Pallati i Brigadave Tiranë
Shkodra, flitet, por sa asht e vertetë nuk e dij, thonë se asht rrethue disa
herë por sa herë asht vështirë me e percaktue!.. Ka historianë që i fillojnë
rrethimet e saj para Krishtit. Ka edhe që i vazhdojnë edhe mbas Krishtit... Kishe
me thane se ky lamsh historik i "Rrethimit të Shkodres" e ka burimin tek
mospercaktimi i saktë se: "Shkodra vazhdon me kenë edhe sot e rrethueme!".
Po kush e ka "Rrethue Shkodren" ?... Gojdhanat dhe gojkëqijtë kujt nuk ia
lanë fajin!?
Disa thonë se Shkodra u rrethue nga turqit... Disa të tjerë ua lanë
komshijëve... Disa që janë konsiderue edhe historianë të zotët, thonë se
Shkodren e kanë rrethue vetë shqiptarët...
Kujt me i besue?!.. Nuk di njeriu
kujt me ia prishë as kujt me ia lanë mbarë!?
Një liber e ka lanë per këte punë Don Marin Barleci, një prift që e ka shkrue
aty nga viti 1504..."punë boshe", se mos di kush me thanë të verteten. Kush ia
beson Atij prift sot këto fjalë: "Tashti pra Otomani, tue marrë parasysh se
Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë,
ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon
dhe e Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishtenëve, ushqeu një
shpresë shumë të madhe per me e shti në dorë..." ("Rrethimi i Shkodres"fq. 31).
Ai sot asht pak i besueshem!
Ma vonë aty nga fillimi i shekullit XX, njëfarë Don Ndoc Nikaj ka shkrue një
tjeter liber per rrethimin e Shkodres nga malazezët...edhe ky si i pari, "punë
priftnish". Ka shkrue prap edhe një frat i quejtun At Justin Rrota, po per
rrehimin e Shkodres së 1912 13, po nuk permendet gati prej askujt, perveç
prej atyne që e dijnë se shkrimet e Tija i ka pervetsue "prof. dr. dekan..."
Jup Kastrati, po as "ata" nuk flasin se "nuk asht mirë me tregue se ky "˜prof.
dr.' i vdekun ishte hajdut veprash"!.. Të gjitha këto vepra janë edhe "pa
vlerë", mbasi janë shkrue edhe Gegnisht.
Per fat këta vepra u mblodhën dhe nuk u dogjën si shumë të tjera, dhe mbasi iu
ba njëfarë seleksionimi po i themi nen kujdesin e disa "prof. dr.", u kthyen në
gjuhën e "njësuar" tue i vue në kopertinë edhe emnin e adaptuesit. Dikund
nëpër té shkruente edhe një frazë ose dy kunder klerit katolik, që e bante të
mundshem botimin e saj. Pak kohë para Jupit këte punë e filloi Dhimiter
Shuteriqi, ndersa ma vonë kjo u ba "modë". Një pjesë që erdhën deri në ditët
tona tashti ia kanë fillue me shkrue në gazeten "Drita Islame", edhe pse
karrieren e kanë fillue tek "Rruga e Partisë" në vitin 1967, kur i udhëzonte
"rahmetlia" Ramiz Alia në "Revolucionin Kultural" në Shkoder.
Per çudi shumë dorshkrime që u patne plaçkitë nder bibliotekat dhe muzeumet e
qytetit të Shkodres në vitin 1946 nga jugosllavët dhe u derguen nga Bosnja
nëper rrugen e Koplikut, nuk dihet fare fati i tyne mbasi nder valixhet e
lidhuna me litar ka pasë edhe disa dorshkrime të At Gjeçovit, At Fishtës etj.,
që njiheshin edhe nga ish nxanësit e tyne që kanë jetue deri vonë.
Vlera ma e madhe e atyne thesareve asht kenë ajo e fushës së shkencave
historike, mbasi si gjithmonë klerikët katolik shqiptarë perpara se me shkrue
një shkronjë në leter, janë kenë disa herë të sigurtë se ashtu asht e verteta e
atij dokument per të cilin kanë shkrue. Ata nuk i kanë lejue vetes asnjëherë me
shkrue dishka të pasigurtë ose të diskutueshme. Kjo ngjante se kishin seder per
çka shkruenin dhe nuk i lejonin emnit vet me u diskutue per pasaktësi. Me ngja
dishka kështu emni i tyne fshihej nga revistat e kohës. Këte e verteton revista
e tyne "Hylli i Dritës"... Ndersa sot ngjet që po i njajti autor që nuk ka lanë
gja pa thanë per At Fishten, me paturpësi edhe guxon me u krenue me veprat e At
Fishtës, që deri dje kje "fashist" apo "i padijtun" në shkrime.
Kjo fatkeqësi e kishte burimin tek karakteri i dobët dhe mungesa e
personalitetit të atyne që shkruenin per me i ba qejfin diktatorit dhe rrethit
të tij, që ishte edhe ai si diktatori.
Vetë Enver Hoxha fliste e shkruente pa asnjë kontroll të logjikës. Ai ishte
gjithnjë në të gjitha fjalimet, deklaratat dhe "veprat" i pakorrigjueshem,
kështu u mësuen me kenë edhe ata që i rrinin perrreth tavolinës së tij. Ai të
pakten e justifikonte këte me ruejtjen e kolltukut të vet, per të cilin
sakrifikonte gjithshka tue fillue nga burri i motres së vet Bahri Omari, që
kushedi sa herë u strehue edhe vet Enveri në shtëpinë e tij me shpetue koken...E
në fund, e pushkatoi!
Sot ka nga pasuesit e tij që
mundohen me e imitue në mos me fjalë, me vepra. Harrojnë se bota ua lexon
letrat në xhep! Ata ua rrahin shpatullat derisa këta karagjozë punojnë per ta!
Unë do të shkruej një fakt që ka ngja në Tiranë në vitin 1964, mu në pallatin e
Brigadave, apo të karagjozit tjeter Ahmet Zogollit, pikrisht, me "fanarin
ndriçues të marksizem-leninizmit" në botë, atëherë kur Nikita Hrushovi, pat
mendue "me ba Shqipninë një kopësht të lulzuem të socializmit në Ballkan, si
shembull per të gjitha vendet islamike!!.."
Në banketin e shtruem per festat e nandorit Enver Hoxha foli edhe per pavarsinë
tonë nga turqit, tue vue theksin se "menjëherë shqiptarët u zgjuan dhe nuk
vonoi e formuan PKSh, e cila solli lirinë dhe fitoren e socializmit, të cilin
do ta ruajmë të paprekur nga armiqtë tanë..."
Sigurisht, të pranishmit e "duartrokiten" me ovacione... Nder ambasadorët e
pranishem që ndodheshin aty e mori fjalen ai i Turqisë, i cili vuni në dukje
"miqësinë e popullit shqiptar me popullin turk nder sa shekuj dhe cilsoi, se po
mos t' ishte pushtimi shekullor turk, Shqipnia nuk do të konsiderohej si vend
islamik nga Aleatet fitues të Luftës së Dytë Botnore, kështu ajo nuk do të
lejohej me kenë nën influencen e vendeve komuniste. Si pasojë sot ju nuk do t'
ishi një nga vendet socialiste po mos t' ishit të okupuem nga Turqia, prandej
asaj duhet t'i jeni mirnjohës!"
Edhe ambasadori turk u "duartrokit", por pa ovacione...
Mbas pak ditësh, në pragun e festës së Republikës me 11 Janar 1965, kur
ambasadorët që ishin në Tiranë shkonin në Ministrinë e Jashtme dhe banin urimet
e tyne, tue shenue në protokol edhe praninë e tyne aty, Enver Hoxha thrret
ministrin e jashtem Nesti Nase (i cili e ka tregue këte ngjarje kur u
arrestue), dhe e porositë: "Kur të vijë tek ju per urime ambasadori turk pyete
se a e ka lexuar kryeartikullin e sotem në gazeten "˜Zëri i Popullit", pastaj më
trego çfarë tha?"
Kryeartikulli i gazetës "Zëri i Popullit" ishte shkrue nga vetë Enver Hoxha, që
i prekun nga fjalët e ambasadorit turk, kryesisht se "të gjitha fitoret e
luftës dhe të socializmit ishin të tijat dhe se ai po ndriçonte aso kohe gjithë
vendet e mbrapambetuna me idetë marksiste-leninste" e kishin zemrue Enverin, aq
sa nuk lente gja pa thanë per atë që kishte errësue figuren e tij...
Në oren e caktueme per ambasadorë në Ministri të Jashtme erdhi edhe ambasadori
turk. Ministri Nesti Nase e pyeti: "A e ke lexuar sot kryeartikullin e gazetës
"Zëri i Popullit" ? Po, iu pergjegjë ambasadori, dhe vrejta se artikullshkruesi
kishte dashtë me më dhanë pergjegjen e asaj që unë kam thanë atë natë në
banketin e festave tueja të nandorit. Me siguri, ju keni per t'i tregue dhe
mendimin tim atij që e ka shkrue artikullin prandej, ju lutem i thoni: "Kaq të
mbrapambetun i keni udhëheqësit tuej ju shqiptarët, sa edhe disa pashallarë që
kemi pasë shqiptarë nder disa krahina tona në Turqi, ato krahina edhe sot janë
ma të mbrapambetunat e Turqisë moderne!"
Shpesh, ambasadorët dijnë ma shumë se edhe vetë ata që drejtojnë shtetin e tyne!
Ndoshta, ambasadori i Turqisë sotme, e ka "ndryshue" mendimin...
Melbourne, 2013.