GUVERNATORI I TEKSASIT PERRY PARAQITET NË GJYKATË
E Mërkurë, 08.20.2014, 07:02pm (GMT+1)
Guvernatori i Teksasit Rick Perry, kandidat republikan për president në zgjedhjet e vitit 2012, u paraqit para gjykatës në kryeqytetin Austin, për t'u përballur me akuza për abuzim pushteti.
Zoti Perry është paditur se ka kërcënuar të mos financojë zyrën lokale për çështjet etike, e cila merret me hetimin e shkeljeve të zyrtarëve publikë.
Kjo zyrë drejtohej nga një prokurore e partisë rivale demokratike, e cila ishte dënuar nga gjykata pasi ishte kapur duke i dhënë makinës në gjendje të dehur, por nuk kishte pranuar të jepte dorëheqjen kur guvernatori ia kërkoi këtë.
Guvernatori Perry tha dje, duke shkuar në gjykatë për t'u fotografuar dhe marrë shenjat e gishtave, se kjo çështje është më e madhe se sa thjesht emri i tij, ajo ka të bëjë me respektimin e ligjit, siç u shpreh ai.
Demokratët e Teksasit e akuzojnë guvernatorin se përdori kërcënimin për të përdorur veton në mënyrë që prokurorja të jepte dorëheqjen dhe në vend të saj ai të emëronte një aleat politik republikan.
Zoti Perry është guvernatori që ka shërbyer më gjatë në historinë e Teksasit. Ai erdhi në këtë detyrë në vitin 2000, kur guvernatori i atëhershëm i Teksasit, George Bush u zgjodh president.
Zoti Perry është përmendur si një kandidat i mundshëm republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.