VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUR ATDHEU TË VRET

Nga KIM MEHMETI


E Martë, 05.18.2010, 04:38pm (GMT1)

Shqiptarët e Maqedonisë më 10 maj, edhe një herë dolën në rrugë dhe protestuan. Kësaj radhe ata kërkonin drejtësi, hapjen e dyerve të burgut për shqiptarët e dënuar në procese të montuara gjyqësore dhe treguan se ç'është ajo që e çon këtë popull të ndihet i rrezikuar nga institucionet e shtetit.

Ende pa kaluar as një orë nga përfundimi i protestave, pushtetarët shqiptarë dolën e thanë se numri i vogël i protestuesve (rreth 5.000 veta) tregon se populli e përkrah veprimin institucional të BDI-së. Që do të thotë, derisa të mos dalë i gjithë populli në rrugë, Ali Ahmeti dhe shokët e tij besojnë se janë duke shkuar rrugës së duhur. Pra, pushtetarët e BDI-së, të entuziazmuar nga numri "i paktë" i protestuesve, u zotuan se edhe më tej do të bëjnë çmos që t'u dëshmojnë skeptikëve shqiptarë se si shkohet në NATO dhe BE, thuajse skepticizmi ka të bëjë me naivitetin që të çon të besosh se vlerat dhe aftësitë personale janë proporcionale me modelin dhe ngjyrat e kollares.

Dy ditë pas protestave, në afërsi të fshatit Radushë, pra në hyrje të Shkupit, Policia maqedonase kapi në pritë katër shqiptarë të dyshuar për kontrabandë armësh dhe i ekzekutoi në vendin e ngjarjes. Apo, mbase edhe i solli të vrarë aty ku ishte paracaktuar vendi i ekzekutimit!? E në mesin e tyre ishte edhe Harun Aliu, ish-komandant i njohur i UÇK-së, drejtues i Partisë Alternativa Kombëtare. Sipas asaj që tha ministrja e Policisë, aksioni ishte ndërmarrë në bazë të informatave të sigurta, andaj shtrohet pyetja e logjikshme: pse policët maqedonas nuk i përcollën të dyshuarit deri në vendin ku duhej ta dorëzonin armatimin, e kështu ta mbyllte tërë zinxhirin e të inkriminuarve, por u organizoi pritë si në kohët e mesjetës. Dhe kaloi një ditë nga kjo ngjarje, e pushtetarët e BDI-së nuk dhanë asnjë shpjegim. Nuk treguan se a kanë qenë të informuar për këto aksione policor, dhe nëse po, atëherë vallë pajtohen me këtë veprim të policisë që ka pasur informata të sakta për rrugëtimin e "shitblerësve" të armëve? Ku ta dish, mbase edhe nuk ka nevojë të shpjegohet ajo që e dinë të gjithë shqiptarët e Maqedonisë: nga viti 2001 e këndej, asnjë aksion policor nuk ndërmerret pa u informuar krerët e partisë shqiptare në qeveri.

Sikur BDI-ja të ishte parti serioze, sikur pushtetarët shqiptarë ta dinin si mbrohet interesi i popullit, sikur ata ta kishin kuptuar se nuk bëhesh bashkëqeverisje pa pasur kontroll mbi të gjitha institucionet e shtetit, ata që moti do ta kuptonin se atdheu të dënon për krimet e bëra, por nuk të ekzekuton. Pastaj, sikur ata ta njihnin peshën e vërtetë të përgjegjësisë së politikanit, atyre do t'u mjaftonin 10 protestues të rinjtë dhe vetëm 10 shqiptarë që më shumë i besojnë armës sesa institucioneve të shtetit, që të uleshin e të analizonin se cilat janë shkaqet që i çojnë shqiptarët e këtushëm të ndihen të rrezikuar nga institucionet e shtetit. Pra, sikur BDI-ja ta kuptonte me kohë se Gruevskit i nevojitet vetëm si mbulesë për të realizuar programin e partisë së tij prej "100 hapave" drejt urrejtjes ndaj Perëndimit dhe shqiptarëve, partiakët e Ali Ahmetit nuk do ta mbronin Gruevskin nga kritikat e shqiptarëve, por do t'i mbronin shqiptarët nga urrejtja e Gruevskit. Aq më shumë, sikur Ali Ahmeti të mos e harronte aq shpejt se zgjedhjet e 2008-s i fitoi duke kritikuar antishqiptarizmin e Gruevskit, ai s'kishte si mos ta kuptonte se u radhit në mesin e varrtarëve të Marrëveshjes së Ohrit. Me çka edhe do të zbërthente sa të poshtra dhe perverse janë deklaratat e shokëve të tij partiakë kur thonë se ai që e shpall Marrëveshjen e Ohrit të vdekur, na qenka mohues i një vlere të shenjtë të realizuar me gjakun shqiptar, e ata që nuk ia dolën ta jetësojnë atë, na qenkan politikanë të urtë, e jo shkelës mbi kufomat e të rinjve shqiptarë që flijuan vetveten gjatë konfliktit të vitit 2001.

Shumë nga ata që ishin fëmijë 10 vjeç në kohën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, më 10 maj protestuan dhe pyetën pushtetarët pse populli i tyre ende është pothuajse jashtinstitucional dhe i jashtëligjshëm. Katër veta nga ata që në vitin 2001 i thanë lamtumirë armës, më 12 maj u ekzekutuan nga Policia maqedonase si të dyshuar se përsëri u janë rikthyer armëve. Pushtetarët shqiptarë treguan se numri i protestuesve nuk i brengos fare, por përderisa autori i këtij teksti e shkruan këtë tekst (e enjte paradite), kryesuesit e BDI-së nuk kanë thënë asgjë se vallë ishte i pashmangshëm ky ekzekutim i katër shqiptarëve. Me çka mbase dëshmojnë vetëm një gjë: se populli i këtushëm shqiptar është në duart e politikanëve që nuk e kanë kuptuar se atëherë kur dështon politika, se atëherë kur dështojnë politikanët, populli del në rrugë apo shkon në male. Pra, sjellja e pushtetarëve të BDI-së dëshmon se ata janë politikanë që nuk e kanë kuptuar se politikani i keq është ai që popullin e mban në rrugë, se politikani që i bën hyzmet kolltukut, por jo edhe votuesit të vet, herdokur do të përballet me forcën e frustrimit të popullit. Apo, këto ngjarje të dhembshme, vetëm dëshmojnë se Maqedoninë e drejtojnë politikanë që nuk e kuptojnë se pronarët e vërtetë të situatave konfliktuoze nuk janë ata që e duan konfliktin, por politikanët që nuk dinë t'i zgjidhin problemet që e frustrojnë popullin. Gjë të cilën më së miri e dëshmoi konflikti i vitit 2001, i cili konflikt erdhi si pasojë e politikave të gabuara gjatë një dekade, gjë të cilën e dëshmon edhe frustrimi i sotëm i shqiptarëve të Maqedonisë, i cili është rezultat i bashkëpunimit të mirë mes "sunduesit" dhe "vasalit", por jo edhe i shqiptarëve me institucionet e shtetit.

Është shumë trishtuese kur sheh të rinjtë shqiptarë të protestojnë dhe policinë maqedonase t'i ekzekutojë shqiptarët e dyshuar për veprimtari të jashtëligjshme. Nga ky trishtim të lindin edhe mendime nga më të pamundshmet, si për shembull ai se mos vallë Maqedonia e sotme nuk do të bëjë harxhime shtesë e t'i ngarkojë burgjet me shqiptarë të shpallur të fajshëm, andaj ata i ekzekuton aty ku t'i vijë më mbarë. Si dhe pyetja mos vallë Maqedonia i ruan qelitë e burgjeve vetëm për shqiptarët e pafajshëm, si ata të Sopotit. Çka nuk të shkon ndërmend kur e sheh se si shqiptarëve të Maqedonisë për çdo vit u ndodh ndonjë Sopot, Brodec, apo Radushë. Dhe pas kaq shumë ngjarjeve të përgjakura, s'ka si mos e pyesësh veten: si ta shpëtojmë gjakun tonë? Autori i këtij teksti i ka dhënë një përgjigje të mundshme kësaj pyetjeje menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008, kur publikisht ka thënë se BDI-ja duhej të themelonte parlamentin shqiptarë te Komuna e Çairit në Shkup, e jo të shkonte t'i përkulej Gruevskit që ai ta përfshijë në koalicionin qeverisës. Me çka Ali Ahmeti do ia ndërlikonte punën vetvetes, por do t'i kursente shqiptarët nga dalja në protesta dhe nga veprime dëshpëruese që i çon drejt e në pritat e policisë së Gruevskit. Por, ku ta dish, ndoshta shqiptarët e Maqedonisë edhe një kohë të gjatë do të mbeten në duart e politikanëve që nuk e kanë kuptuar se vota e marrë nga populli të bën të fortë, por jo edhe të mençur. E me çka, shqiptarët e këtushëm do të paguajnë haraç të lartë që ata një grusht shqiptarë që e ndihmojnë Gruevskin, të munden ta ndiejnë veten se janë ata që nuk kanë qenë kurrë pushtetarë.

Kim Mehmeti


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.