ARKIVAT E JUSUPOVIT, NJËRIT PREJ VRASËSVE TË RASPUTINIT, KTHEHEN NË RUSI
E Enjte, 02.26.2015, 08:26am (GMT+1)
Arkivat e princave Jusupov, mes të cilëve një prej më të njohurve mori pjesë në vrasjen e Rasputinit, i preferuari i familjes perandorake ruse, u dërguan sot zyrtarisht në Rusi, pasi ishin blerë në ankand në Paris nga një miliarder rus.
Pas kësaj blerjeje në nëntor të vitit 2014, miliarderi rus, Viktor Vekselberg i ofroi Arkivit Shtetëror të Shën-Petersburgut dokumentet e çmuara, që përfshinin veçanërisht 119 foto, letra dhe 20 objekte personale që i përkisnin familjes Iussupov, një prej më të njohurave të perandorisë ruse dhe të afërta të Romanovëve, emri i dinastisë së fundit të carëve.
"Ky është një koleksion unik dhe shumë interesant për historianët, specialistët dhe koleksionistët", konfirmoi Serguei Narychkine, presidenti i Duma-s (Dhoma e Ulët e Parlamentit rus), me rastin e inaugurimit të një ekspozite kushtuar këtyre arkivave në muzeun Faberge në Shën-Petersburg.
Të gjitha këto objekte ishin gjetur në ish-apartamentin e princave Jusupov në Paris, ku ata kishin emigruar pas revolucionit bolshevik.
Pjesa më e madhe i përkiste Felix Jusupov, i njohur veçanërisht për pjesëmarrjen në vrasjen e Rasputinit dhe bashkëshortes së tij, princeshës Irina Iussupova, e cila ishte mbesa e perandorit të fundit të Rusisë.
Mes objekteve të koleksionit, gjendej gjithashtu një libër lutjesh i perandoreshës, Maria Fiodorovna, mamaja e carit të fundit, Nicolas II.
Ky libër i vogël në anglisht, me fletë të verdha, përmbante shënime të shkruara nga vetë Maria Fiodorovna.
"Mes faqeve të veprës, zbuloje lule të thara, që ishin ruajtur për mrekulli", tregojnë organizatorët e ekspozitës.
Në këtë ekspozitë janë shfaqur gjithashtu objekte që i përkisnin familjes së carit të fundit, veçanërisht një orë e prodhuar për kurorëzimin e saj dhe butona këmishash, mes të cilave një palë i përkisnin djalit të saj, princit të madh Alexis, ekzekutuar në vitin 1918 në moshën 13-vjeçare, me gjithë familjen perandorake, pas ardhjes në pushtet të bolshevikëve.
"Disa objekte dëshmojnë ngjarjet tragjike të historisë tonë", theksoi Vekselberg.
www.voal-online.ch
|