VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Në Shqipëri kemi demokraci pa integritet apo demokraci pa demokratë ? Nga Elida BUÇPAPAJ E Mërkurë, 02.11.2009, 10:19am (GMT1) Ndërsa në Europën ish-komuniste vazhdon e të thellohet distancimi nga e shkuara, në Shqipëri ndodh e kundërta, është tmerrësisht e zorshme të shquash ndonjë dallim midis të shkuarës dhe të sotmes. Për njëzet vjetë tranzicion, në Shqipëri nuk është ndërtuar asnjë muzeum që tregon për krimet e diktaturës; Partia Socialiste vazhdon të ketë si organ të saj të njëjtën gazetë - Zërin e Popullit, që e ka pasur edhe Partia Komuniste apo Partia e Punës; në Partine Demokratike bëjnë karrierë shumë të sigurt eksponentë të ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa brezat e rinj të lindur dy dekadave të fundit, nuk dinë të gjejnë ndryshimin midis demokracisë dhe diktaturës. Polonia përshembull i thellon masat ndaj figurave të inkriminuara të së shkuarës komuniste, ndërsa ish-Sigurimsat në Shqipëri krenohen për veprimtaritë e tyre të fëlliqura, pasi ata ndihen të mbështetur nga disa institucione në Perëndim, të cilat sipas mediave të Tiranës duken se i kanë shpallur luftë të ashtuquajturit ligj të pastërtisë së figurave, i cili në fakt është shumë i mangët dhe lë shumë për të deshiruar. Me ligjin e lustracionit, ishte e mundëshme të presupozohej një pastrim i politikës nga figura pa integritet, të cilat prej 20 vjetësh kanë uzurpuar institucionet e Shqipërisë, duke e vënë në dyshim demokracinë aty. Ndërsa komuniteti ndërkombëtar shqetësohet se mos abuzohet me ligjin në fjalë, mediat në Shqipëri këtë shqetësim e manipulojnë si mbështetje të komunitetit ndërkombëtar në favor të figurave të diskretituara mes opinionit shqiptar, duke krijuar kështu një mosbesim midis opinionit të shëndoshë, që është vetë shoqëria shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar. Në fakt, ligji i lustracionit do të duhej të ishte inkurajuar prej vetë komunitetit ndërkombëtar, duke u parashtruar si parakusht për integrimet e Shqipërisë, që institucionet Euroatlantike të mos ndodheshin përpara të papriturave jo të këndëshme kur Shqipëria të përfaqësohej në Bruksel nga ish-Sigurimsa, të cilët ashtu siç kanë shitur integritetin e tyre mund të shesin shumë mirë edhe sekretet e NATO-s ? Ndërsa në Shqipëri tolerohet skajshmërisht papastërtia e figurës të politikanit, në SHBA nuk vihet në diskutim pastërtia e figurës së politikanit, duke u kthyer në një prioritet absolut për një politikan. E kemi fare të freskët rastin e ish-Senatorit Tom Daschle, një figurë e shkëlqyer e Demokratëve, me një karierë brilante, të cilit Presidenti Obama i ofroi postin e Sekretarit të Shtetit për Shëndetësi dhe Shërbimet Sociale. Dhe ishte pikërisht Presidenti Obama ai që i ra vizë emrit të Tom Daschle, pas skandalit të mospagimit të taksave me një shumë prej 128 mijë $. Ishte vetë Presidenti Obama ai që i kërkoi ndjesë opinionit publik duke thënë ."Tom ka bërë një gabim, të cilin e ka pranuar publikisht. Nuk ka justifikime dhe unë nuk kam ndërmend që të gjej një të tillë për të". Fjalë shumë të prera dhe pa asnjë shpresë. Kështu e ka demokracia. Nuk është demokracia kishë për të falur gjynahet. Demokracia përjashton çdo mashtrim për atë që ka dhënë votën. Sepse votuesi e jep votën me qëllim që të përfaqësohet sa më denjësisht. Në Shqipëri votuesi është i kamufluar nga një kastë shoqërore, që ka trashëguar mëkate dhe privilegje nga koha e diktaturës, dhe që mbron interesat e veta. Këtë kastë e përfaqësojnë emra pa integritet, me të kaluar të inkriminuar dhe me të sotme të dyshimtë. Kjo kastë përbën një pakicë, që ka pozita të fuqishme në politikë dhe ekonomi, së cilës po t'i heqësh pushtetin politik do të dobësohej, çka është në fovor të demokracisë. Pikërisht për këtë kastë duket sikur tregon mëshirë ateiste komuniteti ndërkombëtar, i cili në fakt do të duhej që të tregonte mëshirë njerëzore për shumicën e shqiptarëve, që vazhdojnë të vuajnë dramën e të qenurit qytetarë të një pseudodemokracie, apo të një demokracie me politikanë pa integritet. Fakti që 3 milionë shqiptarë kanë braktisur atdheun e tyre këta 20 vjet është denoncimi më i fortë që i bëhet atyre politikanëve që sot i zë ligji i lustracionit. Fakti që sondazhet më të fundit tregojnë se 30% e shqiptarëve sot, pjesa më aktive e shoqërisë, kërkon që të braktisë vendin, tregon stadin kritik ku ndodhet demokracia dhe shteti shqiptar. Nuk jam duke marrë në mbrotje asnjë politikan. Jam duke marrë në mbrojtje vetëm shoqërinë shqiptare, sepse vetëm ajo ka paguar çmimin e një demokracie pa demokratë, apo të një demokracie pa integritet, që nuk është gjë tjetër veç demonokraci apo një demokraci rogue. Elida BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |