VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DREJTËSI PËR VIKTIMAT E KOMUNIZMIT Nga FRANK SHKRELI E Premte, 03.28.2014, 08:53pm (GMT1) Më heret këtë muaj në Budapest të Hungarisë filloi gjyqi i një prej ish-zyrtarëve më të lartë komunist të atij vendi, i akuzuar për krime që kanë lidhje me vrasjet e ndodhura pas revolucionit anti-komunist të dështuar hungarez, në vitin 1956. Ish-zyrtari i lartë komunist hungarez, i cili gjëndet përball akuzës për krime lufte dhe krime kundër njeërzimit quhet Bela Biszku në moshën 92-vjeçare dhe ish-ministër i punëve të mbrendshme të regjimit komunist pas revolucionit anti-sovjetik. Sipas burimeve të mediave të ndryshme hungareze dhe ndërkombëtare, ai akuzohet se kishte gisht në vrasjen e protestuesve paqësorë anti-komunistë dhe anti-sovjetikë. Agjencia e lajmeve Reuters njofton se ky është një gjyq me rëndësi për Hungarinë, sepse mund të ndihmojë vendin që të përballet më lehtë me të kaluarën e vet komuniste. Ndërkohë që Polonia dhe disa vende të tjera ish-komuniste kanë miratuar ligje lustracioni, gjë që e ka bërë më të lehtë periudhën e tranzicionit në atë vend, Hungaria konsiderohet si ndër ato vende ish komuniste të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë plotësisht drejtësinë për viktimat e barbarizmave të regjimit komunist. Njoftohet se ky gjyq ka tërhequr vëmendjen e medias mbrenda dhe jashtë Hungarisë dhe se tani zhvillimi i gjyqeve të tilla në atë vend, bëhet i mundur në saje të një ligji të ri hungarez, në bazë të cilit -- krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerërzimit nuk u skadon kurrë afati. Kjo është në përputhje me ligjet e shumë vendeve në bazë të cilave, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njeërzimit nuk u skadon afati kurrë, ndërkohë që marrëveshjet dhe normat ndërkombëtare i konsiderojnë krimet komunist, si krimet më të këqia që mund të jenë bërë ndonjëherë. Bela Biszku, i cili ka shërbyer si ministër i punëve të mbrendshme nga viti 1957 deri më 1961, dhe njëri ndër udhëheqsit më të lartë komunist të Hungarisë, i ka mohuar akuzat kundër tij. Dihet se pas shtypjes barbare të revolucionit hungarez nga tanket sovjetike, me qindra anti-komunistë hungarezë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjerë u burgosën, gjatë kohës që Biszku shërbente si ministër i mbrendëshëm i regjimit komunist të Hungarisë. Prokuroria thotë se Biszku si anëtar i lartë i të ashtuquajturit Komiteti i Përkohëshëm Ekzekutiv, ai ka marrë vendime dhe ka dhënë urdhëra për të eliminuar armiqtë, dhe për t'i eliminuar ata pa mëshirë. Partia e Kryeministrit të tanishëm të Hungarisë, Z. Viktor Orban, një anti-komunist i vendosur, është shprehur se gjyqe të tilla duhet të ishin mbajtur shumë kohë më parë, duke theksuar se ata që kanë kryer krime serioze gjatë sundimit të regjimit komunist duhet të mbahen përgjegjës njësoj si kriminelët nazistë të luftës. Media vendore thotë se nga pikëpamja e jurisprudencës, ky gjyq përbën një pikëkëthesë me rëndësi në historinë ligjore të vendit, duke mundësuar kështu që shoqëria hungareze të mësojë, më në fund, të vërtetën mbi krimet e regjimit komunist në Hungari. Por përveç kësaj, sipas historianit hungarez Tibor Zinner, i cili citohet të ketë thënë se gjyqi i ish-zyrtarit të lartë komunist hungarez Bela Biszku, sjellë një dobi tjetër me rëndësi, pasi shënon fundin e një standardi të dyfishtë, që ndryshe trajtonte krimet e nacizmit dhe ndryshe krimet e komunizmit. Historiani hungarez ka thënë gjithashtu se ky gjyq ka rëndësi për faktin se ndonëse në të kaluarën, zyrtarë komunistë të nivelit më të ulët janë gjykuar dhe dënuar për krimet e tyre, asnjë prej ish-udhëheqsve më të lartë politikë të regjimit komunist hungarezë nuk kanë dalur për të dhënë llogari para gjyqit për krimet e tyre. Edhe Shqipëria, ndonëse kishte regjimin më të egër komunist në Europën Lindore, është një ndër vendet që ka bërë më pak ose aspak në këtë fushë, në krahasim me vendet e tjera, duke treguar një mungesë vullneti për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste. Duket sikur shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e disponuar dhe hiç e interesuar, përfshirë edhe median shqiptare, për të zbardhur atë histori. Ndërkohë që mediat europiane dhe më gjërë ka shkruar dhe komentuar gjërë e gjatë për gjyqin në Hungari, si dhe raste të tjera gjyqesh të tilla në ish vendet komuniste, është interesant fakti se pse media shqiptare, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç është gazeta Telegraf, nuk flet shumë për fatin e keq të viktimave të regjimit komunist në Shqipëri dhe as nuk përmend kurrë raste të tilla gjyqesh në vendet ish komuniste, duke ndejtë larg përmbajtjes si dhe simbolizmit historik që përcjellin këto gjyqe. Pas më shumë se 20-viteve ç'prej rënjes së komunizmit në Europë, me përjashtim të Polonisë, Çekisë, Gjermanisë dhe të ndonjë vendi tjetër, vendet e tjera ish komuniste nuk kanë miratuar ligje të nevojshme për tu përballur me të kaluarën, ndërkohë që gjykatat e tyre janë treguar të paafta për të dënuar krimet kundër njerëzimit dhe torturat e diktaturës komuniste. "Për të ndejë shtrembët dhe për të folur drejtë", gjatë këtyre 20-viteve, as Përendimi nuk ka treguar ndonjë interesim të madh për të dënuar krimet komuniste, siç kishte bërë me dënimin e krimeve naziste pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo, sipas ekspertëve ka ndodhur për arsye se nazistët kanë kryer krime kundër popujve të tjerë, e si e tillë nevojitej një përgjigje ndërkombëtare ndaj krimeve të nazismit, ndërsa komunistët kanë torturuar dhe kanë vrarë popullin e vet. Mos dënimi i krimeve të komunizmit është një çështje aq shqetësuese anë e mbanë Europës, sa që ka shtyrë disa ekspertë ligjorë dhe politikanë europianë, pjesëmarrës në një konferencë ndërkombëtare mbajtur kohë më parë në Bruksel në përpjekje për të kapërcyer këtë mungesë drejtësie të bëjnë thirrje për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të vendosur drejtësinë në vend për krimet komuniste anë e mbanë Europës -- si një ndërmarrje kjo themelore që synon respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Konferenca e Brukselit ka theksuar rëndësinë e nevojës për vendosjen e drejtësisë për krimet komuniste, duke marrë parasyshë krizën e sotëme ekonomike, si dhe kërcënimet e rreziqet që vijnë nga lëvizjet ekstremiste të kohëve të fundit në Europë. Një numër organizatash europiane kanë përkrahur idenë e krijimit të një gjykate të re ndërkombëtare për tu marrë me krimet e komunizmit. Nëse kjo nismë do të realizohet, kjo është një pyetje tjetër. Por, një gjë është e sigurt, se krimet ndaj viktimave të komunizmit do të mbeten një subjekt i gjallë i cili prekë thellë ndërgjegjen morale të të gjithë europianëve, përfshirë edhe shumë shqiptarëve, dhe do të mbetet i tillë përderisa të mos ketë një ballafaqim serioz me këtë murtajë të shekullit të kaluar. Zëvendës Kryeministri dhe Ministri hungarez i Drejtësisë, Tibor Navracsics në një ceremoni përkujtimi për viktimat e komunizmit muajin që shkoi në Muzeumin e Shtëpisë së Terrorit në Budapesht,kushtuar viktimave të komunizmit, tha se "personat që ne i quajmë viktima të komunizmit, nuk janë tulla të shtypjes, por janë blloqe themeli të lirisë tonë". Ai theksoi se fatet e secilit prej viktimave të komunizmit bashkohen në historinë e kombit, pasi ka aq shumë tregime e plagë, sa ka edhe njerëz. Ai tha se është e pamundur të përshkruhet se çka mund të kenë menduar ato viktima kur u është marrë toka, ose kur u është mohuar mundësia për të vazhduar studimet, kur janë sëmur, kur janë prekur nga depresioni ose kur janë detyruar madje edhe të vrasin veten nga torturat. Askush nuk kërkon hakmarrje për ato që kanë ndodhur, madje as vet ata që kanë vuajtur, e që kanë pësuar trajtimet më çnjerzore. Kërkohet vetëm drejtësi morale për viktimat e komunizmit. Të këqiat e atij sistemi, përfshirë edhe krimet ndaj kunërshtarve të tij, po injorohen nga shoqëria, por nuk duhet të harrohen. Të pakën pjesa më e madhe e botës demokratike e pranon nevojën për t'i kundërshtuar ato barbarizma dhe për të njohur e kujtuar viktimat e komunizmit, megjitëse kompensimet e plota morale dhe materiale ndoshta janë të pamundura për tu realizuar për shumë prej tyre, kur të merret parasyshë numri i madh i viktimave dhe krimet në shkallë të gjërë që ata kanë pësuar gjatë atij regjimi. Viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe të vendeve të tjera ish komuniste po presin për pothuaj një çerek shekulli për drejtësi. Fatkeqsisht, bazuar në këtë përvojë historike, ata mund të presin për gjithë jetën! I nderuar lexues i këtyre rreshtave, a mendon se shoqëria shqiptare ka bërë aq sa duhet dhe aq sa ka mundësi -- të pakën nga pikëpamja morale -- për tu përballur me trashëgiminë e komunizmit dhe me dënimin e krimeve ndaj viktimave të regjimit komunist? FRANK SHKRELI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |