VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

URUGUAJI DHE KOSTA RIKA ELEMINOJNË ITALINË DHE ANGLINË

E Martë, 06.24.2014, 08:43pm (GMT1)


Kanë përfunduar dy takimet e fundit të "Grupit të vdekjes".

Kostarika, e llogaritur si "autsajder" i këtij kampionati, kishte siguruar plasmanin pas dy fitoreve befasuese kundër Uruguait dhe Anglisë. Kjo e fundit veçse ka bërë gati valixhet për në shtëpi pasi u mposht në dy takimet e para nga Italia dhe Uruguai.

Dy skuadrat që mposhtën Anglinë sot zhvilluan duelin direkt për kualifikim në 1/8 e finales, e Kostarika si lider u takua me "tre luanët" që dështuan plotësisht në Brazil.

Italia, "kafshatë e ëmbël" për Suarezin

Italia, me gjithë rezistimin që i bëri sulmeve të Uruguait, nuk ia doli që të qëndronte e pamposhtur deri në fund.

Pjesa e pare ishte shumë e qetë, me pak raste shënimi ku Italia dominonte në posedim të topit.

Gjysmë loja e dytë me fillim tregoi se do të sillte ndryshim kur, Claudio Marchisio u ndëshkua me karton të kuq. Italiani u ndëshkua në minutën e 59-të pas një ndërhyrje të ashpër.

Shkëndijat se rezultati do të ndryshonte erdhën kur Suarez pati një rast të volitshëm në minutën e 66-të. Ai, me një goditje nga vija e 16metërshit, provoi të detyronte Bufonin të nxirrte topin nga rrjeta, por italiani, me gjithë moshën që ka, u tregua i vëmendshëm për të pritur goditjen e "El Pistoleros".

I njohur përpos lojës së bukur edhe për skandale të shumta, Suarez shfaqi sërish "dhëmbët" kur në mënyrë jo sportive kafshoi Giorgio Chiellinin.

Diego Godin në minutën e 81-të i dha hapin e madh Uruguait duke shënuar me kokë për rezultatin 1 me 0. Golin mbrojtësi i Atletico Madridit e arriti pas harkimit të Ramirezit nga rivënia këndore.

Ky gol i dha fund Prandellit dhe djelmoshave të tij për një përsëritje të suksesit të vitit 2006.

Rezultati përfundimtar Uruguai 1 0 Itali.


"Autsajderi" pa kokëçarje në 1/8 e finales

Kostarika nuk ka arritur fitoren e tretë pasi ka barazuar me Anglinë, 0 me 0.

Takimin e tretë, lojtarët e Kostarikës e nisën me qetësi pasi ata veçse kishin siguruar kualifikimin.

Anglia luftonte për rezultatin e parë pozitiv në Kampionat. Edhe pse ndryshoi disa lojtarë në 11shen e parë, Roy Hodgson nuk arriti të shijojë sukses.

Takimi nuk kishte shumë raste shënimi përpos sulmeve nga lojtari i Liverpoolit, Daniel Sturridge.

Tabela përfundimtare e Grupit D

  1. Kostarika 7 pikë
  2. Uruguai 6 pikë
  3. Italia 3 pikë
  4. Anglia 1 pikë (kd)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.