VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
I PAEPURI PROFESOR SKËNDER LUARASI Kujtime nga NAUM PRIFTI E Martë, 06.15.2010, 04:12pm (GMT1) Të gjithë ata që e kaluan pjesën më të madhe të jetës nën diktaturë, e kanë detyrë morale kundrejt shoqërisë së sotme të shkruajnë kujtimet e tyre për personat me të cilët kanë patur konfidencë, aq sa të flisnin pa drojtje për çdo temë, duke shfaqur mendime e gjykime që binin ndesh me propagandën e partisë. Në Shqipëri, për arsye të diktaturës së ashpër, disidenca e hapur nuk mundi të zhvillohej, por disidenca e fshehtë, në rrethe të ngushta shoqërore nuk mund të mohohet. Disidenca ishte lirim i presionit të brendshëm psikologjik nga fyerjet që ndjenin, shfryrje e dufeve për padrejtësitë që vërenin, nga poshtërimet që pësonin ata vetë, ose të njohurit e tyre. Për t'u habitur se si sot pseudodemokratët e djathtë e të majtë, i akuzojnë intelektualët "en bloc," se u konformuan me diktaturën, iu nënshtruan dhe i shërbyen me zell. Kjo lloj njollosje dashakeqe nuk i përgjigjet së vërtetës. Kalvari i intelektualëve filloi më 1944 dhe mbaroi kur u shemb diktatura. Dënimet me vdekje, pushkatimet me e pa gjyq, burgosjet e shumta dhe internimet që pësuan intelektualët nga regjimi komunist, dëshmojnë të kundërtën. Udhëheqja e PPSH në bazë të një parimi të vjetëruar marksist, i kundronte intelektualët si kontigjent që prekej lehtë nga ndikimet e huaja, prandaj edhe i kamzhikoi vazhdimisht, me përjashtim të disa pak "të zgjedhurve" që i shërbenin me zell. Ata intelektualë që e mbrojtën dinjitetin personal në kushte jashtëzakonisht të vështira, meritojnë respekt. Një prej tyre, ndoshta më i shquari, ishte prof. Skënder Luarasi. Si konfident i tij për një kohë të gjatë, ndiej kënaqësi dhe lehtësim shpirtëror të sjell kujtimet e mia për të. Autori Skënder Luarasi lindi në vitin e parë të shekullit XX, por ne të gjithëve na dukej më i hershëm nga afërsia shpirtërore dhe aktivititeti që zhvilloi për epokën e Rilindjes dhe për figurat më të shquara të Rilindasve. Ai shkruajti monografi për Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Gjerasim Qiriazin, si dhe artikuj për veprimtarë të tjerë si Koto Hoxhi, Sevasti Dako, Paro Kita, etj. Qe ura e gjallë që lidhte periudhën e Rilindjes me pavarësinë dhe vitet pas Luftës së Dytë Botërore. I mëkuar me idetë e rilindasve, djali i patriotit dhe mësuesit të shqipes Petro Nini Luarasit, mbeti deri në fund të jetës së tij një idealist i madh i shqiptarizmës, pa u trandur nga asnjë furtunë. Jeta e tij nisi me një tragjedi të rëndë familjare. Ishte njëmbëdhjetë vjet, kur babain ia helmuan agjentët filogrekë të shtyrë nga rrethet klerikale greke. Skënderi, si bir i denjë i babait të vet, e vazhdoi rrugën patriotike po me atë pasion dhe këmbëngulje, po me atë zell, pa përfillur asnjë lloj rreziku nga çdo anë që i vinte. Nga leximi i librit të Guri Sevos "Mësuesi im i parë i shqipes" kisha formuar një ide për karakterin e Petro Ninit, ndërsa pas njohjes me Skënderin vura re ngjashmëri të madhe midis tij dhe të atit. Dukej se Skënderi ishte mishërim i proverbit popullor "bëmë o baba të të ngjaj." At e bir ishin gatuar me të njëjtin brumë karakteri. Të panënshtruar, të paepur, mospërfillës ndaj çdo rreziku e pasoje, të aftë të mbronin pikëpamjet e tyre, të gatshëm për debate me çdo kundërshtar, pa u merakosur për postin dhe pozitën e tij. Nuk po zgjatem me biografinë e jetës së tij, mbasi ky shkrim ndjek qëllim tjetër: Të plotësoj amanetin e tij, duke treguar sekretin që pati mirësinë të ma besonte. Në foto: Skënder Luarasi DEPUTET I KOLONJËS Për herë të parë e pashë Prof. Skënder Luarasin në Ersekë, në nëntor të vitit 1945, kur isha djalë i vogël, trembëdhjetë vjeçar. Skena më ka mbetur nder mend e gjallë, për shkak se qe krejt e veçantë. Ishte ditë e mërkurë, dita e pazarit në qendrën e rrethit, kur fshatarët vinin me kafshë ose në këmbë, për të blerë a për të shitur diçka. Pazari zhvillohej te sheshi i qytetit, shtruar me kalldrëm, me një obelisk në formë piramide në mes dhe me disa shelgje nga ana jugore. Në krye të obeliskut dukej një shqiponjë me krahë të hapur, vepër e skulptorit Odhise Paskali, kurse në faqen e tij ballore, feksnin germat e bronxta me emrat e dëshmorëve të Kolonjës që nga pavarësia deri në Luftën e Parë Botërore. Ndërsa murlani shpështillte pa pushim flokë të imtë dëbore, te shkallët e obeliskut, në mes të sheshit të qytetit, një njeri po fliste me gjallëri. Pazarakët, kryesisht fshatarë me rroba të zeza shajaku, rrinin grumbuj-grumbuj para tij dhe dëgjonin me vëmendje. Kohë pas kohe trupat dhe fytyrat e tyre mjegulloheshin nga flokët e dëborës që vërviste era. Gojtari po u fliste fshatarëve me pasion, herë duke e ulur zërin dhe herë duke e ngritur. Njerëzit në vend të iknin të gjenin ndonjë strehë që t'i ruheshin suferinës, rrinin në këmbë për të dëgjuar fjalët e tij. Mbaj mend se ai përmendi një sërë emrash të patriotëve kolonjarë të Rilindjes dhe pavarësisë, shumica e të cilëve qenë krejt të panjohur për mua. Pazarakët në fund duartrokitën dhe mitingu i improvizuar u shpërnda. Grupe-grupe ata komentonin mes tyre fjalimin që sapo kishin dëgjuar. "Ja këtij i them profesor unë, di të flasë mor vëlla, të bën për vete." "Njerëz si ky nderojnë vendin," "E po këtij sikur i kullon mjaltë nga goja," "E dëgjon dhe nuk lodhesh, sepse thotë fjalë të mençura." Vite më vonë mora vesh se ai qe Prof. Skënder Luarasi, ardhur në Kolonjë për fushatën elektorale të zgjedhjeve të para pas çlirimit. Fronti Demokratik e kishte caktuar deputet të nënprefekturës së Kolonjës, si personalitet i njohur antifashist dhe patriot, menjëherë sapo u kthye nga kampi i internimit në Francë më 1945. Skënder Luarasi, ashtu si dhe disa idealistë shqiptarë që e urrenin fashizmin, kishte vajtur vullnetar në Spanjë me brigadat ndërkombëtare të luftonte për Republikën Spanjolle. Hollësitë e tjera rreth fushatës zgjedhore në Kolonjë si kandidat për deputet, i kam dëgjuar prej Myftar Tares, i cili qe ngarkuar nga partia ta shoqëronte kandidatin në fushatën elektorale, bashkë me disa të rinj të tjerë ish partizanë. Duhet thënë se kandidatura e Prof. Skënder Luarasit ishte zgjedhje e zgjuar nga ana e partisë për të vjelë votat e kolonjarëve, sidomos të pjesës që kishte qenë me ballin, mbasi familja e tij njihej për ndjenja patriotike. DARKË TE ALO KRESHOVA Kandidati për deputet, Prof. Skënder Luarasi, shfaqi dëshirën të takonte Alo bej Kreshovën, çka ngjalli shqetësim te shoqëruesit e tij komunistë. Edhe pse Alo Beu qe një nga figurat e njohura, që gëzonte respekt në Kolonjë për të kaluarën e tij patriotike, për pasurinë që zotëronte dhe për lidhjet e shumta me personalitete të tjerë, komunistët e shihnin shtrembër. Gjatë luftës, ai kishte qëndruar neutral. As djemtë e tij nuk i la të hidhnin armë krahut, as të merrnin pjesë në ndonjë betejë, por dihej se lidhjet e tij shpirtërtore dhe miqësore ishin me nacionalistët, me Ballin Kombëtar. Sidoqoftë ai e kishte mbajtur shtëpinë hapur edhe për partizanët, prandaj ata as nuk e burgosën, as nuk e internuan pas çlirimit. Aloja vazhdonte jetën e tij patriarkale në Kreshovën e vogël, prej shtatëmbëdhjetë shtëpish, duke pritur e përcjellë miqtë e nderuar si i pari i fshatit. Skënder Luarasi i dërgoi fjalë se donte t'i vinte për vizitë në shtëpi dhe Aloja u përgjegj se do ta mirëpriste në çdo kohë që të vinte. Shoqëruesit e tij komunistë besonin se Skënderi e kishte mik nga babai, prandaj donte ta nderonte, po kjo nuk ishte e vetmja arsye. Patriotët myslimanë e kishin mik për kokë Petro Nini Luarasin, e çmonin dhe e mbronin, sepse ai ishte nga të krishterët e pakët që pati guximin të hapte shkollat e para shqipe, duke iu kundërvënë dhespotit grek të Kosturit, i cili e çkishëroi. I njohur për ndjenjat e tij patriotike, ai gëzonte simpatinë dhe përkrahjen e gjithë atyre që kishin ndjenja atdhetare. Alo Beu shtroi darkë të madhe, për njëzet e ca burra. Kryen e vendit ia lëshoi Profesorit, si mikut më të nderuar, vetë zuri vend në krah të tij, ndërsa më të rinjtë dhe shoqëruesit e deputetit pas tyre me radhë, sipas pozitës dhe moshës. Në një hop kohe, kur sapo ishin ngritur dollitë e para, njëri nga të rinjtë iu drejtua profesorit me lutjen: "O zoti kandidat për deputet, a na lejon të këndojmë një këngë?" Skënder Luarasi, si kolonjar e dinte mirë se kënga shoqëron çdo tryezë me pije dhe meze përpara, prandaj iu përgjegj: "Si jo, kur të doni! Duhet t'u lutesha unë, ose zoti Alo se kënga shton gëzimin e festës, po mirë që u kujtuat vetë." "A t'ia marrim asaj këngës së Safet Butkës?" Kërkesa qe provokuese, si për të zotin e shtëpisë në tryezën e të cilit kishte edhe ish-ballistë, si për profesorin, që e kishte patur Safet Butkën koleg dhe shok studimesh. Të dy kishin studiuar në Grac të Austrisë dhe të dy ishin kthyer në Shqipëri për të punuar në fushën e arsimit. Kënga satirike politike për Safet Butkën doli menjëherë pas vetëvrasjes së tij në shtator të vitit 1943. Ajo do ta prishte atmosferën e unitetit që mtonte deputeti, prandaj pyetjes iu përgjegj me pyetje: "Po pse asaj të Safetit dhe jo asaj të Ganiut?" Sugjerimi qe këshillim, edhe qortim. Ndërsa Safet Butka u vetëvra në teqenë e Melçanit, i rrethuar nga komunistët, Gani Butka, vëllai i tij i madh, ra duke luftuar kundër bandave rebele të Haxhi Qamilit në Pogradec më 1914, pra ishte dëshmor i Rilindjes. Të rinjtë e pranuan sugjerimin. Kur mbaroi kënga, Skënder Luarasi i drejtoi Alo Kreshovës pyetjen: "Po pse mor zoti Alo, pse, kur na erdhi i huaji te vatra nuk u ngritëm të tërë si një grusht i vetëm për të mbrojtur atdheun, por u ndamë e u përçamë ca andej e ca këtej?" Alo Kreshova ishte plak i zgjuar. Pasi u mendua pak iu përgjegj. "Dëgjo këtu, o zoti Skënder. Të ishte gjallë Petro Nini Luarasi dhe të na thoshte këtej duhet të shkojmë, se kështu e do e mira e vendit, ne, dua të them paria, do t'i vinim pas, se e dinim që e donte vatanin me shpirt. Të qe gjallë Sali Butka dhe të na thoshte nga ç'anë duhej shkuar, ne do ta kishim dëgjuar se e dinim që ishte patriot. Mirëpo të dy ata i kishte ndjerë Zoti me vaft dhe nuk ishin mes nesh. Të ndodhej këtu Skënder Luarasi dhe të na tregonte në cilën rrugë të shkonim, ne do të mendoheshim pak, por gjene do t'i bindeshim se e dinim që edhe djali në gjurmët e babait do të ecte. U ndodh këtu djali i Sali Butkës, Safeti, ai na tha këtej e do e mira e vendit dhe ne i shkuam pas." Shpjegimi qe sa i thjeshtë aq dhe i vërtetë për parësinë e Kolonjës, të cilët të mësuar të shkonin pas prijësave të njohur, nuk konceptonin rrugë tjetër. Sapo erdhën në Kolonjë, dy emisarë të njohur, bij patriotësh, si Prof. Safet Butka, i biri i Sali Butkës dhe Qazim Prodani, djali i Zalo Prodanit, Balli Kombëtar pati rritje të vrullshme. Dihej se Sali Butka, ashtu edhe Zalo Prodani kishin luftuar trimërisht me çetat e tyre kundër andartëve grekë më 1914. Kurse lëvizja komuniste në Kolonjë e Leskovik u ngrit dhe u organizua nga të deleguarit e Qarkorit të Korçës. Udhëheqësit e krahinorit Josif Pashkoja dhe Petrit Dumja, dy të rinj të panjohur, nuk gëzonin ndonjë farë prestigji në popull. Krahu i Ballit filloi t'i akuzonte komunistët e Kolonjës në pikën më të dobët, se zbatonin urdhërat që merrnin prej djemve të tregëtarëve dhe fajdexhinjve korçarë, të cilëve nuk mund t'u besohej, se ata si qytetarë nuk i dinin hallet e fshatarëve dhe si gjithmonë do t'i gënjenin. Propaganda e tyre zuri vend dhe lëvizja komuniste pësoi tkurrje, mbasi mjaft fshatra i prishën këshillat e Frontit Nacionalçlirimtar. Meqë komunistët kishin çetë të armatosur, edhe Balli Kombëtar armatosi ithtarët e vet, duke ngritur një batalion. Debatet politike u ashpërsuan, hendeku u thellua dhe në gusht të vitit 1943 ngjau përpjekja e parë vëllavrasëse. Nga historiku i rrethit rezulton se betejat ndërmjet shqiptarëve, janë tre fish më shumë se ato me pushtuesit. Humbjet nga të dy krahët qenë mjaft të mëdha, hendeku i ndarjes mjaft i gjerë, ndaj Skënder Luarasi përpiqej të mbylleshin sa më shpejt malcimet e trashëguara nga lufta. VIZITË TE NJË FAMILJE NË ANËN E BALLIT KOMBËTAR Ky qëllim humanitar e nxiti të shkonte në Gostivisht dhe të shfaqte dëshirën për të vizituar familjen N. Të rinjtë komunistë që shoqëronin kandidatin për deputet si roje dhe si informatorë, i kujtuan se një djalë i asaj familje ishte ballist dhe qe vrarë duke luftuar kundër partizanëve. Duke besuar se kandidati për deputet nuk e dinte atë fakt, ata e paraljmëruan se vizita do të binte në sy për keq. "E di, ua priti Skënderi, por edhe ata i kemi votues, prandaj duhet t'i mbajmë afër. Tani lufta mbaroi dhe ne duhet të përpiqemi si t'i shuajmë armiqësitë, jo si t'i mbajmë ndezur. Sa më parë të pajtohemi me njëri-tjetrin, aq më i fortë do jetë atdheu," u tha shoqëruesve. Ata nuk e miratuan, por as nuk mund ta ndalonin. Ai dërgoi lajm për vizitën dhe ditën e caktuar zbriti në Gostivisht. Për habinë e të rinjve, nëna e djalit të vrarë doli te porta me çember të bardhë në kokë, për të pritur kandidatin për deputet. Pra jo vetëm që e prishi zinë, por e ktheu në dasmë, sepse pas traditës, vetëm ditën e dasmës gratë e moshuara hedhin shami të bardhë në kokë. Qëndrimi i tij pajtues binte ndesh me ideologjinë komuniste, që po zhbinte armiqtë e deklaruar, ballistë e zogistë, kundërshtarët politikë dhe ata që i damkoste reaksionarë. Në sytë e udhëheqjes komuniste, deputeti i Kolonjës humbi shumë pikë me idetë e tij rilindase dhe siç treguan faktet, ata përgjonin rastin për ta shkarkuar. Dy vjet më vonë, më 1947, Partia organizoi Konferencën e tretë e Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sefulla Malëshovën si Kryetar i Lidhjes, pas përjashtimit të tij nga Byroja Politike dhe nga posti i Ministri të Arsimit në kabinetin qeveritar. Sipas praktikës së njohur, pjesëmarrësve iu kërkua të solidarizoheshin me referuesin, duke goditur S. Malëshovën, mirëpo Dr. Ymer Dishnica deklaroi burrërisht se nuk i hiqte asnjë presje parathënies së tij për librin "Vjersha" të S. Malëshovës, ku ai e lavdëronte si poetin më të madh të kohës. Me të u bashkua edhe Prof. Skënder Luarasi, duke argumentuar se Malëshova qe njeriu më i përshtatshëm për postin e Kryetarit të Lidhjes. Të dy ata, iu kundërvunë vijës së partisë, duke mbrojtur Malëshovën dhe krijimtarinë e tij. Shevqet Musaraj, Dhimitër Shuteriqi, Prof. Mark Ndoja dhe pasuesit e tyre e kritikuan ashpër Prof. Sefulla Malëshovën dhe tok me të, edhe të dy kokëfortët që e mbrojtën. Si përfundim Prof. Sefulla Malëshova, Dr. Ymer Dishnica dhe Prof. Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja e Shkrimtarëve, ndërsa Dhimitër S. Shuteriqi u zgjodh Kryetar në vend të Sefulla Malëshovës. Pas mbledhjes famëkeqe, Prof. Sefulla Malëshovën e transferuan në Patos të Fierit, me detyrë magazinier te një depo me hekurishte. Në fakt e internuan, sepse ishte i detyruar të paraqitej dy herë ditën, mëngjes e mbrëmje, në postën e policisë. Dr. Dishnica u shkarkua nga posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe u dërgua mjek i thjeshtë në Spitalin Civil të Tiranës, më vonë u transferua në Berat, ku punoi dhe jetoi deri në fillim të viteve 90. Prof. Skënder Luarasin e emëruan mësues në Shkollën Pedagogjike të Tiranës, duke e larguar përfundimisht nga Drejtoria e Teksteve në Ministrinë e Arsimit. KRITIKA PËR PIKËPAMJE MIKROBORGJEZE Pas lufte, shumica e kuadrove të reja ishin me pozita, por pa arsim përkatës, prandaj u pa e arsyeshme hapja e shkollave të natës. Natyrisht edhe Shkolla Pedagogjike e Tiranës çeli klasat e mbrëmjes për ushtarakë dhe civilë. Drejtoreshë Vangjelia, e njohur si një nga drejtueset më me autoritet në shkollat e kryeqytetit për zotësitë e saj organizative, vigjëlonte për rregull dhe disiplinë. Skënder Luarasi pati një përplasje të fortë me këshillin pedagogjik për shkak të një oficeri që vinte rregullisht në klasë, por nuk qe i aftë të mësonte. Ai besonte se diploma i takonte për merita lufte dhe mund ta merrte formalisht edhe pa mësuar. Skënderi provoi disa mënyra për ta nxitur të mësonte, por pasi e pa se qe e kotë, e këshilloi oficerin të mos humbte kohën kot në shkollë. "Po çfarë të bëj, kur në ushtri nuk më mbajnë pa shkollë?" e pyeti oficeri. "Mund të bëhesh çoban, të ruash dhëntë, ose lopët," erdhi përgjigjja nga mësuesi. Klasa u nemit. "Po, po, vazhdoi mësuesi, çdo punë është më e mirë se sa të humbasësh kohën kot." Oficeri u fye që mësuesi po i sugjeronte të kthehej në origjinë, çoban dhensh a dhish, ashtu sikurse kishte qenë para se të dilte partizan, prandaj iu ankua drejtoreshës. Vangjelia, që mezi e priste një rast të tillë për të demaskuar pikëpamjet e mësues Luarasit, menjëherë provokoi mbledhjen e këshillit pedagogjik. Nuk përjashtohet mundësia që të kishte marrë udhëzime nga seksioni i arsimit për trajtimin e kësaj çështjeje. Pritej që këshilli pedagogjik të propozonte përjashtimin e Skënder Luarasit nga detyra. Pas kritikave të renditura nga Drejtoresha, mësueset dhe mësuesit e tjerë e pasuan me zell, duke e akuzuar kolegun e tyre për pikëpamje mikroborgjeze. A nuk ishte skandaloze t'i thuhej një oficeri të ushtrisë popullore të linte kalemin dhe të mirrte kërrabën, se nuk ishte i aftë për shkollë? Në gjirin e tyre nuk kishte vend një mësues me koncepte mikroborgjeze. Kori i tyre qe i fuqishëm dhe të gjithë mendonin se vetëm autokritika e fortë mund ta shpëtonte mësuesin mëkatar. Me ato pikëpamje nuk e meritonte të qe edukator i brezit të ri. Skënderi u ngrit dhe fjala e parë që tha qe: "Habitem kur dëgjoj se po kritikohem për pikëpamje mikroborgjeze. Më duket se ato u përkasin juve, jo mua. Po, është e vërtetë, unë i kam sugjeruar të bëhet çoban, të ruajë dhëntë, a lopët, sepse atë detyrë e kundroj profesion të nderuar, të barabartë me gjithë profesionet e tjera, kurse ju i paski ndarë në të larta dhe në të ulëta. Çfarë të keqe ka qenia çoban, a nuk është punë e nderuar nga e cila shoqëria ka dobi?" Dhe vazhdoi ta shpaloste mendimin e tij, sa atyre u vinte turp për akuzat e papjekura që kishin shfaqur. Këshilli pedagogjik u shpërnda pa marrë asnjë vendim. Skënder Luarasi, me zgjuarësinë dhe çiltërsinë e tij, kishte dalë fitimtar mbi mediokritetin dhe konformizmin, duke ua kthyer akuzat mbi kokë si bumerang. PËRMBLEDHJA "MIGJENI" Përjashtimi nga Lidhja e Shkrimtarëve nuk e pengoi Skënder Luarasin t'u kushtohej aktiviteteve letrare që i pëlqenin. Ai qe shquar si përkthyes dhe si publicist, me artikujt e tij nëpër gazeta e revista, duke filluar që nga revista e studentëve shqiptarë në Austri, te "Vullnetari i Lirisë" në Spanjë dhe te botimet periodike shqiptare. Skënder Luarasi iu kushtua seriozisht botimit të plotë të veprës së Migjenit, i cili deri në atë kohë njihej nga vëllimi i hollë me poezi Vargje të lira. Skënderi përmblodhi në vëllimin Migjeni edhe skicat në prozë dhe novelat e shpërndara në botimet periodike. Disa prej tyre, si "A don qymyr zotni?" "Të hapen arkapijat," "Studenti në shtëpi," trajtojnë realisht aspekte nga jeta e qytetit të veriut në vitet 30, të cilat lartësonin emrin e autorit dhe pasuronin letërsinë e varfër shqipe. Ato krijime artistike meritonin të njiheshin nga brezi i ri. Bashkëshortja e Skënder Luarasit, Ollga, ishte motra e Migjenit, por jam i sigurt se ai iu përvesh asaj pune jo për anë miqësie, por sepse te Migjeni shihte vlera të shëndosha letrare. Pasi e kompletoi dorëshkrimin, e dorëzoi në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sipas rregullit, veprat para se të botoheshin duhet të miratoheshin nga një komison ekspertësh. Sikurse më ka thënë vetë Skënderi, disa muaj më vonë, ai u befasua kur e pa librin "MIGJENI" në vetrinat e librarive me autor Gjovalin Luka. "Mund të kishim punuar paralelisht, më tha Skënderi, pavarësisht nga njëri-tjetri, prandaj e shfletova përmbledhjen me kujdes. Shkrimet, komentet, vërejtjet qenë të miat, ndryshonte vetëm emri i përmbledhësit. Atëherë protestova në Lidhje dhe në Ministrinë e Arsimit, e quajta përvetësim letrar, vjedhje, por pa asnjë rezultat. Me sa duket Gjovalin Luka kishte marrë miratimin e tyre për të vënë emrin e tij, me që emri im u vriste sytë, ose ndoshta ma kishin hequr të drejtën e autorit pa më vënë në dijeni," e përfundoi komentin Skënderi. Skandali për librin "Migjeni" u mbyll pa zhurmë, sikurse gjykoj tani, për shkak të marrëveshjes në rang zyrtar, që vepra të mos botohej me emrin e tij. Ky përvetësim skandaloz nuk ia theu aspak vullnetin Skënderit. Me energjinë e tij të pashtershme, iu vu punës dhe hartoi një përmbledhje më të plotë të veprave të Migjenit, të cilën e botoi disa vite më vonë. PROFESOR LUARASI DHE REALIZMI SOCIALIST Pas atij skandali letrar për t'i dhënë sadisfaksion moral, apo për ndonjë arsye tjetër, qëndrimi i ashpër zyrtar ndaj Skënder Luarasit, u zbut. Ministri i Arsimit, Bedri Spahiu, i njohur si njeri i rreptë dhe nursëz, e thërriti në zyrën e tij Skënderin dhe e priti ngrohtësisht. E pyeti nëse qe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. "Kam qenë para se të më përjashtonin para dy tre vitesh," iu përgjegj Skënderi. "A dëshironi të bëni pjesë në të?" "Nuk besoj të më pranojnë," u përgjegj kryelartë për t'i treguar se nuk i bëhej vonë nga përjashtimi. Ministri e këshilloi të shkonte në kryesinë e Lidhjes dhe të kërkonte me shkrim ose me gojë të hynte sërish në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Skënderi e kuptoi se për çështjen e tij, ai ishte marrë vesh me krerët e Lidhjes, prandaj e pranoi sugjerimin. Ministri shtoi se e mira qe të shkonte që atë çast. Skënderi u drejtua te Lidhja e Shkrimtarëve, në rrugën Hoxha Tahsin. Ngjiti shkallët dhe trokiti në zyrën e kryetarit. Po e prisnin Dhimitër Shuteriqi, me cilësinë e Kryetarit, Shevqet Musaraj, Sekretar i Përgjithshëm dhe Fatmir Gjata, sekretar i partisë për Lidhjen. E ftuan të ulej, por ai preferoi të rrinte në këmbë. "Shoku Skënder, ju keni shfaqur dëshirën të hyni në Lidhjen e Shkrimtarëve," e hapi bisedën kryetari. "Po, ashtu më këshilluan," erdhi përgjegja prej tij pa rrëfyer burimin. Kjo donte të thoshte se e kishin dërguar, mbasi ai vetë nuk e quante të nevojshme pjesëmarrjen në të. "Shoku Skënder, a mund të na thoni çfarë dini ju nga realizmi socialist?" e pyeti Fatmir Gjata. Pyetja e Fatmirit qe provokuese, me qëllim ta vinte profesorin në pozita poshtëruese, sikur ai kishte mbetur prapa kohës, me mësimet e shkollës borgjeze. Skënderi në çast iu përgjegj: "Po unë se s'di asgjë nga realizmin socialist, pa dua të hyj në Lidhje, përndryshe pse do ta kërkoja këtë?" Qe një përgjigje e hollë ironike, për të cilat Skënderi shquhej gjithmonë në debatet me kundërshtarët. Ato i kishte në majë të gjuhës, në çastet më kritike. Batuta e tij kaloi gojë më gojë dhe mbeti si një nga hazërxhevapet më të bukura të profesorit. Artistët shprehnin simpati për mënyrën elegante me të cilën profesori i kishte rrëshqitur përgjigjes. Kësisoj seanca e anketimit për realizmin socialist mori fund pa filluar. NJOHJA ME PROFESORIN Nuk e mbaj mend saktësisht vitin kur e njoha profesorin, po një hollësi e vogël më lejon ta përcaktoj kohën. Duhet të ketë qenë fundi i viteve "˜50. Në atë kohë isha redaktor te "Hosteni" dhe sapo kisha botuar vëllimin e parë me tregime. Një drekë qëlloi të ulesha rastësisht në një tryezë me të, te restorant "Qendra," në rrugën e Barrikadave. Nuk do ta kisha mbajtur mend as drekën, as profesorin, pa incidentin e vogël që më ndodhi. Ndërsa po haja supën, e mbarova gjysmën e panines, prandaj i kërkova kamarierit të më sillte edhe një copë tjetër. U ktheva nga profesori dhe si për t'u shfajësuar i thashë se ne shqiptarët hamë shumë bukë. "Jo të gjithë xhanëm, unë për vete nuk ha," ma ktheu serioz. Vura re se ai nuk e preku paninen as me supën, as me gjellën me mish e zarzavate. Për herë të parë shihja një shqiptar që e hante gjellën pa bukë dhe kjo më la mbresë të pashlyeshme. Z. Gjata, shqiptar i riatdhesuar nga Australia, i dha shtysë të mbarë shërbimit të Ushqimit Social në Tiranë. "Kafe Tirana" në Bulevardin e Madh, "Flora" te rruga e Durrësit dhe "Rinia" përballë Bankës, u rinovuan sipas ideve të tij, sepse ai e njihte mirë profesionin. "Kafe Tirana" ndërroi pamje, lokali u lye, menyja u pasurua me asortimente të panjohura si kafe vjeneze, parfe, pasta në akull, dhe brenda një kohe të shkurtër u bë si klub për intelektualët. Aty shihje gjithmonë shkrimtarë, gazetarë, aktorë, artistë. Një ditë profesori më ftoi në tryezën e tij mbushur me letra të daktilografuara. Ai më kumtoi se po përkthente poemën "Hajawatha" të poetit amerikan Longfellou. Prej tij kisha lexuar poemën "Skënderbeu" përkthyer mjeshtërisht prej Fan Nolit, paksa i habitur ku e si e gjeti atë subjekt. U interesova të mësoja diçka më shumë rreth krijimtarisë së tij. Nuk e di nëse përkthimin ia kishte ngarkuar Shtëpia Botuese, sikurse qe praktika e zakonshme, apo e përkthente për qejfin e tij. Poema i kushtohej jetës së indianëve të Amerikës, dashurisë së Hajawathës dhe tragjedisë së tyre në frymën romantiko-lirike të kohës. Profesori më recitoi me pasion një këngë, që do ta quaja "kënga e dimrit," të cilën edhe tani e rikujtoj për imazhet e forta që më ngjalli: Wigvama e mbuluar me dëborë, Hajawatha që del për gjah, nusja e tij që e pret te hyrja e çadrës. Përkthimi qe i bukur, lirik, sepse lirizmi dhe humanizmi qenë tipare të shpirtit të Luarasit që mbeteshin paksa në hije për shkak të temperamentit të tij të vrullshëm; ato dilnin më qartë nëpër shkrimet dhe rrëfimet e tij. Pas një a dy vitesh Hajawatha u botua libër më vete dhe unë e bleva menjëherë, i dëshiruar të përjetoja edhe njëherë mbresat e përftuara nga recitimi i profesorit. Për indianët e Amerikës, ndieja dhimbje të sinqertë, sepse fati i tyre tragjik, përngjasonte me fatin e popullit shqiptar gjatë rrjedhës së historisë. NXËNËS I PROFESORIT Për një kohë të shkurtër, Profesor Skënder Luarasin e kam patur pedagog. Duhet të ketë qenë viti 1957, koha e Krushovit, kur u liruan disi burgjitë e diktaturës edhe në Shqipëri. Intelektualët, sidomos pedagogët e Universitetit, ndienin nevojë të dinin edhe një gjuhë perëndimore, përveç rusishtes. Për shumë arsye preferohej anglishtja. Skënder Luarasi pranoi ta drejtonte falas kursin e anglishtes në auditoret e fakultetit të gjuhës shqipe. Veç pedagogëve mund të mirrnin pjesë edhe persona jashtë universitetit. Unë isha një prej tyre. Iu luta profesorit nëse mund të më pranonte dhe ai më tha: "Pse jo? Dyert janë të hapur për të gjithë ata që duan të mësojnë." Si gjithmonë në fillim pjesëmarrja qe mjaft e madhe, pastaj erdhi duke u rrëgjuar. Midis frekuentuesve mbaj mend prof. Arben Puton dhe prof. Luan Omarin. Nuk them se ata e mësuan anglishten në orët e kursit që zhvillohej një herë a dy herë në javë, por bazat e anglishtes i morën prej Skënder Luarasit. Më erdhi keq që e ndërpreva kursin për shkak të shërbimeve jashtë Tiranës dhe të ngarkesave të tjera nga redaksia "Hosteni." Disa pedagogë e lavdëronin metodën e tij të lirë, që zakonisht nuk u përmbahej copave standarde të tekstit, ndërsa një pjesë tjetër e kritikonin se profesori nuk respektonte metodikën e orës së mësimit, se përherë me ekskursionet e tij dilte nga tema. Sigurisht shijet dhe preferencat qenë të ndryshme, e natyrisht si pedagogë ata pëlqenin atë metodë që zbatonin vetë. Për mua ekskursionet e Skënder Luarasit gjatë orës së mësimit për turlish temash, siç e sillte rasti, qenë gjërat më të bukura dhe më të vyera që zgjeronin horizontin e auditorit jashtë faqeve të tekstit. Një ditë na foli për mbresat e tij nga takimi i parë me Ismail Qemalin, kur ishte student në Robert Kolexh, Stamboll. Rrëfimi i tij ruante freski dhe bukuri të jashtëzakonshme, qe më emocionues se përshkrimi te faqet e librit biografik "Ismail Qemali," që botoi disa vite më vonë. Profesori gjithmonë rrëfente me pasion dhe episodet shpesh i dramatizonte gjallërisht me gjeste. NDESHJA ME LIRI BELISHOVËN Nuk di me ç'rast Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike dhe Sekretare e K.Q. të Partisë për propagandën, organizoi një takim me intelektualët e Tiranës, te një sallë e katit të dytë të Klubit të Shkrimtarëve që shërbente si studio provash për Institutin e Artit Dramatik. Salla qe mbushur plot e përplot me aktorë, shkrimtarë, gazetarë, piktorë dhe natyrisht dhe miq të artit. Qe praktikë pune që shefat e partisë të mbanin takime me punonjësit e sektorit të kulturës për t'i sqaruar, më sakt për t'i indoktrinuar. Kjo ngjiste sa herë partia e ndiente të nevojshme të kumtonte vendimet e K.Q. për politikën e brendshme, apo për ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. Sapo Liri Belishova mbaroi parashtrimin e temës së saj, kërkoi që seanca të vazhdonte me pyetje nga salla. Natyrisht të gjithë ishin të kujdeshëm të bënin pyetje të matura, pa cënuar vijën e partisë, të pranuar apriori si e pagabueshme. Skënder Luarasi pyeti si ngjau që Fronti Nacionalçlirimtar nuk arriti të mirrej vesh me forcat e tjera për të luftuar pushtuesit. Pyetja e vuri paksa në pozitë Liri Belishovën, por ajo manovroi me lehtësi, mbasi ishte e zgjuar dhe kishte përvojë të pasur në debatet politike. Papritur e pyeti profesorin: "Po ju, shoku Skënder, sikur të ndodheshit këtu gjatë luftës, a do të kishit dalë partizan?" Të gjithë po prisnin që profesori të thoshte, "po, as që vihet në dyshim," përgjigje konformiste që do ta kënaqte shefen e propagandës së partisë. Skënder Luarasi gjëmoi prerë: "Jo!" Salla u tulat në heshtje. Një deklaratë e tillë donte të thoshte ta mohoje Luftën Nacionalçlirimtare, ose të kishe rezerva për të, por në çdo rast ato nuk mund t'i thoshe publikisht se pasojat diheshin. "Jo," gjëmoi Skënderi së dyti, "se do të isha vrarë tok me Mujo Ulqinakun në Durrës më 7 prill." Salla u çlirua nga ankthi. Përgjegja e tij aq e bukur dhe aq e mprehtë do te qe pritur me duartrokitje, sikur të mos tulateshin se asisoj do të vinin në pozitë të keqe anëtaren e Byrosë Politike. Sidoqoftë batuta e mprehtë kaloi gojë më gojë dhe hyri në anekdotat që shoqëronin jetën e Skënder Luarasit. Me atë pohim Skënder Luarasi theksoi dashurinë për atdheun e për lirinë, po ndërkohë la të kuptohej se kishte rezerva për politikën e partisë komuniste gjatë luftës. Njëkohësisht ajo ishte kritikë e fortë kundër gjithë atyre që iu mënjanuan luftës kur u pushtua Shqipëria, ndërsa më pas i binin gjoksit për patriotizëm. Skënder Luarasi i kishte treguar ndjenjat antifashiste qysh ku shkoi vullnetar me brigadat internacionale në luftën e Spanjës. Vajti të luftonte me armë, por kur e intervistuan dhe mësuan se ai zotëronte anglishten, gjermanishten dhe shqipen, se ishte me shkollë të lartë dhe kishte botuar shkrime të ndryshme publicistike, i ngarkuan të drejtonte programin e republikanëve në Radio Barcelona. Në Spanjë Skënder Luarasi redaktoi edhe buletinin "Vullnetari i Lirisë." Pikëpamjet e tij antifashiste dhe antizogiste përbëjnë temat e artikujve të tij te "Vullnetari i Lirisë." Grupi i vullnetarëve shqiptarë e kosovarë të Luftës së Spanjës, gëzonte respekt në të gjitha shtresat, për shkak të romantizmit që gjeneroi ajo luftë. Ish-luftëtarët e Spanjës i festonin përvjetorët bashkarisht, çka gjente pasqyrim edhe në shtyp për hatër të kryeministrit Shehu. Mjaft njerëz besonin se Skënder Luarasi nuk do t'i kishte shpëtuar burgut, po të mos qe biri i Petro Nini Luarasit dhe po të mos gëzonte përkrahjen e Mehmet Shehut si luftëtar antifashist i Spanjës. MIQËSIA ME PETER PRIFTIN Më 1962 Peter Prifti erdhi nga Amerika si vizitor. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai u takua disa herë me Prof. Skënder Luarasin. Profesori interesohej të dinte më shumë për aktivitetin e Fan Nolit, për gjendjen e tij shëndetësore dhe për çështje të kolonisë shqiptare në Amerikë. Vëllai e quante profesorin "The Albanian Number One" (Shqiptari Numër Një), sepse sa herë takoheshin ai do të hapte biseda me tema patriotike. Midis tyre herë bisedonin shqip dhe herë anglisht. Korrespondencën e vazhduan një kohë të gjatë dhe profesori sa herë mirrte letra prej tij, më thoshte gjithë gaz: "Mora një letër prej vëllait tuaj." Më vonë mësova se Skënder Luarasi e nxiste Peter Priftin të përkthente në anglisht pamfletin e Petro Ninit "Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit," një nga pamfletet më të mira politike të rilindjes, ku demaskohen me dinjitet argumentet false të shovinizmit kulturor grek kundër shkronjave shqipe. Qoftë se tema dukej paksa e tejkaluar nga koha, qoftë se e shihte të vështirë botimin në anglisht, Peter Prifti nuk iu fut asaj pune. Mospërmbushja e kësaj kërkese, nuk hodhi asnjë hije në marrëdhëniet e tyre dhe korrespondenca vazhdoi normalisht. Prof. Luarasi e vuri në dijeni Peter Priftin se fakulteti i anglishtes, ku ishte pedagog prej disa vitesh, vuante nga mungesa e librave të autorëve anglezë dhe amerikanë, për shkak të fondeve tepër të kufizuara. Peter Prifti, me t'u kthyer në Amerikë, bleu me paratë e veta një kontigjent mjaft të madh librash në anglisht të autorëve klasikë dhe ia dërgoi Bibliotekës së Universitetit për Fakultetin e Gjuhës Anglishte. Profesori i qe mirënjohës për këtë dhuratë bujare dhe shpesh më thoshte: "të kishim dhe disa shqiptarë të tjerë në Amerikë si Peter Prifti." Ai ngulmoi t'i dërgohej letër falënderimi dhuruesit, por Drejtori i Bibliotekës M. Hanxhari, e shtyri pafundësisht, nga druajtja se mos akuzohej që mbante lidhje me persona të botës kapitaliste. Mbase ka pyetur shefat e tij dhe ata nuk e kanë lejuar të falënderohej një shqiptar që punonte në një universitet amerikan. BASHKËPUNËTOR TE REVISTA "YLLI" Në mesin e viteve "˜60 redaksia "Ylli" mori letër nga një lexues, i cili sapo zbuloi se Naim Frashëri ia kishte kushtuar poemën "Bagëti e Bujqësi" pasanikut të madh shqiptar Anastas Lakçes, u skandalizua. Këtë veprim të Naim Frashërit ai e shihte si papjekuri, si gafë politike. Profesor Luarasi e njihte më mirë se kushdo periudhën e Rilindjes, prandaj i telefonova dhe iu luta t'i jipte një përgjigje dinjitoze në faqet e revistës. Arsyeja kryesore qe se Naimi i detyrohej moralisht Anastas Lakçes mbasi ai kishte sponsorizuar botimin e poemit të famshëm në Bukuresht më 1889. Midis të tjerash profesori pohonte se kultura shqiptare u lartësua kryesisht me gjakun dhe mundin e patriotëve shqiptarë të Rilindjes. Me argumentet që më ofroi, shkrojta një artikull të vogël në emrin e tij, se revista lakmonte firma dinjitoze. Pas botimit, e lajmërova profesorin të mirrte honorarin prej 200 a 300 lekësh të vjetra. Ai nuk pranoi, duke thënë se ato më takonin mua. Mirëpo mua as nuk më shkonte ndermend ta quaja timin një shkrim ku kisha hedhur në letër fjalët dhe mendimet që më diktoi profesori nëpërmjet telefonit. Iu luta llogarisë t'ia dërgonin autorit me mandat postar. Kisha një detyrim moral për të shlyer ndaj profesorit. Para disa vitesh ai më kishte sugjeruar të shkruaja një artikull për Papa Kristo Negovanin, me rastin e përvjetorit të vdekjes. I thashë se nuk dija asgjë rreth jetës së tij, përveç vjershës së Loni Logorit E vranë Papa Kriston, e vranë/Dhe s'ra për të asnjë këmbanë. Profesori pohoi se Papa Kristoja meritonte të quhej dëshmori i parë i meshimit shqip dhe i shkronjave shqipe. Agjentët grekomanë e spiunuan te Dhespoti i Kosturit se prifti po meshonte shqip në kishën e Negovanit. Dhespoti, si kryetar i fesë në eparhinë e tij (njësi administrative kishëtare) kryente vizita gjatë muajve të verës, në çdo fshat ku kishte kishë. Mirëpo lajmi e tronditi aq shumë Dhespotin, sa vendosi të shkonte menjëherë në Negovan në mes të dimrit. Po ai dhespot pati mallkuar publikisht shkronjat shqipe, po ai çkishëroi Petro Nini Luarasin, që guxoi të hapte gjashtë shkolla shqipe në Kolonjë. Tani një prift ortodoks, shërbëtor i Perëndisë, rrezikonte ta shkëpuste grigjën e ortodoksëve shqiptarë nga kisha greke. Kjo qe sfida më e rrezikshme për synimet shoviniste të kishës greke dhe të Patrikanës së Stambollit që i njehsonte grekë ortodoksët shqiptarë. Më 24 dhjetor dhespoti arriti në Negovan. Të nesërmen Papa Kristoja nuk u tut aspak nga prezenca e hierarkut të lartë të Kishës. Ai e filloi dhe e mbaroi shqip meshën e Krishtlindjes. Dhespoti, si antishqiptar i tërbuar, urdhëroi që viti i Ri të mos e gjente gjallë priftin heretik. Mirëpo u desh pak më shumë kohë sa të gjendeshin sikarët për ta vrarë. Natën e 6 shkurtit 1905, ndërsa shtresa e dëborës kishte mbuluar male e fusha, Papa Kriston e rrëmbyen prej shtëpisë së tij në Negovan dhe e masakruan te një lëndinë jashtë fshatit duke e goditur me sëpata. Gjaku i tij skuqi dëborën e bardhë, ndërsa kriminelët u larguan në drejtim të paditur. Artikullin e shkrojta me një frymë dhe ia dërgova Radio Tiranës disa ditë para 5 shkurtit. Nuk mbaj mend ta kem botuar, po një kopje a një pjesë të shkrimit e kam në dosjet e mia. Profesori e kishte dëgjuar emetimin dhe më përgëzoi nxehtësisht. Ai e quante detyrë parësore që Rilindasit, (të lënë në harresë nga regjimi komunist) të përkujtoheshin dhe të nderoheshin se ata kishin zgjuar ndërgjegjen kombëtare. Dijetarët tanë si ithtarë të materializmit historik, mburreshin për analiza objektive, por në fakt ishin dogmatikë, qëkurse të gjithë rilindasit i kritikonin për kufizime ideore. Prej Skënder Luarasit përfitova subjektin e dramës "Plumbat e shkronjave" që u vu në skenë nga dy trupa, teatri i Fierit dhe ai i Korçës në maj-qershor të vitit 1979. Profesori më rrëfeu se Gjerasim Qiriazi u rrëmbye nga Shahin Matraku, ndërsa po shkonte nga Manastiri në Korçë për të hapur shkollën e parë shqipe (1886). Kapedani i hajdutëve të Mokrës e mbajti peng disa javë mes pyjeve, duke i kërkuar familjes një shumë të madhe florinjsh për lirimin e tij. Intriga u sajua nga kleri grek, armik i betuar i shkollave shqipe. Patriotët shqiptarë ndërhynë pranë Shahin Matrakut dhe e liruan "skllavin," sikurse e quanin me gjuhën e kohës pengun, pa shpërblim. Shahin Matraku e dënoi hanxhiun, kallauzin që e shtyu drejt atij veprimi dhe u bë një nga mbrojtësit e shkollës shqipe. Në dramë theksohej e vërteta se shkollën shqipe e penguan tre faktorë: kisha greke, administrata turke dhe injoranca e shqiptarëve. Mirëpo kjo ide e re, se edhe injoranca jonë kishte pjesën e saj, e mishëruar te kapedan Nure Bataku, karakteri më i spikatur në atë dramë, nuk u pranua, madje ngjalli zemërim dhe si pasojë "Plumbat e shkronjave" u emetua vetëm njëherë nga TVSH, pastaj u arshivua dhe videokasetat u zhdukën. Për fat të mirë vepra u botua edhe si libër më vete në kollanën e dramave. NJË ESE PËR MËSUESIN E SHQIPES Kërkesa e profesorit që të shkruaja një ese për 100 vjetorin e lindjes së Petro Nini Luarasit (1965), më befasoi. U tkurra, sepse deri atëherë kisha qëndruar larg studimeve shkencore. Ai më tregoi kopjen e letrës së Petro Ninit dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, në vjeshtën e vitit 1883. Mësuesi i lutej patriotit të kolonisë shqiptare t'u huante disa të holla shkollave shqipe, që të blinin shqerra në pranverë dhe t'i shitnin në vjeshtë me fitime. "Për një, dy do të fitohetë" përfundonte Petroja. Letra më pëlqeu për idenë e thjeshtë dhe origjinale si mund të subvencionoheshin shkollat e para shqipe të Kolonjës. Ndërsa shkollat greke në Shqipëri kishin fondet e mëdha të llasos, (arka e kishave greke) për të paguar mësuesit, pajisjet, etj, mësuesit e shqipes rropateshin të gjenin mënyra baritore për të siguruar minimumin e fondeve. Nga bisedat me profesorin formova ide më të sakta për të kaluarën e Kolonjës dhe për gjendjen e saj në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Qysh i vogël kisha dëgjuar në fshat rrëfime tronditëse për vjedhje, rrëmbime pengjesh, grabitje, vrasje në rrugë për plaçkitje etj. por asnjë nuk dinte të analizonte shkaqet e asaj plage shoqërore. Ata e shihnin si dhunë të pjesës myslimane mbi të krishterët e urtë, kurse e vërteta qe ndryshe. Hajdutët nuk bënin dallime, ata plaçkisnin ku të mundnin dhe jo pak familje myslimane pësuan drama të rënda familjare prej cubave myslimanë. Sipas Profesorit, pas fitimit të pavarësisë së Greqisë, Turqia nuk kishte më nevojë për mercenarë shqiptarë, prandaj i liroi nga shërbimet. Të mbetur rrugëve, pa zanat, pa të ardhura, vetëm me pushkë krahut, ata u kthyen cuba. Profesori nuk i shihte me syze romantike hajdutët dhe as nuk i quante me eufemizma kaçakë ose komitë, si ideologët komunistë. Ai nuk i integronte hajdutët ordinerë me komitaxhinjtë, luftëtarë të ndërgjegjshën kundër pushtimit osman. Mendimet e Prof. Luarasit i shpalosa në pjesën e parë të kumtesës, por mjaft dijetarë për të cilët kisha dhe kam respekt, nisën të diskutonin me pasion gjatë pushimit në hollin e kinema "Gramozit" ku po zhvillohej sesioni shkencor për historikun dhe traditat e Kolonjës. Te përmbledhja kushtuar Petro Nini Luarasit eseja mban titullin "Kolonja në gjysmën e dytë të shekullit XIX." PUSHTIMI I ÇEKOSLLOVAKISË Në gusht të vitit 1968 Çekosllovakia u pushtua brenda natës nga forcat e Traktatit të Varshavës, pa gjetur as rezistencën më të vogël. Ideja e Brezhnjevit për sovranitet të kufizuar gjeti zbatim praktik me pushtimin ushtarak të një shteti që synonte të ndahej nga kampi socialist. PPSh u trondit dhe e kapi frika, për mësymje të beftë nga ajri prej forcave të Traktatit të Varshavës. Masa e parë qe fuqizimi i mbrojtjes kundërajrore. Mbi tarracat e ndërtesave të Tiranës u ngritën çerdhe mitralozësh kundërajrorë dhe në të gjitha zyrat u dha urdhër të kryej dezhurn natën, për gatishmëri alarmi në rast rreziku. Ky shërbim nuk u hoq, as kur situata u zbut. Në mëngjesin e asaj dite, para dyqanit ushqimor të lagjes, njerëzit prisnin në radhë, si çdo ditë, për të marrë dy litra qumësht. Midis qytetarëve të tjerë u ndodhën Prof. Skënder Luarasi, Prof. Ziahudin Kodra dhe Vedat Kokona. Radha e blerësve ishte mjaft e gjatë dhe si zakonisht njerëzit që e njihnin njëri tjetrin bisedonin për të kaluar kohën. Atë ditë tema e bisedës midis tyre qe pushtimi i beftë i Çekosllovakisë. Në një hop kohe një polic iu afrua të treve dhe i ftoi me gisht t'i vinin pranë. "Do të vini me mua në rajon!" qe urdhëri i tij. "A ka mundësi ta dimë arsyen?" e pyeti Skënderi. "Do ta merrni vesh atje," qe përgjigjeja e policit. Zyrat e rajoneve të policisë ishin të zymta, të palyera, të ndriçuara dobët, të veshura me hije të rëndë prej diktaturës. Vedat Kokona më ka treguar: "Zihaudini, i cili djersinte edhe duke ndenjur, fshinte ballin vazhdimisht me shami duke lëshuar ufe e puhe nga frika se mos na arrestonin. Edhe unë atë mendoja. Kushedi kush na kishte kallëzuar që polici po na shpinte në rajon. Vetëm Skënderi dukej fare i qetë. Thoshte se deri sa nuk ishim kundërvajtës, s'kishte pse të na mbante policia. Së fundi na futën në një dhomë pak më të madhe, ku ndodhej shefi i rajonit. Polici që na kishte shoqëruar deri në rajon kreu kallëzimin duke thënë se në radhën e qumshtit ne kishim biseduar për Çekosllovakinë. Ja pra cili qe faji ynë. Prof. Zijai nisi t'i thoshte se qe keqkuptim, se ne po bisedonim për letërsinë çekosllovake, kurse Skënder Luarasi e ndërpreu dhe deklaroi: "Po, ne po bisedonim për Çekosllovakinë. E pastaj?" Oficeri u zgërdhi, duke thënë: "Pra e pranoni që keni kryer agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit." "Jo, aspak! ia preu profesori. - Po mor zot, për çka tjetër mund të bisedohet sot?" e pyeti Skënderi. "Unë s'jam zot," kundërshtoi oficeri. "Po mor shok, po për çfarë mund të bisedohet sot, veç pushtimit të Çekosllovakisë? U pushtua një shtet sovran nga forcat e Traktatit të Varshavës, u shkel e drejta e një populli, dhe unë pyes a ka ndonjë intelektual, more edhe njeri të thjeshtë, anembanë Shqipërisë që të mos e komentojë këtë ngjarje? Në pastë një njeri të tillë, ai është i poshtër, frikacak, njeri që nuk e do as lirinë e as atdheun e tij." Nga vrulli i profesorit oficeri u hutua, e harroi akuzën për agjitacion dhe propagandë dhe urdhëroi policin të dilte nga zyra. Pastaj u kujtua të na pyeste për emrat dhe mbiemrat dhe ku punonim. Zihaudinin dhe mua nuk na njihte, por sapo dëgjoi Skënder Luarasi, buzëqeshi. Nuk na kërkoi të falur, por as që na duhej. Ne ishim të kënaqur që shpëtuam mirë prej asaj ngatërrese me një polic injorant dhe merita i takon Skënder Luarasit." NDERIM APO FYERJE PËR KOLONJËN DHE KOLONJARËT? Fatmir Gjata botoi te Revista "Nëntori" një tregim me temë nga e kaluara. Ngjarja shtjellohej në Kolonjë. Subjekti me dy fjalë qe ky: "Në kohën kur sundonte e drejta e natës së parë, dhëndërri, një djalë fshatar nuk pranon t'ia dërgojë nusen beut. Ai vishet si nuse, futet në dhomën e beut, e vret me thikë dhe pastaj arratiset tok me farefisin për t'i shpëtuar hakmarrjes." Mesazhi i autorit qe se me atë vrasje mori fund e drejta e natës së parë që ushtronin feudalët në mesjetë dhe deri vonë në shekullin e XIX. Sipas kërkesave të realizmit socialist, tregimi qe në rregull nga çdo pikëpamje: luftë klasore vegjëli bejlerë, protestë e shtresave të ulëta kundrejt një tradite morale fyese, dhuna si mjet për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin. Autori priste ta falënderonin kolonjarët ose t'i qenë mirënjohës për shërbimin e çmuar që po sillte në fushën e luftës klasore, mirëpo ndërsa tregimi harmonizohej me kriteret e realizmit socialist, cënonte traditat shqiptare për nderin dhe moralin. Sipas Skënder Luarasit, tregimi i Fatmir Gjatës fyente në palcë çdo familje kolonjare, qe skandaloz dhe shpifarak. Ai mendonte se kolonjarët duhet të protestonim bashkarisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe më lart akoma, se Fatmir Gjata me anë të atij subjekti pohonte se gjithë të parëlindurit qenë dobiçë bejlerësh, çka ishte fyerje publike për dinjitetin e çdo familje. Profesori nuk e pranonte ekzistencën e së drejtës së natës së parë në Shqipëri. Ai thoshte se nuk kishte gjetur asnjë burim historik për të dhe e quante sajim të rretheve feudale shqiptare, për të përligjur devijimet e tyre morale. Për shqiptarin nderi vlente më shumë se jeta, prandaj nuk mund ta pranonte as si koncept. Më pyeti nëse e kisha lexuar tregimin. E vërteta qe se e kisha lexuar dhe pëlqyer. Një legjendë të tillë kisha patur rast ta dëgjoja edhe unë disa herë. Në një variant tjetër dhëndri e ftonte beun të shihte sa bukur e kishte pjekur mishin e dasmës dhe pastaj e shtynte në furrë, ku e digjte të gjallë. Legjenda i vishej Valanjit, një fshati të rrënuar midis Rehovës dhe Taçit, por e vërteta historike e prishjes së tij ndodhi për shkaqe natyrale. Pas djegies së pyjeve të Gramozit nga ana perëndimore, ngjanë rrëshqitje të forta dhe aluvionet përmbytën tokat, livadhet, çairet dhe fushën e tyre, deri në Surmëri. Fusha u kthye zall, çka duket edhe sot kur soditet nga lartësitë e Gramozit. Fshatarët e mbetur pa toka buke, pa livadhe, pa kopshte, u detyruan të shpërngulën nga mesi i shekullit të kaluar. Pra Valanji u braktis nga fatkeqësia natyrore dhe jo nga protesta ndaj së drejtës së natës së parë. Migrimet e banorëve të tij dihen. Një pjesë erdhi dhe u ngul në Rehovë, (Notellarët, Dafot), një pjesë në Plikat, (Xhogat) dhe një pjesë tjetër në Negovan, (Xoxet, familja e Papa Kristos, etj.). Sipas Prof. Skënder Luarasit, në Kolonjë vetëm Lubonja, ishte çiflik i bejlerëve të Qafëzezit, ndërsa fshatrat e tjerë ishin fshatarë të lirë, zotër të tokave dhe të shtëpive të tyre pakta, prandaj as që mund të mirrej në konsideratë e drejta e