VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Editorial Ushtarakët spanjollë nuk do të ndihen në Spanjë më mirë se në Kosovë
E Shtunë, 03.21.2009, 09:00am (GMT1)

Voal-online - E përballur me opinionet e saj të brendshme, Spanja mori një vendim tjetër koniunktural politik. Ajo vendosi t'i tërheqë trupat e saj nga Kosova deri në fund të verës. Ushtarakët spanjollë janë bashkë me kolegët e tyre të NATO-s në përbërje të KFOR-it. Ashtu si të gjithë kontigjentet e KFOR-it, edhe kontigjentet spanjolle gjatë këtyre viteve që ndodhen në Kosovë, janë rrethuar nga dashuria e popullit të Kosovës, i cili nuk ua harron kurrë ndihmesën që kanë dhënë për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe sovrane, në themelet e së cilës është gjithsesi edhe ndihmesa spanjolle. Ashtu si dikur bijtë e Kosovës shkonin në fushën e betejës, kur i thërriste zëri i spanjollëve. Prandaj nënvizojmë me kaq siguri se ushtarakët spanjollë, duke u rikthyer në atdheun e tyre, nuk do të ndihen aspak më mirë se në Kosovë. Dihet botërisht se suksesi që ka pasur misioni i NATO-s në kuadrin e KFOR-it dhe misioni ndërkombëtar në përgjithësi, i detyrohet pikërisht popullit të Kosovës, dinjitetit të mikpritjes së popullit të Kosovës, i cili mirënjohjen e ka mirënjohje. Populli i Kosovës ka një histori po aq të pasur dhe po aq të admirueshme sa edhe populli spanjoll. Fatet e popujve takohen dhe ritakohen sërish. Veprimi i Spanjës, gjithsesi, do të mbetet një veprim koniunktural që nuk do ta shpërblejë popullin spanjoll as në rrafshin e brendshëm dhe as në rrafshin ndërkombëtar. Nga ana e tij, populli i Kosovës i falënderon ushtarakët spanjollë për qëndrimin e tyre në Kosovë, për rolin e tyre në kuadrin e misionit ndërkombëtar ushtarak dhe për të gjitha ndihmesat që kanë dhënë gjatë këtyre viteve. Natyrisht, e përsërisim dhe e ripërsërisim se spanjollët, ashtu si të gjithë të tjerët që dhanë e do të japin ndihmesën për Kosovën e pavarur dhe sovrane, anëtare në të ardhmen e shpejtë në NATO e  në BE, përvoja e Kosovës do të mbetet më e paharrueshmja, pikërisht falë mikpritjes që di ta dëshmojë vetëm populli liridashës e paqedashës i Kosovës.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.