VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

17 Shkurti dhe Ëngjëlli Mbrojtës i Shqiptarëve Nga Elida BUÇPAPAJ
E Mërkurë, 02.18.2009, 09:53am (GMT1)

Ndërsa në Prishtinë dhe të gjitha hapësirat shqiptare festohet 1 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, shfletoj arkivin duke iu referuar kësaj date 10 vite më parë, kur do të duhej edhe një javë që Havier Solana, atëhere Sekretar i Përgjishëm i NATO-s të jepte urdhërin që Aleanca Verio-Atlantike të fillonte e të bombardonte Milosheviçin.

Kur jam duke e parë virtualisht qiellin e Prishtinës që kuqlon prej fishkzjarreve, shfletoj historinë e shqiptarëve gjatë shekullit që shkoi, e cila përshkohet fund e krye nga sakrifica dhe zhgënjime të pafundme të brezave të tërë, të cilët shkuan duke i shtrirë rrënjët në tokën shqiptare me pezmin se nuk arritën dot të realizonin ëndërrën tonë, që Kosova të ishte e pavarur. Sepse Pavarësia e Kosovës shihet si një çështje jetike për gjithë kombin shqiptar.

 

Përpara 20 vjetësh të flisje për pavarësinë e Kosovës do të thoshe që të shkelje tabu të paprekëshme, që nuk guxonte t'i prekte askush, sepse ishin vulosur nga konjukturat apokaliptike; çdokush që guxonte të kërkonte pavarësinë e Kosovës ishte më heretik se Xhordano Bruno në periudhën mesjetare. Sepse konjunkturat politike të shekullit që shkoi ishin më të egra se vetë inkuizicioni, pasi  i kishte ndarë shqiptarët për së gjalli. Muri i Berlinit që u ndërtua më 1961, ishte vetëm një kopje e murit ndarës që i ishte bërë kombit shqiptar, nga diktatura dhe konjunkturat, të cilat anakronizmin e tyre e treguan duke hyrë në një alencë makabre midis tyre.

 

Dhjetë vjet më parë Agim Ramadani dhe Sali Çeku ishin gjallë duke luftuar për të çrrënjosur gurët ndarës në kufirin shqiptaro-shqiptar; dhjetë vjet më parë Bardhyl Ajeti ishte vetëm 20 vjeç; dhjetë vjet më parë shqiptarët vazhdonin të përjetonin konfuzionin tragjik prej incercisë ndarëse që u ishte imponuar; dhjetë vjet më parë gjithçka ishte ndryshe nga sa është sot, ishte tmerrësisht ndryshe, atëhere kur rrezikohej fati i kombit shqiptare në tërësi, kur rrezikohej që armët të ktheheshin kundër njëri-tjetrit.

 

Hapni gazetat përpara dhjetë vitesh për të parë sa mbrapsht ishim. Konfuzioni politik ndërshqiptar ishte rreziku numur 1 i vetë shqiptarëve, i cili nuk dihet se ku do të na çonte nëse Shqiptarët dhe Kosova nuk do të kishte Ëngjëllin Mbrojtës, që janë SHBA.

 

I dëgjoj me kërshëri debatet dhe diskutimet që bëhen nga politikanë dhe opinionistë, të cilët flasin sot për pavarësinë e Kosovës, sikur të jetë frut i tyre, kur në fakt, sikur të ishte në dorën e tyre, pavarësia e Kosovës nuk do të bëhej kurrë realitet, pasi ata vazhdojnë të mbeten peng i konjukturave të së shkuarës. Kjo bashkësi tribale me prejardhje nga shteti amë, e pasuruar me kontigjente me hipoteka nga Kosova, fillimisht i çoroditi  politikanët e Kosovës duke shkaktuar një të çarë frikësuese midis tyre, e cila përgjatë këtyre dhjetë viteve, nën kujdesin e vazhdueshëm të Ëngjëllit të tyre Mbrojtës, që janë SHBA-ve, u kurua me kujdes, sepse kundërshtarët politikë nuk mund të jenë kurrë armiq midis tyre, pasi ata i bashkon dhe i lidh në mënyrë të pazgjidhëshme ardhmëria e shtetit të Kosovës.

 

Bashkëqeverisja e Rugovës dhe Haradinajt shënoi fillimin e thyerjes të akujve të ndarjes, ndërsa duarshtrëngimi midis Rugovës dhe Thaçit, shënoi kthesën në historinë moderne të Kosovës.

 

I kam lexuar reagimet ndaj kryeministrit Thaçi kur ai bëri nderimet e duhura me rastin e tre vjetorit të humbjes të Rugovës. Disa shprehin pakënaqësi me këtë vizitë, disa të tjera kujtojnë kohët e shkuara. Të dy palët veprojnë mbrapsht. Koha e ndarjes midis krahut të luftës dhe Rugovës ishte koha e keqkuptimit të madh, e cila nuk duhet kurrë të përsëritet. Vajtja e Thaçit tek varri i Rugovës nuk ka si të jetë hipokrizi, por është veç në vijim të atij duarshtrëngimi që nisi midis tyre kur Rugova ishte gjallë, i cili shpreh thelbin e mënyrë së qeverisjes. Koha e keqkuptimeve i takon vetëm të shkuarës. Vetëm kësaj kohe duhet t'i frikësohen shqiptarët, të cilën duhet ta arkivojnë, si një dëshmi e frikëshme, që vepronte kundër vetë atyre dhe të ardhmes të Kosovës, që ka filluar më 17 Shkurt 2008. Kosova ka rilindur më 17 Shkurt 2008 dhe krahas saj vigjilon Ëngjëlli i saj Mbrojtës, SHBA. Së cilës duhet t'i jemi mirënjohës në jetë të jetëve, sepse pa të kjo ditë nuk do të ishte kurrë ky realitet që na ngroh të gjithëve.

Elida BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.