Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder shkoi sot në Ferguson të Mizurit, pas një nate disi më të qetë në qytetin amerikan, që u përfshi nga protestat herë-herë të dhunshme, pas vrasjes së një adoleshenti të paarmatosur afrikano-amerikan nga një polic i bardhë.
Në një opinion botuar sot në gazetën Post Dispatch të qytetit St. Louis, zoti Holder bënte thirrje për vendosjen e besimit mes organeve të rendit dhe publikut, ndërsa vazhdojnë hetimet për vdekjen e 18 vjeçarit Michael Brown.
Ai shkruan se hetimi për këtë çështje do të jetë i plotë, i drejtë dhe i pavarur. Prokurori i Përgjithshëm pritet të takohet me udhëheqës të komunitetit, hetues të FBI-së dhe zyrtarë të të drejtave civile për të diskutuar mbi vdekjen e të riut më 9 gusht.