VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Uashingtoni dhe Prishtina rikonfirmuan të njëjtin vizion për Kosovën E Shtunë, 02.28.2009, 08:39am (GMT1) Voal-online (Editorial) - Takimet që pati me nën presidentin Xhozef Bajdën dhe Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, si dhe me kongresmenë senatorë, zyrtarë të tjerë të lartë, miq amerikanë të Kosovës në Uashington D.C. gjatë këtyre ditëve delegacioni i Kosovës i përbërë nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm Skënder Hysni dëshmuan fuqishëm se Uashingtoni dhe Prishtina kanë të njëjtin vizion realist për Kosovën. Vetëm një Kosovë me integritet territorial të pacënueshëm, vetëm një Kosovë sovrane në çdo milimetër katror të saj dhe në të gjitha marrëdhëniet e saj të brendshme e të jashtme, vetëm një Kosovë me stabilitet të plotë është garanci për mirëqenien e qytetarëve të saj të të gjitha përkatësive, është garanci për paqen, stabilitetin, për integrimet e rajonit të Evropës Juglindore dhe të kontinentit në proceset perëndimore dhe ato globale. Vetëm një Kosovë e fortë në rrafshin politik, ekonomik, diplomatik, të sigurisë dhe në të gjitha rrafshet e tjera garanton përmbushjen e interesave të individëve, garanton përmbushjen e interesave të shoqërisë, garanton marrëdhënie të qetësuara me fqinjët, në mënyrë të veçantë me Serbinë dhe me serbët. Një vit pas zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, tashmë është gjithnjë më e qartë dhe gjithnjë në krye të rendit të ditës domosdoshmëria e shtimit sa më të madh dhe sa më të shpejtë të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës së pavarur dhe sovrane, deri tani e njohur nga 55 vende. Kosova në radhët e Kombeve të Bashkuara, në radhët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore, si dhe të organizmave të tjera ndërkombëtare, Kosova e përshpejtuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, përbën siguri të plotë për një vizion të ri të politikës perëndimore dhe asaj globale ndaj rajonit evrojuglindor, në mënyrë që ai përfundimisht të shndërrohet në burim stabiliteti për veten, për kontinentin e më gjerë, duke i dhënë fund një praktike të mbrapshtë të dy shekujve të kaluar, një politike të bazuar në koniunkturat më negative të historisë.
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |