E Shtunë, 07.20.2019, 10:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » SHQIPTARËT
 

Anglishtofobia e akuzuesëve të Rrugës Durrës-Prishtinë


E Enjte, 01.08.2009, 04:04pm (GMT+1)

Nga Ramiz Lushaj

 

1. Para dy vitesh lëshoi lozë një nga akuzat llurbiane të prokurorisë për Rrugën Durrës-Prishtinë, me cilësimin e përçudnuar: “Gjuha e përdorur në dokumentat e tenderit”. Ky artikulim juridik më dha shtysë trajtese: Fillimisht e pashë çështjen në dyanshmëri: E para, kryqëzata më dukej se kishte fuguar aq thellë e aq larg sa të merret edhe me “gabimet ortografike” të tenderit dhe, e dyta, mendova se drejtësia kishte arritur të bënte kthesën e vonuar në dashurinë praktike ndaj Gjuhës Shqipe, pasi  përgjithësisht e sakatosin në leksik e norma drejtshkrimore në dokumentacionet e tyre.

Mirëpo, më pas, gjatë hulumtimeve, pashë çka s’e mendoja: rrotullnaja e filispanjës politike të gjahut juridik greponte tek përdorimi i Gjuhës Angleze në dokumentat e tenderit (!). Këndvështrova në tri anët e akuzës së prokurorisë:

E para: “Ftesa për Ofertë” me objekt “Ndërtim rruge Rrëshen-Kalimash” është botuar më 19.07.2006 në të përditshmen prestigjioze 118 vjeçare “Financial Times”, 35 ditë pas VKM të Republikës së Shqipërisë, në anglisht, në gjuhën ndërkombëtare të biznesit, në gjuhën e vet gazetës.

E dyta: në bazë të VKM, Nr. 481, Datë 14.06.2006  është zhvilluar “Tenderi ndërkombëtar” më 3 dhe 4.08.2006  në mjediset e MPPTT, ku konkuronin 4 firma të huaja “ Bechtel-Enka”, “Strabag”, “Al-Kharafi” e “Konstruktor” dhe anëtarët e komisionit vlerësues kanë qenë katër shtetas të huaj dhe një shqiptar.

Natyrshëm, në këtë rast, dokumentat e tenderit kanë qenë në Gjuhën Angleze, pasi ishte tender ndërkombëtar, me 4 firma të huaja, me 4 anëtarë të huaj komisioni dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, për më tepër, edhe vetë procedurat e kriteret e përcaktuara në Vendimin e Qeverisë nuk e përjashtonin përdorimin e Anglishtes, si gjuhë kryesore të shek. XXI.

E treta:  Këshilli i Ministrave, me vendimin Nr. 651,  Datë 27.09.2006, ka miratuar kontratën ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e shoqërisë së përbashkët “Bektel-Enka” për ndërtimin me ritme të përshpejtuara të segmentit Rrëshen-Kalimash. Kjo kontratë literale me rreth 170 faqe është në  Gjuhën Angleze, në gjuhën kryesore të zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë.

Prokuroria mund të thotë se duhej edhe në  turqisht, pasi ishte firma “Enka”, apo në  gjuhë të tjera për firma në segmente të kësaj rruge si në frengjisht, italisht, sllovenisht, hollandisht, etj., por u përdor Gjuha Angleze jo vetëm se ishte gjuha kombëtare e gjigantit amerikan Bektel, jo vetëm se Bektel, firma më e fuqishme në ndërtimtari e ka të domosdoshme ta ketë në Anglisht  për lehtësinë e sigurinë e vet të termave e kushteve të kontratës, por edhe për faktin se Anglishtja është gjuha e parë e huaj në Shqipëri dhe promovimi i saj është objektiv madhor. Vet akuza e prokurorisë flet për përdorimin e Anglishtes në një pjesë të dokumentacionit plotor të tenderit ndërkombëtar për Rrugën Durrës-Prishtinë. Pra, merret me Pjesën e jo me të Tërën, nga rastet e veçuara del në konkluzion akt-akuzë. Vendimet e Qeverisë Shqiptare, si akte normative për zbatim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, janë në Gjuhën Shqipe, prandaj nuk ka pse merret deri tek e-mailet në Anglisht lidhur me procedurat e tenderimit, nuk ka pse të kapet pas ndonjë fature në Anglisht, nuk duhet të sulmojnë deri në akuzë për ndjekje penale përdorimin e Anglishtes në një tender ndërkombëtar, nuk ka pse të marrin si “provë” relike një kontratë në Anglisht me një firmë amerikane të nderuar e kontribuese në vendin tonë, etj. Shqiptarë janë ata që i kanë shkruar disa shkresa në Anglisht lidhur me tenderin ndërkombëtar nga “Financial Times” e deri tek e-mailet. Për Shqipërinë, për progresin e saj, si në rastin e Rrugës Durrës-Prishtinë, i kanë bërë disa dokumenta në Anglisht dhe nuk përbëjnë as “tradhti kombëtare” dhe nuk ka pse të ketë kaq shumë babëzi juridiko-politike me akuza për  Anglishten, sepse dihet, çdo shqiptar e ka të shënjtë Shqipen, nga lindja deri në vdekje. Ka ikur koha kur haxhiqamilizmi thërriste “Duam Babën” me gjuhën e gunën e tij. Ka ardhur koha të flasim me Botën, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, të hyjmë në BE e NATO, të flasim edhe me gjuhën ndërkombëtare të shek. XXI. Do flasim Shqiptarisht, por edhe në Anglisht.

Siç vepron prokuroria me akuzën e saj për Anglishten, nuk na akuzojnë as varret e as piedestalet e kohërave shqiptare, as balta e as gjethet e tokës shqiptare. Armiqësinë ndaj rrugës Durrës-Prishtinë nuk mund e nuk duhet ta shtrijmë deri në armiqësi ndaj Gjuhës Angleze e ndaj atyre shqiptarëve që e përdorin qoftë edhe në disa dokumenta të një tenderi ndërkombëtar.

 

2. Kemi të bëjmë kështu me faktin real se Gjuha Angleze është gjuha e huaj kryesore e zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë. Nga 12 qershori 2006, duke startuar nga Luksemburgu, Ratifikimi i Marrëveshjes së Stablizim-Asocimit Shqipëri-BE dhe nga 3 prilli 2008, duke startuar nga Bukureshti, Ratifikimi i Protokollit të Antarësimit të Shqipërisë në NATO, kanë ecur me ritme dinamike aq të përshpejtuara saqë  e kanë të vështirë ta ndjekin në proçes analitik e statistikor  edhe politikanë e media, përveç një pjese të institucioneve të shtetit shqiptar që e kanë në përditshmërinë e tyre të veprimtarisë zyrtare.

Si në BE dhe në NATO gjuha kryesore e folur dhe e shkruar në shtetet anëtare të këtyre dy organizmave ndërkombëtare është anglishtja, pamvarësisht se BE ka 23 gjuhë zyrtare kryesore dhe në NATO janë vetëm dy gjuhë: anglisht e frengjisht.

Amerika anglishtfolëse, aleati gjeo-politik më i rëndësishëm  i Shqiptarëve, (sipas programeve politike të dy dekadave të fundit të së djathtës e të majtës), është e mbetet lidere e NATO-s. Amerika për vitin 2009 ka 515.4 bilionë USD buxhet për ushtrinë, më shumë se çdo shtet tjetër i planetit. Të bëjmë një krahasim: Në vitin 2006, të 26 shtetet anëtare të NATO-s, formonin një buxhet prej 823.586 bilionë USD, ndërsa vetëm SHBA kishte 527.600 bilionë USD. Apo një përllogaritje tjetër: 3 shtete anglishtfolëse, antare të NATO-s: SHBA, Mbretëria e Bashkuar e Kanada, në vitin 2006, kishin 602.082 bilionë USD buxhet për ushtrinë nga 221.504 bilionë USD, që arrinin 23 shtetet e tjera.

Në Bashkimin Europian 51 për qind e popullsisë së saj e flasin Gjuhën Angleze, si në Mbretërinë e Bashkuar,    Irlandë 95 për qind, Suedi 89 për qind, Maltë 88 për qind, Hollandë 87 për qind, Danimarkë 86 për qind, Qipro 76 për qind, Finlandë 63 për qind, Luksemburg 60 për qind, Belgjikë 59 për qind, Austri 58 për qind, etj.

Gjiganti  Bektel 110 vjeçar, është themeluar dhe e ka zyrën e saj qëndrore në San Francisko të Kalifornisë të Amerikës, në këtë shtet me sipërfaqe më të madhe se Ballkani (mbi 600 mijë km2), me mbi 37 milionë banorë, ku fliten mbi 200 gjuhë. Anglishten, si gjuhë të parë e flasin mbi 58 për qind e popullsisë së Kalifornisë, ndërsa  Spanjishten mbi 28 për qind, (çka do të thotë se të dy gjuhët  janë kryesore),  Gjuhën  Filipine e flasin mbi 2 për qind, Kineze rreth 2 për qind, Vietnameze mbi 1.4 për qind, Koreane mbi 1 për qind.  Dhjetëra gjuhë të indianëve të vjetër, si ajo Esselene, Kokane, Tipai, Shastane, Ultiane, Pomoane, etj. kanë status të veçantë zyrtar në këtë vend të Amerikës.

Kushtetuta Amerikane, më e qëndrueshmja në kohëra, nuk ka asnjë nen apo amendament për Gjuhën Angleze, çka të paktën Bektel mund të kërkonte kontratë edhe në spanjisht apo ndonjë gjuhë tjetër të Kalifornisë, por kontrata në mes  Shtetit Shqiptar e Bektel u nënshkrua në Gjuhën Angleze, në gjuhën kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në gjuhën e  zhvillimeve e integrimeve euro-atlantike të Shqipërisë e  të Shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik. Çka do të thotë se nisur nga kjo, akuza e prokurorisë, në  formulimin e vet botëkuptimor e juridiko-politik është me frymën e të shkuarës, me frymën antiamerikane e kundër zhvillimeve euro-atlantike të vendit tonë.

 

 

3. Gjuha Angleze është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së, ku, Shqipëria  është një nga 192 vendet antare të saj, tash 54 vjetë.Gjuha Angleze është një nga gjuhët më të përdorura e të folura në OKB për tri arsye: E para, se Anglishten e kanë gjuhë zyrtare të parë apo një nga gjuhët zyrtare të  tyre 53 shtete të botës në të gjitha kontinentet, çka përllogaritet në 36 për qind të vendeve antare të OKB-së. E dyta:  për vet rolin, fuqinë e ndikimin e Amerikës mbi globin tokësor, në dete, ajër e planete të universit dhe në strukturat e OKB-së. E treta: kontributi financiar i SHBA në OKB është sa i 180 shteteve antare të saj të marra së bashku.

Po sa fliten këto 6 gjuhë në vendet kryesore në BE e NATO:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës: mbi 80 për qind flasin anglishten, mbi 10 për qind spanjisht dhe pastaj vijnë gjuhët e tjera: franceze, gjermane, kineze, italiane, portugeze, etj. Në Mbretërinë e Bashkuar anglishtja është gjuhë zyrtare, por 23 për qind flasin frengjisht, 9 për qind gjermanisht, 8 për qind, 2 për qind italisht, 1 për qind rusisht, etj. Në  Kanada janë dy gjuhë zyrtare – anglisht e frengjisht, ku anglishten e flasin 73 për qind e popullsisë, frengjishten 23.6 për qind, etj. Në Francë, përveç gjuhës zyrtare frengjisht, 36 për qind flasin anglisht, 13 për qind spanjisht, 8 për qind gjermanisht, 5 për qind italisht, etj. Në Gjermani, përveç gjuhës zyrtare gjermane, flitet 56 për qind në anglisht, 15 për qind në frengjisht, 7 përqind rusisht, 4 për qind spanjisht, 3 për qind italisht, etj. Në Itali, përveç gjuhës italiane zyrtare, flasin 29 për qind anglisht, 14 për qind frengjisht, 5 për qind gjermanisht, 4 për qind spanjisht, etj.

Pra, në këto vende të G-7 Anglishtja është parësore: në SHBA është gjuhë kombtare, në Mbretërinë e Bashkuar gjuhë zyrtare, në Kanada është një nga dy gjuhët  zyrtare, ndërsa në Francë, Gjermani e Itali anglishtja është gjuha e parë e huaj.

Edhe në forumet e rajonit po flitet Anglisht.

Ballkani i zhvilluar e integruar në rrjedhat e lartësitë e kohës do të ketë Anglishten gjuhë të parë të komunikimit në nivele rajonale e mes shteteve, në mes kombeve, racave e feve të rajonit.

Dashurinë, nacionalizmin e drejtësinë ndaj Gjuhës Shqipe  Drejtësia Shqiptare ka vend e kohë për ta treguar me nisma ligjore etj., pasi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në “Parimet Themelore të Saj”, e çon Gjuhën Shqipe tek Neni 14 i saj, pas partive politike, pas qeverisjes vendore, pas feve,etj. Kjo nuk ka ndodhur në kushtetutat shqiptare të pas Pavarësisë dhe as të kohës së Zogut. Edhe shteti më i ri i botës, Republika e Kosovës, e vendos Gjuhën Shqipe tek neni 5 i Kushtetutës së saj njëvjeçare.

Drejtësia Shqiptare duhet të marrin shembull nga dokumentacioni i kohës së Zogut, që nga mirëpërdorimi zyrtar i Shqipes, rregullsia, legjislacioni e aktet normative të asaj kohe, etj.

Prokuroria Shqiptare, që në faqen e saj zyrtare në internet, mendoj se mund të flasin më mirë Gjuhën Shqipe në profesionin e vet, ku shtetasit shqiptarë, i cilëson “persona”, “qytetarë”, autorë”, “publik”, etj., para se të sulmojnë me akuza “Ligjin Anglez”, Gjuhën Angleze, gjigandin amerikan Bektel e Ministrin e Jashtëm. Prokuroria e dinë se monedha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është “Leku”, e, atëherë, do t’i vëjnë në akuzë ato struktura shtetërore, etj. që e përdorin  Dollarin Amerikan apo EURO-n e Bashkimit Europian?!

Nuk do të dëshiroja asnjëherë që studentët e Universitetit Amerikan të Nju Yorkut në Tiranë, as studentët e Universitetit Justiniani I  në Tiranë, as studentët e Anglishtes në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, as nipërit e mbesat e prokurorëve shqiptarë, biles as Nënë Ferideja e Edi Ramës, të mësonin se në Shqipëri ka pas në fund të dekadës së shek. XXI një “akuzë-hashash” nga Prokuroria Shqiptare për përdorimin e Gjuhës Angleze në dokumentacionin e tenderit ndërkombëtar për Rrugën Kombëtare e Ndërkombëtare Durrës-Prishtinë, që edhe për këtë akuzë iu ka heq imuniteti i deputetit Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë(!), u sulmua  kryevepra e shekullit shqiptar, u denigrua gjigandi amerikan Bektel…

 

 

 

3. Anglishtja, në kuadrin e nismës “Shqipëria Anglofone”, ka arritur të jetë gjuha e parë e huaj në vendin tonë dhe është pjesë e zhvillimit tonë kombëtar. Duke i kushtuar kujdesin më të lartë Gjuhës Shqipe si Gjuhë e Identitetit Kombëtar, i është dhënë përparësi edhe Anglishtes, si pasuri personale e intelektuale për brezat e rinj shqiptarë dhe në shërbim të ardhmërisë kombëtare.

Anglishtja është gjuha e parë e huaj e detyruar e shqiptarëve si anglisht-folës (english-speaking) në shkollat shqiptare, biles ka nisur edhe nga cikli i ulët, klasa III e IV me nga dy orë në javë për secilën klasë.Numri i nxësësve e studentëve që mësojnë anglisht përbën 70 për qind të atyre që mësojnë gjuhët e huaja, si frengjisht, gjermanisht, spanjisht, etj.Në Maturën Shtetërore ka hyrë edhe Anglishtja si lëndë me zgjedhje, biles me koefiçentë të lartë. Matura 2006 kishte 2.971 nxënës që e përzgjodhen anglishten (11 për qind e gjithë maturantëve, ndërsa matura 2007 e dyfishoi këtë numër në 22 për qind apo 7.238 maturantë. Në ciklin e ulët ka rritje të numrit të nxënësve, që e mësojnë anglishten, nga 7 për qind në vitin 2006-2007 në mbi 10 për qind në vitin shkollor 2007-2008. Kjo shifër do të jetë edhe më e lartë në vitet e ardhshme. Gjatë viteve të fundit ka rritje të numrit të mësuesve të anglishtes si dhe do të rritet edhe paga e tyre, e drejtëvlerësuar si e mësuesve  të matematikës dhe informatikës.

Ky progres në vlerësimin e pozicionin e Anglishtes në Shqipëri po ndodh se promovimi i Anglishtes si gjuhë e huaj është një objektiv madhor i Qeverisë Berisha, është risi e arritje kontributive e saj për të sotmen e të nesërmen e vendit.

 

4. Gjuha Angleze është gjuhë ndërkombëtare, gjuhë globale, gjuhë e parë e shek. XXI, që lidh kombe, raca e fe të ndryshme.

E para: zhvillimet kryesore shkencore në shek. XX u arritën në vendet anglishtfolëse, prandaj  cilësohet edhe si “Gjuhë amtare e shkencës”.

Mbi 60 për qind e diturive të botës gjenden në anglisht.

E dyta: 80 për qind e biznesit të komunikimit në kohën e sotme zhvillohen në gjuhën angleze.

E treta, mbi 70 për qind e komunikimeve në diplomaci e marrëdhënie ndërkombtare kryhen në gjuhën angleze.

Anglishtja është një nga 6 gjuhët zyrtare të OKB, një nga dy gjuhët zyrtare të NATO-s, Këshillit të Europës, OECD, etj. Në dy organizmat më të fuqishëm financiar, Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombtar, Anglishtja është gjuhë kryesore, por në konferenca, etj. interpretohet edhe në frengjisht, spanjisht, rusisht, kineze e arabe. Disa organizma ndërkombtare e kanë  anglishten gjuhë zyrtare të vetme si Komonuelthi, OPEC, APEC, ASEAN, CARICOM, SAARC, etj., ndërsa në disa të tjera mbetet ndër gjuhët kryesore si në BE, OSBE, Konferencen e Vendeve Islamike, Unionin Afrikan, Organizatën e Shteteve Amerikane, në Agjensitë Ndërkombëtare të OKB, në organizma të Afrikës si COMESA, EAC, CEMAC, ECOËAS, etj.

E katërta: është gjuha e sotme e internetit.

E pesta: mbetet gjuha me përhapje progresive më të madhe në botë.

Mbi 750 milionë njerëz në planetin tonë e flasin Anglishten si gjuhë të huaj e për më tepër, në këto vitet e fundit, janë mbi 1 miliardë njerëz në të gjithë botën që po e mësojnë Anglishten si gjuhë të huaj, biles deri në vitin 2010 kjo shifër pritet të shkojnë në rreth 1.8 miliardë njerëz të përkushtuar ndaj përvetëimit të kësaj gjuhe globale.

 

5. Në vitet ’60 të shek. XX, Kryeministri i Indisë, Jawaharlal Nehru, duke parë interesat perspektive të vendit të tij, ndërmori vendimin e drejtë  politik për të futur Anglishten si gjuhë e huaj e detyruar në institucionet shtetërore dhe në ato arsimore e shkencore. Dhe e ndërmori këtë hap madhor në një vend ku flitet kryesisht Gjuha Hindu (mbi 41 për qind e popullsisë) dhe 14 gjuhë të tjera zyrtare, në një vend që kishte dy dekada të Pavarësisë Kombëtare nga Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe (15 gusht 1947).

Në sipërmarrjen e tij, Kryeministri largpamës Nehru, i kishte të gjithë kundër: edhe këshilltarë të tij, edhe ministra të tij, edhe ambienti, edhe gazetarët. Në disa shtete pati edhe protesta masive, pro e kundër gjuhës, me të vrarë, të plagosur e të burgosur. Edhe drejtësia indiane iu hodh në akuza e proçese gjyqësore.

Çështja arriti deri në ato parametra akuzues  duke e cilësuar si një “Lëvizje Antikombëtare”, siç po vepron Prokuroria Shqiptare me sulme-akuzë të përdorimit të Anglishtes(!) në dokumentat e tenderit ndërkombëtar për Rrugën Durrës-Prishtiunë, rrugën e zhvillimeve e integrimeve shqiptare.. Edhe me këtë akuzë ka arritur kjo prokurori t’i heqin imunitetin e deputetit Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë (!). Edhe me këtë akuzë ka kërkuar ta marrin në cilësinë e të pandehurit ish-Ministrin e Transporteve (MPPTT)(!).

Sot, Anglishtja, e ka ngritur në nivele të larta Indinë, aqsa ka shënuar arritje madhore në zhvillimin e shkencës e teknikës, në konkurimin me Gjuhën Kineze, në një lidhje në mes shteteve e kombeve të saj, etj. Investimet e huaja në këtë vend edhe anglishtfolës kanë shënuar kulminacione. India do të jetë shumë shpejt një nga superfuqitë e botës, jo vetëm nga numri i popullsisë, (aktualisht rreth 1.2 miliardë banorë), por edhe nga potencialet e saj të larta e të shumanshme, në synimet e saj për të qënë antare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, etj. Këtë shembull e ka ndjekur dhe po e ndjek edhe Pakistani fqinjë e rival.

 Në këtë rrugë me fryte të shpejta po ecën edhe Shqipëria, në zemër të Europës, populli më amerikandashës, pamvarësisht se “akuzat” e prokurorisë po duan të krijojnë një “klimë indiane” të viteve ’60 në dekadën e parë të shek. XXI.

Tiranë, më  08.01.2009

-

Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike ACABS, Tiranë

 

 

 

 

 

Ramiz Lushaj



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]