VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUSH ËSHTË SHEFI I RI I NATO-s?

E Shtunë, 03.29.2014, 03:20pm (GMT1)


NATO-ja ka emëruar ish-kryeministrin e Norvegjisë, Jens Stoltenberg, për kreun e saj të ardhshëm civil. Ai do të marrë përsipër detyrat nga 1 tetori.

Emërimi i tij më 28 mars si sekretari i 13-të i përgjithshëm i NATO-s ndodh në një kohë delikate për aleancën.
 
Aneksimi i Krimesë nga Rusia ka rritur tensionet midis Perëndimit dhe Moskës, ndërsa NATO-ja është duke përgatitur tërheqjen e shumicës së trupave të saj nga Afganistani deri në fund të këtij viti.
 
Por, kush është politikani 55-vjeçar, norvegjezi i parë që zë postin e lartë të NATO-s?
 
Aftësia e tij për të krijuar konsensus përtej linjave partiake është cituar shpesh, ashtu si edhe aftësia e tij negociuese ndërkufitare.

Si djali i një ish-ministri të Mbrojtjes dhe të Jashtëm, ai ka jetuar për disa vjet në Beograd, ku edhe ka mësuar gjuhën serbe.
 
Si adoleshent në vitet 1970, Stoltenberg ka pranuar se ka hedhur gurë në drejtim të Ambasadës Amerikane për të protestuar kundër Luftës së Vietnamit.    
 
Kur ka udhëhequr krahun rinor të Partisë Laburiste më 1985, ai fillimisht ka afirmuar qëndrimin se Norvegjia duhet të lërë NATO-n, por më vonë ka shtyrë grupin që të ndryshojë pozicionin. Më pastaj, është bërë kryetar i Partisë Laburiste.
 
Si ekonomist me profesion, Stoltenberg ka shërbyer si ministër i Financave dhe Tregtisë më 1990. Në vitin 1995, ai i është bashkuar një proteste me biçikleta nga Oslloja për në Paris, për të protestuar kundër testimit të armëve bërthamore nga Franca.
  Stoltenberg ka shërbyer për më shumë se 20 vjet në Parlament dhe ka mbajtur postin e kryeministrit nga viti 2005 deri më 2013.

Gjatë qeverisjes së tij, vendi skandinav ka kontribuar me trupa në misionin ushtarak të NATO-s në Afganistan dhe në zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi.
 
Stoltenberg ka qenë po ashtu mbështetës i ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Rusinë.
 
Ai ka negociuar një traktat me Moskën për t'i dhënë fund një mosmarrëveshjeje 40-vjeçare për kufijtë detarë të dy fqinjëve. Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, lejon eksplorime të reja të naftës dhe gazit në rajonin e Arktikut. Stoltenberg po ashtu thuhet se ka ndërtuar miqësi personale me presidentin e atëhershëm të Rusisë, Dmitry Medvedev.
 
Në samitin e NATO-s, më 2010 në Lisbonë, Stoltenberg ka bërë thirrje për bashkëpunim me Moskën, duke thënë: Do të shënojmë një fillim të ri në marrëdhëniet tona me Rusinë, me qëllim të ndërtimit të një partneriteti strategjik.
 
Ai ka thënë se aleanca dhe Rusia përballen me shumë sfida të përbashkëta, "të cilat mund të adresohen më së miri përmes bashkëpunimit". Së fundmi, megjithatë, ai ka thënë se përdorimi i forcës ushtarake të Rusisë në Ukrainë është "i papranueshëm".
 
"Masa e Rusisë shkel ligjin ndërkombëtar dhe është një lloj i politikës së pushtetit, e cila i përket kohës së kaluar. Ne nuk do të jetojmë në një botë ku mbizotëron i forti", ka thënë Stoltenberg.
 

Ai është bërë i njohur në skenën ndërkombëtare pasi fanatiku i ekstremit të djathtë, Anders Behring Breivik, ka vrarë 77 njerëz në një kamp të Partisë Laburiste, në korrik të vitit 2011.
 
Në shërbimin përkujtimor për viktimat, Stoltenberg është zotuar se do të luftojë autokracinë me "më shumë demokraci, me më shumë sinqeritet dhe me më shumë humanizëm". Ai ka përsëritur mesazhin e tij edhe në përvjetorin e parë të sulmeve.
 
 "Bombat dhe të shtënat kanë pasur qëllim të ndryshojnë Norvegjinë, por populli norvegjez është përgjigjur duke përqafuar vlerat tona. Autori ka dështuar, populli ka fituar", ka thënë Stoltenberg.

Emërimi i Stoltenbergut si sekretar i përgjithshëm i NATO-s nuk ka qenë befasi, pasi ai thuhet se ka pasur mbështetjen e katër vendeve më të fuqishme të NATO-s: Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Britanisë dhe Francës.

JETA PERSONALE

Stoltenbergu është i martuar me diplomaten Ingrid Schulerud dhe kanë dy fëmijë: një djalë, Axel Stoltenberg (1989) që është duke studjuar gjuhën kineze në Shanghai Jiaotong University dhe një vajzë Anne Catharina Stoltenberg (1992) që studjon për t'u bërë këngëtareare lirike në Copenhagen.[

Atij i pëlqen që t'i kalojë pushimet e verës me familjen në mënyrë idilike në shtëpinë e fshatit që kanë në Hvaler Islands, Oslofjord. Në dimër, ai është një skijator i përkushtuar. Në dhjetor të vitit 2011, me rastin e 100 vjetorit kur  Roald Amundsen arriti me ski në polin e jugut, Stoltenberg arriti në Antarktika duke përsëritur aktin e Amundsens.

Megjithëse portretizohet si ateist, Stoltenberg vetë ka deklaruar se ai nuk e konsideron veten një ateist. Rreth kësaj ai shprehet: "Pa4ka se nuk jam praktikant i ndonjë beismi, unë besoj se ekziston një fuqi më madhështore se njeriu. Dikush e quan këtë fuqi Zot, diku tjetër e quan me një emër tjetër. Për mua, mund të them se ne njerëzit jemi të vegjël në relacion me natyrën, në relacion me fuqitë të cilat janë të plotfuqishme dhe njeriu gjen mirëkuptim për to në kishë.."



(rel - e plotësuar nga VOAL)


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.