VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JEREMIÇI KRENOHET ME RUSINË, KOSOVA KRENOHET ME SHBA & BE

NGA  ELIDA BUÇPAPAJ

E Premte, 07.30.2010, 12:30pm (GMT1)


"Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare mund të nxisë rreth rreth 30 shtete për ta njohur shumë shpejt  pavarësinë e Kosovës", tha për Radion Evropa e Lirë, Marc Weller, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Cambridge. I këtij mendimi është edhe opinioni zyrtar i Prishtinës, sikur edhe opinioni i ekspertëve më në zë për çështjet e Ballkanit.

Serbia për të fituar kohë luajti fort me kartën e Gjykatës Ndërkombëtare, por tani që kjo Gjykatë pritet të japë opinionin rreth legjimitetit të pavarësisë së Kosovës, ku qendrat më të besueshme të ekspertizave besojnë se ky opinion do të jetë në favor të Kosovës, Serbisë i mbetet të krenohet  me të shkuarën, se si përmes strategjisë së saj, arriti që të frenojë për një kohë të caktuar zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës. Serbia mund të krenohet gjithnjë në kohë të shkuar se si përmes strategjisë së saj arriti që të mbajë peng për një kohë të gjatë Kosovën dhe rajonin. Përmes kartës së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës Serbia e sfidoi Kosovën dhe Perëndimin. Por tani që koha e kësaj karte po arrin skadimin, Serbisë i mbetet që të shijojë efektin e kundërt që ajo përjetoi për sa kohë që e mbajti Kosovën peng.

Metropolet politikbërëse të Perëndimit e kanë fare të qartë se Serbia kërkon të vonojë zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës për interesat e veta, por assesi për interesat e Kosovës, të rajonit dhe të vendeve kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat janë SHBA dhe 22 shtete të BE që në fakt përbëjnë thelbin e Perëndimit.

FoNet ALMATY citon ministrin e jashtëm seb Vuk Jeremiç të ketë thënë se "të gjithë sytë janë të fokusuar në Hagë" duke pritur opinionin e Gjakatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Jeremiç citohet të ketë shtuar po ashtu se "pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do të qëndrojnë të vendosura edhe pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të shpallet më 22 korrik". Më poshtë Jeremiç thekson se "As Rusia nuk do ta njohë Kosovën" dhe se Serbia ka "bashkëpunim të ngushtë me Rusinë." Jeremiç veçon se "Këshilli i Sigurimit i OKB-së që do t'i dedikohet Kosovës do të mbahet në gushtin që vjen, kur Rusia do ta kryesojë këtë Këshill..."

Pra siç po duket, pas kartës së GJND, Serbia do të luajë me kartën e Rusisë dhe pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat janë Rumania, Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Qipro.  

Ministri i Jashtëm Serb Vuk Jeremiç kërkon ta kthejë Rusinë dhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën në Levë të Arkimedit kundër pavarësisë së Kosovës, por nëse i vendosim në peshore nga njëra anë SHBA dhe 22 vendet e Perëndimit që e kanë njohur Kosovën dhe në anën tjetër të peshores Rusinë dhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, peshorja do të anojë nga ana e Kosovës.  

Serbia gjithnjë ka luajtur me kartën e Rusisë. Sikur Serbia të kishte një konfiguracion gjeografik, ta zemë aty ku sot është Bjellorusia, mund të ishte e justifikuar karta ruse, por Serbia harron se ndodhet në zemër të Europës.  

Sa për Greqinë, kjo pritet të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës, nisur nga fakti se në Greqi jetojnë rreth 1 milion shqiptarë të Shqipërisë, po ashtu edhe nga problemet e brendshme që lidhen me krizën ekonomike, ku Greqia për të siguaruar stabilitet ka marrë një mbështetje thelbësore nga SHBA dhe BE.

Ndërsa Vuk Jeremiç dhe Serbia luan me kartën e Rusisë, Kosova do të luajë me kartën e SHBA dhe 22 vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën, dhe kur Vuk Jeremiç dhe Serbia krenohet me Rusinë, Kosova krenohet me SHBA dhe 22 vendet e BE-së. Edhe sipas matematikës të thjeshtë, edhe sipas gjuhës të gjeopolitikës, kësaj here do të dalë e fituar Kosova.

Por, edhe kur peshorja të anojë në favor të Kosovës, nga rezultati i arritur del se e mira e Kosovës ( pavarësia ) nuk është e keqja e Serbisë. E mira e Kosovës është e mira e rajonit, ku përfshihet edhe Serbia. Zyrtarizimi i njohjes së Kosovës do t'i japë fund njëherë e mirë ankthit të Serbisë ushqyer prej ultranacionalizmit serb, duke e bërë Serbinë që të fokusohet në të ardhmen e saj, e cila siç deklarojnë zyrtarët më të lartë serbë i takon BE-së.

Sa për fatin dhe të ardhmen e Kosovës, ai është i lidhur ngushtmërisht dhe pazgjidhshmërisht me Perëndimin, SHBA-të, NATO-n dhe BE. Ndërsa karta e Kosovës është integrimi në BE dhe NATO në alancë me aleatët e saj ekzistencialë.
ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.