natës së parë. Bejlerët e Kolonjës, Turqia i shpërbleu duke u dhënë çifligje në Thesali, për arsyen e thjeshtë se në Kolonjë s'kishte metoqe ose toka të lira. Fatmir Gjatës i vajtën në vesh sulmet e forta të Skënder Luarasit dhe natyrisht u zemërua. Nuk mund të pranonte kurrsesi që Luarasi ta dinte marksizmin më mirë se sekretari i organizatës bazë të partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, që kishte kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Së fundi dy kundërshtarët u ballafaquan për tregimin në fjalë në klubin e Shkrimtarëve. Skënderi Luarasi ia rrëzoi të gjitha argumentet që dëgjoi prej tij, sa më në fund Fatmiri e humbi durimin dhe e shporri duke i bërtitur "Hajt sikter!" Profesor Skënderi me qetësinë më të madhe ia priti: "Edhe këtë turqisht e thatë." Ndonjëherë rrëmbimi dhe inati e shtynte profesorin të bënte humor të hidhur. Thoshte se Fatmiri mbiemrin e kishte Gjata, por vetë nuk ishte shtatgjatë dhe njerëzit kishin arsye të dyshonin për prejardhjen e tij. Kështu Skënderi ia kthente Fatmirit mbi kokë si bumerang të drejtën e natës së parë. MARRËDHËNIET ME LIDHJEN E SHKRIMTARËVE Me kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve Skënder Luarasi nuk pati relata miqësore, a së paku shoqërore. Të dy palëve u mungonte vullneti i mirë dhe besimi i ndërsjelltë. Me përjashtim të Dritëro Agollit dhe Isamil Kadaresë, të tjerët nuk i honepste. Shkaku i mosmarrëveshjeve me Dhimitër Shuteriqin qe moral dhe etik. Shuteriqin e kishte mëri se ai mori pjesë në konkursin për hymnin e Zogut më 1937, ndërkohë që pjesa më e madhe e të rinjve intelektualë nuk kishin simpati për atë regjim. Shkaku tjetër qe poema "Enverit," të cilën Dhimitër Shuteriqi e botoi më 1945, ku i thurte lavde udhëheqësit, duke hapur hullinë e "së ashtuquajturës "Enveriadhë," një nga prirjet më servile të "realizmit socialist" shqiptar, siç vëren esteti dhe kritiku Alfred Uçi. Skënder Luarasi, padyshim e pranonte evolucionin e pikëpamjeve politike, po disa persona që kishin këmbyer pozitat nga një krah në tjetrin, i neveriste si shtirakë. Ai gjithë jetën mbeti demokrat dhe fanolist i vendosur. Më 1965, me rastin e vdekjes se Fanolit, S. Luarasi dërgoi në Boston një telegram me këtë përmbajtje: "Përulem para shqiptarit më të madh të shekullit tonë." Mirëpo të thoshe diçka të tillë, kur diktatori qe në kulmin e fuqisë dhe kulti i individit lulëzonte, qe jo vetëm guxim, por edhe sfidë e fortë. KONFLIKTI MIDIS SHEVQET MUSARAIT DHE PROFESORIT Kur njeriu e do të drejtën me përkushtim, krijon më shumë armiq se miq. Konflikti midis profesorit dhe Shevqet Musarait, ndyshe nga disputi i njohur me Fatmir Gjatën, u zhvillua më shumë nën dhé, se sa në sipërfaqe. Tani të dy protagonistët kanë vdekur dhe unë mund ta rrëfej me shpirt të qetë burimin e konfliktit të tyre, sipas pohimeve konfidenciale të profesorit. Skënder Luarasi ishte përkrahësi i zjarrtë i romanit të Ismail Kadaresë "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur." Në diskutimin e organizuar për romanin në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ai tha se e pëlqente atë vepër, mbasi atje autori pohonte vatra të tjera rezistence kundër zbarkimit fashist, veç Durrësit. Ideja e rezistencës kundër fashizmit vlente shumë për ndjenjat e tij patriotike. Mirëpo disa shkrimtarë të mirënjohur shfaqnin rezerva për vërtetësinë e ngjarjeve të romanit, për formën novatore përdorur nga Kadareja, prandaj edhe nuk e pranonin tërësisht. Musaraj dhe Luarasi shkëmbyen disa replika të forta pas diskutimit, në prani të Fiqerete Shehut, Sekretare e Partisë për Tiranën, e shoqja e kryeministrit Mehmet Shehu. Ndërsa po shkonin drejt banakut për të marrë ndonjë pije freskuese se qe vapë, Shefqet Musaraj deshi t'i tregonte vendin Luarasit, ndaj e akuzoi se kur ata luftonin nëpër malet e Shqipërisë, zhveshur e zbathur, ai bridhte Evropës. Me fjalë të tjera, sipas Musarajt, Skënder Luarasi e kishte gjetur sofrën të shtruar, prandaj nuk i takonte të gjykonte për atë periudhë. Profesor Luarasi ia ktheu aty për aty: "Po qe se i shoqi i kësaj gruas që sheh pranë teje, ka bredhur nëpër Evropë, atëherë mund të thuash edhe për mua të njëjtën gjë, se unë pas gjurmëve të tij kam shkuar." E vërteta ishte se ai vajti në Spanjë përpara Mehmet Shehut, po aty iu desh ta përdorte emrin e kryeministrit për t'i mbyllur gojën Shefqetit. Në luftën e Spanjës shkuan një grusht shqiptarësh idealistë, ndërkohë që të tjerët bridhnin kafeneve të Francës, ose luanin bixhoz në "Kursal." T'i konsideroje luftëtarët antifashistë shqiptarë si vagabondë që bridhnin nëpër Evropë, qe fyerje shumë e rëndë për idealet e tyre. Akuza e Musarajt shkoi më larg se sa deshi me përgjithësimin e gabuar, prandaj më nuk pipëtiu. Për mirësjellje, Fiqiretja nuk mori anë në replikat e tyre të hidhura. Skënder Luarasi e kishte dhunti natyrale replikimin e mprehtë dhe të menjëhershëm. Ai dëfrehej kur konfliktohej, mendja e tij atëhere punonte vrullshëm, me shkëndijime të befta dhe replika të forta, kurse kundërshtarët hanin buzët me dhëmbë prej inatit pasi largoheshin, që nuk ishin kujtuar t'i thoshin kështu apo ashtu, vonesë të cilën francezët e quajnë: "esprit d'escalier," me fjalë të tjera t'i kujtosh batutat ndërsa zbret shkallët. Konfliktet që i ndodhnin, Skënderi e kishte zakon t'ua rrëfente miqve, shokëve, të njohurve me qëllim të testonte nëse kishte patur të drejtë, apo thjesht për të dëgjuar mendimet e tyre. Pasi mësoi për grindjen midis Luarasit dhe Musarajt, një punonjës i vjetër i Bankës së Shtetit, i besoi profesorit një të fshehtë përvëluese. Më 5 prill 1939, në vigjilje të pushtimit fashit, kur gjithë populli i Tiranës kishte dalë në rrugë dhe kërkonte armë, Shefqet Musaraj, nëpunës i Bankës së Tiranës, kujdesej të shpinte fëmijët e kolonisë italiane në një vend të sigurtë, që të mos rrezikoheshin prej bombardimeve. Pas pushtimit të Shqipërisë, qeveria fashiste italiane e kishte shpërblyer me një sasi mjaft të madhe të hollash në franga ar. Pra mirënjohje e shoqëruar me shpërblim. Skënderi e përhapi faktin skandaloz të shpërblimit të Musarajt, në atë kohë deputet në Kuvendin Popullor, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Partia u vu në pozitë të vështirë që një figurë e nderuar, rrezikohej të diskreditohej. Duhej verifikuar nëse ai e kishte fshehur atë fakt nga biografia e tij, apo qe shpifje e Skënder Luarasit? Shefqeti punoi tok me Enver Hoxhën, për shtypin ilegal të partisë në vitet 1942-43, qe autor i poemit satirik "Epopeja e Ballit Kombëtar" dhe udhëheqja e partisë e donte për qëndrimin e tij konsekuent si propagandist i vijës së partisë me fjalë dhe me vepra letrare. Meritat ia kishin njohur, qëkurse i rezervonin vend në çdo presidium të rëndësishëm. Zgjedhja e tij si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, edhe pse pozitë honorifike, tregonte stimën e udhëheqjes, për t'i siguruar disa favore. Skënder Luarasin e thërritën diku dhe i bënë presion të jepte burimin e informatës për Musarain, përndryshe do të vihej para përgjegjësisë ligjore si shpifës. Profesori nuk e rrëfeu personin, por u sugjeroi të shkonin në Bankën e Shtetit dhe të kërkonin listën e nëpunësve të shpërblyer nga fashistët dy javë pas pushtimit të Shqipërisë. "Por nëse një listë e tillë nuk gjendet, atëherë a do të pranoni se keni shpifur?" "Nëse lista është zhdukur prej dikujt, shikoni llogaritë e shpenzimeve dhe të daljeve bankare gjatë muajit prill-maj 1939 në regjistrat e bankës, si dhe specifikimet për to!" "Po sikur të mos figurojë as atje emri i tij?" "Atëherë dërgoni njeri në Romë, të shohë koçanet e Bankës mëmë." Me aq biseda e tensionuar qe mbyllur. Profesori më rrëfeu te salloni i Shkencave Shoqërore në Bibliotekën Kombëtare, se e dinte nga një njeri i brendshëm i Bankës që dokumenti ndodhej atje, prandaj nuk qe tutur. Ky zbulim skandaloz e prishi paksa imazhin e shkëlqyer të Shevqet Musarait si komunist i devotshëm në sytë e udhëheqjes. Nuk dihet nëse e qortuan për fshehje të biografisë, por në legjislaturën tjetër Shefqet Musaraj nuk figuronte në përbërjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe as deputet në listën e të parazgjedhurve nga partia. Që atëherë Shefqetit i dhimbnin sytë kur e shihte Skënderin në rrugë. PENDIM PËR NJË VEPRIM JASHTË NORMAVE ETIKE Skënder Luarasi ishte i ashpër me kundërshtarët, nuk dinte të bënte kompromis, e vazhdonte disputin gjatë, duke ua rrëfyer të gjithëve atyre që njihte, me qëllim ta dinin ç'kishte ngjarë. Njëkohësisht e shquante edhe një ndjenjë e fortë vetëdije. Kur shkelte gabim, ose kur vepronte jashtë normave etike, e pranonte fajin e vet. Njëherë m'u rrëfye se kishte kryer një mëkatë kundër Stefan Priftit, pedagogut të sintaksës shqipe dhe të greqishtes së vjetër në Universitetin e Tiranës. Skënderi i kërkoi një studentes të shihte tekstin që përdorej në kursin e greqishtes së vjetër. Qe një farë dispence e shaptilografuar me letër të keqe, si gjithë dispensat e asaj kohe. Skënderi filloi ta shfletonte dhe ta lexonte. Teksti ishte i vjetëruar dhe jashtë kohës. Aty thuhej botën e krijoi Zoti nga hiçi, se ai qe i kudogjendshem dhe i gjithëpushtetshëm. Skënderi u skandalizua nga përmbajtja fetare që u servirej studentëve shqiptarë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai edhe pa qenë antifetar, do të fyhej që gjeti një tekst të denjë për seminaret fetare dhe shkollat e priftërinjve. I kërkoi lejë studentes t'ia huante tekstin për dy tre ditë dhe ajo ia dha. Me "corpus delicti" në dorë, Skënderi shkoi në dekanat duke u treguar tesktin me frazat e qëmtuara për Zotin. Rektori nuk deshi ta besonte, por e luti ta linte aty që t'ia jepte dikujt për ekspertizë. Fakti qe fakt. Stefan Priftin e qortoi dekanati dhe e detyroi ta hiqte tekstin nga përdorimi. Ai e kritikoi ashpër studenten që ia huajti tekstin prof. Luarasit pa lejën e tij dhe ajo shkoi te Skënder Luarasi duke qarë e duke i thënë se e kishte vënë në pozitë të keqe. Profesor Luarasi më tha se i vinte keq për të, madje i kishte kërkuar të falur, ndërsa për Stefan Priftin mendonte se e meritonte kritikën nga dekanati. KUSH ËSHTË KY S.L.? NUK E DI! Skënder Luarasi qe nga njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që nuk e përfilli porosinë e Enver Hoxhës për autokritikë, duke mbajtur lart dinjitetin personal dhe pikëpamjet e tij. Dhe megjithatë mbeti gjallë. Dashamirësit e tij ia vishnin këtë mrekulli, në radhë të parë babait të tij, Petro Nini Luarasit dhe simpatisë që gëzonte në rrethet intelektuale me personalitetin e vet. Në kongresin I të Partisë më 1948, Enver Hoxha e ngriti Haxhi Qamilin në rangun e patriotëve të shquar, duke e paraqitur kryengritës fshatar të tipit Pugaçov, apo Stjepan Razin, ashtu sikurse ia kishte servirur një historian i cekët. Ky cilësim ngjalli kundërshtime të forta tek gjithë patriotët e ndershëm që e njihnin atë periudhë. Ata dërguan letra dhe protesta në KQ se Haxhi Qamili ishte dhe mbetej turkoshak që kishte luftuar me bajrakun e Turqisë dhe me parullën "duam Babën" (Sulltanin), kur sapo qe shpallur pavarësia. Letrat mbetën pa përgjegje dhe në shtypin e zotëruar nga partia nuk pati asnjë diskutim, por në biseda të lira, kritikat ishin mjaft të forta. Kundërshtia qe se ndërsa partia e shihte Haxhi Qamilin me sy klasor si flamurtar të luftës kundër Esat Pashë Toptanit dhe bejlerëve të tjerë, patriotët e gjykonin lëvizjen e tij thellësisht antikombëtare. Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave, u hap te ish-Kuestura, një godinë trekatëshe që nuk egziston më, përballë Poliambulancës. Në sfondin kryesor të sallës më të madhe, dukej portreti i plakut fisnik Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe krahas tij portreti i zymtë prej banditi i Haxhi Qamilit me mjekër shtëllungë të zezë, me çizme dhe dolloma ushtarake. Prof. Skënder Luarasi, sapo vizitoi muzeun, tha me ironi: "Bukur, shumë bukur! Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që ngriti flamurin e Shqipërisë, si atë që e uli!" Fjalia e tij lapidare u përhap me shpejtësi të madhe, për kontrastin e fortë dhe për të vërtetën që përmbante. Shumë patriotë nuk e duronin Haxhi Qamilin pranë Ismail Qemalit, por nuk kishin guxuar të flisnin hapur dhe të ironizonin ideatorët e muzeut, se e dinin që maketi ishte aprovuar prej sferave më të larta të partisë. Po e riprodhoj rrëfimin e Skënder Luarasit për Haxhi Qamilin, ashtu si e kam dëgjuar prej gojës së tij. "Haxhi Qamili qe një fshatar injorant nga katundi Sharrë i Tiranës. Qe fanatik fetar, prandaj njëherë e kishin dërguar në Mekë për haxhillëk. Që kur u kthye prej andej, fshatarët filluan ta thërrisnin "haxhi," sipas zakonit dhe kësisoj Qamili u bë Haxhi Qamil. Qe beqar me moshë të madhe dhe vëllai e përdorte si hyzmeqar duke e dërguar të shiste presh në pazarin e Tiranës. Do të kishte mbetur gjithë jetën shërbëtor i vëllait, sikur në Durrës të mos kishte plasur grindja midis Esat Pashë Toptanit dhe Musa Qazimit, myftiut të Tiranës. Në një mbledhje krerësh më 1913, Esat Pasha, njeri me ambicje të forta politike, i sapokthyer prej Stambollit, shfaqi pretendime për post drejtues, ndërsa rivalët iu sulën me kritika, se qe kujtuar vonë. Ku ishte pashai, kur ata luftonin për Shqipëri? Esati tha se edhe duke qenë larg, e kishte ndihmuar atdheun duke dërguar 3.000 lira flori nga Turqia. Plasi skandali se lirat s'dihej ku kishin përfunduar, por dyshohej se qenë ngrënë ose përvetësuar prej Musa Qazimit dhe rrethit të tij. Mbledhja u prish, urat u ndanë. Musa Qazimi, me t'u kthyer në Tiranë mendoi të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Pasi u mendua, i dërgoi haber Haxhi Qamilit, të vinte ta takonte. Ai e njihte si besnik dhe si fetar të bindur, ndaj sapo e pa përpara tij i tha: "Haxhi, ty të ka ngarkuar Allahu me një mision të madh!" Haxhi Qamilit i shkëlqyen sytë nga myzhdeja që dëgjoi, se besoi që porosia vinte nga Zoti. "Ti do të luftosh dhe do të shfarosësh armiqtë që duan të prishin fenë tonë dhe përpiqen të njollosin njerëzit e shenjtë." "Jam gati, që tani!" u përgjegj Haxhiu. Musa Qazimi, njeriu i fesë, e armatosi Haxhi Qamilin me pushkë e revole dhe e nisi për në Krujë me tre veta pas, që të mblidhte forca të tjera vullnetare. Sa arritën në Krujë u bënë tridhjetë, sa zbritën nga Kruja u bënë treqind forca. Kjo qe ushtria e Haxhi Qamilit, e cila u sul kundër bejlerëve kundërshtarë të Musa Qazimit dhe të klanit të tij." Prof. Skënder Luarasi e shihte lëvizjen e tij si konflikt midis një palë bejlerësh kundër një pale tjetër dhe Haxhi Qamilin vegël në duart e myftiut të Tiranës. Lëvizja qysh në krye ishte antishqiptare. Të shqyeje flamurin e Shqipërisë, ta quaje shqiponjën pulastren dhe të luftoje me flamurin e Turqisë, duke kërkuar kthimin e Sulltanit dy vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, kjo qe thikë në shpinë për kombin. E vërteta është se Haxhi Qamili dhe bandat e tij u vunë zjarrin sarajeve të disa bejlerëve kundërshtarë, ku bashkohej revolta spontane e ortekut të fshatarësisë që kishte pas vetes, por ndërkohë nuk mund t'i falen vrasjet, sakatosjet dhe torturimet e patriotëve shqiptarë. Ai shtroi në dajak gjithë mësuesit e shkollave shqipe, si mëkatarë që u mësonin nxënësve "harfet e kaurit." Enver Hoxha ishte si biçikletë me kontrapedal, nuk dinte dhe as nuk donte të kthehej mbrapa. Pas më shumë se njëzet vjetësh u kujtua ta rimerrte në mbrojtje Haxhi Qamilin dhe ta paraqiste si patriot, kësaj radhe duke përdorur pa kursim metodologjinë marksiste. Studimi "i tij" për Haxhi Qamilin iu servir si model historianëve dhe shkencëtarëve për gjykimin e figurave historike. Sigurisht qe një model i neveritshëm, (a një mësim në shembull negativ, sipas shprehjes kineze), sepse aty çdo fakt qe transformuar, çdo e vërtetë qe kthyer së prapi në shërbim të idesë së njëanshme nga e cila qe nisur. Studimi, i botuar në një nga vëllimet e shumta të Enver Hoxhës, hapej me kritikë drejtuar S.L. dhe A.M.(ndofta prof. Meksi), të cilët kishin gabuar në gjykimin e figurës së Haxhi Qamilit. Qe kritikë e drejtpërdrejtë kundër Skënder Luarasit dhe në mos gabohem Meksit, veçse me iniciale. Pas botimit të veprës, miqtë dhe të afërmit e këshilluan Prof. Skënderin, për të mirën e tij, të bënte autokritikë të sinqertë ku të pranonte se kishte patur mendime të gabuara për lëvizjen haxhiqamiliste, tani që Enver Hoxha e kishte kritikuar publikisht. Skënderi qëndroi i papërkulur në mendimet e tij dhe nuk i pranoi sugjerimet e tyre. Pak më vonë, një mesaxher i posaçëm, që vinte nga një institucion zyrtar, e pyeti nëse e kishte lexuar vëllimin e fundit të shokut Enver, ku kritikohej me emër. Skënderi iu përgjegj se veprat e Enver Hoxhës i lexonte "me kujdes," por askund nuk kishte parë ndonjë kritikë publike për veten e tij. I dërguari i posaçëm, një kolegu i tij historian, i tha se inicialet S.L. ishin të qarta për cilindo. Skënderi duke bërë të paditurin, e pyeti: "A jeni i sigurt? Unë për vete jo. Kush mund të jetë ky S. L.?" Pyetja qe befasuese për kolegun. "Kuptohet, jeni juve, S.L. Skënder Luarasi!" "E pse qenkam unë dhe jo një tjetër? Ku ta di unë se nuk është Selman Latifi, Sotir Lefteri apo Sadik Lumi?" "Ju keni shprehur kritika për Haxhi Qamilin duke e akuzuar si antishqiptar, si antikombëtar...prandaj udhëheqësi u kritikon dhe ju duhet ta pranoni gabimin," e këshilloi kolegu i tij. "Unë jo," kundërshtoi profesori. "Ma faktoni, ju lutem, te cili organ, a në cilën gazetë kam shfaqur mendime për Haxhi Qamilin. Nuk mund ta pranoj se ky S.L. jam unë dhe nuk mund të marr përgjegjësi se kush mund të jetë." Profesori e ktheu së prapi kolegun, pa e ulur kokën para diktatorit. "Nuk u trembët nga pasojat?' e pyeta kur ma tregoi ngjarjen. "Kisha një argument të fortë," më tha. "Nuk kisha shkruar dhe botuar asgjë për të, kurse me gojë kisha folur gjithandej, por s' mund të ma vërtetonin." Sapo mësoi se Luarasi s'pranonte të bënte autokritikë, Enver Hoxha u nevrikos. Kjo linte të kuptohej se vazhdonte të ruante pikëpamjet e veta për Haxhi Qamilin. Me ligësinë e tij të përhershme, Enver Hoxha e etiketoi agjent të imperialistëve dhe dhëndër të sovjetikëve! Ai qe i tmerrshëm për etiketime politike dhe më e keqja, fjalët e tij përsëriteshin nga partiakët e tjerë, zgjeroheshin me rrathë koncentrikë dhe bëheshin pjesë e administratës dhe institucioneve. Qe një nga format më të ulëta dhe më dinake të luftës së klasave për të diskredituar intelektualët. A mund të quhej Skënder Luarasi dhëndër i sovjetikëve, sepse u martua me një ruse? Pas kësaj logjike Zogu duhet quajtur dhëndër i hungarezëve dhe vetë Enver Hoxha dhëndër i dibranëve. Pas vdekjes së parakohëshme të gruas së parë, Skënder Luarasi u martua me Majan, pedagoge në Fakultetin e anglishtes. Burri i saj, oficer, iu nënshtrua presioneve zyrtare dhe u detyrua të ndahej prej saj, ashtu si shumë të tjerë, që ishin martuar me gra të huaja. Maja, për arsyet e saj, nuk deshi të kthehej në Bashkimin Sovjetik dhe vendosi të qëndronte pedagoge në Universitetin e Tiranës. Sapo Skënderi deklaroi se do të martohej me të, pati shumë qortime, si nga miqtë e tij, ashtu edhe nga shokët, por ai si njeri me karkter të fortë nuk ua vuri veshin. Atëherë, a me sugjerimin e tyre, apo me kokën e tij, Mehmet Shehu i dërgoi sekretarin e tij Peçi Kallushin për t'i kumtuar fjalët e më poshtme: "Skënder, të këshilloj dhe të porosis të mos martohesh me grua sovjetike, se do t'i rëndosh gjynahet dhe tekat e tua!" Dihej se edhe sugjerimet, edhe këshillat, merrnin formën e urdhërave kategorikë kur dilnin nga goja e udhëheqësve tanë. Skënderi ia priti aty për aty Peçit, sekretarit të tij: "M'i bëj të fala Kryeministrit, ndërsa për porosinë që dërgon, thuaji se kryeministër në shtëpinë dhe familjen time jam unë dhe jo ai." Me aq biseda midis tyre mori fund.1 Skënderi pati harmoni shembullore me bashkëshorten deri në fund të jetës. Fati deshi që pas tri vajzave me gruan e parë, të gëzohej me një djalë, të cilin e pagëzoi Petro, në kujtim të babait të tij Petro Nini Luarasi. HAXHI QAMILI DHE SHPATARAKËT Skënder Luarasi e kishte zakon të anketonte njerëz të njohur e të panjohur, për çështjet që interesohej. Edhe për Haxhi Qamilin të njëjtën metodë ndoqi dhe pas disa vitesh grumbulloi një sërë ngjarjesh për bëmat e tij tragjike dhe komike. Episodi me shpatarakët qe pjesë e asaj serie. Rrëfimi i tij me detaje dhe me dialogjet plot dramaticitet më mbeti i tiposur në mendje. "Sapo Haxhi Qamili me bashibozukët e tij arriti në Elbasan, furrat e qytetit u zbrazën shpejt dhe tregtarët i mbyllën tregtoret për shkak të pasigurisë. Problem kryesor për rebelët qe sigurimi i hajes. Këtë e dinte mirë kryekomandanti i tyre, Haxhi Qamili, prandaj kudo që shkelte e lëshonte ushtrinë për plaçkitje. Kjo liri u jepte atyre kënaqësi të madhe, për të rrëmbyer ç'të mundnin në qytet e në fshat, pa paguar asnjë metelik. Mirëpo brenda në Elbasan nuk kishin çfarë të rekuizonin, prandaj u sulën drejt Shpatit, në pllajat e të cilit dalluan disa kope dhënsh. I këputën nga kullotat dhe i sollën në qytet duke siguruar rezerva ushqimi për disa ditë. Haxhi Qamili i përgëzoi për guximin dhe shpejtësinë. Pasdite burrat e Gjinarit, u kthyen nga punët jashtë shtëpisë dhe prej grave dëgjuan hatanë që kishte ndodhur, kopetë ishin rrëmbyer me urdhër të Haxhi Qamilit. Ata nuk e dinin kush ishte Haxhi Qamili, po kushdo që të ishte, qoftë edhe vetë Zoti, nuk mund të jepte urdhër t'u grabiteshin kopetë e tyre. Shtatë-tetë burra të armatosur u nisën drejt Elbasanit, atje ku kishin përfunduar kopetë e tyre. Sapo ranë në qytet, pyetën në ç'konak ndodhej Haxhi Qamili. Kur hynë në oborrin e sarajit, roja u përpoq t'i ndalonte, duke u thënë se askush nuk mund të hynte brenda pa urdhërin e Babë Haxhiut, por ata e vërvitën tej portës me tytat e pushkëve duke e porositur të mos bëzante se armët i kishin të mbushura. Katër burra të armatosur hynë në odën ku Haxhiu po çakaritej pranë zjarrit, se ishte kohë vjeshte, ndërsa të tjerët qëndruan jashtë duke vigjëluar. "Zotrote je Haxhi Qamili?" e pyeti një prej tyre. "Po, unë jam, me ymysin e Allahut," u përgjegj Haxhi Qamili serbes. "Zotrote ke urdhëruar ushtarët të marrin dhëntë tona në Shpat?" e vazhdoi pyetjen shpataraku. Dukej se qe i mllefosur dhe veç kësaj i armatosur, prandaj Haxhi Qamili e ftoi të ulej që të bisedonin. "Ngadalë burra, të merremi vesh. Uluni këtu shesh!" "Jo, besa, s'kemi ardhur për t'u marrë vesh pa u dhënë urdhër ushtarëve të kthejnë gjënë e gjallë atje ku e rrëmbyen," ia preu shpataraku. Haxhi Qamili mbante në brez një goxha revole me mulli, foletë e të cilit i mbante një mbushur me fishek, një zbrazur. Ai kishte deklaruar se alltija e tij e ndante fajtorin nga i pafajshmi. Si i djallëzuar që ishte, e kthente tytën e alltijes nga vetja, kur te gryka qe foleja e zbrazur, e shkrepte dhe natyrisht nuk pësonte asgjë, pastaj ia drejtonte tjetrit në gjoks, e shkrepte dhe e linte shakull përtokë. Atëherë u kthehej të pranishmëve dhe i pyeste: "E patë? Allahu e bëri ferk!" Naivët mahniteshin, ndërsa njerëzit bestytë besonin se alltija vërtet kishte forcë magjike. Atë dredhi deshi të përdorte edhe me shpatarakët. E nxori revolen nga brezi, tha se ajo e dallonte fajtorin dhe menjëherë e drejtoi grykën nga gjoksi i vet, mirëpo njëri nga shpatarakët e ndërpreu duke i thënë: "Jo me atë fare alltije, zotni, po me këtë që kam unë!" dhe u bë gati t'ia hidhte revolen në prehër. Pasi Haxhi Qamili e pa se aty mund të linte kokën, e ktheu fletën, u tha se trimi trimin nuk e nget dhe në çast urdhëroi t'u lironin kopetë e rrëmbyera. Shpatarakët u kthyen në fshat me kopetë e tyre. SULLTANËT E TURQISË NË MUZEUN E BERATIT Skënder Luarasi doli shumë i revoltuar nga Muzeu i Beratit, aq sapo vazhdonte të protestonte me zë të lartë edhe jashtë në oborr: "Pyes veten ku kam ardhur? Jam në një muzeum shqiptar, apo në një muze turk në Anadoll?" Vizita dy orëshe e Profesorit, shoqëruar nga Todi Sotiri, që kryente detyrën e drejtorit, të ciceronit dhe të kujdestarit, kaloi për bukuri. Nga dhoma në dhomë ai shihte eksponatet duke dëgjuar shpjegimet e drejtorit. Në fund vizitorët e nderuar, Todi i fuste në zyrën e vet për t'u treguar stolitë e çmuara, gjerdanë, varëse, byzylykë prej floriri dhe ergjëndi, të cilat i mbante në sirtarët e tryezës së tij. Surpriza tjetër qe albumi tip fisarmonike, me pikturat e sulltanëvet të dinastive osmane e selxhuke të Turqisë, deri te Sulltan Hamiti. Kjo qe si ëmbëlsira në fund të gostisë, të cilën Todi ua rezervonte miqve të zgjedhur dhe personaliteteve. Të pikturuar pas stilit romantik, sulltanët paraqiteshin të bukur e të pamshëm si bandillë e ndërkohë ai gjente rastin t'i mahniste vizitorët me dijenitë e tij të hollësishme rreth biografisë së tyre. Nëpër atë shteg kishte kaluar edhe vizita ime para disa vitesh, por duke e njohur tipin e Todit, nuk u dhashë rëndësi historive që tregonte për sulltanët e Turqisë, me episode romantike dhe erotike. Sotiri, beqar i stazhionuar, njeri i urtë, po paksa ekstravagant nga sjelljet dhe fatkeq nga natyra, nuk kishte personalitet. Autoritetet lokale e shpërfillnin hapur që kur nuk i dhanë drejtorit të muzeut, asnjë farë strehe vite e vite me radhë. I ziu Todi flinte në zyrë, brenda në muze, duke shpalosur çdo natë dyshekun mbi dysheme, mbasi rregullorja nuk lejonte të mbahej shtrat. E njihja qëkur punoja te "Hosteni," se Todin e kishim bashkëpunëtor. Herë pas here dërgonte poezi satirike për botim. Dukej se qe fantazist erotik, së paku kjo qe mbresa ime, nga përshkrimet që dëgjova prej tij, për gratë e haremit që bënin dush me ujë trëndafili, para se të flinin me sulltanin. Me fantazinë e tij të ndezur, dukej se kompensonte mungesën e dashnores, ndaj edhe albumin e sulltanëve të Perandorisë Otomane e kisha kundruar si një nga manitë e tij erotike. Tani merret me mend ç' dallgë të furishme pësuan ndjenjat patriotike të Prof. Skënder Luarasit nga një drejtor muzeu që u servirte vizitorëve historitë e sulltanëve të Turqisë, të xhelatëve të popullit shqiptar, të sundimtarëve më të urryer mbi faqen e dheut. Ai ia preu në mes rrëfimit Todit, duke i thënë se qe turp e faqe e zezë për ata që mbanin në atë detyrë një turkoshak. Doli me rrëmbim nga zyra duke turfulluar në shenjë proteste. Todi Sotirit, i lindur me strabizëm divergjent, u tremb aq shumë sa i shkonin sytë si sovajkë dhe nga frika se mund ta pushonin nga detyra, e ndoqi profesorin pas me të lutura deri te shkallët, por ai s'deshi ta dëgjonte. Përsëriste vazhdimisht: "Muzeum shqiptar me sulltanët e Turqisë! Turp!" Sidoqoftë Todi Sotiri nuk e pësoi as nga protestat e Skënder Luarasit, as nga sulltanët e Turqisë, por nga Dega e Brendshme e Beratit. Disa vjet më vonë e akuzuan si pedofil, apo si mashtrues të vajzave të mitura që gjoja fuste mbrëmjeve në jatakun e tij në muzeum dhe e burgosën. Shpesh Sigurimsat sajonin variante të shthurjes morale për një kategori njerëzish, ndaj të cilëve akuzat me motive politike nuk do t'i besonte njeri. Kjo ngjante sa herë donin të largonin nga detyra ndonjë fatkeq pa përkrahje, për t'ia zënë vendin me ndonjë nga agjentët e tyre. PROPOZIM PËR TË NDËRRUAR MBIEMRIN Një histori tjetër anekdotike Skënderi ma tregoi pas lindjes së Petros, djalit të tij. Në Tiranë ishin dy Skënder Luarasi, njëri profesor, ndërsa tjetri, më i riu, arkitekt. Natyrisht famë më të madhe gëzonte profesori me të kaluarën e tij plot aktivitet patriotik dhe letrar. Mirëpo homonimia sillte një farë konfondimi si në thirrjet telefonike, si në mjediset e tjera. Kur pashë te revista "Shëndeti" një fotografi të Sanatoriumit të Tiranës dhe poshtë diçiturën se qe projektuar nga Skënder Luarasi, besova se ishte gabim shtypi. Më vonë mësova se ai ishte arkitekt i njohur, po me atë emër dhe mbiemër, ingjinier i aftë, burrë i nderuar dhe familjar i mirë. Nga mesi i viteve 60, dikush prej familjes së arkitektit Skënder Luarasit, iu lut profesorit ta ndryshonte mbiemrin që të shmangeshin ngatërresat dhe keqkuptimet njëherë e mirë. Një kërkesë e tillë profesorit iu duk sa e çuditshme aq edhe e paarsyetuar, por nuk e dha veten. "Mirë, tha Skënderi, shumë mirë u paska rënë ndërmend, se dhe mua nuk më pëlqen ngatërresa, por më falni, pse duhet ta ndryshoj unë dhe jo ai?" Argumenti qe se profesori kishte vetëm vajza dhe ato pasi të martoheshin do të merrnin mbiemrin e burrave. Pas pesë a dhjetë vitesh, si të mbyllte sytë profesori, mbiemri tij do të shuhej vetvetiu, prandaj nuk prishej asgjë, sikur ta hiqte vullnetarisht pak më shpejt. Skënderi u tha se mbiemrin nuk mund ta ndërronte për arsye të njohura historike. Atëherë e këshilluan të ndërronte emrin. "Kjo, po, mund të bëhet," u tha Skënderi. "Mirëpo duhet të futem në lumë që të pagëzohem, apo jo? Tani është dimër dhe kam frikë se ftohem." Skënderi njihej si ateist, prandaj mesaxheri dyshoi kur tha se donte të pagëzohej me ceremoni fetare. "Ju më duket se po talleni," vërejti ai. Atëherë profesori i tha se një propozim i tillë qe jo vetëm fyes, por edhe pakuptim, sepse emri nuk ndërrohet si xhaketa. Sapo lindi Petroja, i dërgoi lajm ndërmjetësit se tani e kishte trashëgimtarin e mbiemrit. PËRVJETORI I PETRO NINIT Skënder Luarasi e kujtoi Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë të organizonte një seminar me rastin e 110 vjetorit të lindjes së Petro Nini Luarasit, mësuesit të parë të shqipes. Më pyeti nëse kisha dëshirë të mbaja një kumtesë dhe unë e pranova me kënaqësi. Profesori më vuri në dijeni se Instituti kishte ngarkuar T. G. të merrej me organizimin e seminarit. E njihja prej kohësh T. G. si një studiues serioz dhe të pasionuar pas historisë së shkollës, prandaj zgjedhja m'u duk me vend. Mirëpo një javë para se të hapej seminari, profesori kërkoi që ta drejtoja unë dhe jo ai. Duke e ditur se kërkesa do krijonte probleme, mbasi Instituti nuk mund ta mënjanonte punonjësin shkencor të sektorit përkatës me një të jashtëm, sikurse isha unë, i thashë profesorit se Seminari fitonte më shumë kredi nën drejtimin e një studiuesi me stazh të gjatë dhe me disa vepra. Pse qe zemëruar me T.G.? Cfarë kishte ngjarë, deri sa ai njihej si njeri i shkueshëm e me karakter të butë? Arsyen e mësova shpejt po prej Skënderit. Ai qe pezmatuar me T. G. që e kishte ndarë gruan për arsye politike. Babain e saj, ish-ministër, partia e internoi duke e akuzuar për sabotim. U mundova ta bindja se nuk qe faji i T.G, as dobësi karakteri, por i politikës që ndiqej nga partia. "Çfarë të bënte? Mos do të ishte më e arsyeshme të mirrte rrugën e Kalvarit?" e pyeta sinqerisht. "Atë duhesh të mirrte," tha vendosmërisht dhe pastaj shpalosi mendimin e tij. "Po qe se shumë njerëz do ta kundërshtonin presionin e partisë për shkatërrimin e familjeve, nuk do të ngjisnin kaq shumë drama familjare." Kishte të drejtë, veç qe e vështirë ta krijoje atë shumicë, kur presionet vinin nga çdo anë dhe ndërvarja ekonomike qe e gjithanshme. Mjaft të rinj a të reja që nuk pranuan sugjerimin të ndaheshin nga bashkëshortët, u internuan pa asnjë faj. E luta të tregonte mirëkuptim për programin e hartuar nga Instituti, sepse as ai, as unë, nuk mund ta detyronim të ndërronte planet. Rrinte i menduar sikur të ishte në një udhëkryq ku duhet të mirrte një drejtim. Ditën e caktuar seminari u zhvillua në sallën e shfaqjeve të Pallatit të Kulturës dhe u drejtua me kompetencë nga T.G. Unë mbajta kumtesën time. Në fund profesori e falënderoi T.G. për kumtesën e tij serioze. DRAMA NË VARGJE PËR 7 PRILLIN Profesori më tha se po shkruante kujtimet e jetës së tij, nën titullin e përbashkët, "Ç'pashë e dëgjova në jetën time." Duke e ditur jetën e tij aktive, krijimtarinë artistike, natyrën e tij të paepur dhe antikonformiste, besoja se kujtimet do të ishin një dëshmi me vlerë për historinë tonë. Por a mund të botoheshin të pacensuruara? Sidoqoftë kryesorja qe të hidheshin në letër. Midis të tjerash më tregoi një episod të dhimbshëm që demaskonte moralin e klerit grek. Kur qe i vogël, ai kishte dëgjuar se një vajzë fshati, e kishte lënë me barrë dhespoti grek, njeriu i fesë dhe ajo e shkreta përfundoi keq. Ndërkohë më tha se mendonte të shkruante edhe një dramë në vargje për ngjarjet e 7 prillit. Qëllimin e kishte të demaskonte një pseudopatriot. Për dramën nuk u tregova entusiast, kurse për kujtimet e pyesja herë pas here si po i ecte pena. Tekat letrare janë të paparashikueshme dhe pas disa muajsh ai më solli dorëshkrimin e dramës shkruar me vargje të bardha. E lexova menjëherë nga kureshtja. Ishte më e mirë se sa e kisha pritur, por jo aq sa të entusiazmohesha. E luta ta çlironte disi nga një lloj ngushtësie që vinte nga dëshira për t'u qëndruar besnik ngjarjeve rreth personit të zgjedhur si prototip. Doja që drama të fitonte hapësirë më të gjerë, që të shigjetonte gjithë pseudopatriotët, jo vetëm një. E pranoi sugjerimin tim dhe pas disa ditësh e solli të ripunuar. Ngulmova të botohej te buletini "Teatër" dhe për fat u botua. Profesori më shprehu mirënjohjen për shpërblimin që e mori në një kohë kritike, para dasmës së vajzës. Si gjithmonë ndodhej ngushtë nga ana ekonomike, sepse nuk dinte të mbante a të kursente para. Profesori thoshte se paraja ka dy funksione: t'i shërbejë njeriut, ose ta bëjë rob dhe ta detyrojë të punojë për të. Ai i quante fatkeqë ata që bëheshin robër të saj dhe vazhdonin të punonin për të. Ndryshe nga të moshuarit e tjerë nuk pranonte kurrë të qerasej prej më të rinjve. Së paku përvoja ime me të e vërteton këtë prirje. Drama u vu në skenë nga teatri "A.Z. Çajupi" i Korçës me regjinë e Dhimitër Orgockës. E ftuan në Korçë me rastin e premierës dhe ai u kthye prej andej i rinuar, që e pa dramën të inskenuar. E lavdëroi regjisorin për punën e kryer, duke pritur të shihte ndonjë jehonë në shtyp për shfaqjen dhe dramën, por me sa u duk, forca të tjera vepruan prapa krahëve. Pas Plenumit të qershorit 1973, metodisti dogmatik i Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Llambi Papa, kritikoi ashpër në një nga mbledhjet e organizatës së partisë, botimin e dramës së Artur Milerit, "Ata ishin të gjithë bijtë e mi," (autor amerikan "reaksionar"), "Një natë qershori," të Minush Jeros (autor i kritikuar nga partia për gabime ideore te "Njollat e murrme") dhe "Stuhi në Prill" të S. Luarasit, nuk di për çfarë motivesh idiote. Përgjegjësia binte mbi mua si redaktor i Buletinit "Teatër," mirëpo në atë kohë, unë isha inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Llambi Papa, ish instruktor i Bashkimeve Profesionale nuk mirrte vesh nga arti, prandaj kritikat e tij as që u përfillën. Shefi im, Mantho Bala, besonte se atë e shtynte dikush tjetër. Sa për formalitet më dërguan t'i parashtroja drejtorit të Krijimtarisë Popullore, Janaq Tokës, arsyet pse kisha zgjedhur ato drama për botim. Me aq ajo çështje u mbyll. Llogaritë e Llambi Papës, apo të atyre që ishin pas tij, se me një gur do të vrisnin dy zogj, nuk dolën. SEKRETI QË MË BESOI PROFESORI Një ditë Profesor Luarasi më ftoi në kafenenë e Pallatit të Kulturës dhe qysh në shkallë më tha se do të më besonte një sekret nga jeta e tij. "Këtë fakt nuk e di askush, mbasi e kam mbajtur fshehur, por juve do t'ju a them, se jeni më i ri dhe do të jetoni më gjatë se unë. Pas disfatës së Republikanëve në luftën e Spanjës, ne kaluam në Francë. Atje më internuan në një kamp, ku qëndrova deri sa kapitulloi Gjermania. Ndërkohë, menjëherë sa mbaroi lufta, i dërgova letër Dhimitrit, vëllait të madh që ndodhej në Amerikë, ku e vija në dijeni se ndodhesha në Francë. Ai më dërgoi një letër dhe më këshilloi të shkoja në Amerikë. Isha beqar, pa detyrime familjare, prandaj mund të shkoja ku të doja. Në letër më vinte në dijeni se po përpiqej të më nxirrte vizën nga qeveria amerikane dhe pastaj të siguronte biletën e udhëtimit. Pas disa javësh arriti letra e tij me vizën amerikane dhe me biletën e udhëtimit brenda. E lexova disa herë dhe pastaj me vizën amerikane në xhep, vendosa të kthehesha në Shqipëri. Më digjej zemra për atdheun, më dukej se ai thërriste gjithë bijtë e tij të shpërndarë të ktheheshin për të dhënë ndihmesën e tyre. Mora vaporin, dola në Itali dhe prej andej zbrita në Durrës. Kurrë nuk u pendova për vendimin që mora." Si gjithë idealistët e mëdhenj, qe krenar për vendimin që kishte marrë në një kohë kritike. "Pas disa vitesh Dhimitri më pyeti, pse nuk shkova në Amerikë, kur mora dokumentat tok me biletën e udhëtimit. Për të mos e fyer në ndjenjat e tij fisnike, i thashë se letra nuk më ra në dorë, se u largova prej kampit më parë nga sa kisha menduar. Le ta dinë ata që më duan dhe ata që s'më duan, se unë lashë Amerikën për Shqipërinë," e përfundoi rrëfimin profesori. INTRIGA E FADIL PAÇRAMIT Fadil Paçrami gjithë jetën u orvat të zinte një post të lartë, si kuadër i përgatitur nga ana teorike dhe me aktivitet mjaft të pasur, në krahasim me shumë nga personat e nomenklaturës. Ambicja, a pakënaqësia e tij kishte një bazë reale, mirëpo harronte se hynte në radhën e intelektualëve, në atë kategori të cilën Enver Hoxha e shihte me rezerva. Mëria e Enver Hoxhës kundrejt tij u rrit akoma më shumë, sapo Fadili filloi të shkruante drama, duke patur njëkohësisht funksionet e sekretarit II të partisë për Tiranën, domethënë shef për kulturën dhe propagandën. Ai e këshilloi të hiqte dorë nga dramaturgjia dhe t'u kushtohej punëve të partisë, po Fadili vazhdoi rrugën letrare. Atëherë Enver Hoxha e akuzoi si liberal, e përjashtoi prej K.Q. e flaku jashtë radhëve të partisë, e dërgoi punëtor krahu në një minierë kromi në Fushë-Arrëz dhe më pas dha urdhër që gjykata ta dënonte për pikëpamjet e tij të gabuara. Paradoksi qe se Fadil Paçrami, një nga ekstremistët e majtë të partisë, aparatçik që i kishte shërbyer me zell diktaturës, u dënua po prej saj. Qe një viktimë, si shumë viktima të tjera, por jo disident, as opozitar. Madje edhe dramat që shkroi në burg, nuk kanë fijen e kritikës kundrejt regjimit apo sistemit komunist, përkundrazi vazhdojnë ta mbrojnë legjitimitetin e komunizmit si ideologji. Kur qe sekretar partie për Tiranën, Fadil Paçrami mbante shoqëri me një rreth të ngushtë intelektualësh, kurse të tjerët i shpërfillte hapur. Ai e akuzoi shkrimtarin Bilal Xhaferi si reaksionar, si këlysh ballisti, aq sa e detyroi të arratisej. Për hater të pozitës, Teatri Popullor nuk la dramë të tij pa vënë në skenë. Ndërkohë ai ushtronte presion mbi Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve për preferencat që kishte, sadoqë Lidhja varej nga K.Q. dhe jo nga Komiteti i Partisë. Një ditë Prof. Skënderi Luarasi më tregoi ngjarjen tronditëse, shpifjen e ulët të dalë nga goja e Sekretarit të partisë për kulturën dhe propagandën. "Nuk e kuptoj sjelljen e tij, ose më thjesht pse iu desh të shpifte kundër meje në një mënyrë të ulët?" më pyeti profesori. Ma rrëfeu ngjarjen fill e për pe. Fadil Paçrami e ftoi në apartamentin e tij mjaft të bukur mbi Kafe Tiranën, të konsultohej për një problem letrar dhe pas bisedës e shoqëroi deri te dera si mik të nderuar. Pas tre ditësh Skënderin e thërret në zyrë Fiqerete Shehu, Sekretare e parë për Tiranën dhe e pyet për skandalin me shokun Fadil Paçrami. Pse kishte tentuar ta godiste me grushte në shtëpinë e tij, aq sa ai e kishte nxjerrë përjashta? Skënderi u befasua nga akuzat që dëgjoi. U interesua të mësonte burimin. Dëgjoi se raportimet vinin nga goja e Fadil Paçramit. Skënderi pohoi se kishte shkuar me ftesën e tij, se Fadili e kishte qerasur vetë, duke i kërkuar të falur që gruaja nuk ndodhej në shtëpi, se e kishte përcjellë deri te shkallët dhe nuk ngjau as incidenti më i vogël. Fiqeretja që e njihte karakterin e tij, nuk e vuri në dyshim rrëfimin e Skënderit. Ai dinte të përdorte gjuhën, jo grushtet. Intriga e sajuar u mbyll, profesori nuk pati ndonjë pasojë, por ai pyeste veten ç'e detyroi Fadil Paçramin të shpifte një histori të tillë? Mos vallë se emri i profesorit u përfol në zyrat e komitetit të partisë dhe Fadilit iu duk me vend t'i frynte zjarrit të urrejtjes duke sjellë një shembull konkret? Si mund të mbrohet njeriu i thjeshtë kur rrethohet me shpifje nga njerëz të veshur me pushtet? PROFESORI E URRENTE DIKTATORIN Skënder Luarasi qe mjaft i përmbajtur dhe kurrë nuk bënte kritika të hapura ndaj Enver Hoxhës, sidomos në vende publike. Por ai gjente mënyra të holla për të shprehur mendimet e veta për të. Skënderi evokonte figurat e mëdha historike, duke thënë: "Në kohën e mesjetës, Shqipëria pati një ushtarak gjenial si Skënderbeun, në kohën e pavarësise pati një diplomat të rangut ndërkombëtar si Ismail Qemali, tani... po më mirë të mos vazhdojmë më tëhu..." Kurrë nuk ia përmendte emrin, as funksionet. Ironia kuptohej vetëm nga ata që e njihnin. Herë të tjera thoshte se në mesjetë kishim një gjeneral të shquar, në prag të pavarësisë një diplomat të madh, por nuk patëm fat të kishim në kohën tonë një ekonomist si Erhardi që ta nxirrte Shqipërinë nga prapambetja kronike. Njëherë më pyeti se ç'mendim kisha për Enver Hoxhën. Ndodheshim nën kollonat e Pallatit të Kulturës, ku vendi qe i hapur dhe pranë nesh s'kishte as mjete përgjimi, as njerëz të tjerë. I thashë atë që kisha menduar prej kohësh se ai vuante njëherësh nga dy psikomani të kundërta, nga mania e madhështisë dhe nga kompleksi i inferioritetit, të cilat ndesheshin vazhdimisht në shpirtin e tij, pa e lënë të qetë. Me këtë shpjegoheshin mjaft nga ekseset e tij. "Është i egër, tha, më i egër se Ali Pashaj, mbasi ai vriste kundërshtarët, kurse ky "komunisti" ka vrarë shokët e tij. Ambicja e sëmurë për pushtet dhe frika se mos e humbasë, e shtyn përherë të shohë komplote nga çdo anë. U bë kryeministër, ministër i jashtëm, komandant i ushtrisë, sekretar i parë i partisë, diktator, tani ç'kërkon më shumë? Perëndi?!" Qe koha pas vitit 1974, kur sapo qe shpallur kushtetuta e re që sanksiononte heqjen e besimit fetar. Dhe pas një heshtje shtoi: "Nuk ka për të arrirë... Ndërgjegja e kombit ruan në kujtesën e saj njerëzit me ideale të larta, ata që mbrojnë dinjitetin e tij, jo ata që e fundosin. Do ta paguajmë shtrenjtë këtë izolim nga bota e qytetëruar." Nuk donte të fliste gjatë, po fytyra i pezmatohej sa herë përmendete diktaturën. Disa herë më luti të lexoja dramën e Shekspirit "Rikardi i Tretë," ku ai shihte përngjasim të madh, një lloj paralelizmi midis Rikardit dhe diktatorit të Shqipërisë, prandaj edhe e përktheu. KOSOVA Skënder Luarasi e shihte Kosovën si pjesë të atdheut, të veçuar me dhunë nga Fuqitë e Mëdha, kur caktuan kufijtë e shtetit të ri shqiptar më 1913, prandaj e donte me përkushtim. Duke ndjekur me pasion jetën dhe aktivitetin e përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes, ai u kushtoi atyre katër monografi që përbëjnë një kollanë të çmuar në letërsinë e varfër shqiptare në fushën e biografive. E para, botuar në mesin e viteve 30 me titull "Mëuesi im i parë" i kushtohet Petro Nini Luarasit dhe shkollave të para shqipe në Kolonjë më 1882. Libri mban autorësinë e Guri Sevos nga Luarasi, ish nxënës i Petro Ninit, por kujtimet e tij u redaktuan prej Skënder Luarasit, se Guri Sevoja nuk dinte të shkruante. Këtë sekret ai ma besoi gati në fund të jetës së tij, duke më thënë. "E gjykova më të arsyeshme të fliste për Petro Ninin një nga nxënësit e tij, se sa i biri." Më vonë ai botoi monografinë kushtuar Ismail Qemalit, jeta e të cilit njihej shumë pak, ashtu sikurse edhe përpjekjet e tij nëpër kanceleritë e Evropës për çështjen shqiptare. Duke njohur jetën e familjes Qiriazi në Manastir, persekutimet e tyre nga kleri grek dhe dashurinë për çështjen shqiptare dhe arsimin shqip, ai shkroi biografinë "Gjerasim Qirjazi," një nga mësuesit e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887. Motrat e Gjerasimit, Sevastia dhe Parashqevi Qiriazi, të njohura më shumë si Motrat Qiriazi, lanë gjurmë të pashlyeshme për emancipimin e femrave shqiptare, qoftë si mësuese të shkollës shqipe të vajzave në Korçë, qoftë për aktivitetin e tyre gjatë pavarësisë. Ato qenë dallëndyshet e para të lëvizjes së femrave shqiptare, që të zinin vendin që meritonin në shoqëri, në një kohë kur sundonin paragjykimet dhe kur roli i femrës ndrydhej brenda mureve të shtëpisë. Skënder Luarasi përsëriste shpesh thënien e Gëtes se pa nëna të edukuara, nuk mund të kemi fëmijë të edukuar. Monografia e tij më e mirë, më e plotë, e mbështetur në dokumente, që pati jehonë dhe u prit me entusiazmë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, qe ajo kushtuar Isa Boletinit. Skënder Luarasi gërmoi gjatë nëpër arkiva dhe dokumentet e kohës, duke mbledhur fakte dhe duke sjellë interpretime realiste për çdo episod. Ai e vuri Isa Boletinin në piedestalin që meritonte. Për hartimin e monografisë Skënderi intervistoi shoqërisht gjithë të afërmit e Isa Boletinit që ndodheshin në Shqipëri, gjithë historianët dhe dijetarët që vinin prej Kosove si vizitorë ose të ftuar. E shihja vazhdimisht në Pallatin e Kulturës rrethuar nga bijtë e Kosovës, të cilët takimet me të i kthenin në festa. Admirimi i tyre u shtua akoma më shumë pas botimit të librit, që ishte njëkohësisht edhe një sfidë për politikën e ngathët dhe dyshuese që ndiqte Partia e Punës ndaj Kosovës në përgjithësi. Duke folur për Isa Boletinin, Skënder Luarasi më tregoi një episod tronditës. Ministri i Jashtëm anglez, Sir Eduard Grey, e kishte pyetur Isain se ku ndodhej fshati i tij dhe gjenerali pa spaleta ia kishte treguar në hartë, duke vënë gishtin mbi të. "Shumë larg, shumë larg!" kishte thënë pezmatueshëm Ministri, duke lënë të nënkuptohej se po të ishte Boletini diku më afër, vija e kufirit skicuar në kanceleritë e tyre, do të ndryshohej. Skënderi shtonte se ky fakt vërtetonte që Evropa kishte lënë jashtë me dashje pjesë të mëdha të trojeve shqiptare për oportunitet politik ndaj Rusisë. Me shembullin dhe karakterin e tij, me dashurinë që kishte ndaj demokracisë, ai fitoi admirimin e gjithë atyre që patën rast ta njihnin. Kur vdiq mijëra qytetarë të Tiranës e përcollën me nderim në banesën e tij të fundit. Dikush edhe aty u kujtua të më tregonte një nga episodet e jetës së tij. Skënder Luarasi shkoi në një nga zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, duke kërkuar prej nëpunësit përkatës, një dokument. Me mirësjellje e pyeti nëpunësin nëse mund t'ia bënte atë nder. "Si jo, unë kam respekt për flokët tuaj të bardhë," iu përgjegj nëpunësi. Profesor Skënderi ia priti menjëherë: "Më dëgjoni këtu djalosh, ju lutem, po qe se respektin e keni për ndonjë punë tjetër që kam kryer, do ta mirëprisja, po të jetë për flokët, ju siguroj se ka mjaft flokëbardhë që nuk meritojnë as shpenzimet e varrimit." Shpenzimet e varrimit në atë kohë ishim mjaft të lira, rrotull tre mijë lekë të vjetra. Vdekja e tij la një boshllëk të ndjeshëm në rrethet intelektuale. Ai qe si një lis i madh degëshumë që lëshonte hije shlodhëse në vendin ku kishte mbirë e ishte rritur. Ai e pasuroi letërsinë shqipe me përkthime të denja nga letërsia klasike botërore, me krijimtari origjinale të çmuar në disa fusha dhe me një sërë shkrimesh publiçistike. Skënder Luarasi e mbrojti dinjitetin kombëtar me përkushtim, gjatë gjithë jetës së tij, duke qëndruar i papërkulur ndaj diktaturës më të egër në Evropë, duke rrezatuar me shembullin e tij guxim e vetëbesim te shpirti njerëzor. New York korrik 2000 tetor 2004
KUTELI - MJESHTËR I FJALËS SHQIPE Kujtime dhe kritikë letrare nga NAUM PRIFTI NAUM PRIFTI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |