VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Të paudhët kundër rrugës Durrës-Prishtine

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 02:45pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » SHQIPTARËT
 
Të paudhët kundër rrugës Durrës-Prishtine
E Hënë, 12.22.2008, 10:42am (GMT+1)

1.Gjiganti amerikan Bektel, që aktualisht punon për të realizuar 1 100 projekte në mbi 60 vende të botës, ndër të cilat edhe pjesa e fronti më i vështirë në Rrugën Durrës-Prishtinë, shquhet ndër të tjera edhe për vendosmërinë që t'i çojë deri në fund projektet të cilat i janë besuar dhe të mos tërhiqet përballë sfidave të çfarëdollojshme. Ashtu siç nuk do të tërhiqet pa e përfunduar në qershor të vitit 2009 Koridorin e zhvillimeve e integrimeve shqiptare në hapësirat euro-atlantike.

Bekteli 110 vjeçar, ndër të tjera, ka nxjerrë personalitete që kanë punuar në administratën e lartë republikane të presidentëve Nikson (1969-1974), Ford 1974-1977), Regan (1981-1989), Bush (1989-1993) dhe Xhorxh W. Bush, (2001-2009). Steven Bechtel, nip i Warren Bechtel, themeluesit të Bektelit, ka qënë këshilltar i presidentëve Nikson dhe Ford. George Pratt Shultz, ish-president i Bektel, ka qënë Sekretar Shteti (1982-1989) dhe në moshën mbi 80 vjeçare në Komitetin "Liri për Irakun". Drejtori i Përgjithshëm i Bektel, Caspar Willard Wiberberger ishte Sekretar i Mbrojtjes (1981-1987). William Kenneth Davis, Zv/President i kërkimit bërthamor të Bektelit u bë Zv/Sekretar Shteti për Energjinë. William Casey u emërua Drejtor i CIA në vitet 1981-1987. Gjenerali  John J.Sheehan, me karrierë të sukseshme ushtarake (1962-1997) ka qënë Komandant Suprem i Aleancës NATO.

Në administratën e Presidentit Xhorxh W. Bush cilësojmë: Riley P. Bektel, një nga më të pasurit e Amerikës e të botës, në vitin 2003 ka qënë  në Këshillin e Eksportit, që merret me marrëdhëniet tregtare me jashtë, ndërsa  Ross J. Connelly në Koorporatën e Investimeve  Private me Jashtë, etj. etj.

Nga Bektel në këta dy shekujt e fundit kanë kontribuar e kontribojnë shumë personalitete të saj në administratën republikane federale e të shteteve të veçanta, si në politikë, diplomaci, ushtri, CIA, FBI, USAID, etj. duke pasur poste të larta, veprimtari të vlerësueshme, ndikim të njohur. Gjatë dy mandateve të Presidentit Klinton, (1993-2001), Bektel ka mbajtur qëndrim neutral lidhur me angazhimet e veta në administratën e demokratëve. Megjithatë, Bektelit nuk i krijuan krizë as tërmetet e fundit financiare dhe as valët e elektoriadës presidenciale në Amerikë, ndërsa në Shqipëri disa duan të krijojnë, sipas tyre, një  krizë politike  "Uollstrit" me sulmet e tyre...

Mirëpo, Bekteli, në gjigandizmin e vet, me rreth 20 mijë vepra në 140 shtete të botës, me të ardhura vjetore mbi 15 miliardë USD (sa tre buxhete të shtetit shqiptar në vitin financiar më rekord 2009), me potencial ekonomiko-financiar sa buxheti i 8 shteteve europiane për vitin 2007, me qindra personalitete të niveleve të larta, është dhe mbetet, në fillim të fillimit e në fund të fundit, Bektel Amerikan, përballë çdo dallge elektorale në vendin e vet, përballë çdo amplitude tërmeti nga të tjerët, përballë çdo qytetari të botës, ndërsa armiqtë e hapur dhe kundërshtarët e fshehur të Rrugës Durrës Prishtinë do të mbesin antishqiptarë përballë varreve e djepeve shqiptare, përballë Bektelit Amerikan e kilometrave të kësaj vepre madhore të shqiptarëve.

