Tenori i famshëm shqiptar, Saimir Pirgu ka qenë pak ditë më parë mysafir në
emisionin shumë të popullarizuar të televizionit publik të Zvicrës (SRF1)
Aeschbacher show. Në një prezantim që Kurt Aeschbacher i bëri Pirgut, u shpreh
veç tjerash se ai ka bërë një karrierë "përrallore e të rrufeshme", duke
mbërritur për pak vite në lartësinë e yjeve të operës së sotme botërore.
"Kur ishte vetëm 22 vjeç Saimir Pirgu feston suksesin e tij në festivalin e
Salzburgut, Austri. Ndërkohë, sot, Pirgu 31 vjeçar është bërë tashmë tenor i
famshëm. Pak ditë më parë ai ka kënduar në krah të Placido Domingos dhe Diana
Damrau në operan e Nju Jorkut "Metropolitan", ndërsa gjatë muajit maj ai do të
performojë në në Operan e Cyrihut me "Traviatën" e Verdit".
Në emisionin e përmendur, Saimir Pirgu dallohet gjithnjë me spontanitetin dhe
thjeshtësinë e tij prej artisti të madh që nuk i pëlqen pozat por paraqitet
ashtu si është. Ai, duke folur me një gjermanishte të mirë, evokon fillimet e
tij në Shqipërinë komuniste, kur e kishin zgjedhur të shkollohej për violinë.
Por më vonë ai ka parë se violina nuk kishte qenë zgjedhja e tij dhe ka zbuluar
pasionin e madh për të kënduar.
Pirgu më tutje flet për kohën e fillimit të studimeve në Bolzano të Italisë,
për peripecitë e tij si një student i varfër nga Shqipëria. Por, në sajë të
angazhimit dhe talentit të rrallë, ai shumë shpejt mbaron shkollimin muzikor.
Madje, aq shpejtë sa që edhe prindërit e tij, dyshojnë se mos ai po merrej me
punë të këqija, atje në Itali. Sidoqoftë, Saimiri i bindi ata se është bërë
këngëtar i operës, vetëm kur i fton të marrin pjesë si shikues në festivalin e
Salzburgut.
Në përfundim të emisionit, si mik tek Kurt Aeschbacher show, Saimir Pirgu
këndon "Dua më shumë Shqipërinë", me të cilën entuziasmon publikun dhe
mikpritësin e tij.