Voal-online Mbrëmë presidenti i Zvicrës Hans-Rudolf Merz ka arritur për një vizitë pune në Arabinë Saudite. Në kryeqytetin Riad dhe më vonë në Emiratet e Bashkuara Arabe ai do të takohet me kryetarët e shteteve përkatëse.
Tema të bisedimeve gjatë vizitës katërditore do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, kriza ekonomike botërore dhe probleme ndërkombëtare, nga këndvështrimi i Ministrisë së Finanacave që drejton zotëri Merz.
Në Arabinë Saudite Merz do të takohet me mbretin Abdullah bin Abdulaziz Al-Saud, me nënkryeministrin e dytë, me ministrin e Financave dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Arabisë Saudite.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe presidenti zviceran do të takohet me presidentin Sheikh Khalifa bin Zayed Al Nahyan. Pastaj do të takohet me nënkryeministrin, me princin e kurorës, me ministrin e Financave dhe me Guvernatorin e Bankës Qendrore.
Merz gjatë vizitës katërditore do të ketë takime edhe me përfaqësues të biznesit zviceran në këto dy vende.