VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
NË Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ E Enjte, 09.23.2010, 04:07pm (GMT1) Për mirësjellje ndaj lexuesit, iu kam lakuar e dredhuar, iu kam lakadredhuar trajtave të tjera figurative të shqipes si "rrugë pa krye", "rrugë pa rrugë", "rrugë e verbër (qorre), "rrugë e madhe" apo trajtave të tjera me sinonim "udhë". Si mund të vihet në pyetje, do të thoshte dikush, procesi i njohjeve të Kosovës, kur në Nju Jork ndodhen delegacionet shtetërore komplete (tërësore) të Shqipërisë dhe Kosovës, kur lobimi i Tiranës dhe i Prishtinës është kështu në kulmin e tij. E prandaj, bash për këtë fakt unë nuk e kam shtruar pyetjen në format "a ka hyrë në rrugë pa krye", "a ka hyrë në rrugë pa rrugë", "a ka hyrë në rrugë të verbër (qorre)", "a ka mbetur në rrugë të madhe" procesi i njohjeve të Kosovës. Pyetja ime, më e përbërë se sa më sipër, është rreth ndikimit të rezolutës për Kosovën në këtë proces, pra: a është duke ndikuar ajo pozitivisht në këtë drejtim apo si është duke ndikuar. Mendimi im ka qenë më parë se kjo rezolutë më e mira ishte të tërhiqej dhe të mos futej fare në diskutim, në asnjë mënyrë e në asnjë formë në Asamblenë e Përgjithshme. Por kjo nuk ka ndodhur, opinionet gazetare nuk kanë fuqi ekezekutive, prandaj edhe nuk ka më rëndësi. Rëndësi ka të dimë, të bëhemi të vetëdijshëm rreth shkallës së pengesës që e shkakton kjo rezolutë. A do të rrinë prapë duke pritur - tashmë rezultatet e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë - ato vende të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ato e kanë pasur një vit të tërë në majë të gjuhës se do të marrin vendim vetëm pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. E kanë pasur pastaj në majë të gjuhës se do të marrin vendim vetëm pas daljes së rezolutës së re në Asamblenë e Përgjithshme. A e kanë këto ditë prapë në majë të gjuhës se do ta marrin vendimin për njohjen a mosnjohjen e Kosovës vetëm pas përfundimit të bisedimeve të reja mes Beogradit dhe Prishtinës? Këtë mund ta thonë pjesëmarësit në delegacionet e Tiranës dhe të Prishtinës këto ditë në Nju Jork. Dhe do të dinim se a ka shkaktuar ngecje, a ka shkaktuar ngadalësim, a ka shkaktuar dëme të tjera në procesin e njohjes së Kosovës rezoluta dhe bisedimet e reja që rrjedhin prej saj? Dikush mund të thotë hajt se po e pati të keqen në rrafshin e jashtëm, kjo rezolutë e ka të mirën në rrafshin e brendshëm, pra të rregullimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta midis Kosovës dhe Serbisë, në ndërprerjen e futjeve të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, në ndikimin e Serbisë në stabilitetin, qetësinë e brendshme të Kosovës e tjerë. Kjo hamendje do ta shndërronte Kosovën thjesht në koniunkturë të Serbisë, se pa konsolidim në rrafshin e jashtëm, Kosova do të jetë ditë e natë një thelë e lakmuar prej Serbisë. Tash rrafshi i jashtëm a është marrë peng pres Serbisë? A nuk vazhdon t'iu thotë Serbia vendeve të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën: pritni sa të marrin fund bisedimet, sepse nuk i dihet nga do t'ia mbajë Kosova? Në këto rrethana çdo lobim i Prishtinës dhe Tiranës për njohje të reja të Kosovës do të ishte pa dobi. Lobimi në Nju Jork është nga ata me koston më të ulët. Po edhe nëse lobimi do të bëhej në formë presingu, me mbulim një për një, duke u ngulur në selitë e qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rezultatet nuk do të ishin tjetërfare. Kryeministri i Kosovës, për shembull, në mënyrë boll të bujshme shkoi në Katar, takoi kreun e atij shteti, mori premtime se pasi të bëhen formalitetet, menjëherë do ta njohin Kosovën, varg pas Katarit edhe plot vende të tjera arabe e joarabe, por deri sot asgjë. Edhe sikur krerët tanë do të nguleshin me tenda në oborret e selive qendrore të qeverive përkatëse, edhe sikur të shoqëroheshin me bodigradet më të magjishme, më perritë e dynjasë, prapë kjo nuk do të sillte gjë të re. Ndoshta njohjet e reja do të vijnë bash tashi, këto ditë kur delegacionet tona shtetërore ndodhen në Nju Jork. Vargu i ri i njohjeve është lënë, do të thonë, enkas për këto ditë. Do ta ndjeja veten të mrekulluar, do ta ndjeja më të lumturin e botës, sikur këto njohje të vërshonin bash në këto çaste kur unë po shkruaj, apo tash e deri kur ky shkrim të jetë publikuar. Kështu do të ndjeheshin edhe miliona shqiptarët e tjerë në atdhe apo anembanë botës. Vijnë apo nuk vijnë njohjet këto ditë, megjithatë përgjigja e shtruar nga unë në krye të shkrimit, edhe kjo pa shenjën e pikësimit në fund, do të gjejë përgjigjen bash gjatë kohës kur në Nju Jork ndodhen delegacionet tona. Nga bisedat me homologët prej vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën përfaqësuesit tanë do ta kuptojnë se a ka ndikuar, si ka ndikuar, sa ka ndikuar rezoluta në procesin e njohjeve të Kosovës. Dhe pastaj do të ndërtohen strategji të reja të Tiranës dhe Prishtinës në përputhje me realitetin e prekshëm dhe jo më mbi realitete të stisura. E nuk do të kenë as pse të ma marrin për rëndë mua se po ua përçudnuakam tej mase rezolutën. Botuar tek Bota Sot më 21 Shtator 2010 NË Ç'RRUGË KA HYRË PROCESI I NJOHJEVE NË LDK ASGJË E RE, ASGJË E RE NË LDK HISTORIA NUK ËSHTË E PARTIVE, PARTITË JANË PJESË E HISTORISË E NGRIRË KOSOVA NUK MUND TË HYJË NË BISEDIME TË REJA Nga
SKËNDER BUÇPAPAJ PA ZBARDHJEN E HISTORISË DISIDENCA SHQIPTARE NUK DO TA FITOJË QYTETARINË PËR INAT TË KOSOVËS, SERBIA ËSHTË GATI TË BËJË ÇFARËDO HARAKIRI Nga
SKËNDER BUÇPAPAJ LERENI KOSOVËN SHËNDOSH, NËSE E DONI SHËNDOSH
BALLKANIN, EVROPËN... Nga SKËNDER BUÇPAPAJ KOSOVA DHE NJOHJET - GJEOPOLITIKA TJETËR MË
TEPËR SE NJË GJETJE FORMULE, NJË THYERJE TABUJE Nga SKËNDER BUÇPAPAJ VERIU I KOSOVËS, FUSHËBETEJA E FUNDIT? Nga SKËNDER BUÇPAPAJ NË HORIZONTE ENDE ASNJË RRETHANË OPTIMALE PËR
BISEDIME
MARRËDHËNIET ME NDËRKOMBËTARËT SHPREHIN AFTËSINË SHTETËRORE TË KOSOVËS SKËNDER BUÇPAPAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |