VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AT SHTJEFËN GJEÇOVI - APOSTULL I BASHKIMIT KOMBËTAR
Nga FRANK SHKRELI

E Martë, 01.20.2015, 09:45pm (GMT1)



"Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve".
At Shtjefën Gjeçovi
                                            
                                     Nga Frank Shkreli
 
 Të kjofshim falë Kosova Nanë,
Burra trima shumë ke dhanë
Ç'ashtë ky burrë musteqezi,
Plot me lavd dhe krenari.
Plot me lavd e krenari,
nderoi veten e këtë Shqiptari.
Kapërcen gryka dhe male,
Tuej shpërnda plot abetare.
Gjuhën shqipe për me mësue
Kur Turqia e pat ndalue.
Me u lanë breznive vepra
me i harrue kurrë sa të jetë jeta.
Ky ashtë biri i këtij trolli,
I thonë për emën Shtjefën Gjeçovi.
 
Kështu i këndojnë rapsodët e Kosovës At Shtjefën Gjeçovit, fratit të maleve, i cili u vra në pritë e në tradhëti nga shovinistët serbë në Zym të Hasit më 1929.  Meshtari dhe atdhetari i njohur nga Kosova, i cili gjithë jetën e vet punoi për "Atme dhe Fe", për nga aktiviteti i tij patriotik, ai radhitet me veprimtarët më të  dalluar të lirisë të periudhës së Rilindjes Shqiptare dhe qëndron krah për krah me burrat më të dalluar të Kosovës dhe të Shqiptarizmit, si Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina e tjerë. At Shtjefën Gjeçovi u vra nga dora mizore e terrorizmit serb, për veprimtarinë e tij si meshtar dhe si patriot shqiptar.  Ai ishte një mishëruesi pashoq i atdhetarizmit dhe i fesë. Dashurinë e tij për të dyja i përdori për të mirën e të gjithë shqiptarëve kudo dhe në shumë fushë përfshirë gjuhën dhe kulturën, traditën dhe arkeologjinë. Përveç kësaj nuk mungoi   përkrahja e tij as për kryengritjen e malësorve kundër pushtetit otoman më 1911, e deri tek mbështetja e tij për kryengritsit vlonjatë kundër Italianëve në vitin 1920.
 
Javën që kaloi, Zëri i Amerikës transmetoi një kronikë nga korrespondenti Pëllumb Sulo në Shkodër, ku permes një konference shkencore -- të organizuar nga Provinca Françeskane Shqiptare dhe bibiloteka Marin Barleti -- u përkujtua jeta dhe vepra e At Shtjefën Gjeçovit, me rastin 140-vjetori të lindjes së  tij.    Konferenca, ku sipas kronikës së VOA-s, morën pjesë një numër studiesish, pasqyroi  veprimtarinë tij patriotike, që ai ka dhënë me kontributet e mëdha në fushën arkeologjike, të albanologjisë dhe të etnografisë shqiptare,  ndërkohë që me laps e fletore në dorë, siç thotë edhe kënga popullore kushtuar atij, At Gjeçovi dokumentoi si rrallë kush tjetër, të kaluarën etnografike dhe arkeologjike të kombit shqiptar.  Edhe konferenca e Shkodrës e titulluar , "At Shtjefën Gjeçovi - Thesar në Hulumtim", kishte për qëllim sipas Zërit të Amerikës që citon At Viktor Demaj -- për të venë në dukje jo vetëm veprimtarinë e ndritur të At Gjeçovit si një fançeskan shqiptar i dalluar, por edhe për të theksuar edhe kontributin e tij të madh në fushën e kulturës së kombit shqiptar.  Ndërsa profesori i Universitetit Luigj Gurakuqi në Shkodër Tomorr Osmani, sipas Zërit të Amerikës, pohoi gjatë konferencës, se kontributi i Gjeçovit në kulturën kombëtare është i gjërë dhe përfshinë shumë fusha.
 
Ndër këto fusha të shumëta të veprimtarisë së tij kulturore dhe kombëtare, natyrisht përfshihet mbledhja e gojëdhënave nga vende të ndryshme të Shqipërisë, që më në fund përfunduan në botimin e veprës monumentale historike, "Kanuni i Lek Dukagjinit", vepër kjo për të cilën Shtjefën Gjeçovi siguroi njohjen e kombit por për vlerat historiko-juridike të Kanunit, ai fitoi edhe famë botëtore në qarqet shkencore europiane.  Përveç Kanunit, Gjeçovi ka lënë pas edhe studime të tjera me rëndësi siç është "Trashigime Thrako-Iliriane" dhe "Agimi i Gjytetnisë" botuar më 1910, vepër kjo që bënte pjesë në përpjekjet e panumrëta të At Gjeçovit për të përhapur gjuhën shqipe bazuar në traditat dhe në folklorin e pashterrshëm të kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve autoktone ku jetojnë shqiptarët.  At Gjeçovi  është autor edhe i një numëri veprash të tjera me karakter kombëtar dhe fetar  dhe është cilësuar edhe si përkthyes nga gjuhë të huaja.  Ishte bashkpuntor i ngushtë i Revistës së famëshme "Hylli i Dritës", të Françeskanëve në Shkodër dhe e të përkohëshmes së njohur të asaj kohe, "Albania" e Faik Konicës.   Nuk ka dyshim se shumë vepra e dorëshkrime të tjera të Gjeçovit mund të jenë zhdukur përgjithmonë, pasi At Zef Pllumi thotë në kujtimet e tija se regjimi komunist kishte pastruar arkivat e At Shtjefën Gjeçovit në Kuvendin e Françeskanëve në vitet 1945-46.  Thuhet se At Gjeçovi kishte lidhje dhe korrespondencë me një një numër patriotësh të kohës së tij, të cilët më vonë regjimi komunist i Enver Hoxhës i konsidroi si "armiq" dhe si të tilla ai thesar mund të jetë zhdukur përgjithmonë.

Ndonëse u rrit dhe jetoi në jë periudhë të lëvizjes kombëtare shqiptare, historianë dhe akademikë shqiptarë i kanë dhënë kredi historike At Gjeçovit jo vetëm për veprimtarinë e tij në favor të përhapjes së arsimit dhe pasurimit të kulturës shqiptare. Njëri prej tyre, Prof. Dr. Syrja Pupovci, në parathënjen e "Kanunit të Lek Dukagjinit" botuar në Prishtinë, thekson rolin e rëndësishëm që At Shtjefën Gjeçovi ka luajtur në bashkjetesën fetare, duke shkruar se, "Shtjefën Gjeçovi i kontriboi ruajtjes së unitetit  dhe përballimit të grindjeve fetare, sepse bashkimi ishte parakusht i fitimit të lirisë kombëtare."   Profesor Pupovci shkruante se, "Gjeçovi, bashkë me pishtarët e tjerë të kulturës, ndihmoi në ngjalljen dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare....ata njëkohsisht hodhën poshtë tentativat e ideologëve të huaj reaksionarë, të cilët mohonin ekzistimin e historisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të vlerave të tjera të popullit shqiptar, madje edhe ekzistimin e këtij kombi", pohonte Prof. Syrja Pupovci dhe përfundon se "Shtjefën Gjeçovi i dha kontribut të rëndësishëm kulturës kombëtare dhe shkencës dhe la në trashëgim vepra që do të mbeten edhe në të ardhmen gurrë e pashterrur për studime."
 
Nga gjysma e 1920- At Shtjefën Gjeçovi i vetdijshëm për gjëndjen e mjeruar të bashkatadhetarve të vet në Kosovën ku kishte lindur, këthehet atje për të vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare. Shërbimi i tij si famullitar në Zym të Hasit -- ku ai ishte i vendosur që shqiptarët e Kosovës të mësonin të shkruanin dhe të lexonin në gjuhën e tyre amëtare -- nuk shikohej me sy të mirë nga shovinistët serb, të cilët duke njohur veprimtarinë e dalluar kulturore dhe gjuhësore të At Shtjefën Gjeçovit në favor të kombit, e konsideronin atë si një një kundërshtar të vendosur të planeve të Serbisë shoviniste për të pushtuar përgjithmonë Kosovën duke e çkombëtarizuar Dardaninë e lashtë.   Në zbatimin e planeve të Serbisë, At Gjeçovi ishte një simbol i rëndësishëm i bashkimit kombëtar të shqiptarëve, i cili duhej zhdukur.   Ashtuqë me 14 Tetor, 1929  At  Shtjefën Gjeçovi vritet në pritë, në pabesi, jo për tu harruar siç kishin në mend armiqët e tij dhe të kombit shqiptar, por për tu kujtuar për gjithmonë, brez pas brezi, në historinë e shqitarëve.   Aty  në faqet e asaj historie, së bashku me Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Bejtën, Hasan Prishtinën, Ded Gjo Lulin, Papa Kristo Negovanin dhe me kolosat e tjerë nga të gjitha trojet e kombit shqiptar, si njëri prej atyre patriotëve shqiptarë, që jo vetëm jetoi dhe punoi por dha edhe jetën për bashkimin kombëtar.

Gjeçovi, sipas Faik Konicës, si një folës i shqipës në vijën më të përparuar frontale të trojeve shqiptare, ishte njëri prej stërnipërve të atyre që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj, "ndaluan të mbrapsurit e vijës (së të folurit shqip) më tehu".  Andaj, në këtë 140-vjetor të lindjes së At Shtjefën Gjeçovit, duke njohur kontributin e tij të madh në favor të bashkimit kombëtar, le të bashkohemi me Faik Konicën duke uruar që "Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur" ndër ata pasardhës të cilët me veprat e tyre do të realizojnë më në fund ëndrrën e At Gjeçovit dhe të shumë bashkohësve të tij të cilët dhanë jetën për këtë qëllim.
 
 Nga Frank Shkreli
 
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Për të interesuarit -- Më poshtë bashkangjitë mund të lexoni shkrimin e Faik Konicës,botuar në gazetën Dielli më 1930,  në të cilin ai përshkruan  vizitën e tij dhe të At Gjergj Fishtës në Gomsiqe të Mirditës ku kishte shërbyer si famullitar At Shtjefën Gjeçovi,  përfshirë  mbresat personale të Konicës mbi At Gjeçovin.


-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
                                                      Ca Kujtime Mbi At Gjeçovin  
"Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t'ona për At Gjeçovin"
Faik KONICA

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike.  Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla.  Mendimet, nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m'u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë.   I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia,  At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë.  Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt.  Vetëm kur në të kuvënduar e sipër, takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë - si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane - At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t'a dëgjonte njeriu.  Asì kohe At Gjeçovi ish "famullitar", domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mbi udhë nga Shkodra n'Orosh. 
A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave?   Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë.   Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë.   Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë.  Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat' a tet' orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s'pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie:  një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit.   Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, - se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj' a dy mile më tej, as që dukej.

Famullia - një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm' e zbrazur nga plaçka por e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë - qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi.   Këtû ronte At Gjeçovi.  Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t'afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t' Assisit, në pastërí e në vobësí të zëmrës tij, e dinte veten të vogël.  Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë.  Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j'a kushtonte studimit.

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t'ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit.  Askùsh nukë munt t'i afrohej At Gjeçovit në diturín' e këtíj Kanuni.  Na tregói një dorëshkrìm nj'a dy-mij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t'i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit.   Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur "lacrumatorium" lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t'i mblithte lottë.   Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t'ona për At Gjeçovin...

Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár.  Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.

Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje.  Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur - dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë."

(Marrë nga gazeta "Dielli" e organizatës Panshqiptare Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)

FRANK SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.