Vajzat e Flamurtarit kampione të Shqipërisë në basketboll
E Hënë, 05.04.2009, 12:11pm (GMT+1)
ATSH- "Flamurtari" u shpall mbrëmjen e djeshme kampion në basketboll për femra, pas fitores ndaj DHL-së të Tiranës, me rezultatin 82-73. Vlonjatet fituan takimin e tretë në finale, gjë që konfirmoi triumfin e ekipit të tyre në këtë kampionat. Trajneri Viron Toska, u shpreh për ATSH-në se "skuadra që ai drejton, u konfirmua në krye të basketbollit shqiptar të femrave". "Flamurtari është ekipi më i mirë në Shqipëri dhe gjatë këtij sezoni ne i merituam të gjitha trofetë e mundshme", theksoi Toska. Sipas tij, skuadra ka një profil mjaft të konsoliduar dhe lojtaret janë të motivuara në lojën e tye. Trajneri Toska veçon basketbollistet Myrto, Demiraj, Hasanaj, Plasa, të cilat, sipas tij, "janë bërë një bazë mjaft e mirë për skuadrën". Titulli kampion është trofeu i tretë për këtë sezon i skuadrës së "Flamurtarit" në basketboll për femra. Në 25 janar të këtij viti ekipi fitoi Superkupën pas fitores në Vlorë ndaj Tiranës me rezultatin 117-111. Ndërkohë, në 20 dhjetor të vitit të kaluar vajzat e skuadrës vlonjate merituan Kupën e Shqipërisë, pas fitores që shënuan sërish ndaj Tiranës. Gjatë 5 viteve që drejtohet nga trajneri Toska, "Flamurtari" ka arritur të sigurojë 19 trofe, mes të cilave, 5 Kupa të Shqipërisë, tituj kampionë, etj
|