VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DISA KËSHILLA PËR ALBIN KURTIN

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Enjte, 06.24.2010, 02:08pm (GMT1)


Albin Kurti u fut rishtaz në fokus të reflektorëve pas arrestimit brutal që ia bëri policia e Kosovës, pak pasi ai kishte shpallur se Vetëvendosja që ai drejton do të garojë në zgjedhjet e ardhshme politike.

Albin Kurti, lindur në vitin 1975, shtatë vjet më i ri se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, njihet si veprimtar politik, i cili që student u angazhua në rezistencën kundër regjimit pushtues dhe karrierën politike do ta fillonte në krah të  Adem Demaçit, kur ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.  Albin Kurti do të burgosej prej regjmit serb në prillin e 1999, kur NATO kishte filluar fushatën e bombardimeve. Megjithëse u dënua me 15 vjet burg nga një gjykatë serbe në Nish, ai doli prej andej në dhjetorin e vitit 2001 me ndërhyrjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtar. Albin Kurti pati fat, ndryshe nga shumë të burgosur të tjerë shqiptarë të ndërgjegjes që kanë humbur pa lënë gjurmë, ku midis tyre veçohet veprimtari, shkrimtari dhe politikani i lëvizjes për çlirim kombëtar Ukshin Hoti.

Pasi doli nga burgu dhe pasi mbaroi studimet universitare, Albin Kurti themeloi lëvizjen qytetare me emrin Vetëvendosja, e cila që në fillimet e saj e deri më tani mban një qendrim kontravers me faktorin politik të brendshem dhe të jashtëm.

Albin Kurti nuk e ka pranuar misionin e UNMIK-ut, Rezolutën 1244, Pakon e Ahtisarit bashkë me procesin e decentralizimit e deri EULEX-in, mision i përkohshëm i Bashkimit Europian, i cili do të qëndrojë deri sa Kosova të ketë ndenjësen e vet në OKB, pasi të jetë njohur të paktën prej 128 shteteve.

Deri më tani pavarësia e Kosovës është njohur prej 69 vendesh. Shumica e njohjeve është bërë nën ndikimin e drejtpërsëdrejtë të SHBA dhe vendeve që përbëjnë bërthamën e Perëndimit, produkt i të cilit është edhe EULEX-i në Kosovë, i sjellë këtu nga këto vende si metropolet e vendimmarrjes, të cilat e kanë njohur të parat Kosovën.

Me fjalë të tjera EULEX-i përfaqëson në Kosovë, atë pjesë të faktorit ndërkombëtar, i cili jo vetëm ishte deçiziv në fatin e Kosovës, por edhe në fatin e vetë Albin Kurtit, i cili u lirua nga burgu pikërisht si pasojë e luftës diplomatike të këtij faktori.

Kosova duke përbërë një praktikë sui generis ku u lëvrua çdo gjë për herë të parë, ka lënë shteg për pasaktësi, për difekte, për gabime, por duke e krahasuar Kosovën e vitit 1998 me atë të vitit 2010, mund të themi se gjithçka ndyshon me 180 gradë dhe në kahun pozitiv. Mjafton të përmendim javën që shkoi kur kryeministri i Kosovës u kthye nga Brukseli, pasi një dialogu midis Kosovës  NATO-s dhe BE në rangun e të barabartëve, ku për Kosovën integrimi në NATO dhe liberalizmi i vizave e integrimi në BE sot përbën një aktualitet.

Sigurisht prania e figurave të reja në politikë, duke patur këtu parasysh edhe Albin Kurtin, është e mirëpritur, por çfarë duhet të kenë parasysh këto figura që të mos konsumohen shpejt.

Unë do të marr një shembull shumë konkret, siç është rasti i Veton Surroit, i cili është padyshim një nga figurat më me emër në Kosovë. Sot Veton Surroin e shohim jashtë politikës, për gabimet e tij, sepse duke mbivlerësuar forcat e tij ai zhvlerësoi ato të kundërshtarëve politikë.

E njëjta matematikë vlen edhe për Albin Kurtin. Të kritikosh nga pozitat e një veprimtari të një lëvizjeje qytetare është luks. Problemi është se si mundet që Albin Kurti të  kthehet në një faktor politik me ndikim për demokratizimin, faktorizimin dhe integrimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Albin Kurti duhet të ketë parasysh se Kosova ka qenë dhe do të jetë edhe para edhe pas nesh, pra ai nuk mund të kthejë në zero të shkuarën dhe të tashmen e Kosovës, ku përfshihet edhe faktori i saj politik. Deri më tani ne dimë se Albin Kurti në fillimet e tij ka qenë një simpatizant i Demaçit, por nuk dimë asgjë për shijet e tij aktuale politike dhe përgjithësisht qëndrimet nihiliste  nuk janë produktive.

Diçka tjetër që duhet të ketë parasysh Albin Kurti është edhe fakti se ai në kontakt me mediat i referohet së ardhmes, kur ai presupozon se është përfshirë në politikë, se i ka fituar zgjedhjet dhe se i ka fituar bindshëm. Por politika nuk bëhet me supozime, politika bëhet konkretisht. Që Albin Kurti të jetë sa më konkret ai duhet të jetë i lidhur me të tashmen e Kosovës, ku në epiqendër është njohja e Kosovës nga sa më shumë shtete, që mundësisht brenda një kohe sa më të shpejtë, Kosova të jetë anëtare OKB-së. Pra Albin Kurti duhet ta nisë prej këtu, nëse ai me potencialin e tij politik dhe intelektual mund të ushtrojë ndikim për njohje të reja.

E treta porosi për Albin Kurtin janë raportet shumë bashkëpunuese që ai duhet të ndërtojë me faktorin ndërkombëtar, filluar prej SHBA-së, NATO-s, dhe BE-së pa të cilët Kosova sot nuk do të ekzistonte dhe ai edhe sot e kësaj dite do të vazhdonte e të dergjej në burgjet e Serbisë.



NAUM PRIFTI, NE DHE PANAIRI I LIBRIT NË BRONX NË NEW YORK
Nga ELIDA BUÇPAPAJ


ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.