Politikanët shqiptarë 3000 i kanë një kafe DHA DORËHEQJEN I AKUZUAR PËR 1150-3000 EURO, ISH PRESIDENTI GJERMAN KRISTIAN WULF DEL I PAFAJSHËM
E Djelë, 03.02.2014, 09:55am (GMT+1)

VOAL - Kristian Wulf u shpall zyrtarisht i pafajshëm duke qenë Presidenti i parë në historinë gjermane që dha dorëheqje me akuzën për korrupsion. Më 2012 ai u akuzua për përfitim nga një biznesmen, mik i familjes, në shuma që duken qesharake për mjedisin shqiptar, midis 1150-3000 euro!
Dhe nuk bëhet fjalë për marrje parash, por për privilegje që kanë këtë kosto! Në Gjermani çdo detaj i tillë është vepër penale dhe ndaj Presidenti Wulf u detyrua të japë dorëheqje. Sipas revistës Spiegel, nuk ka rëndësi për drejtësinë nëse bëhet fjalë për 750 apo 7500 euro, ka të bëjë me besimin, ligjin, të drejtën dhe integritetin. Spiegel shkruan se gjithçka ka të bëjë me betimin dhe marrëdhënien midis politikës dhe qytetarëve! Qytetarët presin ti gjykojnë politikanët përtej procedurave dhe kufizimeve ligjore, në integritetin dhe përgjegjshmërinë e tyre.
Gjermanët e kryqëzuan Presidentin e tyre aq sa mbi 50% kërkuan shkarkimin, pothuajse asnjë koleg i tij në CDU ku kishte qenë kryeministër landi dhe zv/kryetar nuk e mbrojti publikisht, dhe madje në një pritje zyrtare me personalitete, aktorë, regjisorë, media etj, më shumë se dy të tretat e të ftuarve refuzuan ti përgjigjen ftesës. Wulf humbi në dy vjet postin e kreut të shtetit, banesën private, bashkëshorten dhe prestigjin, - pra gjithë jetën e mëparshme! Një vendim gjyqi për pafajësi nuk ia kthen këto, - ka vlera vetëm morale dhe statistikore.
Po në Shqipëri? Të gjithë politikanët kryesorë, në qeveri dhe opozitë, - kanë arritur t'i mbyllin dosjet e tyre përmes procedurave teknike gjyqësore, dhe asnjë, absolutisht asnjë, nuk ka dhënë dorëheqje nga politika, nuk është gjykuar nga publiku dhe nuk është refuzuar nga elita publike, media dhe grupimet me ndikim në opinionin publik. Përkundrazi, sa më shumë pushtet, sa më shumë pasuri, aq më shumë respektohen, bëjnë karrierë dhe marrin pushtet tjetër! Një sistem që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë morale dhe funksionale perëndimore, por që i ngjan modelit që po shohim ditët e fundit në Ukrainë, një oligarki që kontrollon gjithçka, bën gjithçka për pushtetin dhe ka si alternativë një oligarki tjetër!
Imagjinoni sikur Wulf të kishte qenë zyrtar shqiptar dhe të akuzohej se kishte shkuar me biletë të paguar me një mik biznesmen...kaq pak? do të pyesnin shumica! Sepse sot, 90% e politikanëve vendimmarrës financohen në rrugë informale nga biznesi, nuk deklarojnë të ardhurat reale dhe në rastin më të parë e përdorin pushtetin për të shpërblyer me poste e tenderë financuesit, besnikët dhe rrethin shoqëror!!! Imagjinoni që drejtësia jonë të kërkojë të pandehur një zyrtar të lartë!! Imagjinoni që deputetë e kolegë politikanë të distancohen nga ndonjë shef i tyre i akuzuar për korrupsion pasiv!!! Imagjinoni një media që në unison bashkohet kundër politikanëve që qoftë edhe në një rast të vetëm kanë kurajë të telefonojnë në media për të ndryshuar lajmin rreth tij!!! Imagjinoni një shtet që ka forcë katarsisi të tillë sa të dërgojë në pension një President 55 vjeçar për diçka që në Tiranë sipas Transparency Internacional e bëjnë 95% e zyrtarëve!!! Imagjinoni....vetëm imagjinoni...sepse përveç imagjinatës nuk na mbetet asgjë tjetër!
AFRIM KRASNIQI
|