VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Editorial Një vit pas Gërdecit E Djelë, 03.15.2009, 09:19am (GMT1) Voal-online - Sot mbushet një vit nga ngjarja e Gërdecit e 15 marsit 2008. Ishte një nga ato ngjarje të cilat e kapin në befasi gjithkënd. Ishte nga ato ngjarje të cilat, sapo ndodhin, shtrojnë pyetjen: A mund të parandalohej? Është një pyetje sa individuale aq dhe kolektive. Përgjigja më e mirë ndaj kësaj pyetjeje është që ajo të mos përsëritet më në asnjë formë dhe në asnjë përmasë. Nëse shoqëria është e vendosur të tregohet e përgjegjëshme, nëse ajo gjen forca brenda vetes për t'u treguar e përgjegjëshme, atëherë është e sigurtë se do t'i parandalojë ngjarjet e tilla. Ajo që ndodhi një vit më parë në Gërdec ishte një katastrofë. Të gjithë duhet të përpiqemi ta emërtojmë atë në pamjen e saj të vërtetë, pa e përçudnuar dhe pa e sfumuar. Nëse ia arrijmë kësaj, atëherë do t'ia arrijmë edhe objektivit që të tilla apo të ngjashme të mos ndodhin kurrë në Shqipëri. Përgjegjshmërinë e saj shoqëria e dëshmon edhe duke e mbyllur sa më shpejt plagën në fjalë, si në aspektin fizik, edhe në aspektin shpirtëror, si në kontekstin e ngushtë të Gërdecit, ashtu edhe në kontekstin e gjerë të hapësirës së vendit. Duhet të bëjmë gjithçka që gërdecarët dhe të tjerët që pësuan drejtpërdrejt nga kjo tragjedi, të riintegrohen, në mënyrë sa më të shëndetëshme, në të gjitha kuptimet, në jetën e tyre familjare, në jetën e shoqërisë, të punës e kudo. Duke krijuar këtë klimë ne ia bëjmë të mundur edhe drejtësisë që ta thotë fjalën pa u ndikuar nga asnjë kontekst tjetër, por thjeshtë dhe vetëm tek e vërteta e mirëfilltë e Gërdecit. Kështu shmangen të gjitha pasojat e mëtejshme të Gërdecit dhe vendi e shoqëria dalin shëndosh nga një katastrofë e tillë. |
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |