VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve


SHQIPËRIA NDRYSHE NGA ÇEKIA

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

E Shtunë, 08.07.2010, 07:39pm (GMT1)



Para dy ditësh pothuaj të gjitha agjencitë e lajmeve bënë të ditur se autoritetet çeke kishin tërhequr nga detyra diplomatin e tyre që ushtronte detyrën në republikën e Maqedonisë, pasi emri i tij ishte publikuar në listën e ish-agjentëve të shërbimit sekret ushtarak të kohës së komunizmit. Lista e ish-agjentëve dhe krerëve të lartë të shërbimit ushtarak sekret të kohës së komunizmit u publikua nga Instituti Çek për zbardhjen e periudhës totalitare.

Emri i ish-spiunit diplomat u botua me emër dhe mbiemër, pa çarë krye për diskreditimin e personit, të cilit pas këtij zbulimi i hiqet e drejta për të shërbyer në diplomacinë e Çekisë.

Çekia vazhdon të ecë e sigurt në konsolidimin e shtetit demokratik përmes motos së Vaslav Havelit se: "E vërteta dhe dashuria duhet të mposhtin gënjeshtrat dhe urrejtjen".

Krejt ndryshe është situata në Shqipëri, ku e vërteta e regjimit më totalitar të Evropës Lindore vazhdon të fshihet, duke u mposhtur prej gënjeshtrave dhe prej ish-spiunëve të Sigurmit, të cilët vazhdojnë të bëjnë karrierë duke uzurpuar postet më të larta në administratën publike dhe diplomaci.

Në Shqipëri qarkullon një listë e gjatë pseudonimesh, për persona që ushtrojnë funksionet e tyre në detyra shtetërore. Sigurisht, që me listën e gjatë të pseudonimeve ka mundësi për spekulime, por këto spekulime nuk mund të rreshtin përderisa dosjet dhe listat e ish-spiunëve ruhen dhe mbrohen duke shkelur çdo princip të një shteti që sot është anëtar i NATO-s.

Disa herë është tentuar pa sukses që të futet në Parlament ligji për zbardhjen e figurës së zyrtarit të administratës së lartë shtetërore, por në të gjitha rastet është gjetur një kleçkë që ligji i zbardhjes të figurave të mbahet në sirtar.

Ndryshe nga Çekia që pastron administratën e shtetit të saj demokratik nga çdo figurë e komprometuar nga e shkuara, në Shqipëri dëshmohet gatishmëri që të sakrifikohet shteti demokratik për këto figura të komprometuara të cilat politika i përdor sa herë që e lyp nevoja.

Ndërsa Çekia zgjidh çdo enigmë të së shkuarës totalitare duke zbardhur çdo skutë të ndyrë të saj, në Shqipëri edhe pas njëzet vjet tranzicioni, skutat e errëta të diktaturës kanë mbetur të zeza siç kanë qenë gjatë sistemit totalitar.

Ndërsa Çekia zbardh emër për emër çdo person që ka qenë pjesë e sistemit të urryer diktatorial, në Shqipëri deri më sot nuk është zbuluar asnjë emër publik, ndërsa nëpër korridore qarkullojnë pseudonimet e emrave të politikës, të cilët vazhdojnë të ngjisin shkallët e karierës.

Ashtu si Çekia, arkivat e shërbimeve të fshehta të regjimeve totalitare, i kanë hapur pothuaj të gjitha vendet e Evropës Lindore që sot janë pjesë e NATO-s dhe BE-së, ndërsa Shqipëria i ruan me fanatizëm emrat e inkriminuar gjatë regjimit totalitar, shumë prej të cilëve mund të jenë duke ushtruar detyra shtetërore, ashtu si edhe ish-diplomati çek të cilin shteti i tij e dogji, pasi një njeri i përfshirë në listën e ish-agjentëve të shërbimit të diktaturës, nuk ka të drejtë që të ushtrojë detyra në administratën shtetërore.

Për hapjen e Dosjeve dhe Arkivave të periudhës së diktaturës është shprehur shumë herë edhe shkrimtari Ismail Kadare, shqiptari me famë më të madhe kontemporane, por fakti që Ismail Kadare ndryshe nga Vaclav Haveli, nuk pati detyrë shtetërore, ka bërë që mjerisht zërin e tij nuk e ka dëgjuar askush.

Ndoshta, me një ndihmë teknike nga Çekia, është plotësisht e mundshme që Shqipëria, sado vonë, tashmë anëtare e NATO-s, në prag të çfarëdo kandidimi të pritshëm në Bashkimin Evropian, të ketë edhe ajo një ligj të saj, sa pranueshëm për aleatët perëndimorë, edhe të përshtatshëm për kushtet e brendshme të vendit, në mënyrë që përfundimisht ta bëjë shkëputjen e plotë nga e shkuara.

Është e drejtë themelore e qytetarëve të Shqipërisë ta dinë se për kë në të vërtetë kanë votuar, se për kë ata i kanë paguar taksat dhe se kë kanë majmur në kolltukët e pushtetit në këto vite të pluralizmit. Kjo e drejtë themelore të mos iu mohohet më, në mënyrë që të vendosin me sy në ballë se kujt do t'ia japin shansin për të qeverisur në të ardhmen.





ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.