Opozita majtiste po iu bie papushim e me gërvallje lëkurave rjepanike të daulleve elektorale të saj për zgjedhjet e vitit 2009, me kuka e kukama politike, duke e keqtrajtuar spurdhjakisht Rrugën e Shqipëtarëve si "valle" me koreografi e regji të shëmtuar, duke pandehur somnabulisht se do ta djegin fitoren e sigurtë të së djathtës. Sulmet kundër Rrugës Durrës-Prishtinë kanë me u rrgallë me rrokullisje të pandalur në gropën e zezë të historisë sonë kombëtare e kurrkush nuk ka me pyet se ç'thashethemnajë kënetore e sulmnajë gjarpnore u bën ndaj kësaj kryevepre shqiptare të Shekullit XXI.

A nuk ishte pijetar i madh Mbreti Gent, saqë edhe në rrethimin e Shkodrës në vitin 168 para Krishtit shterronte kupa me venë, por askush e asnjëherë nuk pyeti sa gota verë ka pirë ky mbret ilir, përkundrazi përmenden arritjet e tij: mbarë bota e pijnë ilaçin e tij "Genziana", në Perandorinë Romake i ngritën mauzolè madhështor, emri i tij vlerësohet edhe në tekstet shkollore shqiptare.

A nuk u lartësua me shpenzime kolosale qytet-shteti i madh antik me emrin hyjnor Apolonia, mbi lumin Vjosë, në vendbanimin e ilirëve taulantë, në vitet 750-850 para Krishtit?  E dimë sa drahme apolonite apo Euro ka vlerën e investimeve? Jo.

A nuk u ngritë Kalaja e Rozafës në Shkodër, në vendin e labeatëve ilirë, në shek. V-IV para Krishtit, me sakrifica njerëzore deri në kufinjtë e legjendës? Mund të thotë ndokush sa milionë Euro kushtoi ndërtimi i saj? Jo.

A nuk e sulmuan edhe me topa otomanët kalanë arbnore të Krujës, kryefortesën e Skënderbeut, me themele në shek. V-VI pas Krishtit?  Keni dëgjuar e lexuar sa milionë Euro kushtoi ndërtimi e rindërtimi i saj? Jo.

Çdo shqiptar i ndez dritat në shtëpi, por askush nuk pyet sa milionë dollarë ka kushtuar ndërtimi i Hidrocentralit të Fierzës në kaskadën e Drinit, por të thonë se është 500.000 Kw dhe prodhon 1.8 miliardë Kw, e ndjekim me interes sa metra shkon kuota e mbushjes së liqenit të tij, etj.

E këto vepra i mbetën memoriale historisë shqiptare në shekuj, si krenari për brezat dhe gëzojnë emra  perëndish, vendesh, martirësh, heronjsh.

E kështu ka me ndodhë edhe me Rrugën Durrës-Prishtinë. Askush nuk do të merret me lojën e shifrave të Prokurisë së Përgjithshme. Ne jemi brezi që do të punojmë e sakrifikojmë për këtë rrugë madhore, që bashkon Kombin e na lidh me Ballkanin, Europën e botën.

Kjo vepër ka me mbetë mbi këtë tokë epike, për këtë tokë etnike, për historinë e brezat, si krenari shqiptare, si një nga 7 mrekullitë shqiptare. E koha, në ecurinë e drejtësinë e vet, ka me ia dhanë emrin e vet domethënës: "Rruga Shqiptare e Sali Berishës".

 

3.Në rast se do të bëhej një votim popullor e klasifikim shkencor, Rruga Durrës-Prishtinë do të renditej si një nga 7 mrekullitë shqiptare të të gjitha kohërave, ndërsa i gjithë terrorizmi politik e juridik i superxhiruar e uturakuar ndaj saj do të përbënte një nga çuditë shqiptare në të gjitha kohërat.

Një nga 7 Mrekullitë e Botës Moderne, Statuja e Lirisë në Nju York, ka historinë e vet shqiptare, të lidhur me emrin e trashëgimtarit më të fuqishëm të dinastisë shqiptare të Egjyptit (1805-1953), Ismail Pashës, nipi i Mehmet Aliut të famshëm. Shqiptari i ditur Ismail, i arsimuar në Francë e Vjenë, zotërues i disa gjuhëve europiane, ish-ambasador në Paris pranë Napoleonit III e në Romë pranë Papës, një nga ndërtuesit e reformatorët më të mëdhenj të Egjyptit, punoi për përfundimin e Kanalit të Suezit, rimodeloi Kajron duke i dhënë pjesës perëndimore pamje si të Parisit, ngriti në vitin 1874 pallatin madhështor Abedine Palace, (që edhe sot është rezidenca zyrtare e Presidentit të Egjyptit), nga asnjë linjë hekurudhore ndërtoi 1.185 milje të tilla, nga 185 shkolla ekzistuese e çoi në 4.817 numrin e tyre, themeloi Operën e Kajros, (që rivalizonte me ato të Vjenës e Parisit), ngriti Muzeun e Artit Islamik, botonte 28 gazeta në Kajro e Aleksandri, etj. Biles e ftoi edhe gjeniun Xhuzepe Verdi të kompozojë opera me temë egjyptiane, si kryevepren operistike "Aida", që u shfaq për herë të parë në përurimin e Kanalit të Suezit, etj.

Ky shqiptar i madh, Ismail Pasha, donte të ngrinte një statujë gjigante në brigjet e Kanalit të Suezit, që të simbolizonte Egjyptin si "Dritë për Azinë", ndaj, në vitin 1867, e thirri skulptorin e suksesshëm francez, 33 vjeçarin Frederik August Bartholdi, duke ia besuar talentit të tij këtë vepër madhore, duke i kërkuar t'i bënte disa ndryshime projektit, duke e frymëzuar e ndihmuar për të ecur në rrugën e realizimit të tij. Në vitin 1869 projekti i cilësuar "Statuja e Përparimit" ishte gati për zbatim, por u zvarrit e mbeti pa u realizuar, gjersa Bartholdi, me dëshirën e vendosmërinë e tij, i frymëzuar nga realiteti i ri amerikan, i ndihmuar nga miqtë e tij francezë, mori rrugën për në Amerikën e Xhorxh Uashingtonit, ku, në vitin 1875, e vuri në jetë projektin e tij të famshëm të "Statujës së Lirisë", duke paguar Franca për projektin e Amerika për piedestalin.

Pse shqiptari i madh Ismail Pasha nuk e ndërtoi këtë mrekulli të botës moderne?

Nuk përjashtohen ndikimet ndërkombëtare nga zhvillimet në Francë,synimet për zonë influence nga Anglia, lufta franko-persiane, etj., por kryesore ishin sulmet e kundërshtarëve të hapur e të fshehur si brenda e jashtë Egjyptit për këtë investim të madh e me një simbolikë të veçantë, akuzat e armiqëve të kësaj statuje gjigante për "shpenzime të tepërta", "vështirësi financiare në vend", "patriotizëm i tepëruar", hije dyshimi  për "korrupsion" nga zbatuesit e veprës, etj. Shumkënd e shqetësonte edhe fakti se këtë vepër do ta ngrinte shqiptari  Ismail Pasha i Egjyptit.

 

4.Edhe Taxh Mahall në Indi, një nga 7 Mrekullitë e Botës Moderne, përmendorja më e bukur që ka lartësuar dashuria e burrit për një grua, ka historinë e vet shqiptare.

Perandori i Indisë, Shah Xhahani, i cilësuar "Mbret i Botës", u dashurua në moshën 16 vjeçare, me shikim të parë, me Arjumand Banu Begam, (Mumtaz Mahall), dhe, pas pesë vitesh, më 1612, u martuan, duke pasë për 19 vjet martesë 14 fëmijë. Vdekja e saj, më 1631, gjatë lindjes së fëmijës së pesëmbëdhjetë, e pikëlloi Perandorin Indian, ndaj vendosi ta përjetësonte në një vepër gjigande. Nga s'erdhën mjeshtër për ta ngritur këtë memorial, por Perandori mbetej i pakënaqur.

Vetëm Shqiptari Mehmet Isai, (i njohur edhe me emrat Usta Isai, Ustad Khan Affendi, Isa Mahammed Effendi, Ustad Mohamed, Isa Khan, Isa Affendi...), me banim në Turqi  dhe me origjinë nga Opari i Shqipërisë, nxënës i arkitektit më të madh të kohës së Perandorisë Otomane, arkitekt Sinanit nga Qesarati shqiptar, kur paraqiti vizatimet e maketin (pamjen tredimensionale) të memorialit në Oborrit Perandorak, në Kështjellën e Kuqe, në Agra, e frymëzoi Perandorin Indian dhe dha urdhër të prerë për të filluar menjëherë punimet. Thuhet se edhe Usta Mehmet Isai e kishte pasë fatin tragjik njësoj  si të perandorit, se kishte humbur gruan e tij të shtrenjtë, ndaj në maket e vepër e amëshoi edhe dashurinë e vet.

Pas 20 viteve punë, ku punuan mbi 20 mijë vetë, me kristal të sjellë nga Kina, tarkuiz nga Tibeti, lapis lazuli nga Afganistani, kristolitit nga Egjypti, koralet e guaskat e rralla dhe margaritarët nga Oqeani i Indisë, topaze, onikse, safirë, rubinë, diamante nga vende të tjera, memorali u përfundua, duke u cilësuar si një "poezi në mermer të bardhë".

Memoriali Taxh Mahall e la pa mend Perandorin Indian, aq sa edhe mbi këtë varr monumental, Shah Xhahani i skaliti vargjet: "Ndërtuesi s'ka se si të jetë prej kësaj bote/Pse, është e qartë, projekti i është dhënë nga vetë HYU/. Prandaj e dha urdhrin tragjik: Arkitekt Isait, këtij shqiptari të madh, që ishte njëshi ndër 37 arkitektët e ndihmësit, ia preu kokën, mjeshtrave ndërtues ua shkuli krahët dhe kaligrafët i verboi, për të mos pasë mundësinë dhe aftësinë të ndërtonin një tjetër vepër të tillë si Taxh Mahall, pasi një mrekulli të tillë e kishte krijuar vetë Zoti i Madh dhe i Gjithëpushtetshëm në Qiell.

Veçse ka një ndryshim esencial: Në Shqipëri, të paudhët e Zotit duan  të "presin koka" ende pa mbaruar  kjo vepër shekullit shqiptar.

Kjo është psikologjia enveriane e Kënetës së Maliqit, që nëpër vepra me ngrënë koka njerëzish që i projektojnë e zbatojnë ato, me nxjerrë grupe armiqësore që "sabotojnë" ekonominë për t'i patur si presion ligator e prangor  për pushtetin e tyre diktatorial.

Deri në këto ditë dhjetori 2008 punimet e gërmimit në tunelin 5.53 km, një nga më të mëdhenjtë e më të vështirët në kontinentin europian, kanë avancuar deri në 80 për qind, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka rreth dy vjet hetime në këtë rrugë e nuk i paska  "mbyllur" ende (!). Kjo Prokurori që ndjek hetimet ndaj rrugës nuk po mundet të ecë as me rimet e ndërtimit të saj.  Qeveria shqiptare dhe Bekteli amerikan ecin në rrugë duke avancuar e Prokuroria e përgjithshme duke penguar (!), Të parët sjellin progres shqiptar në zhvillime e integrime, ndërsa të dytët, duke mbjellë e korrë regres antikombëtar me akuza dizinformuese, etj.

Më absurd i absurdit bëhet Edi Rama: kreu i partisë  opozitare më të madhe në vend,  nip i një inxhinieri ndërtimi të tri periudhave të historisë, një kryebashkiak që merret me shtrime rrugësh e rrugicash në kryeqytet, që nuk shkoi një herë të vetme tek kryevepra ndërtimore e shekullit shqiptar, njëra nga 7 mrekullitë e tokës shqiptare të të gjitha kohërave, e,  ku, në zbatimin e këtij projekti madhor punon gjigandi amerikan Bektel, që mori pjesë në ndërtimin e Tunelit  La Mansh, një nga 7 Mrekullitë e Botës Moderne, që e lidh Francën me Anglinë.

Ky njeri, si Edi Rama, që sipas traditës shqiptare nuk i tha  firmës ndertuese Bektel-Enka njëherë të vetme: "Mirë se erdhe", që si politikan nuk iu tha njëherë "Puna e Mbarë" atyre ndërtuesëve shqiptarë e të huaj, si gjen kohë, vend e mënyrë për t'i  bombarduar me terrorizëm politik e juridik, për të vepruar me rrugaçëri kundër rrugës,  për t'i akuzuar padrejtësisht e për t'i penguar padenjësisht veprën dhe njerëzit e saj.

-

Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë

 

 

Ramiz Lushaj



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]