Policia zvicerane ka njoftuar mbrëmë se i kanë zënë dy prej pesë të burgosurve,
të cilët kishin ikur në mënyrë dramtike nga burgu, këtë javë, duke përdorë
armatim dhe mjete, që ua kishin sjellë bashkëpunëtorët nga jashtë.
Dy të burgosur të zënë, që kishin ikur nga burgu Bois-Mermet afër Lozanës, dhe
dy bashkëpunëtorë të tyre janë kapur gjatë një operacioni të gjërë, me
përfshirjen e më se 80 policëve.
Dy personat e zënë janë një shqiptar, 34 vjeçar, i dënuar për krime lidhur me
drogë, dhe kosovari 22 vjeçar, i dënuar për vjedhje, raporton AFP. Ata ishin
zënë në një banesë në një lagje të Lozanës, së bashku me një bashkëpunëtor
serb, ndërsa një serb tjetër, që dyshohet se e ka ndihmuar ikjen e tyre nga
burgu, ishte arrestuar në Lucernë, thuhet në kumtesën e policisë.
Sipas policisë, nuk janë gjetur ende tre të ikurit e tjerë: një francez 47
vjeçar, një serb 45 vjeçar, dhe një boshnjak 31 vjeçar.
Të pesë të burgosurit e ikur kishin arritur të largohen nga burgu të martën në
mëngjes, për më pak se pesë minuta.