Editorial: 24 marsi 1999 është një datë e pazëvendësueshme në historinë e njerëzimit
E Hënë, 03.23.2009, 08:18am (GMT1)
Voal-online Dhjetë vjet më parë, më 23 mars 1999, Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana ia jepte "go-ahead" (lejen) forcave ajrore për t'i filluar bombardimet mbi makinerinë e luftës e Milosheviçit. Të nesërmen, më 24 mars 1999, në orën 19:00, nata ndërmjet kësaj date dhe 25 marsit 1999 u shndërrua në ditë nga bombarduesit e NATO-s.
Pak më vonë, në ekranet televizive në mbarë botën, u shfaq Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, i cili, konfirmoi urdhërin e dhënë në cilësinë e Komandantit të Forcave të SHBA, në cilësinë e vendit kampion të lirisë, demokracisë, të drejtësisë, që makineria e luftës e Millosheviçit dhe e përkrahësve të tij të përballej me aleancën më të fuqishme ushtarake të të gjitha kohërave, NATO-n. Njerëzimi ishte dëshmitari më i mirë se veprimi i atij 24 marsi ishte absolutisht i pazëvendësueshëm në historinë e tij. Njerëzimi ishte dëshmitari më i mirë i veprës kriminale të cilën Milosheviçi e vazhdoi përgjatë 78 ditëve të fushatës së bombardimeve. Milosheviçi përzuri nga Kosova gjatë atyre ditëve për në Shqipëri dhe për në Maqedoni 1 milionë shqiptarë, qindra mijë shqiptarë të tjerë u përzunë nëpër pyjet dhe përrenjtë e Kosovës. Gjatë atyre 78 ditëve Milosheviçi e kulmoi egërsinë e saj ndaj kombit shqiptar në Kosovë, duke e mbjellë Kosovën me varreza të panumërta masive. Mbi dhjetë mijë shqiptarë të pafajshëm u masakruan në mënyra më të pashembullta të barbarisë gjatë asaj pranvere të vitit 1999. Në mesin e qershorit 1999 forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke ia sjellë, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, lirinë e merituar këtij vendi dhe këtij populli. Kosova e kaloi me dinjitet edhe periudhën e protektoratit ndërkombëtar dhe më 17 shkurt 2008, në bashkërendim me aleatët perëndimorë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpalli shtetin e saj të pavarur dhe sovran. Një vit pas kësaj date Kosova dëshmon përditë e më shumë synimet e saj për të qenë sa më shpejt në radhët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Në këto vite pas 24 marsit 1999 njerëzimi është dëshmitar se Milosheviçi e vazhdon armiqësinë ndaj Kosovës, duke mos nxjerrë mësimet e duhura nga shekujt e fqinjësisë me Kosovën dhe me kombin shqiptar, duke mos nxjerrë mësimet e duhura nga shekulli i robërisë në të cilën e mbajti Kosovën, duke qenë një pushtuese tejet barbare, duke mos nxjerrë mësime nga 24 marsi 1999, një datë prej së cilës ka nxjerrë mësime mbarë njerëzimi. Ka nxjerrë para së gjithash mësimin se proceset e pandalshme mund të vonohen, mund të pengohen, por kurrë nuk mund të ndalen. 24 marsi 1999 ia dha njerëzimit mësimin se, pa ua dhënë shqiptarëve peshën e duhur në kuadrin e proceseve rajonale në gadishullin e Evropës Juglindore, nuk do të ketë stabilitet në këtë rajon as në kontinent dhe më gjerë. Për shqiptarët 24 marsi 1999 është data e pazëvendësueshme e mirënjohjes ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve perëndimorë, është data e pazëvendësueshme e përbetimit për integrime të suksesshme fqinjësore, evropiane e perëndimore, për një rol gjithnjë konstruktiv e paqësor, është data e pazëvendësueshme e përbetimit për të qenë të bashkuar përballë të të gjitha sfidave.
|