VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial Politika në Shqipëri pa vonesë të kërkojë kandidimin e vendit për në BE
E Martë, 03.17.2009, 06:13pm (GMT1)

Voal-online - Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE) është objektiv i përbashkët i të gjitha forcave politike të Shqipërisë, pra i gjithë politikës së këtij vendi. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye të mos humbet më kohë, por të gjendet pika e përbashkët, në radhë të parë, midis forcave kryesore politike që të bëjnë kërkesën për kandidimin e Shqipërisë për në radhët e Bashkimit Evropian. Nëse kërkesa bëhet nga pozita dhe opozita së bashku, mbi bazën e zotimit të përbashkët për të realizuar zgjedhje të standardeve plotësisht perëndimore më 28 qershor, kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të ishte absolutisht e paqortueshme. Askush në Bruksel, në Pragë, në Stokholm apo diku tjetër në Perëndim nuk do të thoshte se kërkesa është e pavend apo e pakohë, nuk do të thoshte se është e ngutur apo e papjekur, nëse ajo bëhet në pajtim (konsensus) të plotë midis forcave kryesore politike të vendit, në pozitë dhe në opozitë. Pa ia dhënë asnjë ngjyrim përfitues elektoral, politika e Shqipërisë duhet të manifestojë, duhet të dëshmojë se ka nxjerrë mësime të bollshme, se ka arritur tashmë një stad të tillë të pakthyeshëm në marrjen përsipër të çuarjes përpara të proceseve të vendit. Ky është argumenti më i fuqishëm, më bindës dhe më i pakundërshtueshëm për t'ia hapur rrugën Shqipërisë që të jetë tashmë në radhën e parë të vendeve që do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, duke i lënë sa më mbrapa vendet e tjera të rajonit perëndimor të gadishullit të Evropës Juglindore, të cilat janë tepër të gatshme dhe tepër të prirura të përfitojnë nga gjithfarë koniunkturash për ta lënë prapa Shqipërinë. Prandaj një humbje shansi nga Shqipëria do të ishte edhe një herë e pafalshme për klasën e sotme politike të Shqipërisë, veçanërisht për forcat kryesore politike, në pozitë dhe në opozitë.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.