetër shtetërore, shteti kishte rreth 400 mijë ha, si pronë të vetën. Nëse me një pjesë të këtij fondi shteti do të kompensonte 13% të banorëve që kishin qenë argatë dhe çifçinj, do i ngelej një fond goxha i madh, të cilin mund ta përdorte për turizëm dhe ta jepte me qira (siç bën Maqedonia) pak më poshtë sesa çmimi i tregut, duke e pasur si një burim të ardhurash permanente për administratën shtetërore. Por z.Berisha, i cili përveç urrejtjes ndaj "˜kulakëve' kishte një dashuri të shfrenuar për institucionet e dala prej Konferencës së Pezës dhe një dashuri për 24 Qershorin dhe Revolucionin e Fan Nolit, siç e quanin komunistët, nuk mundej dhe nuk lejoi që toka të shkonte te i zoti, te ata që e kishin trashëguar apo blerë, dhe me një urrejtje klasore bëri për 20 vjet flirt kryeneç me ish-komunistët e tjerë të së majtës në lidhje me Ligjin 7501, dhe sot kërkon të mbyllë pjesën e dytë të "˜larjes së duarve' të aktit të Pilatit, duke e paraqitur si një gabim dhe jo si një faj të rëndë kalimin e këtij ligji aspak optimal e human, pasi vendosi karrocën para kalit dhe jo kalin para karrocës, me objektiva thellësisht personalë dhe politikë, me objektivin kryesor eliminimin për herë të dytë të "˜armiqve të klasës dhe kulakëve', edhe nga frika e revanshit të tyre politik. Tokat e tyre do të lejoheshin të grabiteshin nga lëvizjet migratore dhe këta banorë të rinj, sigurisht, do të njihnin për zotin e tyre politikanin "˜zemërgjerë' që ua dhuroi tokën stërgjyshore të të tjerëve, sikur ta kishte pasur të vetën.

4- Ju kujtohet Zuteri? Johann August Sutteri është një sipërmarrës tipik tragjik dhe, modeli "˜shqiptar' në SHBA, i goditur njëlloj si "˜kulakët' tanë këtu në Shqipëri nga Doktor Berisha. Monografinë e tij e keni te vepra e të madhit Stefan Zweig. Zuteri ishte një zviceran i ri i falimentuar në Zvicër në rininë e tij, i cili i braktisi të gjithë për të hedhur fatin e tij në rulonë e kumarit të SHBA, ku hapi një lokal nga i cili grumbulloi goxha të ardhura në vitet 1830. Zuteri njihet si evropiani i parë që me shpirtin e aventurës mori pak persona dhe kaloi më këmbë gjithë kontinentin amerikan nga lindja në perëndim, duke dalë buzë lumit Sakramento në Kaliforninë që në atë kohë sundohej nga mbreti spanjoll. Me paratë e tij bleu një sasi të madhe toke, ku mbolli shumë kultura të cilat i shiste në Evropë dhe krahas bujqësisë ai filloi të diversifikonte investimet edhe në blegtori. Thuhet se u bë njëri ndër njerëzit më të pasur në botë me fermën e tij "New Helvetia". Por ju e keni dëgjuar, gjithashtu, "˜El Doradon', për të cilën flet vepra jo edhe aq "˜fiction' e Xhek Londonit: Zbulimin e arit rreth e rrotull Sakramentos. Të gjithë aventurierët dhe ish-burgaxhinjtë e Britanisë, Evropës dhe Lindjes së Mesme, vrasësit dhe kriminelët në kërkim, ia mbathën në këtë humbëtirë pa zot të botës së Perëndimit të largët. Aty kishte edhe ushqime pa para, mjafton që me hunj e shkopinj t'u suleshin produkteve bujqësore dhe tokave të Zuterit, pularive dhe fermave të tij të kafshëve të ngritura me gjenialitet e guxim. Në vend të parajsës së Zuterit, shpejt aty u ngritën bidonvilet e të ardhurve, të cilët më pas, duke qenë shumicë e njerëz me probleme, filluan ta tallnin Zuterin, madje i hodhën edhe tre djemtë e tij nga dritaret e gjykatës së qytetit të sapokrijuar të Los Anxhelosit, kur ky filloi t'u hapte probleme për dëmshpërblim financiar. Kur ai mbeti i ve, u krye akti i fundit i tragjikomedisë me të. E dini se çfarë bënë me Zuterin e shkretë, gjysmë të çmendur e të plakur?! I kërkuan falje dhe, madje, kërkuan ta kandidonin si përfaqësues të tyre në pushtetin lokal! Tani ata s'ishin më fajtorë, pasi "˜po lanin duart' me Zuterin, njëlloj si Doktori ynë me pronarët legjitimë, apo jo?

ALFRED ÇAKO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.