VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
BISEDIMET PRISHTINË-BEOGRAD DHE STATUSI I KOSOVËS Nga FATON BISLIMI E Djelë, 09.12.2010, 10:11am (GMT1)
Që nga ndryshimi i draft-rezolutës së Serbisë paraqitur OKB-së pas negociatave me Brukselin dhe që nga aprovimi i rezolutës së ndryshuar, në mediet e Kosovës vërshuan kryetituj pozitiv për Prishtinën në aspektin diplomatik. Ndryshimi së pari, dhe aprovimi i tekstit të ndryshuar të rezolutës serbe në OKB u konsideruam si fitore e diplomacisë së Kosovës dhe disfatë për Serbinë. Bile, disfatë për Serbinë u konsiderua edhe pamundësia e tyre që të kushtëzojnë punimet e seancës së Asamblesë së Përgjithëshme me largimin nga salla të delegacionit shtetëror të Kosovës.
Mirëpo, me një analizë pak më të hollësishme, shihet se rezoluta serbe nuk sjellë asgjë fundamentalisht të re për Kosovën. Ajo merrë në dijeni qëndrimin e GJND-së, dhe kjo ka qenë pika kyçe që për Kosovën konsiderohej shumë pozitive. Mirëpo, rezoluta po ashtu thërret për bisedime ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe nuk përcakton as formatin, as çështjet, e as mënyrën e bisedimeve. Cili do të jetë niveli i delegacioneve në këto bisedime? A do të ndërmjetësohen dhe kush do t'i ndërmjetësojë këto bisedime? Cilat janë çështjet që do të diskutohen? Fundja, me marrje në dijeni apo jo të vendimit të GJND-së, rezoluta serbe e arriti misionin e vet. E vuri Prishtinën para një akti të përkrahur ndërkombëtarisht për të hyrë ne bisedime me Serbinë. Normalisht, rezoluta nuk thërret për bisedime për statusin e Kosovës dhe për palën kosovare ky është suksesi pamundësia që Beogradi të ketë në dorë një dokument të aprovuar ndërkombëtarisht që kërkon bisedime për statusin. Mirëpo, as marrja në dijeni dhe njohja e vendimit të GJND-së nuk thotë se Serbia e njeh shtetësinë e Kosovës. Realisht, vendimi i GJND-së nuk prejudikon njohjen apo mosnjohjen e Kosovës nga asnjë vend i botës. Tutje, ajo që duhet rikujtuar është fakti se si arriti bashkësia ndërkombëtare të sjellë në tavolinë bisedimesh Prishtinën dhe Beogradin nën ndërmjetësimin e Ahtisaarit. As në atë kohë nuk thuhej decidivisht se po bisedohej për pavarësinë apo shtetësinë e Kosovës. Realisht thuhej se po bisedohej për të gjetur një kompromis që do të kënaqte të dy palët. Prishtina insistonte se po bisedohej për pavarësinë dhe modalitetet e saj, njësoj siç insistonte Beogradi se po bisedohej për një autonomi substanciale për Kosovën në kuadër të Serbisë dhe asgjë më shumë. Dhe, dihet si përfunduan këto bisedime. Kosova e arriti pavarësinë, përkundër çmimit goxha të lartë që iu desh ta paguajë - pranimit të Pakos së Ahtisaarit. Edhe bisedimet e sërishme Prishtinë-Beograd që kërkohen nga kjo rezolutë e OKB-së, që ishte e bashkësposonrizuar nga BE dhe Serbia, do të shihen si bisedime për çështje të ndryshme nga secila palë. Mirëpo, ka disa gjëra që duhet ta brengosin Prishtinën më shumë se sa ta kënaqin atë në lidhje me ketë rezolutë. E para"”është brengosës fakti që BE e perkëdheli aq shumë Serbinë për të ndryshuar tekstin e rezolutës në mënyrë që ajo të kalonte ne OKB. Ky veprim i BE e sinjalizon Beogradin se gjërat nuk mund të ecin siç duhet, të paktën jo në Ballkan, pa izën e Serbisë. E për politikën e Beogradit, ky është sinjal shumë domethënës të cilin ata dijnë fare mirë ta shfrytëzojnë për benefite të veta. Do të kishte qenë më mirë që BE të mos e perkëdhelte kaq shumë Serbinë për të ndryshuar rezolutën, por thjeshtë të dënonte atë duke pamundësuar kalimin e kësaj rezolute në OKB. Angazhimi i Kosovës përmes lobimit tek vendet e rajonit, për të bindur BE-në se Serbia nuk është më e rëndësishme se i gjithë rajoni, ka munguar. Ka munguar, po ashtu, edhe involvimi i duhur i SHBA-ve në këtë drejtim. Për Kosovën, shumë më i favorshëm ka qenë qëndrimi i SHBA-ve sesa ky i BE-së, sepse SHBA-të menjëherë u vunë në ofensivë kundër rezolutës serbe dhe pa përkrahjen e BE-së ka qenë e pamundur që kjo rezolute të kalonte në OKB. E dyta"”qëllimi i Beogradit për t'i dhënë bazë të legjitimuar ndërkombëtarisht, në një far forme të paktën, bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, përmes kësaj rezolute të OKB-së, më në fund u arrit. Beogradi e hapi derën e bisedimeve me Kosovën. Normalisht, në shikim të parë nuk ka të keqe këtu se fundja, Kosova dhe Serbia kanë shumë çështje të pazgjidhura për të cilat duhet të bisedojnë. Mirëpo, a është dashur të ketë një rezolutë të OKB-së për këto bisedime? Dhe, kush do t'i përcaktojë temat e bisedimeve. Rezoluta mirëpret involvimin e BE-së në ndihmesën e këtyre bisedimeve, por nuk i jep asaj rol udhëheqës dhe as moderues vetëm ndihmues. Andaj, bisedimet do të fillojnë më tema që janë të pranueshme si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën pa prekur drejtëpërsëdrejti statusin e Kosovës. Mirëpo, do të vijë koha kur çështja e statusit do të hapet"”Serbia asnjëherë nuk do të lë këtë anash. Dhe, atëherë Kosova mund të tërhiqet nga bisedimet sepse nuk ka çfarë të bisedojë për statusin"”që dmth se nuk do të respektojë rezolutën e OKB-së për bisedime. E kjo, përsëri do ta paraqesë Serbinë si palën konstruktive. E treta"”për të mos lejuar dështim të bisedimeve kur në pyetje do të vijë statusi, BE do të insistojë edhe njëherë që Serbia të heqë dorë nga diskutimi i statusit të Kosovës dhe të fokusohet në diskutimin për serbët brenda shtetit të ri. Atëherë, nga BE do t'i ofrohet edhe një karrotë Serbisë për vazhdim bisedimesh, dhe si rezultat do të bëhet presion edhe mbi Kosovën që të lejojë të diskutohet për një status special të serbëve në Kosovë, një lloj "decentralizimi plus" që realisht do të krijonte një "Republika Srpska II" në veri të Kosovës. Prandaj, është çudi se si ende BE nuk është mësuar me politikën serbe ua jep dorën dhe ta marrin gjithë krahun. Bashkësia ndërkombëtare nuk ndërhyri me vendosmërinë e duhur kur Serbia tentoi të marshojë ushtarakisht drejtë Sllovenisë kur kjo e fundit shpalli pavarësinë, por e perkëdheli Serbinë duke vazhduar ta njohë atë si fuqi të rendësishme në tanimë ish-Jugosllavi. Dhe, si rezultat, Serbia nuk u paqësua, por përkundrazi marshoi me brutalitet drejtë Bosnjës e Kroacisë. Bashkësia ndërkombëtare përsëri u tregua e paaftë ndaj politikës dinake serbe, duke i mundësuar Beogradit krijimin e Republike Serbe në vend se ta dënonte atë për krimet e bëra gjatë luftës në atë rajon. Përsëri, Beogradi veç sa u forcua dhe ushtarakisht deshi ta zhbijë popullin shqiptar të Kosovën, ku më në fund u ndesh me përgjigje ushtarake të botës demokratike, të udhëhequr nga SHBA-të. Mirëpo, përsëri, me ndërhyrjen e BE-së, edhe pas pavarësimit të Kosovës, Serbia po shpërblehet dhe nuk po dënohet Beogradi përfitoi nga liberalizimi i vizave me BE-në, përfitoi nga plani i decentralizimit në Kosovë, dhe tani për kërkon ende më shumë. Këtë po e bën thjesht se po ia mundëson BE-ja. Atëherë, i mbetet për barrë Prishtinës që të përgatitet për këto bisedime duke qenë e vëmendëshme për qëllimin përfundimtar të tyre. Këto bisedime nuk do të jenë as të lehta e as të shkurtëra. Dhe oferta përfundimtare e BE-së, si ndihmuese e këtyre bisedimeve, ndaj të dy palëve mund të jetë kjo: nëse doni të jeni në BE, keni vetëm një rrugë Serbia duhet të njohë Kosovën apo të paktën ta shlyejë nga të gjitha dokumentet e saja zyrtare (si Kushtetuta, aktet tjera ligjore etj.), dhe Kosova duhet të ofrojë një lloj statusi special për serbët e Kosovës (psh. një lloj Republikë Serbe II në veri). Nëse Prishtina ishte e gatshme të paguajë pavarësinë me Pakon e Ahtisaarit, ka mundësi që anëtarësimin në BE ta paguajë me një lloj humbje të veriut dhe ky do të ishte çmim tepër i lartë për shtetësinë e Kosovës. FATON BISLIMI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |