VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

OBAMA ZBUT FJALORIN

Nga STUART GOTLIEB, "Christian Science Monitor"


E Premte, 10.15.2010, 04:14pm (GMT1)

 

Një nga aspektet më definuese të strategjisë kundër terrorizmit e administratës Obama, ka qenë përpjekja për të ndryshuar qasjen retorike për kërcënimet terroriste, në veçanti terrorizmin islamik.

"Gjuha, të cilën ne e përdorim, çon peshë", i kishte thënë presidenti Obama televizionit, Al Arabija, një javë pasi kishte filluar punën si president.

Ato që u fshinë prej fjalorit ishin termat e kohës së Xhorxh Bushit, terma si "lufta kundër terrorit," "islami radikal," dhe "xhihadistët".

Strategjia Kombëtare e Sigurisë e hartuar nga Shtëpia e Bardhë për vitin 2010, edhe formalisht e ka zëvendësuar termin "terrorizmi islamik" me "ekstremizmin e dhunshëm."

Qëllimi i ndryshimit semantik ishte i dyfishtë.

Së pari, qëllimi ishte që lufta kundër terrorizmit të definohej si luftë e veçantë kundër Al Kaidës, jo kundër ekstremizmit islamik, për të cilin Obama mendon që ka kontribuar në krijimin e idesë së pas sulmeve të 11 Shtatorit se Amerika është në "luftë kundër Islamit".

Retorika e re, është përshtatur shumë mirë me zgjatjen e dorës së pajtimit që i bëri botës myslimane me qëllim të ndërtimit të "një partneriteti të ri të mbështetur në respektin dhe interesin e dyanshëm".

Së dyti, kjo ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera që të zbutet frika e Amerikës për terrorizmin islamik, të cilin zyrtarët e Obamës besojnë se përdoret më së shumti nga vetë ekstremistët.

Ndryshimi i gjuhës së përdorur në këtë rast është joefektiv.

Tani është e drejtë që të bësh pyetjen nëse përdorimi i gjuhës nga Obama për terrorizmin është verifikuar si i suksesshëm.

Sondazhe të reja tregojnë që nuk është verifikuar i suksesshëm. Sondazhi i parë, Instituti Brookings, në Uashington, tregon se nga maji i vitit 2009 deri në majin e vitit 2010, numri i arabëve të Lindjes së Mesme që shprehin optimizëm në qasjen e Obamës drejt atij rajoni, ka rënë nga 51 për qind në vetëm 16 për qind.

Ndërkaq, ajo pjesë e të intervistuarve që e kanë përshkruar veten si "të diskurajuar" me presidencën e Obamës, është rritur nga 15 për qind sa ishte vitin e kaluar, në 63 për qind sivjet.

Sondazhi i dytë, ai i realizuar nga Qendra "Pew Research", tregon që në gusht të vitit 2010, më pak amerikanë kanë një këndvështrim favorizues për islamin, pikërisht 30 për qind.

Ndërsa, 35 për qind e amerikanëve thonë se islami inkurajon dhunën më shumë se fetë tjera.

Këto trende, që janë jo pak negative, tregojnë dobinë e kufizuar të gjuhës së përdorur në luftë kundër terrorizmit.

Po, terrorizmi është një aktivitet që nxitet nga propaganda, një betejë e vazhdueshme për të fituar zemrat dhe mendjet dhe në të njëjtën kohë të rekrutojë anëtarë të rinj për të luftuar për çështjen e tyre.

Natyrisht, fjalori i përdorur në përballjen me terrorizmin është vital, rezultati kundër-produktiv i retorikës "t'i bëjmë tym fare", e përdorur gjatë administratës së Bushit, është një rast që e konfirmon këtë.

Mirëpo, nëse retorika nuk përshtatet me politikën, apo shfaqet duke u munduar që të zvogëlojë kërcënimet, kredibiliteti dhe kështu edhe efektiviteti në përgjithësi i strategjisë kundër terrorizmit mund të dobësohet.

Duket që Administrata Obama e ka futur veten në një gropë të atillë.

 

Retorika nuk përshtatet me politikën

Kur shikon përtej gjuhës me nuanca dhe premtimeve atraktive, ajo që myslimanët nëpër botë e shohin është një administratë, e cila e ka marrë tatëpjetën në luftën e Afganistanit, duke vrarë civil myslimanë nëpërmjet sulmeve me aeroplanë pa pilot, si dhe një administratë që vazhdon të mbajë mbi një mijë të burgosur myslimanë në Guantanamo, Bagram dhe burgje të tjera, ndërsa e vazhdon përkrahjen e pa kusht për Izraelin.

 

Këto gjëra nuk thuhen për të kritikuar politika të tilla, por për të treguar se ato politika nuk përshtaten me pritjet në rritje të botës myslimane.

Kjo situatë, gjithashtu, vetëm ka turbulluar qëllimin shumë shpesh të përmendur të Obamës për t'i kthyer myslimanët drejt Amerikës dhe për t'i larguar ata nga lëvizjet ekstremiste.

 

Çmimi i zvogëlimit të kërcënimit

Një çmim i madh po paguhet gjithashtu edhe brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës për retorika të shkëputura.

Ndonëse janë mbajtur gati të gjitha taktikat e ashpra të Bushit, Akti i Patriotizmit, vëzhgimet që bëhen pa paralajmërim, arrestime të panumërta, Shtëpia e Bardhë në mënyrë të vazhdueshme e ka zbutur rrezikun e kërcënimeve, madje edhe në kohën e aktiviteteve të shtuara terroriste.

Për shembull, pas rrezikut për shpërthim bombe brenda një avioni ditën e Krishtlindjeve në vitin 2009, Obama e përshkroi të dyshuarin si një "ekstremist të izoluar," pavarësisht lidhjeve të tij me Al Kaidan.

Ndërkaq, reagimi fillestar i kësaj administrate ndaj rrezikut për shpërthim bombe në "Times Square" të Nju Jorkut, në maj të këtij viti, sulm ky që u tentua të realizohet nga një mysliman i Amerikës, i trajnuar në Pakistan, ishte se "ngjarja ishte një rast i vetëm."

Ka pak dyshime që mosgatishmëria e administratës që të flasë sinqerisht rreth terrorizmit islamik ka pasur ndikim edhe në besimin e publikut.

Një sondazh i bërë nga Gallup dhe që u bë publik muajin e kaluar tregon se amerikanët favorizojnë republikanët para demokratëve, sa i përket çështjes së terrorizmit.

 

Koha për të ndryshuar trendin

Obama mori detyrën duke premtuar se do të luftojë një luftë më të mençur dhe më efektive kundër terrorizmit dhe në shumë mënyra edhe e ka bërë këtë.

Instinkti i tij që të vazhdojë taktikat agresive, derisa të zbusë retorikën zjarrvënëse, ishte i mirë. Prapë se prapë, administrata e tij duket se e ka përforcuar mësimin e kohës së Bushit, që ekzagjerimi i kërcënimeve terroriste ka të bashkangjitur dhe një kosto të saj.

Mirëpo, në të njëjtën mënyrë, edhe zbutja e kërcënimeve të tilla e ka çmimin e vet.

Nuk është ende vonë që të përmirësohet ky trend shqetësues. Shtëpia e Bardhë mund të fillojë duke u përqendruar në një retorikë tej mase të siguruar, që në të njëjtën kohë nuk nxirren fitues nga ajo qasje, as në Amerikë, e as jashtë saj.

Gjithashtu, duhet një llogaritje më e sinqertë e kërcënimeve që përballet Amerika dhe hartimi i politikave që konfrontohet me to.

-

Stuart Gottlieb, ish-këshilltar i Politikave të Jashtme dhe hartues fjalimesh në Senatin Amerikan. Tani ai është drejtor i Studimeve Politike në Institutin Jackson për Çështje Globale në Yale.

(http://www.evropaelire.org)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.