VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSOVA E EMANCIPUAR

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Mërkurë, 06.09.2010, 12:00pm (GMT1)



Si term, emancipimi iu referohet të gjitha veprimeve të një personi apo një grupi njerëzish për të fituar pavarësinë. Pra në një farë mënyrë pavarërsia është e barabartë me emancipimin. Të jesh i pavarur do të thotë të jesh i emancipuar. Anasjelltas, të jesh i emancipuar do të thotë të jesh i pavarur. Ndërsa të mos jesh i emancipuar do të thotë që të jesh i varur. Ngjajnë me një lojë fjalësh, por janë aksioma që rrjedhin nga njëra-tjetra, që nuk kanë nevojë për t'u vërtetuar, dhe që janë të vërteta midis tyre.

Në fillim ekziston shoqëria dhe pastaj emancipimi i saj. Tani që Kosova ka shtetin e vet, do të thotë që shteti i Kosovës duhet të reflektojë emancipim. Në të gjitha nivelet.

Emancipim nuk do të thotë të përfitosh prej lirive që i ke fituar me shumë gjak dhe sakrifica. Kush përfiton prej lirisë ose është bukëshkalë, ose i mungojnë shqisat dhe shijet për të perceptuar realitetin, pra nuk është i emancipuar.
Kosova ka kaluar shumë prova. Kohën e gjatë të pushtimit, të luftës, të postluftës, të shpalljes së pavarësisë dhe provën e njohjeve të pavarësisë. Por nuk e ka kaluar ende fazën e njohjes së saj nga OKB. Dhe për të shkuar deri aty u dashka kohë. Prej 17 shkurtit 2008 kanë kaluar 2 vjet e 4 muaj dhe Kosova është e njohur vetëm prej 69 vendesh. Për të fituar ulësen në OKB, ndërkaq, i duhen të paktën 128 vende, çka do të thotë se Kosovën duhet ta njohin edhe 59 vende të tjera.

Dhe Kosova këtu duhet të fokusohet.

Kosova ka kaluar nga prova në provë, me vuajtje, me sakrifica sikur Odiseu deri sa arriti në Itakë. Në kontekstin ku ndodhet, deri në ditën kur do të ketë ulësen në OKB, Kosova bashkëjeton me institucionet ndërkombëtare siç janë EULEX-i dhe KFOR-i.  KFOR-i duhet të qëndrojë deri kur Kosova të anëtarësohet në NATO, ndërsa EULEX-i deri kur Kosova të jetë zyrtarisht shtet i pavarur dhe të jetë shteti i 193-të në OKB.

Politikanët e Kosovës nuk kanë të drejtë që të jenë nervozë ndaj institucioneve që përfaqësojnë vlerat e Europës. KFOR-i u vendos në Kosovë, pasi NATO e çliroi Kosovën nga regjimi kriminal milosheviçian, ndërsa EULEX-i është pjesë e Marrëveshjes së Presidentit Ahtisari, ku politikanët e Kosovës kanë qenë palë  nënshkruese.

Nervozizmi ndaj EULEX-it apo KFOR-it nuk shpreh emancipim, paçka se Kosova duke mos qenë plotësisht shtet i pavarur, vuan pasojat e këtij tranzicioni dhe ndihet e frustruar. Në fund të fundit, jemi njerëz dhe procesi i bërjes së shtetit kërkon energji dhe breza të tërë. Por këtij fataliteti nuk i ka shpëtuar asnjë nga shtetet që sot përfaqësojnë thelbin e Perëndimit.

Natyrisht, ka edhe vend për nervozizëm. Nervozizëm kanë ata që vuajnë. Por nuk janë politikanët e Kosovës që vuajnë, është populli i Kosovës që i vuan pasojat e kohës së zgjatur prej njohjes së ngadalshme të shtetit të ri të Kosovës dhe nervozizmi i popullit të Kosovës nuk është as ndaj KFOR-it dhe as ndaj EULEX-it, por ndaj  politikanëve, sepse kërkohet që politika të zhdërvjellësohet, që partitë të bashkëveprojnë, që bipartizanizmi të aktivizohet, që mëritë të lihen mënjanë, dhe gjithçka të funksionojë për njohjet e reja. Nuk është koha për përjashtime. Sot Kosovës i duhen të gjithë. Në çdo kohë Kosovës do t'i duhen të gjithë qytetarët e saj.

Nëse duam të jemi të pavarur, duhet të jemi të emancipuar, të gjejmë gjuhën e duhur për të komunikuar me partnerët. Gjuhën e luftës e kemi pasur për pushtuesin. Për ata që na ndihmuan të çlirohemi, sepse vetë nuk do t'ja dilnim dot, ka vetëm komunikim të emancipuar dhe partneritet të emancipuar.
ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.