VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
DUKE RIPARË NJË DOKUMENTAR, NJË SHKRIM I PARA TRE VITEVE Refleksion nga RESHAT KRIPA E Premte, 11.28.2014, 09:58am (GMT1) Pashë me shumë interes, por edhe me një dhimbje të thellë, dokumentarin e dhënë në emisionin "Opinion" në Tv Klan, "Divorc Albanian Style". Them me dhimbje pasi personalisht ndjeva të më shfaqesin para syve tmerret e asaj periudhe mesjetare, tmerre që, në një farë mase, i kam përjetuar vetë apo miqtë e mij të ngushtë. Pashë rusen Volia që, për shkak të dënimit të saj me akuzën absurde si spiune e KGB-së, të braktisur nga i shoqi, por, vini veshin, të mohuar edhe nga vajza dhe djali i saj, që në mbledhjen e organizatës së rinisë deklaronte: - Nëna ime është armike e popullit dhe kur ajo, në vitin 1987, e liruar nga burgu, shkoi në fshatin e largët për të takuar të birin, që kishte dhjetë vjet pa e parë, ai nuk e pranoi. Kush e detyroi këtë djalë të vepronte kështu? Kush mund të guxonte të ndante nënën nga biri i saj? Vetëm një regjim kobzi si ai komunist. Pashë çiftin Vasil e Barbara Orgocka të dy të burgosur politik vetëm e vetën sepse Barbara ishte polake dhe në logjikën komuniste duhej të ishte patjetër spiune e KGB-së. Pashë se si, me këmbënguljen e Ambasadës Polake në Tiranë, Barbarën, pas dy vjet e gjysmë, direkt nga burgu e dërgojnë në Poloni, duke e ndarë edhe nga fëmijtë e saj, ku jeton edhe sot, por, si rezultat i dozave të narkotikëve që i kishin injektuar, në një gjendje depresive, nuk pranon as ish burrin e saj për të cilin deklaron: - Vasili ka vdekur, ajo është fantazma e tij. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Vetëm një regjim obskurantist si ai komunist. Pashë edhe çiftin tjetër Minella e Elena Çami, të arrestuar të dy, që i lanë fëmijtë në dorë të fatit dhe që vetëm sakrifica sublime e xhaxhait të tyre i shpëtoi. Pashë këtë çift që fati e ndihmoi, pas kaq vite burgu, të bashkonin familjen e tyre të ndarë mizorisht. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Vetëm një regjim gjakatarësh si ai komunist. Por përmbysja e madhe, më në fund, mbërriti. Ku ndodhen personazhet tanë? Volia jeton e vetme në Rusi. Jeton me dhimbjen për fëmijtë që i ka shumë larg dhe nuk mund t'i takojë. Megjithatë zemra e nënës nuk mban mëri. Ajo deklaron: - Bëri gjënë e duhur, ndryshe do t'i ishte shkatërruar jeta. Tani jemi shumë larg njeri- tjetrit. Ai ka familjen e tij. Kështu e ka jeta! Do të kisha dashur t'i thoja Aleksandrit, djalit të Volias: Shkoni në Rusi, takoni nënën tuaj. Ajo ka nevojë për përqafimin tuaj. Mos harroni, është nënë! Minella me Elenën jetojnë së bashku me nipër e mbesa. Fati u tregua i mëshirshëm për ta. Kurse Vasili jeton i vetëm në qytetin e tij. Dhe kur i thonë nëse i ka falur ish torturuesit e tij ai përgjigjet: Si mund t'i falë? Ata më morën jetën, më morën shtëpinë, më morën pasurinë, më morën fëmijtë, më morën bashkëshorten. Si mund t'i falë? A mund të falen? Me dhimbjen dhe thirrjen e Vasilit bashkohem edhe unë dhe gjithë ata që i kanë hequr mbi shpinat e tyre tmerret e atij sistemi. Cilin të falim? Mos vallë Ylli Hilën që edhe sot deklaron: Këto janë gjëra të vdekura. Ç'kërkon Barbara tani? Unë kam zbatuar vetën ligjin. Jo, zotëri! Këto nuk janë gjëra të vdekura. Barbara kërkon drejtësi për shkatërimin fizik dhe moral që ju i bëtë. Cilin ligj paskeni zbatuar ju? Ku ishte shkruar që nëna duhej ndarë nga fëmija? Ku ishte shkruar që të burgosurit duheshin torturuar deri në vdekje? A mund ta falim Pandi Konomin që edhe sot deklaron me cinizëm: Si keni mundur t'i merrni këto vendime? Më thirret për një film dhe jo për deklarata politike kundër Enver Hoxhës, njeriut më të madh të popullit shqiptar. Ku e gjen kurajon ky njeri apo të tjerë si ai që shprehen në këtë mënyrë? Për mendimin tim kjo vjen nga shkaku se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, ende nuk është dënuar komunizmi. Deri më sot, me përjashtim të disa ligjeve gjysmake që, për më tepër, e përkëdhelin atë, nuk është marrë asnjë masë tjetër. Nëpër gazeta dhe televizione, për çdo ditë, lexojmë dhe shohim "bëmat e mrekullueshme" të atij sistemi apo liderëve të tij. Kur do të dënohet komunizmi? Këtë pyetje nuk iua drejtoj socialistëve apo atyre të krahut të majtë. Ata e kanë deklaruar pozicionin e tyre. Këtë e kanë treguar në parlament, në qeveri kur ishin në pushtet dhe kudo. Ne nuk presim prej tyre asgjë. Por dua t'i drejtohem krahut të djathtë, të gjithë atyre që e quajnë veten demokratë. Në muajin mars 2010, sipas njoftimeve të mediave elektronike, një delegacion i Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar Shqipërisë që të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t'i kërkojë Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit, do të thotë se ata një gjë të tillë nuk e kanë konstatuar. Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010, nga ana ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis, i është drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding,. një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Deri më sot në faqet e shtypit të shkruar dhe atij mediatik nuk është dhënë asnjë njoftim për këto dy lajme. Përse? Do të kishte qenë e moralshme që krahas firmave të gjashtë ministrave të jashtëm, të cituar më sipër, të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, por ajo nuk ndodhi. Ministri ynë nuk iu bashkua edhe më vonë nismës së kolegëve të tij. Përse? Mendoj se ka ardhur koha që në vendin tonë të thyhen disa tabu. Cilido prej atyre që ishin të detyruar të vepronin edhe kundër asaj që u thoshte ndërgjegja e tyre, tani duhet ta pranojnë hapur dhe pa drojtje këtë fakt. Në këto momente ia vlen të citoj fjalët e thëna nga zonja Saks (Estoni) në debatin e zhvilluar në parlamentin e Këshillit të Europës, me rastin e miratimit të rezolutës për dënimin e krimeve të kryera nga regjimet komuniste: Historia kërkon që të gjejë të vërtetën dhe pse disa e kanë të vështirë ta pranojnë atë për arsye të implikimit të tyre personal. Edhe pse kam qenë komuniste, e mbështes raportin. Nuk jam krenare që kam qenë komuniste. Ky është shembulli më i mirë që duhet ndjekur nga shqiptarët. Ende sot, pas njëzetenjë vjetësh, shohim ish prokurorë, ish hetues, ish gjykatës, ish funksionar të lartë të regjimit të kaluar, të jenë në poste drejtuese apo të gëzojnë pensione të veçanta për "meritat e tyre të çmuara" në shkatërrimin e ndërgjegjes së këtij populli. Ende shohim ish profesorë të marksizëm-leninizmit të drejtojnë zyra që kanë të bëjnë me shpërndarjen e dëmshpërblimit të përndjekurve politik. Madje këta zotërinj as që denjojnë t'i kthejnë përgjigje një ish të burgosuri politik, kur iu kërkon zbatimin e një vendimi qeverie. Përse? Komunizmi dhe bëmat e tij duhen dënuar sa më parë. Nuk ka kohë më për të pritur. Çdo vonesë është në dëm të Shqipërisë, stabilitetit të saj dhe hyrjes në Bashkimin Europian. Çdo vonesë mund të sjellë 21 janar të tjerë. Kush do të jetë ai burrë që do ta bëjë këtë? Ai do të mbetet në historinë e këtij vendi si burri më i madh i të gjitha kohërave. Ndaj ne kërkojmë dhe do të kërkojmë gjithmonë: Kur do të dënohet komunizmi? Kur...? -- Shënim: Autori Reshat Kripa është Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politik Demokratë të Tiranës RESHAT KRIPA
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |