Në shtetet demokratike shtypi dhe mediat, duke respektuar Kushtetutën dhe liritë e të drejtat e njeriut të garantuara prej saj, nuk lejojnë hapësira për diktatorët apo ish diktatorët, aq më tepër kur emrat e tyre lidhen me krimet e një realiteti të afërm dhe të prekshëm.
Gazetarët e një shteti demokratik, që posa ka dalë nga një diktaturë mizore, përpiqen me gjithë profesionalizmin e tyre, ta ruajnë të gjallë në kujtesën e publikut tmerret dhe vuajtjet e viktimave, si dhe mbajnë qëndrime të prera ndaj ekzekutorëve. Në çdo shtet të Europës Lindore që ka dalë nga diktaturat, ish diktatorët janë ekskluduar nga jeta publike e një vendi.
Ky obligim vlente edhe për Shqipërinë. Sepse, ashtu si çdo qytetar, edhe gazetarët kanë të drejtat dhe liritë e tyre të pacënueshme, nga ana tjetër - edhe detyrimet e tyre të patjetërsueshme ndaj opinionit publik, si edhe ndaj shtetit të së drejtës.
Por, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s, një pjesë e mirë e mediave të saj janë nën vasalitetin e plotë të Ramiz Alisë, të cilin e kanë shndërruar në një "yll të kuq" duke i bërë presion opinionit publik, çka bie ndesh me kushtetuetshmërinë e vendit, ku shënohet se diktatura komuniste e Shqipërisë është përmbysur.
Në mediat e Tiranës është diçka tepër e rëndomtë të shohësh nëpër faqet e para të gazetave dhe në kryetitujt e televizioneve fytyrën e Ramiz Alisë, diktatorit të fundit të Shqipërisë, i cili në vend që t'i ngryste ditët e tij nën peshën e fajit të krimeve të kryera nga regjimi, me të cilin emri i tij identifikohet, lëshon në treg pallavrat e tij.
Për ta ilustruar këtë fakt, po marr në analizë shtypin e 5 qershorit 2010 botuar në Tiranë. Pasi e dëgjova një pjesë të saj tek New24, një televizion me orientim të majtë, që boton edhe Gazetën Shqiptare, konstatova se edhe më 5 qershor Ramiz Alia ishte kthyer në një "hero të ditës", ku rigjykonte rishtaz viktimat e sistemit komunist, midis tyre edhe Mehmet Shehun, të cilit i gjente rishtaz gabime.
Pasi shkova në internet gazetë më gazetë, hulumtimin ma lehtësoi websiti i Ora News, edhe ky me orientim të majtë, ku Ramiz Alia një natë më parë kishte dhënë intervistë. Ora News përmblidhte me këtë rast të gjitha gazetat e Tiranës që kishin botuar në faqet e tyre të para "sentenca" apo "citate" të Ramiz Alisë, marrë nga intervista tek Ora News, që po i vendos këtu pa ndryshim. OraNews shkruan në titull e vazhdon si më poshtë:
""Gazetat për Alinë në "Ora" e Debatit" - Intervistë tek Ora News - Intervista e ish-Presidentit Ramiz Alia dhënë gazetarit Alfred Peza ka zënë faqet e para në shtypin e shkruar.
Një prej gazetave më të mëdha në vend, gazeta "Panorama" e ka vendosur në faqen e parë intervistën e ish-Presidentit Alia me titullin: "Alia: Testamenti që më la Enveri dhe mëkati i Mehmet Shehut". Gazeta "Panorama" në nëntitull ka: "Ish-presidenti Ramiz Alia rrëfen kujtimet e jetës" ku ka botuar të plotë deklaratat e tij bërë në emisionin "Ora e Debatit".
Edhe gazeta Shekulli ka vendosur në faqen e parë intervistën e Ramiz Alisë dhënë gazetarit Alfred Peza. Titulli i vendosur nga gazeta Shekulli në krye të intervistës të plotë është: "Ramiz Alia: gabimet që çuan në vetvrasjen e Mehmet Shehut".
Gazeta Shqip ka përzgjedhur deklaratat e Ramiz Alisë për Fatos Nanon dhe Edi Ramën bërë në Emisionin "Ora e debatit", "Alia: Nano ka ndryshuar, po luan rol të keq", është titulli i gazetës "Shqip".
Gazeta "Standart" ka botuar të plotë intervistën e Ramiz Alisë, duke vendosur titullin: "Alia: PS trashëgoi strukturën e PPSH."
Gazeta "Albania" ka vendosur në faqen e parë rrëfimin e Ramiz Alisë bërë në emisionin Ora e Debatit. "Ramiz Alia: ja testamenti i Enver Hoxhës", është titulli i vendosur në krye të intervistës së plotë të Ramiz Alisë.
Edhe gazeta "Metropol" e ka vendosur në faqen e parë deklaratat e Ramiz Alisë bërë në emisionin "Ora e Debatit". "Alia: nuk pendohem për ç'kam bërë. Jam ftohur me Nexhmijen"."
Këtu mbaron njoftimi i OraNews. Doni dhe më?! Ajo që të bën përshtypje është se ish-diktatori përveçse ka uzurpuar hapësirat e lirinsë të shtypit në Shqipëri, trajtohet në mënyrë servile nga botuesit dhe pronarët e televizioneve e gazetave, për rrjedhim edhe nga gazetarët si : "Ish-Presidenti", pra në mënyrën më flagrante, dezinformohet publiku shqiptar, ku Ramiz Alia nuk paraqitet si ish-diktatori i fundit, por si ish-president i Shqipërisë. Këtu probemi ndërlikohet, sepse mediat e shkruara dhe vizive vasalitetin e tyre ndaj Ramiz Alisë e çojnë deri aty sa shkelin kodin e gazetarisë në një shoqëri demokratike, kriteret e së cilës nuk tolerojnë dezinformimin e publikut si dhe po ashtu nuk tolerojnë mitizimin dhe rehabilitimin e diktaturave apo ish diktatorëve.
Nëse këto media e kanë kthyer Ramiz Alinë në hero të tyre, nga pozitat e atij që mund të japë vlerësime ex catedra për këdo, njëkohësisht këto e trajtojnë Sali Berishën si një "diktator", duke i bërë presion psikologjik publikut që të mësohet me realitete aluçinante, sa makabre edhe të papranueshme për mendjen dhe ndërgjegjen e opinionit shqiptar që e di mirë se kush është Ramiz Alia.
Ramiz Alia, gjatë këtyre 20 viteve mund të ishte vetërehabilituar ose këtë mund ta linte në dorë të opinionit publik, po qe se ky do ta falte, sepse i tillë ishte sistemi dhe ai ishte pjesë e tij, vetëm nëse do të kishte denoncuar të gjitha krimet e diktaturës dhe të gjithë aparatin e superstrukturës dhe sigurimit të shtetit. Por Ramiz Alia, në vend të kësaj, i ricikloi sigurimsat dhe pjesë të superstrukturës, të cilët gjatë dy dekadave të tranzicionit kanë vazhduar të bëjnë karierë, e ndërkohë janë kthyer në avokatët e Ramiz Alisë.
Prandaj, në mediat e Tiranës mungojnë pothuaj tërësisht krimet e diktaturës, në televizionet dhe gazetat e Tiranës mungojnë pothuaj tërësisht viktimat e diktaturës, por është i përhershëm Ramiz Alia, diktatori i fundit i Shqipërisë, vendit ku për një gjysmë shekulli ishte instaluar diktatura më mizore e Europës dhe Ballkanit.
Duke bërë këtë panoramë të gjendjes të mjerë së gazetave dhe televizioneve të Tiranës, është emergjente rehabilitimi i shtypit të lirë dhe liria e shprehjes, pa të cilën nuk mund të ekzistojë shteti i së drejtës. Ky rehabilitim nuk mund të jetë i njëanshëm, nuk mund të bëhet vetëm nga njëri krah i politikës, qendra e djathtë, aq më pak e majta, por kërkon një angazhim bipartizan, larg politikës së rrugës.
Nëse në Shqipëri funksionon shteti i së drejtës, nëse në Shqipëri funksionojnë institucionet e sigurisë kombëtare, nëse në Shqipëri funksionon kushtetuta, atëhere Ramiz Alia, duhej të mbetej brenda sferës së tij private dhe jashtë kontekstit të sferës që ka të bëjë me publikun. Nga ana tjetër mediat kanë të drejtë të merren me Ramiz Alinë, jo duke e glorifikuar, siç bëjnë, por në kontekstin e rolit që ka pasur në diktaturë. Ramiz Alia nuk ka asnjë të drejtë sot të bëjë pretenca dhe aq më tepër të marrë rolin e prokurorit.
Shteti i së drejtës, shtypi i lirë dhe liria e shprehjes nuk e pranojnë sentimentalizmin me diktatorët dhe bëmat e tyre, aq më tepër publiku shqiptar nuk e meriton sot pas 20 vitesh të rrëzimit të diktaturës, arrogancën dhe prepotencën e Ramiz Alisë, që na kthen prapa e na bën të kujtojmë se jetojmë në ditët kur ishte në majë të piramidës të kuqe. Shteti i së drejtës duhet të vejë drejtësinë në vend. Shteti i së drejtës e ka për obligim të hedhë dritë për fatin e viktimave të diktaturës dhe t'i nderojë këto viktima e të mos tolerojë e shndërrimin e Ramiz Alisë në një kryepersonazh publik. Ramiz Alia t'i ngrysë ditët e tij duke pasur punë me ndërgjegjen, nëse jo me drejtësinë shqiptare.