VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
SIKUR TË JENË TË ORKESTRUAR NGA ANTIMIQTË Nga Elida Buçpapaj E Shtunë, 12.12.2009, 08:17pm (GMT1) E po menduam, e po
thamë se pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, - kur po shihnim se po shkonin
normalisht, - o Zot shyqyr, të çertifikuara dhe të superçertifikuara nga të
gjithë faktorët brenda dhe jashtë vendit, më në fund situata në Shqipëri do t'i
kthehet normalitetit, njerëzit do t'iu kthehen halleve të tyre, ndërsa politika
do t'i kthehet përditshmërisë së saj brenda ngrehinave të institucioneve. Kur LSI-ja iu bashkangjit qendrës së djathtë,
e po thamë, e po menduam le të bëhet si të bëhet, shumë më mirë që u bë, vetëm
për hir të një jete normale, për një moment normalitet, jashtë suazës së
mitingjeve. Në fund të fundit koka e njeriut është e ndërtuar në atë mënyrë që
t'i përballojë 1 (një) muaj mitingje në çdo katër vjet dhe jo 4 (katër) vjet
mitingje për një muaj normalitet. Kështu besonim, kështu shpresonim, kështu i
luteshim Zotit, bëji Zot shqiptarët që pas këtyre zgjedhjeve, të
superçertifikuara, që koincidojnë pas gati njëzet vitesh tranzicion, të hyjnë në
rrezen e atyre vendeve, ku politika është në funksion të normalitetit të jetës
së qytetarit, dhe jo në funksion të anormalitetit, të çrregullisë dhe çmendisë,
sepse në fund të fundit, të jesh anëtar i NATO-s dhe kuazi kandidat për të hyrë
në BE do të thotë diçka, të paktën
populli e meriton të mos jetojë i tensionuar nën tensionin e mitingjeve,
të cilët zgjasin në çdo ditë të jetës së tyre, ku edhe në mëngjes, edhe në drekë,
edhe pasdite edhe pasdarke flitet për mitingje, ku çdo gjë: radiot,
televizionet, moda, spektakli, kultura është derivat i mitingjeve. Është mjerim, është fatkeqësi, është çmenduri
që ky popull aq tolerant, aq i kultivuar të jetë i destinuar të mbetet leckë
tregu për miting. Rrënja e kësaj fjale me origjinë nga gjuha angleze ka një
kuptim shumë të ngrohtë "to meet" "me u takue" me u takue për të biseduar për
motin, se çfarë do të gatuash për nesër, se çfarë filmi do të shohësh nesër, se
çfarë shfaqje ke parë një natë më parë në Teatrin Kombëtar, për t'u takuar e
biseduar për kohën e humbur, për ata që s'patën kurrë një kohë të tillë kaq afër
normalitetit dhe njëkohësisht kaq larg, tmerrësisht larg, çmendurisht larg, katër
vjet mitingje larg, njëzet vjet mitingje larg. Natyrisht që ka mitingje ku ia vlen të mos
mungosh, ku duhet të bësh gjithçka që të jesh, si për shembull ai i 22 Marsit
1992 apo ai i 8 Dhjetorit 2009. Ia vlente të merrje avionin për të qenë në
sheshin Skënderbe. Janë mitingje sinjifikative ku njerëzit mblidhen për hir të
normalitetit, për hir të jetës së tyre, që prej të nesërmes së mitingut të
vazhdojë jeta - apo të fillojë nga "A"-ja, - pasi asnjëherë nuk ka nisur, pasi
vazhdon të mbetet skllave e mitingjeve. Është e trishtueshme kur mendoj se nesër në
Tiranë mund të fillojnë rishtaz mitingjet, është trishtim i vërtetë, kur prej
nesër njerëzit si robotë apo lej fenë do t'i ikin përditshmërisë së tyre për t'ia
dedikuar orët e jetës së tyre një mitingu të ri, që s'dihet sa do të zgjasë, që
dihet se do të fillojë por nuk dihet se kur do të mbarojë. Janë mitingje orwelliane, me çadra, pa çadra,
me çadra në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, me çadra tek Kryeministria, përpara
ish selisë së Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, si në një teatër, si në një komedi,
si në një kllouniadë, duke pritur zgjuar mëngjesin, jo për të filluar jetën, jo
për të rifituar kohën e humbur, por për të vazhduar rishtas mitingun, quaje si
të duash, miting, protestë, manifestim,
manifestim, protestë, miting. Një maskaradë. Lëre pastaj, nëse na duhet të mendojmë se në
Kosovë demokracia është tejet fraxhile, apo në Maqedoni shqiptarët si palë
shtetformuese vazhdojnë të përjetojnë absurditetet nga më absurdet, sepse
shteti amë, politikanët e shtetit amë në
vend që tregojnë maturi politike, dëshmojnë një papjekuri të pafalshme, sikur të
jenë orkestruar nga antimiqtë, më assesi miqësorët, absolutisht jo miqësorët e
shqiptarëve. Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |