VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TOM DOSHI HERO APO VIKTIMË
Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Shtunë, 03.28.2015, 10:28am (GMT1)


Disa muaj më parë tek RAI UNO Roberto Benigni analizoi «Dhjetë komandamentet», që njihen si Dekalogu (Dhjetë urdhëresat) ose dhjetë ligjet që i ka shkruar Zoti në qiell për të mbajtur ekuilibrin e Universit njerëzor. Kjo është Kushtetuta e Zotit, që çdo njeri duhet ta respektojë.

Në Urdhëresën e Nëntë, Zoti thotë: "Mos bëni dëshmi të rreme" se drejtësia supreme ju ndëshkon.

Në diktaturën komuniste sa e sa njerëz janë rrasur në burg dhe janë pushkatuar në sajë të dëshmive të rreme. Edhe gjatë tranzicionit po ashtu. Në Ambasadat Perëndimore në Tiranë shqiptarët shajnë e shpifin për njëri-tjetrin.

Për këtë farë specie uroj që ndëshkimi i Zotit të mos ju ndahet kurrë.

Pra dëshmia e rreme në Shqipëri ka hyrë si sistem duke e ngrënë atë. Mjafton të shihni si shahen dhe pështyhen deputetët me njëri-tjetrin. Dhe po t'i ndëshkonte Prokurori i Përgjithshëm, si veproi me Tom Doshin, sipas gjasave asnjëri prej tyre nuk do të mund të vinte në Kuvend.

Sot Shqipëria është në degradën e saj. Për këtë degradim e ka fajin politika, që ka molepsur të gjitha shtyllat e sistemit.

Shqipërinë e sotme Roberto Benigni e krahason me Mesjetën e thellë.

Sot rinia shqiptare nuk ka asnjë pikë referimi. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë figurë nga klasa politike aktuale tek e cila populli të mbështetet e t'i japë besimin. Veç jehona solitare e ndonjë Zëri Revoltues të cilin politika përmes mekanizmave të veta e amortizon duke e izoluar.

Shqipëria duhet të shpëtohet o sot o kurrë. Duhet të shpëtohet sistemi nga rënia përfundimtare.

Rasti Doshi është shembulli më flagrant i komprometimit final të sistemit, sepse aty, sipas dëshmisë të Tom Doshit, të parrëzuar nga palët, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë në konflikt të hapur interesi, pasi shkelin pavarësinë e institucioneve që përfaqësojnë. Që do të thotë se janë shkelësa të ligjit.

Nëse bëjmë një digresion në kohë, populli shqiptar kujton vitin 2011 kur Edi Rama dilte në manifestime në krah të Tom Doshit për të larguar nga pushteti Ilir Metën pas videos së publikuar nga Dritan Prifti, ku Meta shfaqej në një pozitë shumë komprometuese që e detyroi të jepte dorëheqjen.

Populli ka parasysh mediat pranë Edi Ramës përpara 1 prillit 2013 kur Rama-Meta hynë në aleancën e djallit, që e karakterizonin familjen e Ilir Metës si më të korruptuarën, duke botuar foto ku fustanët dhe gjerdanët e zonjës Kryemadhi, thuhej se kushtonin me dhjetra mijra Euro. Pikërisht tani këto medie i dalin në krah Ilir Metës dhe gjoja pyesin me habi se a egziston një kauzë ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi, kur dihet se garanti dhe shkaktari i publikimit të videos së Priftit është pikërisht Tom Doshi.

Në retrospektivë ne na kujtohet kur Ilir Meta kryeministër arrestoi liderin e opozitës së atëhershme Sali Berishën. Apo koha kur Fatos Nano e denonconte Ilir Metën.

Ilir Metën e rifaktorizoi në politikë Sali Berisha.
Tani po Sali Berisha e ka kthyer nä kauzë largimin nga pushteti të Ilir Metës, si katharsis, si etje për pushtet apo vërtetë në vijim të dekriminalizimit të Kuvendit.

Por dekriminalizimi si dekomunistizimi duhet të shtrihen kudo, duhet të dekriminalizohet shteti, drejtësia dhe mediat.

Sot lufta partiake është refleks i kriminalizimit dhe do të mbesë kështu deri kur politika të vendosë që, përmes bijve më të mirë, pavarësisht orientimit politik, të shpëtojë vendin.

I.Çështja Tom Doshi

Me një hetim fair pretendimi i Tom Doshit mund të dilte i drejtë - mund të rrëzohej ose mund të zbulohej një palë e tretë që synon të bindë Tom Doshin se atë kërkon ta eleminojë Ilir Meta, për të hedhur tym, për të hequr vemendjen nga vrasësit e vërtetë.

Tom Doshi ka të drejtë të besojë se dikush nga politika kërkon ta eleminojë. Ai ka provuar në kurriz krimet e diktaturës pasi regjimi komunist i ka vrarë 5 njerëz të familjes. Tom Doshi i ka pare dhëmbët kriminale edhe kur në qershorin e 2014 në mes të Tiranës dhe pranë selisë të kryeministrisë u vra Artan Santo, vrasje që vazhdon të mbetet e pazbuluar. Dhe kupola e politikës shqiptare nuk i çan kryet për këto krime!

Në Shqipëri vepron një segment i nëndheshëm si shtet paralel për të krijuar alibi dhe për të bërë ligjin. Siç u krijua alibia edhe për vrasjen e Azem Hajdarit nga Fatos Nano.

Prandaj duhet drejtësia si pushtet sovran dhe i pavarur nga politika. Prandaj do të duhej një Kryeprokuror me integritet të pastër, i paanshëm, i pavarur, i pakomprometuar.

Gjatë muajit mars Tom Doshi ka ngritur disa pretendime:

1. Se Prokurori i Përgjithshëm është takuar me Ilir Metën në Gjirin e Lalzit, pasi Tom Doshi i ka treguar kryeshefit të akuzës se ka marrë kërcënime me jetë nga kryeparlamentari.

2. Se kryeministri, kryetari i parlamentit dhe kryeprokurori janë takuar bashkë, kur Ilir Meta ishte personi i akuzuar nga Tom Doshi.

3. Se Spartak Braho është takuar në Hanover të Gjermanisë më 6 mars me të vëllain e Fatjon Skënderit, që është një nga killerat e përfshirë për vrasjen e dy deputetëve gjithmonë sipas pretendimeve të Tom Doshit.

4. Në Këshillin e Mandateve Tom Doshi deklaroi se ekziston një video përgjimi ambiental gjatë takimit midis tij dhe Durim Bamit, realizuar me miratimin e prokurorisë dhe me vendim të gjykatës për krimet e rënda, ku Durim Bamin deklaron se ka ndryshuar qëndrimin e tij nën presionin e bërë nga politika, prej frikës, pasi jeta e fëmijëve të tij në Zvicër është e kërcënuar nëse ai hap gojën.

5. Po ashtu Tom Doshi ka deklaruar se Durim Bami fillimisht ka dhënë dy dëshmi ku pohon dëshminë, ku e ka mbështetur akuzën Tom Doshi. Tom Doshi po ashtu thotë se dëshmia e Durim Bamit konform pretendimeve të tij është marrë edhe me shkrim nga organet e policisë së shtetit.


Deri tani asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk zbardhet!

II.Institucioni i Prokurorit të Përgjithshëm

Tom Doshi ka tre dëshmi për Prokurorin e Përgjithshëm.

Së pari, se Tom Doshi i kallzoi Prokurorit të Përgjithshëm se është i rrezikuar me jetë nga njerëz të paguar nga Ilir Meta;

Së dyti, se pas kallzimit të tij tek Prokurori i Përgjithshëm, po sipas Tom Doshit, kryeshefi i akuzës, dmth Adriatik Llalla, i ka bërë një vizitë private dhe është takuar me Ilir Metën në vilën që ka kryeparlamentari në Gjirin e Lalzit;

Së treti, pas kallzimit që ka bërë Tom Doshi, kryeprokurori, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë bërë një takim kokë më kokë midis tyre në kryeministri.

Mjafton që të vërtetohen dy nga këto pretendime, që janë shumë lehtë për t'u vërtetuar, që e nxjerrin jashtë loje jo vetëm Prokurorin e Përgjithshëm, dhe e obligojnë atë që të jape dorëheqjen.

Ose përndryshe kryeshefi i akuzës duhet të vërtetojë se asnjë nga pretendimet e Tom Doshit nuk qëndron. Këtë gjë mund ta bëjë publikisht, ballë për ballë me Tom Doshin.

Ndërkohë përfshirja e Prokurorit të Përgjithshëm në urdhërarrestin e Tom Doshit, lë hije të keqe për kryeprokurorin. Sepse është i pari urdhërarresti nga Adriatik Llalla i lëshuar për një zyrtar të lartë, kur Shqipëria konsiderohet nga ndërkombëtarët një vend kuazi mafioz dhe akuza për të cilën e ka prangosur Tom Doshin është dëshmia e rreme!

III.Spartak Braho

Deputeti i LSI-së Spartak Braho, krahu i djathtë i Ilir Metës dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë prej 2011 njihet si personi që shëtit me një çantë të zezë të mbushur me filmime komprometuese për eksponentët më të lartë të politikës.

Më kujtohet
janari i vitit 2011. Ne ishim në Strasbourg për të mbuluar mbajtjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ku Diky Marty lexoi raportin e tij dhe pritej të vinte Berisha. Por ai mungoi dhe kjo mungesë prej  "dashamirëve" të tij u komentua si "frikë" ndaj filmimeve të Brahos.

Edhe pozicioni i Spartak Brahos është i komprometuar.

1. Sepse sipas pohimeve të vetë Spartak Brahos, ky prej katër vitesh ka prova komprometuese kundër emrave më të fuqishëm të politikës shqiptare. Por deri sa nuk i çon këto prova tek Prokurori i Përgjithshëm apo nuk i nxjerr këto prova në publik, do të thotë se ai bën shantazh me to dhe për shantazhim zoti Braho penalizohet.

2. Nga ana tjetër, nëse Spartak Braho ka prova komprometuese për politikën dhe nuk i bën këto prova publike, përsëri ai penalizohet.

3. Spartak Braho duhet të qartësojë se ishte apo nuk ishte në Hanovër në takim me vëllain e Fatjon Skënderit. Për këtë të duhet të kërkohet që autoritetet e aeroportit gjerman të japin qëndrimin e tyre zyrtar.

4. Po ashtu "prova rrëqethëse" që paraqiti Spartak Braho në lidhje me raportin mjekësor të Tom Doshit në krahasim me akuzën që ka Tom Doshi ndaj Ilir Metës është qesharake, nisur edhe nga faktet e kronikave nga televizionet e Tiranës ku mësohet e vërtetohet se Tom Doshi merr medikamente për tension.

5. Spartak Braho duke u bërë avokati mbrojtës i Ilir Metës bie në konflikt interesi me pozitën e tij si shefi i grupit parlamentar të sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ai duhet të heqë dorë ose nga pozicioni i avokatit ose nga pozicioni zyrtar që ka.


IV.Tom Doshi në raport me pretendimet e tij

Lind pyetja a qëndrojnë pretendimet e Tom Doshit.

Që kur Tom Doshi ka bërë denoncimin, në favor të tij janë shtuar përkrahësit. Mjafton të shihet kjo edhe në Facebook. Por le të bëjmë një analizë me këmbë në tokë. Tom Doshi ka arsye të besojë se jeta e tij është e rrezikuar të paktën për tre arsye:

Arsyeja e parë: nga eksperienca jetësore, Tom Doshi ka provuar vrasjet politike, pasi diktatura komuniste i ka pushkatuar 5 anëtarë të familjes.

Arsyeja e dytë: nga imoraliteti politik i lidërshipit të PS dhe LSI. Deri dje Rama dhe Meta e akuzonin njëri-tjetrin, ndërsa tani janë në një harmoni që justifikohet vetëm për interesa pushteti dhe assesi shteti.

Arsyeja e tretë: frika e Tom Doshit justifikohet edhe me krimet e pazbuluara siç është megarasti i Artan Santos etj.


V. KONKLUZIONI

Si konkluzion dua të them se këtë opinion e kam shkruar mbështetur në fakte që i ka të ditura i gjithë opinioni publik e që janë bërë të njohura përmes televizioneve të Shqipërisë.

Ky shkrim nuk ka si qëllim as të bëjë prokurorin dhe as gjykatësin, por t'i bëjë bashkë e t"˜i evidentojë të gjitha faktet, ndaj të cilave palët apo aktorët e përfshirë janë të detyruar të zbardhin veten.

Por përdorja e të gjitha mjeteve për ta njollosur Tom Doshin, në vend të vullnetit të Ilir Metës për të treguar pafajësinë ndaj Tom Doshit, është komprometues për Ilir Metën.

ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.