VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
HILLARY CLINTON E JEB BUSH E Hënë, 03.16.2015, 07:51am (GMT1) Ish-sekretarja e shtetit Hillary Clinton, një demokrate, dhe ish-guvernatori i Floridas Jeb Bush, një republikan, janë dukshëm kandidatët më të mundshëm për president vitin e ardhshëm. Të dy kanë emra të famshëm dhe mundësinë për të mbledhur shumë fonde. Por, të dy do të përballen me sfida nëse do të vendosin të futen në garën për president. Hillary Clinton dhe e bija Chelsea zënë vendin kryesor në podium gjatë një aktiviteti për fuqizimin e grave në Nju Jork. Demokratët dëshirojnë që zonja Clinton t'i futet garës presidenciale së shpejti, por ajo është vendosur në pozicione mbrojtjeje për çështjen e përdorimit të email-it të saj privat kur ishte sekretare shteti. "I besoj popullit amerikan se do të marrë vendimin e duhur për çështje politike dhe publike, dhe unë ndjej se kam ndërmarrë hapa të papreçedentë për t'i bërë të disponueshme email-et e lidhura me punën. Do të bëhen të disponueshme për publikun." Debati për email-in e zonjës Clinton risjell në mendje imazhe të skandaleve të së kaluarës, thotë analisti Matt Dallek. "Ideja qarkullon se familja Clinton përpiqet vazhdimisht të fshehë diçka, ose se nuk janë të besueshëm, ose se urrejnë mediat dhe se po krijojnë konflikt me republikanët. Të gjitha këto gjëra po na rikthejnë në të shkuarën dhe po krijojnë një lloj turbullire në vend, në Partinë Demokratike, dhe në media." Sfida është e një lloji tjetër për republikanin Jeb Bush. "Dua të fitoj. Dua që partia jonë të fitojë. Dua që konservatorët të fitojnë." Zoti Bush ka gjasa të përballet me disa kandidatë konservatorë, dhe gjithashtu edhe me disa kujtime të pakëndshme të presidencës së të vëllait. ((JEB BUSH, ISH-GUVERNATOR I FLORIDAS)) "Unë e dua tim vëlla. E dua tim atë. Madje, e dua edhe time më mendoj se kjo është O.K. Dhe admiroj shërbimin e tyre për vendin dhe vendimet e vështira që u është dashur të marrin. Por, unë jam vetvetja." Disa republikanë pritet të kandidojnë dhe prirja për një fytyrë të re mund ta dëmtojë zotin Bush, thotë Matt Dallek. "Është një ndjesi e përgjithshme brenda Partisë Republikane që ngre pyetjen nëse vërtet u duhet dikush nga e kaluara. Ky është argumenti që përdor kundër Bushit ish-guvernatori i Wisconsin, Scott Walker. Dhe emri Bush, me gjithçka që përfaqëson, mendoj se bëhet pjesë e përkryer e këtij lloj sulmi." Një garë e re e tipit Bush-Clinton mund të jetë duke u përgatitur, thotë eksperti John Fortier. "Është e vështirë të jesh Bushi i tretë, dhe nëse do të rezultojë që Bushi i tretë do të përballet me Clintonin e dytë, atëherë do të zgjerohet hapësira për t'u ankuar për dinastitë politike në Amerikë." Si zonja Clinton, ashtu edhe zoti Bush, pritet t'i shpallin synimet e tyre së shpejti. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |