VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Në Kosovë FSKsë të mos i krijohet asnjë pengesë Editorial E Premte, 01.30.2009, 02:01pm (GMT1) Editorial (Voal-online) - Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ka nisur tashmë edhe zyrtarisht jetën e saj. Nuk kanë qenë e nuk janë të papritura për të vështirësitë e fillimit. Forcat e sigurisë përbëjnë sovranitetin e një vendi. Dhe sovraniteti i një vendi nuk është abstrakt, është tejet konkret. Një vit pas shpalljes zyrtare të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nuk mund të ketë faktor, nuk mund të ketë qytetar të Kosovës, nuk mund të ketë shqiptar që të mos e kuptojë dhe të mos e ndjejë sa peshon në qenien e tij dhe në qenien e bashkësisë qytetare të Kosovës shkalla e sovranitetit të cilën e ka sot Kosova. Duke qenë e identifikuar, më mirë se çdo përmasë tjetër, me sovranitetin e Kosovës, Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) pengohet me të gjitha mjetet dhe mënyrat e mundshme, krejt hapur dhe krejt vrazhdë, nga Serbia. Mjafton që ne të kemi këtë vetëdijë për të kuptuar sa e rëndësishme është, sa vendimtare është që në Kosovë FSKsë të mos i krijohet absolutisht asnjë pengesë. Kjo do të thotë që kuvendarët në Prishtinë t'i përgatitin ligje sa më të mira Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo do të thotë që qeveritarët në Prishtinë të ndjekin përditshmërisht forcimin dhe rritjen e Forcës së Sigurisë të Kosovës. Kjo do të thotë që qytetarët, faktorët shoqërorë e të tjerë në Kosovë të kenë gatishmërinë dhe përkushtimin sa më shembullor për të pasur një Forcë të Sigurisë të Kosovës sa më të përgatitur në shërbim të sovranitetit të Kosovës dhe në shërbim të mbrojtjes popullore përballë fatkeqësive natyrore e të tjera. Kjo do të thotë që ndërkombëtarët, faktorët e shëndoshë rajonalë të cilët janë larg ndikimeve të Serbisë, ta kuptojnë thellësisht se rritja dhe forcimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës është një faktor i pazëvendësueshëm paqeje në rajonin e Europës Juglindore, i cili e ka aq të freskët historinë tragjike të viteve 1990. Përgjegjshmëria jonë, e miqve tanë, aleatëve, në radhë të parë NATO-s, bëjnë që duke konsoliduar dhe vënë në shërbim të vendit dhe popullit të vet FSKnë të kemi kështu të siguruar paqen e domosdoshme në këtë pjesë kaq të ndjeshme të kontinentit dhe të botës. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |