VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
UNË MBROJ SHQIPTARINË, DIKUSH TJETËR MERCENARINË Nga Prof. dr. ESHREF YMERI E Hënë, 12.29.2014, 12:37pm (GMT1) Në faqen internetike "Shqipëria e Bashkuar" të datës 26 dhjetor 2014, ishte ribotuar artikulli im me titull "Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane". Ndaj këtij shkrimi, në Rubrikën "Komente" të po kësaj faqeje internetike të datës 28 dhjetor, kishte reaguar një mik i Janullatosit, me emrin dhe mbiemrin Nikolla Gjin. Reagimin e tij po e riprodhoj të plotë, pa ndryshuar asgjë, për të nxjerrë në pah formimin e tij mjeran në drejtshkrimin dhe në sintaksën e gjuhës shqipe: "Populi Shqiptare nuk ka problema fetare ,te vetmet probleme jane ata te qeverisjes ,burrokracija e semur qe vazhdon te mbaj popullin ne kthtrat e mjerimit.Kam ndjekur shpesh prof.Ymerin qe ka mbetur ,ne kohen e fletrrufeve dhe korigjimit te diktimeve" Ja, ky farë burri është përfaqësuesi tipik i taborrit janullatist, i cili, duke qenë i zhveshur nga dinjiteti kombëtar, nuk ndien kurrfarë emocioni para krimeve që kisha shoviniste greke ka kryer kundër përfaqësuesve të shquar të ortodoksisë shqiptare. Artikullin e lartpërmendur unë e përcolla në faqen e internetit jo rastësisht pikërisht ditën e Krishtlindjeve, në prag të Vitit të Ri 2015. Sepse viti 2015 është vit jubilar për dy figura të shquara të ortodoksisë shqiptare. Më 12 shkurt të vitit 2015, mbushen 110 vjet që nga dita e masakrimit barbar që kisha shoviniste greke i bëri Papa Kristo Negovanit, të cilin e copëtoi me sëpata për të vetmen arsye se ai meshonte në gjuhën shqipe. Po kështu, më 13 mars 2015 shënohet një tjetër jubile i madh përkujtimor, 50-vjetori i vdekjes së Fan Nolit, themeluesit të pavarësisë së kishës ortodokse shqiptare. Unë, si shqiptar, në artikullin tim, tërthorazi, dëshiroja t'i pyesja ata ortodoksë shqiptarë që janë rreshtuar në grigjën janullatiste, që, në qoftë se e quajnë veten shqiptarë, në qoftë se atdhetarizmin e kanë në gjak, të edukuar brez pas brezi në familjet e tyre, vallë a e ndiejnë veten ndopak të fyer kur Janullatosi meshon në gjuhën greke, duke u bërë kësisoj zëdhënës i "Shën" Kozmait, i cili predikonte mes shqiptarëve se shqipja na qenkej gjuha e djallit, kurse greqishtja na qenkej gjuha e Zotit?! Sigurisht që njerëzit me formim "kulturor" të kallëpit të Nikolla Gjin, nuk e ndiejnë veten të fyer, se ata hanë në çanakun e Janullatosit, prandaj edhe lehin që poshtë veladonit të tij kundër kujtdo që prek interesat e kishës shoviniste greke, siç deklaron historiani shovinist grek Nikolas Stavros. Në rastin e reagimit të Nikolla Gjin kundër meje, i cili artikujt e mi kundër kishës shoviniste greke dhe kundër shovinizmit grekokaragjoz i quan "fletërrufe" dhe "diktime", nuk ka asgjë për t'u habitur. Sepse unë jam në rolin tim në mbrojtje të shqiptarisë, kurse Nikolla Gjin është në mbrojtje të mercenarisë së vetë që e ka vënë në shërbim të kishës shoviniste greke dhe të shovinizmit grekokaragjoz. Pra, secili është në rolin e vet. San Diego, Kaliforni 29 dhjetor 2014 Prof. Dr. ESHREF YMERI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |