SHOQATA E STUDENTËVE SHQIPTARË NË UNIVERSITETIN E SENT GALENIT AKADEMI PËR FAN NOLIN
E Hënë, 03.23.2015, 09:17am (GMT+1)
Shoqata e studentëve shqiptarë në Universitetin e St. Gallenit më datën 20.03.2015 mbajti Akademi përkujtimore me rastin e 50 vjetorit të vdekjes së Fan Stylian Nolit.
Në fjalën e hapjes kryetarja e shoqatës së studentëve shqiptarë (Albanian Student Association at the HSG, ASA) pranë Universitetit të St. Gallenit Argona Kajtazi, foli për historikun e shkurter dhe caqet e kësaj shoqate. ASA është shoqata e parë shqiptare e akredituar pranë Universitetit të St.Gallenit, e cila është formuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë me 28.11.2012 dhe përfaqëson 80 studentë si dhe alumni (dmth ish-studentët e këtij Universiteti).
Faton Musliji, njëri nga themeluesit dhe tanimë alumni i këtij Universiteti të njohur nderkombëtarisht, foli mbi jetën dhe veprën e Nolit, njërës nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, që nga qëndrimi i tij në Athinë, Aleksandri, Boston e deri në Tiranë e anasjelltas. Ai foli me theks të posaqëm për motivimin dhe nxitjen që Noli i bëri Presidentit Wilson në përkrahjen e pavarësisë së Shqipërisë. Në vazhdim ai foli për angazhimin e Nolit në anëtarësimin e vendit në Lidhjen e Kombeve, për përpjekjet për një kishë autoqefale shqiptare si dhe Revolucionin e Qershorit.
Një nga organizatorët e kësaj Akademije ishte edhe studenti Nol Palushaj, adashi i Fan Stylian Noli që vazhdon studimet për marrëdhëniet ndërkombëtare të këtij Universiteti. Në podium u fol mbi rolin dhe rëndesinë e Nolit në historinë shqiptare, mbi elitat shqiptare si dhe rolin e ndikimin e tyre në shoqërinë shqiptare, mbi kishën autoqefale shqiptare dhe islamin ndër shqiptarë. Së fundi u fol edhe mbi diasporën dhe rolin e ndersjellë në shoqërinë shqiptare.
Apero në fund të kesaj Akademije ishte një rast i mirë për takim gjeneratash dhe shkëmbim mendimesh. Emocionet në mesin e bashkatdhetarëve ishin të mëdha; një plak thotë "falë këtyre të rinjëve dhe të rejave shqiptare sonte për herë të parë pas 30 vitesh qëndrimi dhe pune në Zvicër, shkela në një universitet zviceran. Nga ana tjetër i riu shqiptar, Arbër Bullakaj, deputet ne kuvendin komunal të Wil-it, përfaqëson nje gjeneratë të suksesshme të migrantëve të gjenerates së dytë, aktiv në politikën vendase, shpreh kënaqësi dhe përkrah mbajtjen e këtyre evenimenteve. Të pranishëm ishin edhe perfaqësues të partive dhe shoqatave të ndryshme ne Zvicër.
Një nderlidhje, një koordinim interesash si dhe një bashkëpunim konstruktiv, në radhë të parë mes gjeneratave dhe shtresave të ndryshme të emigrantëve dhe më pas me vendin e origjinës, u vlerësua si imperativ parësor i kohës.
www.voal-online.ch
|