SHQIPTARË KUDO QË JENI MBËSHTETENI DIOGUARDIN TË ZGJIDHET SENATOR I SHBA ! Nga ELIDA BUÇPAPAJ
E Enjte, 03.11.2010, 08:38pm (GMT+1)

Shqiptarë
kudo që jeni, në SHBA, Kosovë, Shqipëri, Luginën e Preshevës, Maqedoni,
Malin e Zi, Greqi, në diasporën tonë të SHBA apo të Europës, mbështetni
ish-Kongresmenin DioGuardi që të zgjidhet Senator i SHBA.
Është
hera e parë që një Shqiptaro-Amerikani i jepet një rast i tillë, në dy
shekujt e fundit të historisë, dhe nuk dihet se kur do të mund të
ripërsëritet kjo mrekulli, e prandaj nëse ndiheni sado pak shqiptarë,
nëse krenoheni sadopak me rrënjët dhe gjakun tuaj, mbështetni
ish-Kongresmenin DioGuardi që të bëhet Senatori i SHBA.
Që kur
ish-Kongresmeni Dioguardi ka shpallur kandidaturën e tij, bota shqiptare
dhe faktori shqiptar, do të duhej të zgjohej nga gjumi, dhe më në fund
të kuptojë rëndësinë e këtij fakti. Sepse zgjedhja e DioGuardit në Senat
nuk ka aq rëndësi për Xhoe DioGuardin, sa ka për ne shqiptarët, që
paçka se sot duhet të jemi më të faktorizuar se kurrë, vazhdojmë të
vuajmë nga inercia e kohës kur ishim të përçarë.
Lajmi se
DioGuardi e ka shpallur kandidaturën për në Senatin Amerikan duhej ta
bënte politikën shqiptare, të paktën në pesë shtete të Ballkanit, që të
unifikohej për të mbështetur ish-Kongresmenin DioGuardi, i cili, bashkë
me zonjën e tij Shirley Cloyes DioGuardi, kanë dhënë një kontribut të
cilin nuk e ka dhënë asnjë shqiptar deri më sot për çështjen shqiptare,
sepse kanë qenë të parët që kanë sensibilizuar dhe kanë filluar lobimin
në Washington D.C.
Askush nuk e dinte se ku binte Kosova dhe se
kush ishin shqiptarët e Kosovës. Kosova nuk ekzistonte as si një
shprehje gjeografike bismarkiane në ndërgjegjen e botës, deri kur
DioGuardi filloi të dëshmonte në Kongresin e SHBA Holokaustin që
përjetonin shqiptarët nën regjimin pushtues.
Askush nuk e dinte
ku binte Kosova dhe kush ishin shqiptarët, deri kur ish-Kongresmeni
DioGuardi, i cili me krenarinë e veçantë për prejardhjen e tij shqiptare
dhe gjakun e shprishur arbëresh, do të mblidhte rreth vetes si
përkrahës të tij emrat më të spikatur të politikës Amerikane këtë çerek
shekullin e fundit, Senatorë e Kongresmenë si, Bob Dole, Joe Biden, Tom
Lantos, John McKain, Ben Gilman, Henry Hyden etj etj.
Asnjë
politikan shqiptar sot nuk ka 25 vjet kontribut, sa ka ish-Kongresmeni
DioGuardi. Sepse që kur është zgjedhur Kongresmen në Kongresin Amerikan,
më 1985, ai i është përkushtuar çështjes shqiptare, pavarësisë së
Kosovës dhe faktorizimit të shqiptarëve, të cilët edhe sot e kësaj dite
vuajnë inercinë e kohëve kur ishin të defaktorizuar dhe në mëshirë të
regjimeve totalitariste si në Shqipëri ashtu dhe ish-Jugosllavi.
Xhoe
DioGuardi filloi lobimin në Kongresin Amerikan, duke paraqitur që më
1986 të parën Rezolutë (H.Con.Res. 358) në mbrojtje të të drejtave të
Shqiptarëve në ish-Jugosllavinë, rezolutë e cila një ditë më pas do të
paraqitej nga Senatori Bob Doll, miku i Xhoe DioGuardit në Senatin
Amerikan.
Largimi nga Kongresi nuk e ndali asnjë çast Xhoe
DioGuardin, i cili më 1989, duke mbledhur rreth vetes shqiptarë të
nderuar dhe patriotë të vyer, do të krijonte AACL, Ligën Qytetare
Shqiptaro-Amerikane, të parën organizatë lobiste për të ndikuar në
politikat në Washington D.C.
Xhoe DioGuardi nuk e rresht kurrë
aktivitetin e tij në të mirë të çështjesh shqiptare duke bashkëpunuar me
figura të ndritura të lobit çifut, siç ishte i ndjeri Tom Lantosh, me
të cilin do të vizitonte disa herë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi e
Maqedoninë, ku Kongresmeni Lantosh do ta quante Kosovën nën Milosheviç
një "Geto e Varshavës" në kohët moderne. DioGuardi do të sillte në
Kosovë Bob Dollin, dhe do të çonte në Washington D.C. gjithë emrat më të
spikatur të klasës politike shqiptare dhe personaliteteve, duke
filluar nga Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Adem Demaçi,
Ramush Haradinaj etj. etj.
Një figurë brilante, me një reputacion
të hatashëm në qendrën e politikës të SHBA, Xhoe DioGuardi do të ishte
zëri më i fuqishëm dhe më i besueshëm në mbrojtje të pavarësisë së
Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.
Në luftën e
Kosovës, bashkë me bashkëshorten e tij, një njohëse e shkëlqyer e
Ballkanit, do të vihej në mbrojtje të Pavarësisë së Kosovës dhe të
luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mbështetur UÇK-në dhe
liderët e saj.
Çdo popull në Ballkan do ta kishte krenari që të
kishte një përfaqësues si Xhoe DioGuardi në Senatin e SHBA. Të njëjtën
krenari duhet ta kemi edhe ne Shqiptarët. Por poeti latin Horaci na
kujton duke na thënë "Carpe diem" - të përfitojmë sa më shpejt nga ky
moment, të bëhemi koshient për këtë rast, të bëhemi të përgjegjshëm,
sepse në Amerikë kemi një diasporë gati dyshekullore, nga për herë të
parë del një kandidat me rrënjë arbëreshe për në Senatin e SHBA-ve. Dhe
nuk duhet të vonohemi asnjë sekondë, sepse përsëri siç thotë Horaci,
"Ndërsa jemi duke folur, çasti apo rasti magjik na ka shkitur nga
duart". Kështu është ky moment për Shqiptarët, i pari në historinë e
tyre. Andaj të mos e lëmë të na ikë.
Vargu i Fan Nolit, "Mbaju
Nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë", ishte në një kohë kur djemtë
e Nënës, sado të mirë që ishin, ende nuk e kishin një post të
rëndësishëm për t'i ardhur në ndihmë Nënës së tyre. Siç është edhe
tani. Në SHBA sot gjendet një diasporë e fuqishme shqiptare, së cilës
për herë të parë i jepet rasti që të përfaqësohet në Senat nga një
Arbëresho-Amerikan.
Andaj Shqiptarë, kudo që jeni, nëse jeni,
mbështeteni Xho DioGuardin që të zgjidhet Senator i SHBA.
Andaj
Shqiptarë, nëse keni mësuar diçka nga historia, nëse keni mësuar diçka
nga vuajtjet tuaja, gjatë diktaturave, gjatë Holokaustit, gjatë
tranzicionit, tregohuni të përgjegjshëm dhe mbështetni Xhoe Dioguardin
që të zgjidhet në Senatin Amerikan.
Andaj Shqiptarë, nëse doni që
zëri juaj të dëgjohet në Washington D.C., nëse doni që avokati juaj të
jetë në zemrën e politikës të SHBA-ve, nëse doni që e ardhmja e fëmijëve
tuaj të jetë e sigurt, nëse doni që të ndiheni krenarë se jeni
shqiptarë, mbështetni Xhoe DioGuardin me u zgjedhë Senator i SHBA-ve.
Sa
herë që ne shqiptarët kemi pasur nevojën e tij, ai ka një çerek
shekulli që na është ndodhur pranë, tani DioGuardi ka nevojën tonë, për
të mirën tonë.
www.voal-online.ch
|