VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Princat e kaltër tani martohen me princeshat e kaltëra, Hirushet me Hirushët E Hënë, 04.13.2009, 09:18am (GMT1) Ai i pasur, ajo e varfër ? Iu ka ikur koha gjërave të tilla. Në Amerikë martesat bëhen gjithnjë e më shumë midis të ngjashmëve: për shtresën nga vijnë, për paratë që fitojnë, për arsimin që kanë. - Nuk ka më rëndësi sa e bukur është qerrja, veshja apo këpucët e kristalta që perëndesha e fatit mund të sjellë: Hirushja në Amerikë nuk është e mirseardhur më. Numri i martesave midis partnerëve të klasave të ndryshme shoqërore duket se po bie përherë e më shumë dhe në mënyrë sistematike. Një vajzë me prejardhje të thjeshtë dhe pa ndonjë nivel arsimor ka sot një mundësi statistike gjithnjë e më të pakët t'ia tërheqë vemendjen një Princi të Kaltër apo të gjejë një burrë me diplomë universitare. Dukuria shkon shumë përtej jehonës së një përralle fëminore: duke parë hendekun e madh midis të pasurve dhe të varfërve i cili është thelluar gjatë dhjetëra viteve të fundit, sociologët, ekonomistët dhe politikanët kanë filluar të pyesin se ku do të çojë zmadhimi i kësaj ndarjeje. Kërkimet akademike tregojnë një prirje me dy anë plotësuese të medaljes. Nga njëra anë është puna e hulumtuesve shkencorë si Megan Sweeney (e University of California Los Angeles ) dhe Maria Cancian (University of Wisconsin-Madison), të cilat kanë verifikuar marrëdhënien në rritje midis të martuarve të ardhshëm, femra dhe meshkujve me të ardhëta të pakëta. Nga ana tjetër janë hulumtimet sociologjike si ato të Christine Schwartz e Robert Mare (gjithnjë të UCLA ), të cilat tregojnë se përqindja e martesave midis partnerëve të të njëjti nivel arsimor është rritur në mënyrë të përhershme gjatë 50 viteve të fundit. Ja ku arrijmë tek pyetja kryesore: çfarë pasoje do të ketë kjo prirje në shoqërinë bashkëkohore ? Një studim i ekonomistëve Raquel Fernandez nga New York University dhe Richard Rogerson nga Arizona State University ka faktuar se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës biri i një çifti me diploma universitare ka në mundësi 81 për qind të mbarojë edhe ai universitetin, përkundër 63 për qind sa ka mundësi biri i një çifti të përzier (një prind me diplomë të lartë, prindi tjetër jo ), dhe 30 për qind sa ka biri i dy prindërve pa diplomë të lartë. Duke u nisur nga këto të dhëna, hulumtuesit shkencorë kanë ndërtuar një matës matematik, duke düeshmuar se një pakësim i çifteve të përziera do të provokojë, me kalimin e kohës, një zgjerim domethënë të pabarazisë ekonomike midis familjeve. "Kur renditim në modelin tonë faktorë si shkalla e ndryshme e lindshmërisë e klasave të ndryshme të shoqërisë prindërit më pak të arsimuar kanë në përgjithësi më shumë fëmijë një prej pasojave të shtimit të martesave mes njerëzve me të njëjtin nivel arsimor është se bie numri i studentëve në tërësi," shpjegon Fernandez, "dhe kjo dinamikë mbi tregun e punës priret të zbresë përherë e më shumë rrogat e punonjësve të pakualifikuar në të mirë të atyre që kanë diploma universitare." Fernandez, si bashkautore e një studim pasues të shtrirë në realitetet familjare të 24 vendeve, ka pohuar edhe se, sa më e lartë është shkalla e pabarazisë në një shoqëri, aq më të rralla janë martesat midis klasave të ndryshme. Geoffrey Miller, një psikolog i evolucionit në University of New Mexico, i hedh një tjetër benzinë zjarrit. Ai ia vë gishtin rolit të shkollave të larta private ku studiojnë elitat, çka bëhet përherë e më tepër dukuri në sistemin arsimor amerikan, e në mënyrë të veçantë ai ndalet te ndikimet që kanë provimet e standardizuara të përdorura tashmë prej 50 vitesh në proceset e përzgjedhjeve të kandidatëve. "Në Shtetet e Bashkuara njerëzit inteligjentë priren sot të shkojnë në të njëjtat shkolla," thotë Miller, "ku ndodhen të rrethuar nga njerëz me personalitet të ngjashëm: të rinj të tjerë janë të detyruar të punojnë vetë për të arritur objektivat e tyre për një kohë të gjatë. Pse duhet të habitemi që ata kërkojnë të jenë bashkë ?" Sipas Miller edhe vetë zhvendosjet që bëjnë amerikanët nga një zonë në një tjetër zonë banimi është përcaktuar nga dëshira për të jetuar midis të ngjashmëve. "Një konservator religjioz sot është më e mundshme të zgjedhë që të transferohet në një shtet tradicionalist si Montana, ndërsa një pervers do të priret të gjendet më mirë në një kulturë metropolesh si në New York apo San Francisco." Dhe nënvizon se kjo prirje mund të ketë pasoja shumë pozitive: "Shpresa ime është se një hapësirë më e gjerë e popullsive të bashkuara nga vlerat morale, religjioze dhe politike të ndryshme mund t'u ofrojë individëve mundësi për të zgjedhur më lirshëm lumturinë e tyre."/Elida BUÇPAPAJ Elida Buçpapaj
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |