VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

100 VJET BRENGË KOLONEL TOMSONI
Nga Dr. PËRPARIM TOMSONI

E Djelë, 06.15.2014, 08:01am (GMT1)



U mbushën 100 vite nga 15 qershori i vitit 1914, kur koloneli holandez Tomson u vra në fushën e betejës në luftë me rebelët. Në këtë ditë përkujtimore përkulem me shumë respekt para veprës së tij. Në shenjë nderimi po botoj pjesë nga studimi im, titulluar "Një brengë e vjetër për Princ Vidin", ku zë vend fort të spikatur dhe kontributi e fati tragjik i kolonel Tomsonit.

* * *
Para disa vitesh dikush po shkruante një libër për Kolonelin. Më kërkoi të përktheja nga gjuha frënge fjalimin e Konicës para arkëmortit me trupin e Kolonelit, që qëndronte i shtrirë dhe bëhej gati t'i shkonte dheut arbëror. Ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. Dukej si një ceremoni ndërkombëtare. Një plumb i pabesë, një ushtarak holandez që kishte humbur jetën, një bej i kulturuar që i jepte lamtumirën jo në shqip, por në frëngjisht, në gjuhën e Volterit. Kësisoj, shqiptarët ishin neglizhuar, ata nuk duhej ta dëgjonin thelbin e mesazhit, ishin turpëruar në këtë "pabesi" që kishin kryer duke e vrarë pas shpine mikun prej Holande. Ata vetë apo të tjerë që ua faturuan atyre? Fjala e Faik beut, tek e lexoja, më tronditi, më turpëroi, më la një shije të hidhur si shqiptar. M'u duk sikur fjalët qenë zgjedhur për të shprehur atë atmosferë kapluese, sepse, në thelb, ideja ishte se nuk varrosej thjesht një njeri që e donte Shqipërinë dhe mbronte kufijtë e saj: po varrosej një ëndërr europiane për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në respekt të kujtimit për Kolonel Tomsonin dhe në përputhje me faktet, si dhe për të rivlerësuar Faik Konicën, po e sjell në format të plotë fjalën e tij në momentin e ceremonisë së përcjelljes në atë tokë që ai e donte, sepse Tomsoni luftonte e thërriste: "Rroftë Shqipëria!". Tek dha frymën e fundit, ndoshta mendoi për një çast për Marien e vogël katërvjeçare që e priste atje në Holandë. Imagjinoj lotët e Durhamit kur mori lajmin. Atë ditë ranë në fushën e betejës edhe shqiptarët e ndershëm, kapiten Kamber Sejdini, Haki Glina, Ceno Sharra; gjithsej 15 dëshmorë. Sot nuk mund të mos kem në veshë Simfoninë e Tretë të Bethovenit, me atë muzikë që të kujton heronjtë e të gjitha kohëve, ku lë gjurmë mallëngjimi koha e dytë, Marcia Funebre: Adagio Assai. "Shembulli i tij do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe në historinë tonë!". Kështu e fillon fjalën e tij Faik Konica në ceremoninë mortore dhe vijon: "Ministri i Brendshëm m'u lut të flisja në emër të tij. Unë e pranova këtë nder të trishtuar për të thënë një lamtumirë supreme për Heroin Holandez, të cilin e qan gjithë Shqipëria. Koloneli Tomson kishte mbërritur në Shqipëri para gjashtë muajsh me oficerë të tjerë holandezë, i ngarkuar me një mision të nderuar, për ta vënë sadopak rendin në këtë vend fatkeq. Komploti i Beqirit pati nxjerrë menjëherë në reliev karakterin e ashpër e të drejtë, të përbërë si një bllok i vetëm, dhe shpirtin e lexueshëm e veprues të Tomsonit. Dihet se ai, me një gjakftohtësi të mrekullueshme ndërhyri në anijen që vinte për të gjallëruar konspiratorët. Ai i çarmatosi një nga një, duke i hedhur në det me gjest sublim. Një bombë që u zbulua, dhe i vuri fajtorët përballë gjyqit ushtarak. Ky episod shpërthyes përflaku imagjinatën e popullit dhe fillimet e moshës sonë të re, emri i Tomsonit u bë menjëherë legjendar në oxhaqet tona. Një ngjarje shumë më e dhimbshme, që ndodhi pas disa muajsh, e ngriti tejet në shpërthim këtë emër dhe e shtoi më shumë admirimin dhe afeksionin që Tomsoni gëzonte në Shqipëri. Që prej rebelimit që pat shpërthyer në Shijak dhe Kavajë, nga të gjitha anët thuhej: "˜Po Tomsoni ku është?'. Pas disa ditësh shkruhej me gëzim: "˜Tomsoni mbërriti! Gjithçka do të shkojë në rregull!'. Besimi i përgjithshëm ishte plotësisht i justifikuar... Por sa zbriti në Durrës, Tomsoni u vu në punë. Dhe, ndërsa kërkonte të kapte dorën misterioze që kishte ndezur luftën civile dhe kishte aktivizuar zjarrin, ai kombinoi një lëvizje të përgjithshme të destinuar për pengimin e rebelëve në të gjitha drejtimet dhe i dërrmoi me një goditje forcat dhe shpresat e tyre të kota. Sa keq! Artizani heroik nuk do ta shihte realizimin e veprës që ai kishte përgatitur. I surprizuar nga një përpjekje e zjarrtë që ai zbatoi dhe bëri që Durrësi të shpëtonte nga duart e rebelëve. Kolonel Tomsoni e stabilizoi situatën në sajë të heroizmit të tij të rrufeshëm. Por Shqipëria, që ishte mësuar ta donte atë si mbrojtësin e rreptë të rendit publik, po e qan tani atë si një martir të lirisë sonë! Tomsoni ka vdekur në fushën e nderit. Mirënjohja jonë për Holandën që na e kishte dërguar atë; gjithë po aq është admirimi për popullin që rriti heronj të tillë. Tomsoni gëzoi besimin e Princit, sovranit tonë August. Populli shqiptar e deshi atë me një afeksion të thellë. Edhe vetë kundërshtarët ishin të detyruar ta çmonin atë. Kalimi i tij i shkurtër në Shqipëri do të linte gjurmë të ndritura, të cilat do të na ndriçojnë në rrugën e detyrës. Shembulli i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe në historinë tonë, si një instrument më shumë i pavdekshëm se ai prej bronzi!".

Teksa i lexoj sërish këto radhë që i pata takuar për herë të parë në vitin 1999, ndjej po atë ankth dhe respekt për Kolonel Tomsonin. I them sot, se për të jam i ngacmuar dhe i frymëzuar thellë e që, bashkë me këtë punim për Princ Vidin, do të përfundoj edhe skenarin e filmit ku ai do të jetë personazhi kryesor dhe boshti i filozofisë e i aksionit filmik. Kur e shihja tekstin në gjuhën frënge dhe ai vinte fjalë pas fjale dhe fjali pas fjalie në shqipen tonë të bukur, më kishte përfshirë atmosfera dhe pështjellimi i atyre ngjarjeve, veçse gjithçka në ato momente kishte qenë një detyrim shoqëror për dikë që ma kërkoi shoqërisht përkthimin. Sot ai gjest civil ka tjetër vlerë, është një kujtesë e plotë dhe e rëndësishme, por më vjen edhe si një këngë e sprasme e detyrimit që mbetet në respekt të atyre që e deshën sinqerisht Shqipërinë në ditët kur ajo rrezikonte ekzistencën. Libri im me titullin "Epistolate-Antropologjia e Frymës", pas 12 viteve punë erdhi në jetë. Atje është si epilog dhe "Një brengë e vjetër për Princ Vidin"... e ku mes ngjarjeve dhe episodeve shkëlqen edhe Kolonel Tomsoni.

Beteja...

Pikërisht, në mes të qershorit, më datën 15, ndodhi një incident që pati një ecuri tragjike. Policia sekrete, e krijuar nga civilë patriotë, pas një vëzhgimi disajavor që iu bë disa të huajve të dyshimtë kishte pikasur se në një shtëpi të marrë me qira nga disa italianë natën jepeshin sinjale me drita, shenjë të cilës, po me drita, u jepej përgjigje nga kodra e Rrushbullit. Policia njoftoi menjëherë Kolonelin holandez Tomson, komandant ushtarak i qytetit. Kapiteni Fabius e rrethoj shtëpinë me disa policë dhe vullnetarë dhe në një operacion blic arrestoi atje dy italianë. I treti mundi të shpëtonte duke u larguar nga dritarja, paçka se i gjithë qyteti i njihte ata, si dhe atë që iku nga "sytë këmbët". Është e turpshme kur mendon se vetë ministri italian (ambasadori) ndërhyri që të mos arrestohej dhe ndërmjetësoi që ai të largohej nga Durrësi sa më shpejt. Në momentin e arrestimit mbërritën në vendngjarje njëkohësisht dhe Kolonel Tomsoni e Baron Alioti. Ambasadori italian e kundërshtonte arrestimin, sepse ishin në fuqi Ligjet e Kapitullimit. Tomsoni ngulte në të tijën se, në raste flagrance ky ligj nuk pinte ujë. Mes tyre nisi një debat i gjatë dhe me tone të larta, që përfundoi me ngritje zëri. Më së fundi fitoi toni dhe e bërtitura e ushtarakut që nuk trembej. Shtëpia u kontrollua, si dhe korrespondenca e tyre po ashtu. Ndërsa ata u mbajtën në vëzhgim, pa u lejuar të largoheshin nga Shqipëria. "Dhelpra" italiane, baroni Alioti, ministri italian pranë Oborrit Mbretëror, pra ambasadori fuqiplotë, nuk mund ta gëlltiste këtë sfidë të hapur nga një ushtarak. Nxitoi si era te mbreti dhe, me një nervozizëm të dukshëm, kërkoi nga monarku shkarkimin e menjëhershëm të Kolonel Tomsonit; ose ai të shprehte një kërkesë formale për falje nga mbreti, për sjelljen e rëndë e të papëlqyeshme ndaj një diplomati të lartë. Baron Alioti ndodhej duke biseduar me mbretin, në atë që quhej "Dhoma Orientale", dhe kërkesën për rastin në fjalë po e bënte me zë të lartë, që të dëgjohej edhe nga të tjerët. Ai bërtiste përballë mbretit, si për të kompensuar betejën e humbur qoftë edhe vokalisht me trimin ushtarak holandez. Xhandarmëria holandeze ishte emëruar nga Fuqitë e Mëdha, ndaj ishte Komisioni Ndërkombëtar që mund të shprehej dhe jo mbreti. Është një situatë sa komike për ministrat shqiptarë që i luteshin Tomsonit të kërkonte falje për të shmangur shqetësimet e mëtejshme, por po aq dinjitoze, sepse Tomsoni, nga ana tjetër, qëndroi solid dhe me karakter. Ai nuk lëvizi asnjë moment nga qëndrimi. "More të lutemi, bëje këtë për hatër të mbretit!", - i thoshin zyrtarët shqiptarë, ndërsa ai iu përgjigj me një qëndrim prej ushtaraku, serioz e të palëkundur: "...Unë do të jepja edhe jetën time për mbretin, por kurrë nderin tim!". Sa nevojë do të kishte Shqipëria për njerëz të tillë! Sa mirë do të ishte sikur mes shqiptarëve të kishte persona të këtij formati, që për dinjitetin civil dhe profesional nuk përkuleshin ndaj presioneve që bjerrin dinjitetin. Detyra mbi të gjitha, dhe jo urdhri i autoritetit! Megjithëse ishin rreth 15 veta që e kishin parë sinjalin me drita, çështja u pushua. Që nga ai moment, Kolonel Tomsoni për disa e kishte mbushur kupën. Ai nuk do të duhej të bënte hije mbi dhé. Ku i dihet se në cilat skuta u thirr ai që mori përsipër vrasjen e tij, e cila nuk vonoi të vinte? Në kapërcyell të gjysmës së parë të qershorit 1914 gjithçka dukej se po mbytej nga dyshimi, nga tradhtia. Trazirat po shtyheshin të vinin si re të zeza mbi atë djerrinë tragjike. Në vend që ushtria mbretërore të rrethonte rebelët, ndodhi e kundërta. Ata sulmuan Durrësin. Vetëm në datën 15 qershor pati një fitore të vogël mbi rebelët, por e paguar me një humbje të pariparueshme. Po atë ditë vritet në rrethana misterioze Kolonel Tomsoni. Është një peng i trishtuar. Në agim të asaj dite plumbat mbërritën deri te Pallati Mbretëror. Mbreti u bë gati të nisej vetë për të inspektuar se çfarë po ndodhte, por Turhan Pasha dhe Armstrongu nuk e lejuan. Është ky i fundit që mori një kalë te stallat dhe u nis të verifikonte. Fillimisht kalëroi nga ana e detit dhe më tej duke mbajtur rrugën drejt Tiranës; ai ishte nisur me të katra në vijën e luftimit. Kur mbërriti te magazinat, ai gjeti atje mirditorë dhe kosovarë që shtinin pa pushim. Në të majtë dy automatikë qëllonin pa u ndalur në një ritëm krismash. Atje ndodhej edhe Tomsoni. Ai e këshilloi Armstrongun të largohej, se mund të goditej dhe të shkonte "ta siguronte mbretin se pozicioni ishte plotësisht i sigurt për momentin, megjithëse një numër rebelësh kishin arritur t'u afroheshin transheve nën barin e lartë". Armstrongu kalon si në revistë gjithë transhenë, me qëllim që t'u jepte kurajë luftëtarëve. Thirrja e tij "Rroftë Mbreti!" e mbyti thirrjen që vinte nga ana tjetër, e cila më shumë se një linjë beteje ishte një botë tjetër, në grahmat e fundit, por që ende kishte vullnet dhe energji negative. Ajo vjetërsirë jo vetëm luftonte me armë, por edhe shkonte drejt vdekjes duke thirrur çmendurisht: "Allah il Allah!". Në këtë kohë, edhe mbreti, shoqëruar nga Ekrem beu, kishte shkuar të inspektonte një bateri në kodrën prapa barakave.

Armstrongu tregon se rrugës në kthim takon mjekun holandez dhe baroneshën Amelia Godin, një shkrimtare bavareze, e cila e kishte vizituar Shqipërinë për disa vjet dhe kishte shkruar për vendin e popullin shqiptar. Ajo fliste shqip shumë rrjedhshëm dhe njihte mirë karakterin e ritualet e shqiptarëve. Zonja gjermane kishte shërbyer në spital si infermiere, por edhe si përkthyese për mjekët austriakë. Ajo kishte qenë edhe në vijën e frontit dhe si filoaustriake ishte një person që urrehej nga italianët. Madje, kishte edhe nga ata që e akuzonin si një person në shërbim të grekëve. Mbreti dhe mbretëresha kishin respekt për të, por ajo nuk e frekuentonte shumë Pallatin Mbretëror. Ata e njoftuan Armstrongun për vrasjen e Tomsonit. "Ai ishte goditur në venën jugulare në grykë, vetëm disa minuta pas largimit të Armstrongut (P. K. Dukej se shenja ishte marrë aty ku duhej, që t'i mbyllej goja atij holandezi sfidues.), dhe kishte vdekur pothuajse menjëherë. Megjithëse Koloneli Tomson ishte shumë popullor, te vendasit askush nuk kishte bërë ndonjë përpjekje për t'i vajtur në ndihmë kur ishte rrëzuar. (Edhe ky detaj më bën të dyshoj thellë se çfarë kishte ndodhur.) Majori Roelfsema dhe zoti Artur Moore i gazetës "The Times" kishin vrapuar mes plumbave dhe e kishin tërhequr deri te vendi i mbuluar. (Moore, më vonë, vetëm për këtë gjest human ishte rekomanduar për dekorime shqiptare dhe holandeze. Sjellja e tij ishte konsideruar si akt galant). Roelfsema, prej atij moment tragjik kishte qenë Oficeri i Lartë Holandez në Durrës që kishte marrë komandën... Mbreti nuk e kishte marrë vesh vdekjen e Kolonelit Tompson dhe lajmi ishte një goditje e fortë për të, pasi ai kishte besim të madh te besnikëria dhe tek aftësitë e tij".

Në këtë betejë topat luajtën një rol të rëndësishëm. Topi mbi barakat drejtohej nga një oficer austriak rezervë, nga Herr Hassler, i cili kishte ardhur në Shqipëri si inxhinier civil. Është disi i çuditshëm urdhri që i erdhi për të goditur me predha një shtëpi vrojtimi në drejtim të rrugës së Tiranës, diku rreth treqind metra përpara pozicionit kënetor ku ndodheshin forcat mbretërore. Predha e tretë goditi në shenjë. Një turmë rebelësh doli nga shtëpia. Edhe disa predha të tjera, sa bënë që të rrafshoheshin ata që vraponin për të shpëtuar kokën. Më vonë u tha se nga ajo shtëpi ishte qëlluar Kolonel Tomsoni. Por edhe sot nuk mund të thuhet se kush e përhapi këtë fjalë. Përse i gjithë ky kujdes për të identifikuar vendin nga kishte ardhur plumbi tragjik. Gjithçka ndodhi në një betejë dhe në dinamikën e saj plumbi mund të godiste këdo, nga cilido pozicion luftimi. Duket si një justifikim i tepruar, që kishte për qëllim të mbulonte diçka më serioze. Ky lloj skepticizmi shtohet edhe më, kur po në atë shtëpi u gjet një pushkë e vjetër "Martini", që u mendua si arma prej së cilës ishte qëlluar koloneli. Po kush e gjeti këtë pushkë, cili qe ai që edhe e solli këtë argument dhe pse? Ai tashmë ishte i vdekur, pse duhej të grumbullohej i gjithë ky informacion plus? A pati ndonjë ekzaminim mjekësor dhe një raport për plagën dhe, bazuar në të e në të dhënat e tjera, edhe një ekspertizë profesionale për largësinë nga kishte ardhur predha? Sigurisht që jo! As edhe mund të pretendohej në atë kohë dhe në ato rrethana! Ajo armë, që më shumë se vdekjen fshihte të vërtetën, iu dhurua mbretit. Nga kush, kjo nuk thuhet. Iu dha si souvenir. Për të mos marrë pozitën e një protagonisti pa bazë, më duhet të citoj se çfarë shkruante për këtë gjë Armstrongu: "Pushka iu tregohej vizitorëve në Pallat si një trofe dhe ngjarja iu rrëfehej në mënyrë solemne, megjithëse nuk arrij ta kuptoj se si mund të pretendohet që ka qenë pikërisht kjo armë. Askush nuk e pa nga erdhi plumbi që vrau Tompsonin. Në fakt, në fillim kishte fjalë se ai ishte vrarë nga njerëzit tanë". Ky është një nga pengjet që unë ende kam, ndërsa shkruaj për brengën time të vjetër. Ndoshta brenda forcave të mbretit kishte të infiltruar të Esadit, ose nga italianët. Më bën përshtypje që ai gazetari i "The Times" ishte atje kur ndodhi kjo ngjarje. Pse pikërisht në vijën e frontit?! Sigurisht dikush nuk ia falte që, në ndeshjen me vorio-epirotët Tomsoni ishte treguar trim dhe mjaft dinamik në veprim. Ku ka qenë baron Alioti kur ndodhi vrasja e Tomsonit dhe kush ia dërgoi lajmin? Kjo nuk dihet. Vrasja e Tomsonit është një nga pikat më tragjike dhe më enigmatike, aq sa më mbetet edhe në këtë hulumtim si një peng në formën e ankthit. Por nuk mund të mos mbahet në konsideratë ajo çka thuhej se "kishte fjalë që ishte vrarë nga njerëzit tanë". Kjo është një kambanë e trishtë dhe turpëronjëse, që edhe sot na fton të gjithëve në një meshë pendimi. Ndoshta në momentin kur ka dhënë shpirt ai diçka ka thënë, porse ky mesazh është varrosur tashmë përfundimisht. Beteja e asaj dite përfundoi me tërheqjen e rebelëve dhe me një bilanc që varion pak a shumë në dyzet oficerë dhe ushtarë të vrarë nga mbrojtësit e mbretit dhe mbi 200 njerëz të vrarë nga rebelët. Pas këtij momenti, Armstrongu niset me mëzin e tij për në qytet, teksa rruga ishte bosh, kur një plumb i fishkëlleu pranë veshit. Nga mënyra si fishkëlleu plumbi, dukej se vinte nga një dritare. Atij në çast iu kujtua paralajmërimi që kishte marrë më 23 maj nga italianët. Kjo lloj lufte e fshehur, e paguar pas shpine dhe e pleksur me intrigën, ishte më e rrezikshmja. Ndoshta diku në errësirë dhe në sourdine ishte vendosur që atë ditë të eliminoheshin me një plan të detajuar të gjithë "mbështetësit besnikë të mbretit". Tomsoni ishte goditur në mesditë. Përse jo edhe Armstrongu atë pasdite? Gjithçka lëvizte në qytet dhe Porti i Durrësit sillte lajmet në trajtën e anijeve që zbarkonin. Lufta zhvillohej në tokë, por mbretëria i kishte sytë nga deti. Po atë ditë, një anije solli nga Lezha rreth njëmijë burra nga Veriu, nën komandën e majorit Kroon, oficer që drejtonte xhandarmërinë në veri të vendit dhe që zuri postin e Kolonel Tomsonit, si komandant i Durrësit. Kur e shoh sot monumentin që është ngritur për Kolonel Tomsonin, diku në të hyrë të Durrësit, apo shkollën ushtarake në Tiranë, që përgatit nënoficerë dhe që mban emrin e tij, ndjej një si boshllëk. Më duket më shumë si një ornament formal. Asgjë më shumë! Një oficer shembullor që e donte dhe i shërbeu Shqipërisë në një moment aq të turbullt e të vështirë, kur edhe shumë shqiptarë nuk përqaseshin në mënyrë të tillë. Më shumë se ushtarak, ai ishte njeri publik që gëzonte respekt. I gjithë qyteti e njihte dhe e respektonte. Thuhej se edhe kundërshtarët rebelë apo "ustallarët" e tyre, deri në nivelet e larta diplomatike, e admironin në fshehtësi për kurajën dhe seriozitetin, për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë. Sigurisht, kur trupi i tij po përcillej për në varr, ka pasur edhe nga ata që "kanë fërkuar duart". Esadi jashtë Shqipërisë, kur e ka marrë vesh lajmin ka shfryrë mes gëzimit dhe sharjeve që e hoqi qafe atë "kundërshtar". Ndoshta me ato mijëra franga që u grabitën në baulen e Armstrongut është paguar ai "faqezi" që qëlloi mbi të. Nuk e di, nëse sot kriminalistika mund të ekzaminojë mbi skeletin e tij, për të gjykuar për llojin e predhës apo largësinë nga është qëlluar, pse jo edhe nga cili pozicion? Nëse nuk e ka bërë realisht, më vjen ngasje që filmi të fillojë me këtë ekzaminim. E ka marrë plumbin ballas, anash apo nga pas?

Ceremonia e varrimit të Tomsonit është një nga ngjarjet e mëdha të historisë së njëqind viteve të fundit të Durrësit. Ka fotografi për të dhe kureshtja mund të shuhet deri diku edhe mbi to. Porse emocioni që lyp një imagjinatë funebër është te ky përshkrim. "...Humbja e Kolonel Tomsonit ishte më tragjikja jo vetëm për shumë nga miqtë e tij, por edhe për gjithë Shqipërinë. Ai bëri emër në këtë vend dhe ishte pa dyshim shërbyesi më i aftë i mbretit. Ishte shumë e trishtueshme që një njeri i tillë ta humbte jetën për një çështje kaq të parëndësishme. Trupi i tij u transportua nga magazinat e petroliumit te një tendë, në një fushë përpara spitalit mbretëror. Të nesërmen e varrosëm përkohësisht në një vend të mbyllur në karakollin qendror. I gjithë Durrësi mori pjesë në funeral. Mbreti ecte prapa arkivolit, si njeriu më i përzishëm. Arkivoli mbahej nga xhandarët dhe anijet e huaja dërguan trupa për ta shoqëruar. Një prift britanik marine nga mbrojtja HMS lexoi shërbesën e funeralit; të gjithë personat e rëndësishëm ishin të pranishëm dhe madje pati fjalë se edhe rebelë kishin ardhur në qytet për t'i bërë respektit e fundit këtij zotërie galant holandez".

E gjithë ndërgjegjja intelektuale dhe ajo kombëtare reflektoi mbi vrasjen e Kolonel Tomsonit. Ja si shkruan At Gjergj Fishta në korrik të 1914-s: "Krisi lufta për gjithë anësh, a thua se shkjau ishte tue mbytë tyrkun e Anadollit e jo se ishin tue u vra vlla me vlla, shqyptari me shqyptar. Në pushkë të para mbet Tomsoni e diq si burrat tue thanë: Rrnoftë Mbreti! Rrnoftë Shqypnija! Ai prej Holande vjen e ep jetën për Shqypnin e des tue thanë: Rrnoftë Shqypnia! E do qena shqyptarësh, tue e pasë të gjallë Shqypninë, desin për me e humbë Shqypninë...i marroftë Zoti!".

Asdreni shkroi një poezi të titulluar "U vra Tomsoni". Ja dy strofa të saj.

U-vra Tomsoni, u vra Tomsoni
Ky zë plasi si rrufe
U-vra Tomsoni, U-vra Tomsoni
Ra për mbret e për Atdhe.

I huaj s'qe jo, këtu në dhé tonë
Se shqiptarit zemrën kish,
Përveç at'zemër përket gjithmonë
Ta kujtojmë se e kujt ish!


Por më patetik ka qenë Fan Noli në poezinë e tij. Titullohej "Tomsoni dhe kuçedra". Noli e shkroi më 1 korrik 1914 dhe e botoi në revistën "Dielli", më 18 korrik 1914. Citoj disa nga vargjet e kësaj poezie që janë jo vetëm një protestë e fortë, por edhe një analizë që i bëhet situatës dhe fatit të atdheut në ekuilibrat e brishta të kohës.

Te Ura, te Ura
Vraponi, o burra!

Me armë, me topa, me kordh'e me shpata.
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shijakut në Durrës me vrap.

Kuçedr'e Turqisë
Huen'e urisë
E rrahur nga greku, nga serbi e bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te shqiptari,
Si gjarpër zvarriset, i sillet përqark
Me dinin në gojë, me helmin në bark.

................

Te Ura, te ura
Vajtoni o burra!
Tomsonin e ngratë që ju vet'e vratë
Që pas nuk i ratë, por vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar që s'doni Atdhe!


Më 21 qershor 1914 mbërriti në Durrës vëllai i Tomsonit. Edhe ai ishte ushtarak. I gjithë populli i Durrësit i shkoi për t'i shprehur ngushëllimet dhe holandezi u prek nga ky gjest kolektiv. Fjalët e tij bënë një përshtypje të madhe. "Edhe unë do të luftoja për ju, ashtu siç luftoi vëllai im... Çdo holandez do ta bënte këtë!"

Trupin pajetë të Kolonel Tomsonit e përcollën me anijen "Nord Braband", nga Porti Durrësit për në Amsterdam. Më 17 korrik 1914 u organizua një ceremoni e gjerë ushtarake për pritjen e trupit të tij. Ishte e pranishme në atë ceremoni Mbretëresha e Holandës. Fjalën e rastit e mbajti ministri i Luftës në Mbretërinë e Bashkuar, Gjenerali Bosboom. Arkëmorti u dërgua më pas në qytetin e Groningenit, atje ku edhe banonte familja e të ndjerit. Transportimi u bë me një tren të funeralit dhe gjatë rrugës ishin të rreshtuara reparte ushtarake, si dhe populli që përshëndeste. Në ceremoninë e varrimit të tij në tokën e atdheut përshëndeti ish-ministri i Luftës, zoti Staat. Nga fjalimi tij preferoj të citoj këto fjalë: "Ja çfarë do të thotë patriotizëm i vërtetë, sensi i detyrës dhe i kurajës për këtë djalosh luftëtar në Shqipëri, i cili mori mbi shpatulla një detyrë të ndershme për hir të qytetërimit".

Dy javë më pas u inaugurua monumenti kushtuar Kolonel Tomsonit, pranë garnizonit të tij. Në ceremoninë e organizuar mori pjesë dhe mbajti fjalën e rastit Mbretëresha e Holandës, Vilhelma. Në bazamentin e monumentit janë gdhendur këto fjalë të Tomsonit: "Ushtria dhe populli duhet të afrohen dhe të shkrihen me njëri-tjetrin". Jeta është e çuditshme. Lodewijk Thomson kishte lindur në Hagë, në 11 qershor 1869, dhe vdiq jashtë çdo parashikimi në Durrës, më 15 qershor 1914. Jeta e tij më ka ushqyer gjithnjë me një ndjenjë përgjegjësie që, së paku, t'ia kthejmë borxhin historik me nderim. Filmi që do mund të xhirohej dhe që do ta kishte në qendër këtë ushtarak shembullor, martir të çështjes shqiptare, ndoshta do të jepte shembullin e një respekti që ende nuk ka humbur te ne. Nuk duhet harruar se edhe planin subversiv të Beqir Grebenesë, majorit turk, që zbarkoi në Vlorë, me qëllimin që të përgatiste terrenin për një mbret nga Porta e osmanëve, e shpartalloi Kolonel Tomsoni. Skenari kishte qenë që me forcat e mbetura të Xhavit Pashës në Jugun e Shqipërisë, si dhe me mbështetjen e fanatikëve pro sulltan të sillej në krye të vendit Izet Pasha. Gjithçka që Shqipëria të kthehej sërish nën Turqi. Ai i arrestoi dhe i çarmatosi këta komplotistë. Por gabimi më i rëndë i kohës ishte se në qeveri, në vend që të vinin nacionalistët dhe intelektualët, erdhën konservatorët dhe feudalët. Ikën 100 vite por brenga mbeti, e pyetja pezull thotë kush e vrau Kolonel Tomsonin?! Ndoshta rebelimi pro oriental do të sillte të gjithë përgjigjen shteruese, diku u vendos, diku tjetër u mbush pushka, dhe dikush pa e ditur pse e goditi e i morri jetën. Kolonel Tomsoni, dëshmori i Shqipërisë, ende mes Lindjes dhe Perëndimit!

Dr. PËRPARIM KABO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.