VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NDERIM DHE RESPEKT TË THELLË NË KUJTIM TË PROFESOR SKËNDER LUARASIT Nga Prof. dr. ESHREF YMERI E Premte, 11.28.2014, 08:09am (GMT1) Profesorin e anglishtes, personalitetin e shquar të kulturës shqiptare, përkthyesin erudit Skënder Luarasi, e pata njohur në vitin 1962, kur isha student në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Miku im Avdul Veizi, me prejardhje nga një familje e nderuar nacionaliste nga Vasjari i Tepelenës, asokohe ishte student i degës së anglishtes. Pedagogu më i dashur i tij ishte Profesor Skënder Luarasi që në çdo orë mësimi do të gjente mënyrën që studentëve t'u fuste në gjak frymën e nacionalizmit shqiptar dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Jo rrallë herë kisha vënë re kur Profesor Luarasi, gjatë kohës që studentët kishin ndonjë "dritare" (orë bosh), shëtiste me Avdulin përkrah, përgjatë rrugës që të çonte në Fakultetin e Gjeologjisë, përballë fakultetit tonë, duke biseduar me njëri-tjetrin si burri me burrin. Pikërisht asokohe ai më pati prezantuar me Profesor Luarasin. Hapja e degës së anglishtes ishte meritë e drejtpërdrejtë e Profesor Luarasit dhe e Profesoreshës së anglishtes, zonjës Maja Polakova, e cila më pas u bë bashkëshortja e tij. Gjatë katër viteve të fakultetit, bashkë me Avdulin, më pati qëlluar të bisedoja edhe herë të tjera me Profesor Luarasin. Më bënte shumë përshtypje atdhetarizmi i tij shembullor, fryma nacionaliste që karakterizonte formimin e tij intelektual. Sa herë që bisedonim, fjala do të dilte patjetër te figura e Fan Nolit, për të cilin ai ushqente një respekt të jashtëzakonshëm, si figurë e shquar e shqiptarisë dhe e kulturës shqiptare. Nuk mund të rrinte pa përmendur atë kontribut të shquar të Fan Nolit për themelimin e Kishës Ortodokse të Pavarur Shqiptare, të cilën e shkëputi nga thonjtë e patrikanës shoviniste dhe të kishës shoviniste greke. Profesor Luarasi ishte rritur dhe edukuar në një mjedis nacionalist, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të ideve të rilindasve tanë të shquar. Ai mbeti jetim, pa baba, që në moshë të njomë, gjithsej 11 vjeç, kur paraardhësit e Janullatosit i morën jetën babait të tij, Petro Nini Luarasit, i cili mundohej të përhapte dritën e diturisë në radhët e popullit shqiptar përmes mësimit të gjuhës shqipe, dritë që e verbonte keq patrikanën e Stambolit dhe bijën e saj famëkeqe, kishën shoviniste greke. Që asokohe, emri i Petro Nini Luarasit hyri në panteonin e figurave të ndritura të kombit shqiptar, si Papa Kristo Negovani, Anastas Kullurioti, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Naum Veqil Harxhi, Atë Stath Melani, të cilët i vrau plumbi dhe helmi i kishës shoviniste greke dhe i shovinizmit grekomadh. Profesor Luarasi ishte përfaqësuesi i fundit i rilindasve tanë të mëdhenj. Si natyrë tepër e pavarur, si nacionalist shembullor dhe me dinjitet të lartë intelektual, ai nuk mund ta fitonte dot simpatinë e klasës politike komuniste të Tiranës dhe domosdo që do të shikohej shtrembër prej saj. Megjithatë, Profesor Luarasi, deri në fundin e jetës së tij, qëndroi i patundur në bindjet e veta nacionaliste dhe asnjëherë nuk i lejoi vetes t'i bënte fresk diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Është fatmirësi që Profesor Luarasi ka lënë pas vetes djalin e tij, Petron, i cili, në jetën e vet, vazhdon të ndjekë me dinjitet rrugën e gjyshit dhe të babait, duke qëndruar fort në pozitat e shqiptarisë. Me rastin e 102 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, këtu poshtë po u ofroj lexuesve të nderuar një artikull me domethënie të thellë të Profesor Skënder Luarasit, i cili e ka shkruar kur ishte student dhe që dëshmon aq shumë se çfarë formimi atdhetar e karakterizonte atë që në moshën djaloshare. Artikullin, së bashku me titullin "Dita e Flamurit" dhe me fotografinë, si edhe me shënimin në fund, i kam nxjerrë nga interneti. Santa Barbara, Kaliforni 28 nëntor 2014 Dita e Flamurit* Nga Skënder Luarasi Skënder Luarasi Dita e Flamurit është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë. Duke kremtuar këtë ditë, i pari kujtim që na bie në mend është se një popull ka shpëtuar prej kurthit të robërisë dhe nisi të shijojë jetën e lirë, duke u përfaqësuar prej shenjës kombëtare, Flamurit. Shenja e kombit tonë: Flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare! Me sa mburrje, madhështi, nderim dhe gaz e shikon çdo sy atdhetari! Vetëm një tradhtar, një shpirtlig e vështron me smirë, me urrejtje, me frikë. Te flamuri nuk shohim vetëm bukurinë e cohës dhe të ngjyrës, po edhe bukurinë e një atdheu, të një kombi, me tërë cilësitë, parimet, ndjenjat dhe historinë e një populli, që ka jetuar për një jetë madhështore, për qëllime të larta, të shtrenjta, të dëlira. Flamuri ynë tregon qëndrimin e njëhershëm, të patundur dhe burrëror të atyre ushtarëve fisnikë që i ka udhëhequr në ngadhënjime, mes luftërave të rrepta, jo për sulme, po për mbrojtje. Flamuri ynë tregon jetën e atyre trimave të kombit që luftuan për të mbrojtur atdheun. Nën këtë flamur Skënderbeu mundi të dalë fitimtar në luftëra të panumërta kundër mizorive të Anadollit. Nën këtë flamur trimat e Gegërisë dhe të Toskërisë mundën të mbajnë të panjolluar prej armiqve nderin e tyre. Nën këtë flamur kemi dhënë besën të rrojmë ne, bijtë e shqiponjës. Te ky flamur i hapur, që fërfërin në erë, shikojmë me shkronja të arta Shqipërinë e Re dhe të Lirë, shikojmë jetën e së ardhmes së këtij kombi, që është dergjur për kaq kohë në kurth, i mbuluar me plafin e robërisë, po që kurrë nuk ka qenë i mundur për vdekje! Flamuri ynë është shenja e trimërisë dhe e lirisë. Për trimëri ka kaptuar male, ka kapërcyer lumenj, ka shëtitur pyje, ka vetëtitur mbi dete dhe ka valuar mbi fusha. Për liri ka bërë terror të madh, beteja të përgjakshme. Për liri, si tani e tutje ky, dhe vetëm ky flamur, do të fërfërijë mbi kulmet e shtëpive, do të shndrijë mbi majat e çukave, do të valojë mbi sheshet e lëndinat. Vetëm nën këtë flamur do të prehen në qetësi eshtrat e atyre dëshmorëve që bënë therorinë më të madhe, duke luftuar dhe vdekur me nder e lavdi.Vetëm nën këtë flamur mund të rrojmë ne bijtë, nipërit dhe stërnipërit, në liri, në fatbardhësi më vete dhe në paqe e miqësi me fqinjët. Po sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, vyshket, venitet, po të mos jemi dhe ne si flamuri. Le ta dimë që ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri neve. Po të jemi ne trima, besnikë, të drejtë, të lirë, të ndershëm, ashtu do të jetë edhe flamuri ynë, shenja e një populli trim, besnik, të drejtë, të lirë, të ndershëm. Po të jemi ne robër dhe tradhtarë, ashtu do të jetë edhe flamuri, shenja e robërve dhe e tradhtarëve. ------------------------ *Ky shkrim është një nga botimet e Skënder Luarasit në revistën "Studenti", organ i studentëve shqiptarë në qytetin Springfield, Mass. SHBA, më 28 nëntor 1919. Prof. Dr. ESHREF YMERI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |