Voal-online - Në kontekstin e fushatës zgjedhore, Presidenti i Shqipërisë bëri një demonstrim dje në zyrat e pajisjes me karta identiteti (letërnjohtime) në Tiranë. Dhe iu bëri thirrje kryeqytetasve e të gjithë qytetarëve të vendit që të pajisen me kartat e reja të identitetit, tashmë për herë të parë pas një çerekshekulli. Në një farë mënyra, pra, historia e kartës së identitetit simbolizon edhe vetë procesin e tranzicionit në Shqipëri. Një veprim demonstrativ bënë dje edhe ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, të cilët shkuan në një zyrë të tillë dhe bënë të njëjtën thirrje, gjithnjë para kamerave. Pak kohë më parë këtë e pati bërë ambasadori i OSBE-së në Tiranë. Edhe partitë politike po iu bëjnë thirrje qytetarëve të pajisen të gjithë karta identiteti dhe të votojnë në masë në zgjedhjet e 28 qershorit. Votimet në shoqëritë pluraliste përbëjnë ushtrim të drejtpërdrejtë të pushtetit nga ana e qytetarëve në moshën e votimit. Qytetarët e Shqipërisë, prej shumë vitesh, në mënyrë masive, nuk e ushtrojnë këtë mundësi. Nga ana tjetër, në shoqëritë pluraliste, lind edhe e drejta jo vetëm për të votuar për kë të duash, por edhe që të mos votosh fare. Nuk mund të thotë askush se qytetarët shqiptarë nuk janë aq të vetëdijshëm sa të kuptojnë se mospjesëmarrja në votime ka vepruar si bumerang kundër tyre. Ata e dinë se kështu do të ndodhë edhe më tej. Megjithatë, kanë arritur në përfundimin se veprimi më i mirë është mospjesëmarrja në votime. Politika shqiptare dhe ndërkombëtarët bëjnë sikur nuk e kuptojnë psenë e mosvotimit të shqiptarëve. Ata nuk ia kanë shtruar asnjëherë vetes pyetjen: Nëse ambicjet dhe interesat e politikanëve, të të gjitha kontigjenteve që kanë bërë politikën gjatë tranzicionit, janë përmbushur në mënyrën më se të kënaqshme, sa është kjo kompatibile me përmbushjen e interesave të qytetarëve shqiptarë. Kjo pyetje duhet të shtrohet edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe kudo që ka shqiptarë. Dhe përgjigja e sinqertë mund të jepet vetëm nëse pyetja e mësipërme shtrohet në mënyrë të sinqertë.