BILL GATES - FËMIJËT E MI NUK DO TË PËRFITOJNË NGA PASURIA IME
E Premte, 03.21.2014, 04:22pm (GMT+1)
Bill Gates është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri personale prej rreth 76 miliardë dollarësh, por nuk do t'ia lë gjithë këtë pasuri 3 fëmijëve të tij.
Pjesa më e madhe e pasurisë së tyre do të shkojë për Fondin e bamirësisë, "Bill & Melinda Foundation".Në një rrëfim si asnjëherë më parë, themeluesi i Microsoft-it dhe gruaja e tij, Melinda, kanë folur se si ata janë duke i rritur fëmijët e tyre.
Çifti ka folur gjatë një konference në TED në Vancouver, duke thënë se fëmijët e tyre do të inkurajohen që ta gjejnë vetë rrugën e tyre në botë, pa ndihmën e miliardave të tyre.
Bill Gates ka thënë se në vend të parave, ata u kanë dhënë 2 vajzave dhe djalit të tyre edukim të mirë, në mënyrë që ata të mësojnë se si të mbështeten në aftësitë e tyre dhe jo në pasurinë e prindërve të tyre.
Organizatori i konferencës, Chris Anderson tha: "Ju keni para të mjaftueshme sa për t'i bërë edhe ata [fëmijët] të gjithë miliarderë, pavarësisht kontributit të Fond".
Por Gates është përgjigjur duke thënë: "Ata s'do t'i kenë këto që thoni ju. Ata duhet ta kuptojnë se puna e tyre është kuptimplotë dhe e rëndësishme".
Gates ka sqaruar se ai dhe Melinda e kishin marrë këtë vendim qysh para se të martoheshin, duke shtuar se janë inspiruar nga një artikull i investitorit dhe filantropit Warren Buffett ku ai kishte thënë se edhe vetë kishte vepruar kësisoj.