13.05.2013 - 11:50
Kjo vrasje e cila ka tronditur qytetarët e këtij kantoni, për faktin se
ekzekutimi ka ndodhur në prani të gruas dhe fëmijëve, duket se gjenezën e ka në
Kosovë
Përplasjet e familjeve në Kosovë dhe zbatimi i "kanunit" mbi ligjin, po reflektohen
në shumë raste edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, madje edhe në SHBA. Duket
se për çështje hakmarrje, është vrarë dje në kantonin e Friburgut në Zvicër
edhe Selim Jusuf Elshani nga fshati Ozdrim i Pejës.
Kjo vrasje e cila ka tronditur qytetarët e këtij kantoni, për faktin se
ekzekutimi ka ndodhur në prani të gruas dhe fëmijëve, duket se gjenezën e ka në
Kosovë.
36 vjeçari me pasaportë italiane, u qëllua për vdekje të shtunën në mesnatë
deri sa ai po dilte nga garazhi i shtëpisë së bashku me familjen e tij, të
dashurën dhe 4 fëmijët. Edhe mediet në Kosovë duke cituar familjarët e tij,
thonë se në këtë vrasje ka gisht mafia në Kosovë, ndërsa motivi është
hakmarrja.
"Unë kam besuar gjithmonë, se Selimi ka kontaktuar me mafinë në Kosovë", tha
njëri prej anëtarëve të familjes për mediat e Zvicrës.
Sipas burimeve të albinfo.ch në Kosovë, Selim Elshani është djali i Jusuf
Elshanit, i cili ishte vrarë në vitin 2004 në një atentat në Vtimoricë të
Pejës. Së bashku me Jusufin ishte vrarë edhe një person tjetër, Afrim Hliti.
Mirëpo nuk ishte vetëm kjo vrasje në këtë familje. Personit që u vra dje në
Friburg iu kishte vrarë edhe një vëlla në vitin 2000, Virgjil Elshani
ish-ushtar i UÇK-së. Vrasja kishte ndodhur, derisa familja Elshani po kthehej
nga një gjykim, ku kishte akuzuar disa persona se ia kish vendosë një bombë me
teledirigjim.
Personat që kanë sulmuar familjen Elshani ishin kapur nga policia dhe kishin
treguar se janë paguar nga një familje tjetër. Personat që kishin marrë pjesë
në atentat kishin qene me prejardhje nga Shqipëria.
Ndërsa me venë është konfirmuar se në këtë rast është përfshirë një familje
tjetër, ajo e Shefqet Kelmendit nga Peja. Ky i fundi është vrarë në mënyrë të
mistershme dy muaj më parë në qytetin e Pejës me një breshëri kallashnikovi.
I ndjeri Shefqet Kelmendi për vite të tëra të pasluftës u ka shpëtuar sulmeve
të ndryshme që kanë qenë të drejtuara ndaj tij dhe familjarëve të tij. Si
rezultat i këtyre sulmeve, në tre vjetët e fundit, kanë ndodhur një seri
vrasjesh në Pejë e rrethinë.
Para disa vitesh, në një sulm të tillë mësohet se kishte pësuar djali i Shefqet
Kelmendit, Valoni, ndërsa një shpërthim që kishte ngjarë afër shtëpisë së tij,
kishte rezultuar me vdekjen e vajzës së Shefqet Kelmendit.
Por, pavarësisht këtyre vrasjeve, asnjë nga to nuk ka marrë epilogun nga
gjykata e madje asnjë person nuk është i arrestuar për këto raste.
Ndryshe, derisa ligji nuk i zgjidhë çështjet, atëherë familjet përdorin Kanunin
e Lekë Dukagjinit. Sipas kodeve të këtij të fundit, gjaku lahet vetëm me gjak.
Kjo i bije që për një personat që vritet, duhet të vritet një person tjetër nga
familja e gjakësorit.
Edh e pse është konsideruar arkaik, ky kanun fatkeqësisht akoma aplikohet në
Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë.