NANCIE ATWELL - MËSUESJA MË E MIRË NË BOTË Mësuesja amerikane Nancie Atwell fiton çmimin Global Teacher. 1 milion dollarët që shoqërojnë çmimin ajo ia dhuron shkollës së saj
E Enjte, 04.02.2015, 08:01am (GMT+1)
Nensi Atuell (Nancie Atwell), mësuese e gjuhës angleze, nga shteti Mejn(Maine) i Amerikës, pas 42 vjet pune, u vlerësua si mësuesja më e mirë në botë, dhe u shpërblye me një shumë prej 1milion dollarësh, barabar me atë të çmimit Nobel.
Një mësuese e jashtëzakonshme ! Në vend që t'i përdorte të hollat e çmimit për pencionin ajo ia dhuroi ato shkollës së saj. "Pas 20 vjetësh funksionimi shkolla ka nevojë për rinovimin e kabineteve dhe paisjeve, unë nuk kam," - tha ajo në një intervistë televizive, kur në fakt dihet që mësuesit edhe në SHBA janë të nënpaguar..
Dhurimi i të hollave prej 1milion dollarësh shkollës, nuk dëshmon thjesht për gjenerozitetin e saj, por mbi të gjitha për përkushtimin ndaj mësuesisë si shërbim ndaj brezit të ri.
Prezantimi këtij çmimi synon t'u japë mësuesve vendin që u takon në mes të profesioneve më të respektuara të shoqërisë.
Në vitin1990, mësuesja amerikane Nancie Atwell krijoi shkollën e saj eksperimentale në Edgecomb, Maine, që u quajt "Qendër e mësimdhënies dhe nxënies". Shkolla ka demonstruar mësimdhënien duke zhvilluar metoda të reja efektive. Këto ide për përmirësimin e mësimdhënies u provuan në praktikë me qëllim për t'u ndarë në mes të gjithë mësuesve. Nensi doli e suksesshme në eksperimentimin që bëri dhe 97% e nxënësve të shkollës ndoqën universitetet. Nensi Atuell është njëkohësisht edhe autore e 9 librave për mësimdhënien , njëri prej të cilëve " (In the Middle) u shit në gjysmë milioni kopje.
Në ceremoninë e marrjes së çmimit që u zhvillua në Dubai merrte pjesë edhe ish presidenti Klinton i cili tha ndër të tjera se, ai ende i mban mend pothuaj të gjithë emrat e mësuesve të tij dhe ky çmim do t'i kujtojë publikut se sa i rëndësishëm është profesioni i mësuesit.
Duke marrë çmimin si 'Mësuesja më e mirë në botë', Nensi Atuell e quajti "privilegj" punën e mësueses.
"Është shumë e rëndësishme që në arsim të tërheqim njerëzit më të mirë," - tha ish presidenti Klinton, "dhe ne duhet t'u japim atyre respektin më të lartë".
Dhënia e një çmimi në rang botëror tregon që mësimdhënia duhet të njihet e vlerësohet njëlloj si ato karriera që shpërblehen me pagesa të larta, siç janë financat apo sporti. Midis atyre që e mbështetën projektin kanë qenë Bill Gates, kryeministri i Anglisë David Cameron, Sekretari gjeneral i OKB Ban Ki-Moon si edhe Sheikh Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, zevendës president dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përgatiti: ALBANA LIFSCHIN
|