VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Zekeria Cana ose pleqnari i madh i modernitetit tonë

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 06:08pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 
 
Arkivi » OPINONE-EDITORIALE
 

Zekeria Cana ose pleqnari i madh i modernitetit tonë


E Djelë, 01.11.2009, 04:37pm (GMT+1)

Nga Skënder BUÇPAPAJ

 

Nuk kishte kaluar shumë prej kur Millosheviçi ia hiqte dhunshëm Kosovës autonominë e fituar më 1974, kishte pak kohë prej kur Kosova themelonte pluralizmin e saj, kur Zekeria Cana zbriste në Tiranë. Në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, figura e tij iu kujtonte njerëzve menjëherë kuvendet e famshme të pajtimit të gjaqeve, ku Zekerai spikaste pranë plakut të madh të kombit Anton Çetta. Këto kuvende përjetoheshin me të drejtë si kundërgoditja e parë e fuqishme ndaj Serbisë së Millosheviçit.

Kjo ndodhte nëntëmbëdhjetë vjet të shkuara. Zekeriai ishte ende i ri dhe plot energji. Por në opinionin shqiptar mishëronte pleqnarin, njeriun e mendimeve të urta dhe të vendimeve të urta. Ai do të ishte ndër njerëzit e parë, së paku një ndër shqiptarët e parë që do t'ia kërkonte Ramiz Alisë pluralizmin. Dhe ia kërkonte këtë në kontekstin e shpëtimit të kombit, i cili pas ngjarjeve të Kosovës, nëse nuk merrte rrugën e demokracisë, do të ishte viktima më fatkeqe e tërbimeve millosheviçiane. 

Atëbotë, në një nga mjediset e hotel Dajtit, një mbrëmje të vonë të shtune, ia merrnim intervistën, të cilën e çonim menjëherë në shtypshkronjë dhe të nesërmen botohej në gazetën "Drita". Për herë të parë zyrtarisht shahej dhe bëhej pleh "realizmi socialist", të cilit Zekeriai ia vinte epitetin "i mendermethanshëm". Do të ishte ky epitet, në versionin verior të shqipes, që do t'i vihej pastaj shumëçkaje nga trashëgimia e gati një gjysmë shekullit të komunizmit në Shqipëri.

Profesorit do t'i përgjigjeshin menjëherë në shtypin lokal partiak të kryeqytetit të Shqipërisë ata që ndiheshin më drejtpërdrejt të prekur në nderin e tyre realsocialist dhe në nderin e tyre klanor. Këtë do ta bënin në rrugë publike. Ndërsa në rrugë shtetërore do të kërkonin përzënia e tij e menjëhershme nga Shqipëria. Pra konsiderimi person i padëshiruar.

Ndërkaq në qarqet e mirëfillta intelektuale e akademike, jo pa xhelozi, por jo edhe pa realizëm, Zekeria Cana do të konsiderohej një koleg nga më seriozët, që e kishte ndërtuar veprën e tij sa me guxim qytetar, sa me këmbëngulje e zell të pashoq studiuesi, aq edhe me vizion kombëtar e intelektual.

Në bisedat që pati me intelektualë, dijetarë e artistë në hotel Dajti, në Muzeun Historik Kombëtar dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Zekeria Cana për herë të parë, pas dhjetëra vitesh, do ta shqiptonte publikisht emrin e Gjergj Fishtës. Atëherë ai tha ndër të tjera se vepra e Fishtës, veçanërisht Lahuta e Malcis, të cilat mësoheshin nga shqiptarët e Kosovës, nga njëri brez në tjetrin, i zëvendësonin shkollat shqipe gjatë pushtimit të rëndë serb. Këtë argument të profesorit unë e përmenda në shkrimin tim në gazetën Drita në dhjetor të vitit 1990, i cili ishte shkrimi i parë afirmues për poetin e madh kombëtar Gjergj Fishta, i cili iu ishte ndaluar njëlloj shqiptarëve në të dy anët e kufirit që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Mesazhi që sillte Zekeria Cana ishte se kombi shqiptar duhej të kapte sa më shpejt trenin e Europës, duhej të merrte sa më shpejt rrugën drejt perëndimit, përndryshe do të përfundonte edhe më keq se përgjatë koniunkturave të gati dyqind viteve të fundit dhe do të dënohej me përjashtim politik e fizik përfundimtar nga harta.

Ky burrë energjik, ky gojëtar i rrallë, gjithnjë me dy gishta lart, gishta të ngritur në demonstratat e famshme të Kosovës të viteve 1981-1989, të cilët ne i kishim parë vjedhtas në ekranet e vegjël perëndimorë, do të vinte në redaksinë e gazetës Drita, me një pamje tejet të lodhur e gati të mjerë. Do të përgatiste një letër për Ramiz Alinë, të cilën do t'ia dërgonte atij në dorë në mënyrë të tërthortë. Kjo do të thoshte se atë para largimit nga Shqipëria nuk e priste Ramiz Alia apo dikush nga zyrtarët e tij. Pritja zyrtare e mbërritjes, nëpërmjet së cilës Ramiz Alia donte të fitonte pikë në opinion si përkrahës i Kosovës, do të pasohej me largimin privat e vetmitar të Zekeriait nga Shqipëria.

Pas fitores së pluralizmit Profesor Zekerai ka ardhur shpesh në Tiranë dhe pothuaj çdo herë ka ardhur në zyrën time në Radiotelevizion ose së paku më ka telefonuar duke m'i thënë arsyet pse po vinte e po largohej kaq shpejt pa më takuar. Ardhjen e tij të parë, intervistën e famshme kundër realizmit socialist dhe letrën private të përgatitur në Drita dhe që ia dërgonte Ramiz Alisë ai e ka përmendur shpesh në shkrimet e tij më vonë.

Dhe koha do ta sillte që Zekeria Canën ta kisha një ndër reporterët e gazetës së përditshme të cilën e drejtoja në Perëndim. Nga terreni në Kosovë ai na dërgonte në gazetë reportazhet e luftës. Nuk mund të ketë pasur ndonjëherë ndonjë media një reporter më të denjë e më të veçantë, më profesionist e më të saktë. Edhe më vonë, sa pati shëndet dhe energji, Zekerai do të vazhdonte të ishte në shërbim të Kosovës, të kombit.

Një nga dëshmitarët e luftës dhe rënies së Jasharajve, bashkëluftëtar dhe i afërm i Adem Jasharit, Gani Geci, në librin e tij "Lufta pa maska", të botuar më 2001, duke përshkruar varrimin e familjes së Jasharajve,, shkruante: "Në varrim kishte ardhur, duke kaluar pengesa të mëdha edhe atdhetari i shquar i çështjes kombëtare profesor Zekirja Cana." Mbaj mend se në ato ditë të vështira thirrej shumë emri i Zekeria Canës, si një ndër ata burra që mund ta mbanin pa u dobësuar shpirtërisht popullin e Kosovës. Ai ishte sa trashëgimtar i përkryer i pleqnarisë së odave të Kosovës, sa dijetar i shkolluar aq edhe shqiptar me shpirt dhe zemër burrërore. Ishte një nga pleqnarët më të pashembull të modernitetit të kombit tonë në kapërcyellin më vendimtar të fateve tona, këtë aktual, midis dy shekujve dhe dy mijëvjeçarëve. Zekeriai gjithsesi u largua nga ne para kohe. Por figura të tilla sado vonë të largohen, kurdo që të largohen gjithnjë lënë zbrazëtira të cilat nuk mbushen kurrë.
Skënder BUÇPAPAJ



Rating (Votes: )   
      Printo


 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]