ARGJENTINË - PROKURORI QË E KISHTE AKUZUAR PRESIDENTEN, U GJET I VDEKUR
E Hënë, 01.19.2015, 03:22pm (GMT+1)
Pjesëtarët e sigurisë duke e bartur trupin e pajetë të prokurorit Nisman nga banesa e tij në Buenos Ajres
Prokurori argjentinas, Alberto Nisman, i cili e kishte akuzuar presidenten, Cristina Fernandez, për involvim në komplot për ta fshehur rolin e dyshuar të Iranit në sulmin më vdekjeprurës terrorist në Argjentinë, është gjetur i vdekur.
Autoritetet thanë se trupi i pajetë i tij ishte gjetur mbrëmë në banjon e banesës së tij me të shtëna nga arma.
Prokurori Nisman ishte hetues i sulmit me bombë në vitin 1994 në një qendër në kryeqytetin Buenos Ajres, me ç'rast ishin vrarë 85 vetë.
Javën e kalaur, Alberto Nisman ka shprehur dyshime se presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez, dhe zyrtarë të tjerë, kishin hapur kanale sekrete në mbështetje të të dyshuarve iranianë.
Prokurori Nisman është dashur që sot në një dëgjim në kongres t'i shpjegoj akuzat e tij. Këto akuza nga ana e një zëdhënësi të presidentes ishin hedhur poshtë si "absurde".
Prokurorët argjentinas e kishin akuzuar Iranin se kishte planifikuar dhe financuar sulmin, të cilin e kishte kryer grupi militant libanez, Hezbollah.
Irani i ka hedhur poshtë akuzat si të "pabaza".rel